loader image
May 20, 2024

Infokracia

Demokracia është një proces i ngadaltë dhe i zgjatur. Duhet kohë. Për këtë arsye, përhapja virale e informacionit, infodemia, është veçanërisht e dëmshme për procesin demokratik. Argumentet dhe justifikimet nuk mund të paketohen në një cicërimë ose meme që përhapet dhe shumëfishohet me shpejtësi virale. Koherenca logjike, që karakterizon diskursin, është e huaj për mediat virale. Informacioni e ndjek logjikën e vet, e ka përkohshmërinë e vet – e ka dinjitetin e vet përtej së vërtetës dhe gënjeshtrës.

Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren

Digjitalizimi i jetës po përparon në mënyrë të pashmangshme. Ajo po e ndryshon rrënjësisht perceptimin dhe marrëdhënien tonë me botën. Jemi të zhytur në komunikim dhe dehje informacioni. Vala e komunikimit dhe informacionit është mahnitëse. Ndërkohë, ajo ndikon edhe në arenën politike dhe shkakton konfuzion dhe përçarje të madhe në procesin demokratik. Sipas Byung-Chul Han, demokracia po kthehet në një infokraci.

Libri, mediakracia dhe telekracia

Byung-Chul Han e shtjellon në mënyrë të detajuar rolin e librit në zhvillim e demokracisë, transformimin e komunikimit nëpërmjet masmedias dhe televizionit në sferën publike diskursive.

Si mjet vendimtar në ditët e para të demokracisë, libri përbën diskursin racional të iluminizmit. Sfera publike diskursive, që është thelbi i demokracisë, i detyrohej njerëzve që arsyetonin dhe lexonin. Në “Transformimi strukturor i publikut”, Habermas-i tërheq vëmendjen për marrëdhënien e ngushtë midis librit dhe sferës publike demokratike: “në sajë të lexuesit të përgjithshëm, kryesisht urban dhe borgjez, që shtrihet përtej kufijve të republikës së studiuesve (…), doli nga qendra e sferës private, si të thuash, një rrjet relativisht i dendur komunikimi publik”. Pa shtypshkronjën, nuk mund të kishte iluminizëm duke përdorur arsyen dhe arsyetimin. Në kulturën e librit, ligjërimi publik shfaq një qëndrueshmëri logjike: “Në një kulturë të dominuar nga shtypshkronja, ligjërimi publik shpesh karakterizohet nga një rregullim koherent dhe i rregullt i fakteve dhe ideve”.

Sipas Byung Chul Han-it, diskursi politik i shekullit të 19-të, i formuar nga kultura e librit, kishte një shtrirje dhe kompleksitet krejtësisht të ndryshëm nga ai i sotëm. Debatet e famshme publike midis republikanit Abraham Lincoln dhe demokratit Stephen A. Douglas janë një shembull i mrekullueshëm i kësaj. Në një duel verbal në vitin 1854, Douglas fillimisht foli për tre orë. Lincoln-i gjithashtu kishte tre orë për t’u përgjigjur. Pasi Lincoln u përgjigj, Douglas foli edhe për një orë tjetër. Të dy folësit diskutuan çështje komplekse politike, ndonjëherë në formulime shumë komplekse. Publiku shfaqi një fuqi të jashtëzakonshme fokusimi. Gjithashtu, për njerëzit e asaj kohe pjesëmarrja në diskursin publik ishte pjesë përbërëse e jetës së tyre shoqërore.

Han-i, duke iu referuar Habermasit, arsyeton se masmediat elektronike filluan ta shkatërrojnë diskursin racional të vulosur nga kultura e librit, duke prodhuar një mediakraci. Mediakracia ka një arkitekturë/arkitektonikë të veçantë. Për shkak të natyrës së tij amfiteatrore, marrësit e tij janë të dënuar me pasivitet. Habermas-i i konsideron masmediat përgjegjëse për prishjen e sferës publike demokratike. Ndryshe nga një publik lexues, një publik televiziv rrezikohet të privohet nga e drejta për të dalë nga mosha e adoleshencës: “Programet e dërguara nga mediat e reja (televizioni) u shkurtojnë në mënyrë të veçantë reagimet e marrësve të tyre. Ata tërheqin sytë dhe veshët e publikut nën magjinë e tyre, por në të njëjtën kohë, duke i hequr distancën, e vendosin nën ‘tutelë’, që do të thotë i heqin mundësinë për të thënë diçka dhe për të mos u pajtuar. Diskutimi kritik i një publiku lexues tenton t’i lërë vendin ‘shkëmbimeve rreth shijeve dhe preferencave’ midis konsumatorëve…. Bota e modeluar nga masmedia është një sferë publike vetëm në dukje.”

Byung-Chula Han-i, për të theksuar se në mediakraci, politika i dorëzohet edhe logjikës së masmedias, e citon Postmanin. Argëtimi përcakton se si përçohet përmbajtja politike dhe minohet racionaliteti. Teoricieni amerikan i medias, Neil Postman, në librin e tij “Amousing ourselves to death”, tregon se si info-argëtimi (infotainment) çon në prishjen e fuqisë së gjykimit dhe e zhyt demokracinë në krizë. Demokracia kthehet në telekraci. Prioriteti më i lartë është të ofrojë argëtim dhe kjo bëhet prioritet edhe në politikë: “Përpjekja për të njohur dhe perceptuar zëvendësohet nga shpërqendrimi. Rezultati i kësaj është një kolaps i shpejtë i gjykimit të njeriut. Puna e zvarritjes paraqet një kërcënim të qartë: i kthen njerëzit në adoleshentë ose i mban në një papjekuri. Dhe, gërryen themelet shoqërore të demokracisë. Ne argëtohemi deri në vdekje.” Lajmi fillon të marrë formën e tregimit. Dallimi midis trillimit dhe realitetit bëhet i paqartë. Habermas i referohet gjithashtu efektit shkatërrues të info-argëtimit në diskurs: “Lajmet dhe raportet, madje edhe opinionet editoriale, janë të veshura me të gjitha pjesët e literaturës argëtuese.

Han-i mendon se mediakracia është gjithashtu një teatrokraci. Politika reduktohet në një sërë ngjarjesh të inskenuara në media. Në kulmin e mediave, aktori Ronald Reagan u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara. Ajo që ka rëndësi në debatet televizive është performanca e palëve, jo argumentet që paraqesin. Koha e fjalimit të kandidatëve presidencialë gjithashtu është shkurtuar dhe kufizuar ndjeshëm. Ata ndryshojnë stilin e të folurit. Kandidati që ka paraqitje më të mirë i fiton zgjedhjet. Diskursi shembet në slogane spektakli dhe komerciale. Përmbajtja politike luan gjithnjë e më pak rol. Kështu, politika humbet të gjithë substancën e saj dhe zbrazet dhe reduktohet në një politikë imazhi telekratik.

Nga ky këndvështrim, televizioni e fragmenton diskursin. Edhe media e shkruar bëhet e përshtatshme për televizionin: “Në epokën e televizionit, paragrafi bëhet njësia bazë për lajmet në median e shkruar. (…) Nuk janë të largëta ditët kur do të shpërblehen shkrimet më të mira me një fjali”. Edhe pse radioja është e përshtatshme për përdorimin e gjuhës racionale dhe komplekse, ajo nuk kursehet nga ky proces shpërbërjeje. Gjuha e saj bëhet e fragmentuar dhe e ndërprerë. Përveç kësaj, radioja është nën ndikimin e madh të industrisë muzikore. Gjuha e saj ka ‘qëllim kryesisht në thirrjen e përgjigjes ndjesore’ dhe bëhet ‘analogu gjuhësor’ i muzikës rock.

Byung Chul Han-i bënë një analogji në mes dominimit të ekranit në etapa të ndryshme. Historia e dominimit mund të hidhet në terma të ekraneve të ndryshme. Alegoria e shpellës së Platonit përshkruan një ekran arkaik. Shpella është ndërtuar si një teatër. Të burgosurit, të lidhur që në fëmijëri, shikojnë vetëm hijet dhe i marrin ato si realitetin e vetëm. Ekrani arkaik i Platonit ilustron dominimin e mitit.

Në shtetin e mbikëqyrjes totalitare të Orwellit, një ekran i quajtur tele-ekran luan një rol qendror. Transmetimet propagandistike shfaqen vazhdimisht në ekran. Përpara ekranit, masat kryejnë rituale të dorëzimit, duke kënduar himne në emocione kolektive. Në rezidencat private ky tele-ekran funksionon edhe si kamerë vëzhgimi, falë një mikrofoni shumë të ndjeshëm. Edhe zëri më i qetë regjistrohet nga ky ekran. Njerëzit jetojnë nën supozimin se po vëzhgohen vazhdimisht nga policia e mendimit.

Në Telekrasi, ekrani i vëzhgimit të Big Brother-it zëvendësohet me ekranin e televizorit. Njerëzit nuk vëzhgohen, por argëtohen. Ata nuk shtypen, por bëhen të varur. Policia e Mendimit dhe Ministria e së Vërtetës duken të panevojshme. Në vend të dhimbjes dhe torturës, mjetet e dominimit janë argëtimi dhe zbavitja: “Në 1984 … njerëzit kontrollohen duke u shkaktuar dhimbje. Në Brave New World (Më e mira e botëve), ata kontrollohen duke u shkaktuar kënaqësi. Me pak fjalë, Orwell-i kishte frikë se ajo që ne urrejmë do të na shkatërronte. Huxley kishte frikë se ajo që duam do të na shkatërronte. Bota e re e guximshme e Huxley-t është në shumë mënyra më afër ditëve të sotme sesa gjendja e mbikëqyrjes së Orwellit. Njerëzit janë të mahnitur nga argëtimi, konsumi dhe kënaqësia. Presioni për të qenë të lumtur e dominon jetën.

Byung-Chul Han vlerëson se sot tele-ekranët dhe ekranet televizive janë zëvendësuar nga ekranet me prekje. Smartphone është mediumi i ri i dominimit. Nën regjimin e informacionit, njerëzit nuk janë më spektatorë pasivë që i dorëzohen dëfrimit. Ata janë të gjithë publikues aktivë. Ata vazhdimisht prodhojnë dhe konsumojnë informacion. Komunikimi është bërë një formë varësie dhe detyrimi, andaj furia e komunikimit siguron që njerëzit të mbeten në një gjendje të re papjekurie. Formula e regjimit të informacionit për dominimin është: ne komunikojmë deri në vdekje.

Diskursi përballë informacionit

Në Transformimi Strukturor i Sferës Publike, botuar në vitin 1962, Habermas-i ishte në gjendje të diskutonte vetëm për mediat elektronike. Sipas Han-it, sot media digjitale e nënshtron sferën publike ndaj një ndryshimi strukturor rrënjësor që do të kërkonte një rishikim themelor të tezës së Habermas-it. Në epokën e mediave digjitale, sfera publike diskursive kërcënohet jo nga formatet argëtuese të masmedias, por nga përhapja virale e informacionit, pra nga një infodemi. Media digjitale shfaq një forcë centrifugale që copëton sferën publike. Struktura amfiteatrale e masmedias ia lë vendin strukturës rizomatike të medias digjitale, e cila nuk ka qendër. Sfera publike shpërbëhet në hapësira private dhe vëmendja jonë shpërndahet në vend që të drejtohet drejt çështjeve të rëndësishme për të gjithë shoqërinë.

Në fakt, Habermas-i në librin e ri “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”, e rishikon dhe rizhvillon idenë e një sferë publike të lirë e të drejtë, e dalë nga arsyeshmëria dhe veprimi racional, që do të nxitnin një kulturë politike e institucione të fuqishme demokratike. Sipas tij, me media digjitale e rrjete sociale ne krijojmë iluzionin e të pasurit lirinë e autorësinë individuale, mirëpo njëkohësisht rrezikohemi që të individualizojmë sferën dhe të mirën publike, që janë baza dhe qëllimi i demokracisë. Pra, Habermas-i, me librin e ri, risjell në vëmendje rëndësinë e komunikimit, informimit dhe të veprimit racional në kohë të sotme, me qëllimin për të mbrojtur demokracinë. Ai është i mendimit se ky zhvillim teknologjik dhe komunikimi digjital mundësojnë pjesëmarrje dhe liri më të madhe, por njëkohësisht edhe fragmentim të sferës publike. Kështu, mediat sociale i konsideron si komunikim gjysmë-publik dhe të përshtatur e kufizuar për përdoruesit e caktuar, e të cilat si të tilla mund të deformojnë perceptimin mbi opinionin publik politik.

Byung-Chul Han-i është i mendimit se nëse duam të kuptojmë më thellë infokracinë, krizën demokratike nën regjimin e informacionit, na duhet një fenomenologji informacioni. Kriza demokratike fillon në nivelin kognitiv. Informacioni është i rëndësishëm vetëm në kohë. Për shkak se ai jeton nga “tërheqja e befasisë”, informacionit i mungon stabiliteti i përkohshëm dhe për shkak të paqëndrueshmërisë së tij kohore, ai fragmenton perceptimin tonë. Ai e tërheq realitetin në një “furi të përhershme të aktualitetit”. Nuk është e mundur të zgjatesh në informacion. Kjo e bën sistemin kognitiv të shqetësuar. Detyrimi drejt përshpejtimit, i natyrshëm në informacion, do të thotë që praktikat njohëse që kërkojnë shumë kohë, si njohuria, përvoja dhe njohuritë, lihen mënjanë.

Byung-Chul Han-i, për t’i bërë një shpjegim më të thukët informacionit, e ndërlidh atë me kohën. Për shkak të rëndësisë së tij të shkurtër, informacioni e pluhuron kohën. Koha shpërbëhet në një sekuencë të thjeshtë të momenteve të menjëhershme. Në këtë aspekt, informacioni ndryshon nga tregimet që krijojnë vazhdimësi kohore. Koha sot është e fragmentuar në çdo nivel. Diskursi karakterizohet nga një përkohshmëri që është e papajtueshme me komunikimin e përshpejtuar dhe të fragmentuar. Diskursi është një praktikë që kërkon kohë.

Sipas Han-it, racionaliteti ka gjithashtu një intensitet që kërkon kohë. Vendimet racionale kërkojnë një perspektivë afatgjate. Ato bazohen në reflektime që shtrihen përtej momentit, të shkuarës dhe të së ardhmes. Kjo shtrirje kohore i jep racionalitetit tiparin e tij dallues. Në shoqërinë e informacionit, ne nuk kemi kohë për të vepruar në mënyrë racionale. Detyrimi për të përshpejtuar komunikimin na privon nga racionaliteti. Nën presionin e kohës ne rrëshqasim në inteligjencë. Inteligjenca ka një përkohshmëri krejtësisht të ndryshme. Veprimi inteligjent synon zgjidhjet dhe sukseset afatshkurtra. Kështu Luhmann-i, me të drejtë, pohon: “Në shoqërinë e informacionit nuk mund të flitet më për sjellje racionale, por në rastin më të mirë për veprime inteligjente”.

Transformimi i komunikimit politik në mediat sociale

Han-i po ashtu thekson faktin se racionaliteti diskursiv është sot nën kërcënimin e komunikimit afektiv. Ne e lejojmë veten të ndikojmë lehtësisht nga sekuenca të shpejta informative. Është më e shpejtë të apelosh për të prekur (afektosh) sesa për racionalitet. Në komunikimin afektiv, nuk është argumenti më i mirë, por informacioni më emocionues ai që mbizotëron. Lajmet e rreme janë më interesante se faktet. Një tweet i vetëm që përmban lajme të rreme ose një fragment informacioni i dekontekstualizuar mund të jetë më efektiv se një argument i arsyetuar.

Trump, presidenti i parë i Twitter-it, e copëtoi politikën e tij në Twitter. Politika e tij nuk përcaktohet nga një vizion, por nga informacioni viral. Infokracia promovon forma instrumentale të veprimit të orientuara drejt suksesit dhe çon në përhapjen e oportunizmit. Matematikania amerikane Cathy O’Neil vëren saktë se Trump-i vepron si një algoritëm krejtësisht oportunist, që merr parasysh vetëm reagimet e audiencës. Bindjet ose parimet e qëndrueshme përkohësisht sakrifikohen në favor të fitimeve të shpejta dhe jetëshkurtra të pushtetit.

Psikometria, e quajtur edhe psikografia, është një metodë e drejtuar nga të dhënat për krijimin e një profili personaliteti. Kur bëhet fjalë për parashikimin e sjelljes së një personi, profilizimi psikometrik tejkalon edhe miqtë ose partnerin e atij personi. Duke pasur të dhëna të mjaftueshme, madje është e mundur të gjenerohet informacion që shkon përtej asaj që ne besojmë se dimë për veten tonë. Një smartphone është një pajisje regjistrimi psikometrik që ne e ushqejmë çdo ditë, madje edhe çdo orë, me të dhëna. Ai bën të mundur llogaritjen e saktë të personalitetit të përdoruesit të tij. Gjithçka që kishte në dispozicion regjimi disiplinor ishte informacion demografik, i cili bëri të mundur biopolitikën e tij. Regjimi i informacionit, në të kundërt, ka akses në informacionin psikografik, të cilin e përdor për psikopolitikën e tij.

Psikometria është një mjet ideal për marketingun psikopolitik në politikë. I ashtuquajturi mikro-targetim përdor profilizimin psikometrik. Votuesve u dërgohen reklama të personalizuara, bazuar në psikogramet e tyre, përmes rrjeteve sociale. Ashtu si sjellja e konsumatorit, sjellja e votimit i nënshtrohet ndikimeve të pavetëdijshme. Infokracia e drejtuar nga të dhënat e minon procesin demokratik, i cili kërkon autonomi dhe liri të vullnetit. Pas fitores së zgjedhjeve të Donald Trumpi-it në vitin 2016, kompania britanike e analizës së të dhënave, “Cambridge Analytica”, deklaroi triumfalisht: “Jemi të emocionuar që qasja jonë revolucionare ndaj komunikimeve të drejtuara nga të dhënat luajti një rol kaq integral në fitoren e jashtëzakonshme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump”.

Mikro-targetimi nuk i informon votuesit për programin politik të një partie. Në vend të kësaj, votuesit marrin reklama elektorale manipuluese dhe shpesh lajme të rreme, bazuar në psikogramet e tyre. Mijëra variacione të një reklame testohen për efikasitetin e tyre. Këto reklama të errëta të optimizuara psikometrikisht përfaqësojnë një rrezik për demokracinë. Të gjithë marrin një mesazh të ndryshëm; kështu publiku është i fragmentuar. Grupe të ndryshme marrin informacione të ndryshme, shpesh edhe kontradiktore. Qytetarët nuk u kushtojnë më vëmendje temave që janë të rëndësishme për të gjithë shoqërinë. Në vend të kësaj, ata janë të privuar nga e drejta, trajtohen si bagëti votuese për t’u manipuluar nga politikanët në pushtet. Reklamat e errëta kontribuojnë në ndarjen dhe polarizimin e shoqërisë dhe helmojnë atmosferën diskursive. Ato janë të padukshme për publikun dhe në këtë mënyrë anulojnë një nga parimet themelore të demokracisë: vetë-observimin e shoqërisë.

Sot, kushdo që ka qasje në internet mund të krijojë kanalet e veta informative. Teknologjia e informacionit digjital zvogëlon kostot e prodhimit për informacion praktikisht në zero. Një llogari Twitter ose kanal YouTube mund të krijohet me disa lëvizje të dorës. Në të kundërt, në epokën e masmedias, kostot e prodhimit për informacion ishin më të larta. Rrjedhimisht, një shoqërie mediatike i mungon infrastruktura e nevojshme për prodhimin masiv të lajmeve të rreme. Televizioni mund të jetë një mbretëri iluzionesh, por nuk është ende një fabrikë për lajme të rreme. Mediakracia telekratike bazohet në shfaqje dhe argëtim, jo në lajme të rreme dhe dezinformata. Kushtet strukturore për përçarjen infokratike të demokracisë mbërrijnë vetëm me rrjetin digjital.

Mediakracia e redukton betejën elektorale në një luftë për performancën më të suksesshme në masmedia. Në vend që të angazhohen në diskurs, politikanët kërkojnë të bëjnë një shfaqje tërheqëse. Televizioni, si mediumi kryesor i mediakracisë, funksionon si skenë politike. Në infokraci, përkundrazi, beteja elektorale degjeneron në një luftë informacioni. Twitter-i nuk është një skenë mediakratike, por një arenë informative. Trump-i nuk është i interesuar të japë një performancë të mirë. Ai udhëhoqi një luftë të pamëshirshme informacioni.

Luftërat informative po bëhen me të gjitha llojet e mjeteve teknike dhe psikologjike që mund të imagjinohen sot. Votuesit përmbyten me lajme të rreme përmes mesazheve të automatizuara telefonike. Ushtri të trollëve të internetit ndërhyjnë në betejat elektorale duke shpërndarë sistematikisht lajme të rreme dhe teori konspirative. Botët sociale – llogari të automatizuara në mediat sociale që pretendojnë se janë njerëz të vërtetë – postojnë, cicërojnë, pëlqejnë dhe shpërndajnë. Ata shpërndajnë lajme të rreme dhe komente të mbushura me urrejtje. Në këtë mënyrë, qytetarët zëvendësohen me robotë. Me kosto zero, këta robotë krijojnë zëra, që prodhojnë një humor dhe kështu shpërfytyrojnë rëndë debatin politik. Ata e rrisin artificialisht numrin e ndjekësve për llogari të caktuara, duke u dhënë kështu disa opinioneve pamjen e pushtetit. Tweet-et dhe komentet e këtyre robotëve drejtojnë klimën e opinionit në mediat sociale në drejtime të veçanta. Studimet tregojnë se vetëm një numër i vogël robotësh mund ta ndikojnë klimën e opinionit. Ata mund të mos ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet e votuesve, por manipulojnë mjedisin në të cilin merren vendimet. Votuesit ndikohen pa e ditur. Kur politikanët marrin parasysh gjendjen shpirtërore në mediat sociale, vendimet politike po ndikohen në mënyrë indirekte nga robotët e mediave sociale. Dhe, nëse qytetarët ndërveprojnë me robotët, që prodhojnë opinione dhe lejojnë veten të manipulohen prej tyre, nëse aktorët, prejardhja dhe motivimi i të cilëve mbeten të fshehura, ndërhyjnë në debatet politike, demokracia rrezikohet. Kur një betejë elektorale merr formën e një lufte informacioni, nuk është argumenti më i mirë, por algoritmi më inteligjent ai që mbizotëron. Pra, në infokraci, në këtë luftë informacioni, diskursi nuk ka vend.

Në infokraci, informacioni është armë. Luftërat e informacionit të zhvilluara me lajme të rreme dhe teori konspirative janë simptoma të një gjendjeje demokracie në të cilën e vërteta dhe vërtetësia nuk kanë më ndonjë rëndësi. Demokracia po zhduket në një xhungël të dendur informacioni.

Të ashtuquajturat meme luajnë një rol qendror në betejat zgjedhore të zhvilluara si luftëra informacioni. Memet janë vizatime komike me slogane të shkurtra provokuese, fotografi të montuara ose video të shkurtra që bëhen virale në mediat sociale. Memet janë viruse të mediave në internet që përhapen me shpejtësi të lartë, riprodhohen dhe ndryshojnë. Për shkak se memet synojnë kryesisht të shkaktojnë afekte, komunikimi viral i bazuar në meme e bën më të vështirë diskursin racional. Fenomeni i luftërave të memeve tregon se komunikimi digjital është gjithnjë e më shumë vizual sesa tekstual. Në fund të fundit, merr shumë më pak kohë për të marrë një imazh sesa për të lexuar një tekst. Diskursi dhe e vërteta nuk bëhen virale. Për shkak se imazhet nuk paraqesin argumente apo justifikime, vizualizimi në rritje i komunikimit është një pengesë shtesë për diskursin demokratik.

***

Demokracia është një proces i ngadaltë dhe i zgjatur. Duhet kohë. Për këtë arsye, përhapja virale e informacionit, infodemia, është veçanërisht e dëmshme për procesin demokratik. Argumentet dhe justifikimet nuk mund të paketohen në një cicërimë ose meme që përhapet dhe shumëfishohet me shpejtësi virale. Koherenca logjike që karakterizon diskursin është e huaj për mediat virale. Informacioni ndjek logjikën e vet, ka përkohshmërinë e vet – ka dinjitetin e vet përtej së vërtetës dhe gënjeshtrës. Lajmet e rreme janë para së gjithash informacion. Ai prodhon efektin e tij para se të ketë filluar procesi i verifikimit. Informacioni kalon mbi të vërtetën dhe e vërteta nuk mund ta arrijë kurrë. Prandaj, çdo përpjekje për të luftuar infodeminë me të vërtetën është e dënuar të dështojë. Infodemia është rezistente ndaj së vërtetës.

* Ky shkrim është përpiluar duke u bazuar në librin “Infocracy: Digitalization and the Crisis of Democracy” – Byung-Chul Han.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X