loader image
December 11, 2024

Kthimi i Perëndimit për ta vazhduar kontrollimin e krizës që e prodhon Serbia

Ajo që duhet të thuhet në këtë rast është se Serbia vetëm gjatë luftës së Kosovës nuk kishte mbështetje nga asnjë fuqi e rëndësishme. Rusia ishte në pozitë të rëndë duke u këndellur nga rënia e federatës sovjetike dhe krijimit të federatës së re, saqë nuk pati mundësi ta ndihmonte Serbinë, e cila gjithmonë ka qenë përfaqësia e saj në Ballkan. Në rastet tjera, Serbia gjithmonë ka pasur mbrojtje, jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Perëndimi, më saktësisht nga Franca dhe Britania e Madhe.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Kërkesa e vendeve perëndimore ndaj Prishtinës në lidhje me aplikimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ka krijuar një situatë të re politike mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithnjë e më shumë duket se Perëndimi e ka ndryshuar qëndrimin e tij duke kaluar në anën e Serbisë. Ky realitet i ri shihet me dyshim nga shumica e njerëzve në Kosovë, të cilët, gjithnjë e më shumë binden se Perëndimi e ka ndryshuar qëndrimin e tij duke e përkrahur  Serbinë. Dyshimi përcillet me brengosje se Kosova mund të zhbëhet si shtet nëse Perëndimi e vazhdon këtë rrugë. Është krijuar një përshtypje se Perëndimi, në orvatjet për largimin e Serbisë nga Rusia, do t’i lë anash shqiptarët, gjegjësisht do ta neglizhojë çështjen e Kosovës. Domethënë me këtë neglizhim shqiptarët sakrifikohen pasi që e paguajnë çmimin e orvatjes së Perëndimit për ta futur Serbinë në kampin e tyre. Shkurtimisht, kjo brengë e shqiptarëve thotë: Perëndimi ka qenë me ne, por kohëve të fundit na e ka kthyer shpinën dhe ka dalë në anën e Serbisë.

Në fakt, kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Shumë shqiptarë e kanë perceptuar gabimisht mënyrën se si është pozicionuar Perëndimi ndaj Kosovës. Pas vitit 1999 klasa politike e Kosovës, e përkrahur edhe nga intelektualët, e ka përhapur bindjen se Perëndimi është miku jonë i përhershëm dhe në të njëjtën kohë armik i përhershëm i Serbisë. Pra, kështu ka menduar një klasë e papërgatitur dhe, si e tillë e papërgjegjshme, duke mos e pasur parasysh se miqësitë dhe armiqësitë mes shteteve nuk janë të përhershme. Nuk është llogaritur në parimin themelor që thotë se shtetet kanë interesa në bazë të të cilave i krijojnë miqësitë. Gjatë tërë kësaj kohe, klasa politike shqiptare në vend që ta kryejë detyrën e qeverisjes, e ka shikuar interesin e ngushtë partiak dhe mënyrën e pasurimit individual. Kjo klasë politike, para Perëndimit, nuk ka paraqitur asnjëherë ndonjë interes shtetëror për ta mbrojtur me këmbëngulje, siç ka ndodhur me klasën politike serbe.

Ekziston një keqinterpretim që ka të bëjë edhe me fillimin dhe vazhdimin e angazhimit të Perëndimit në çështjen serbo-shqiptare, që pasoi me zhbërjen e federatës jugosllave. Ta zëmë, edhe sot konsiderohet se në Rambuje ka fituar klasa politike shqiptare ndaj asaj serbe, për shkak se ndërkombëtarët e kanë mbështetur Kosovën. Në realitet, kjo nuk është e vërtetë. Në Rambuje Perëndimi nuk ishte kundër Beogradit, për shkak se ia njohu sovranitetin Serbisë ndaj Kosovës dhe nuk shkoi përtej parimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Por, gjërat ndryshuan më vonë dhe atë për shkak të gabimeve të Sllobodan Millosheviqit, i cili, duke mos i pranuar vendimet e kësaj konference, vazhdoi me kryeneçësi të shtyhej ose të matej me Perëndimin. Dhe, vetëm pas kësaj “matjeje”, Perëndimi vendosi që Kosovën ta orientojë kah rruga e pavarësisë. Pra, Perëndimi vetëm një kohë të shkurtër ka qenë kundër Serbisë ose armik i këtij vendi, siç është menduar në Kosovë ose siç ka trumpetuar Serbia.

Ajo që duhet të thuhet në këtë rast është se Serbia vetëm gjatë luftës së Kosovës nuk kishte mbështetje nga asnjë fuqi e rëndësishme. Rusia ishte në pozitë të rëndë duke u këndellur nga rënia e federatës sovjetike dhe krijimi i federatës së re, saqë nuk pati mundësi ta ndihmonte Serbinë, e cila gjithmonë ka qenë përfaqësia e saj në Ballkan. Në rastet tjera, Serbia gjithmonë ka pasur mbrojtje, jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Perëndimi, më saktësisht nga Franca dhe Britania e Madhe.

Problemi shqiptaro-serb i ka rrënjët në Kongresin e Berlinit (1878). Fuqitë e Mëdha në Berlin nuk e respektuan parimin etnik në vendosjen e kufijve. Pasojat e këtij gabimi ndjehen edhe sot. Megjithatë, tendenca e Serbisë për zgjerim në jug, në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë, gjatë luftës ruso-osmane (1877-1878), përfundoi me zhgënjim, pasi që një gjë të tillë nuk e lejuan kryesisht britanikët. Londra nuk e aprovoi as kërkesën greke të mbështetur nga Franca, e cila kërkonte që kufiri mes Greqisë dhe Shqipërisë që atëherë të vendosej aty ku është sot.

Por, ajo që iu bë me dije Serbisë në Berlin ishte fakti se ky shtet në të ardhmen mund të zgjerohej në drejtim të perëndimit – Bosnja e Hercegovina. Kjo gjë i ushqeu apetitet ekspansioniste serbe, që si rezultat i shkaktuan luftërat ballkanike dhe pastaj Luftën e Parë Botërore. Krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve kanë qenë të tmerrshme, por atëherë, pos shtypit ku këto krime depërtonin si lajm kudo në Europë, në politikë nuk krijonin efekt. Politika liberale gladstoniane që mbizotëroi në Britani të Madhe pas largimit nga pushteti të konservativëve të udhëhequr nga Benjamin Disraeli, ishte në favor, madje edhe nxitëse e zgjerimit të Serbisë dhe Greqisë. Kjo gjë bëhej për shkak se dëshirohej largimi sa më i shpejtë i pushtetit osman nga Ballkani.

Për këtë arsye, Serbia edhe në luftërat ballkanike dhe në atë botërore e pati përkrahjen e madhe dhe ishte e ledhatuara e Europës. Lufta e Parë Botërore përfundoi me humbje katastrofale të miqve të Shqipërisë, siç ishin tri perandoritë: gjermane, austro-hungareze dhe otomane. Sikur lufta të përfundonte ndryshe, pra në dobi të këtyre tri perandorive, kufijtë e Shqipërisë sot do të dukeshin ndryshe, kurse problemi shqiptaro-serb mund të mos ekzistonte, pasi që kufiri i Serbisë në jug vështirë se do të dilte më poshtë Vrajës. Por, Serbia, rastësisht apo me qëllim, gjithmonë është rreshtuar me fituesin, përfshirë edhe Luftën e Dytë Botërore. Gjatë tërë kësaj periudhe të gjatë, shqiptarët kanë qenë pa aleatë fitues.

Prandaj, miqësia e Serbisë me Perëndimin ka histori të gjatë. Si shtesë, në prapavijë, Serbisë pas shpine gjithmonë i ka qëndruar Rusia. I vetmi rast kur Serbisë i ka munguar kjo përkrahje, ka qenë lufta e vitit 1998-1999 që u bë mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Por, shqiptarët nuk mendojnë shumë për faktin se në këtë luftë ishte Millosheviqi ai i cili me zor e futi Perëndimin në luftë kundër Serbisë.

Me fjalë tjera, kjo ka qenë lufta e vetme që përfundoi në dobi të shqiptarëve dhe në të cilën Perëndimi ishte në anën e Kosovës dhe kundër Serbisë. Por, në historinë e njerëzimit gjërat që ndodhin pas luftës janë më të rëndësishme se rezultati i luftës. Këtë e vërteton shembulli i  Gjermanisë, si në rastin e pas Luftës së Parë Botërore, ashtu dhe në rastin e pas Luftës së Dytë. Ne nuk dëshirojmë ta pranojmë, por një rol të tillë, mjaft të ngjashëm, e ka luajtur edhe Serbia. Gjatë kësaj kohe Serbia ka punuar në drejtim të evitimit të pasojave të humbjes së luftës dhe asnjëherë nuk ka lëshuar pe ndaj kërkesave të saja para Perëndimit. Për fat të keq, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kosovë. Natyrisht që në një shtet me ekonomi më të zhvilluarën në Ballkan, siç është Serbia, Perëndimi është i interesuar që të afrohet, për shkak se i interesojnë investimet nga ku përfiton kapitali investues. Investimet dhe dëshira për ta larguar Serbinë nga Rusia e ka shtyrë Perëndimin që t’i mbyllë sytë para një nacionalizmi shovinist, i cili duket se tashti është më i madh dhe më i rrezikshëm se që ishte gjatë viteve të ‘90-ta kur shkaktoi krime ndaj njerëzimit dhe gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë.

Prandaj, pyetja kryesore për Perëndimin është: pse e përkrahni Serbinë pa asnjë kusht kur dihet që ky vend ka mbetur ashtu siç ka qenë – burim i përhershëm i krizave dhe konflikteve në Ballkan? Përgjigjja me siguri thotë se Serbia, me përparim ekonomik, demokratizohet dhe distancohet nga Rusia dhe e kaluara e dhunshme, duke u afruar në drejtim të gjirit të Perëndimit. Nëse mendohet kështu, ky nuk është gabimi i parë i Perëndimit ndaj Serbisë dhe Ballkanit. Zaten, deri tashti, Perëndimi në Ballkan e ka luajtur vetëm rolin e zjarrfikësit, që vjen me vonesë në vendin e ngjarjes. Pra, ka intervenuar për ta ngulfatur ose lokalizuar flakën përkohësisht, në mënyrë që të mos përhapet në drejtim të tij, por pa e dënuar e as qortuar seriozisht piromanin. Pra, Perëndimi është kthyer sërish për ta vazhduar kontrollimin e krizës që e prodhon Serbia, por nuk angazhohet për ta zhdukur shkakun.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X