loader image
April 25, 2024

Rruga e Serbisë në BE, mbi kufomat shqiptare!

Nga Toplica e deri te Marrëveshja e Kumanovës, ku u lexua por nuk u firmos Marrëveshja Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi e trasoi me shumë kujdes rrugën drejt Perëndimit, duke shkelur pa mëshirë mbi kufomat shqiptare! Çfarë nënkupton Brukseli me “Serbinë në BE”, kur morgu serb me kufoma shqiptare nuk ka falimentuar?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Nuk ka shqiptar që beson se Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do t’i jepet çelësi për ta hapur portën e BE dhe, gjithashtu, nuk ka shqiptar që nga vrima e këtij çelësi nuk i sheh masakrat e Toplicës, Shpuzës, Plavës e Gucisë, Pazarit të Ri, Drenicës, Tivarit, Ferizajit, Shkupit e Tetovës, sërish Drenicës dhe Rrafshit Dukagjinit, Luginës së Preshevës, nga Kumanova në Strugë dhe, në fund, nga Leshaku tek Ura e Mitrovicës, aty ku kutërbon kufomë shqiptare dhe barut rus, që pengon madje edhe kalimin në veri të Mitrovicës!

Ky mosbesim nuk zbehet edhe pas reagimit të kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë pranë Senatit, Senatorit Bob Menendez, ndaj zyrtarëve amerikanë, Chollet-Escobar, se po i bëjnë presion Kosovës për ta krijuar Asociacionin, ndërsa pak presion po i bëhet Beogradit!

Madje, mosbesimi shtohet kur Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri pranë BE-së, Josep Borrell, i thotë në Bruksel homologut serb, Ivica Daçiq, se marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë nuk përshtaten më me anëtarësimin në BE dhe i dëmtojnë interesat kombëtare serbe! Dhe, derisa Beogradi zyrtar vazhdon rrugën eurointegruese, duke e penguar Kosovën të ecë përpara dhe prodhon kufoma shqiptare, gjuha që përdor Escobar-i dhe Borrell-i me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shumë më e ëmbël se e çdo opozitari të lodhur serb ndaj Vuçiqit! Ndërkaq, gjuha që përdor Escobar-i e Borrell-i me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është shumë më e egër sesa e opozitarit më të çmendur kosovar! Pse?!

Nga Toplica deri në Mitrovicë

Nuk ka shqiptar në Mitrovicë që e ka menduar se një ditë, po për shkak të Rusisë, ata do të dëbohen nga serbët, ashtu si “nishlinjtë” nga vatrat e tyre! Dhe, vetë “nishlinjtë”, siç u quajtën shqiptarët e Toplicës pas më shumë se një shekulli qëkur u dëbuan nga serbët dhe erdhën në Mitrovicë, do të pësojnë sërish nga forcat serbe që e vazhdojnë lojën ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit! Aq më shumë, që do të jenë shtetet që e çliruan Kosovën më 1999, po ato shtete që pas luftës së Rusisë me Perandorinë Osmane, pra serbo-malazeze-osmane, që do ta lënë gjithë popullin shqiptar të zhvendosur nga Shpuza në Nish në mëshirën e fatit! Dhe, do të jenë po këta muhaxhirë me gjithë mikpritësit e tyre nga Mitrovica deri në Shkup, që do të shërbejnë si kurbane për integrimin e Serbisë drejt Perëndimit me udhëzimin parimor europian të heshtjes!

Fatkeqësisht, sa më shumë që ofrohej Serbia drejt Rusisë, aq më shumë mbusheshin varret me shqiptarë! Lufta botërore e radhës jo vetëm që nuk i ndaloi masakrat serbe ndaj popullit shqiptar, por prodhoi dhe masakra të tilla si ajo e Tivarit, që la të vdekur mbi 13 mijë shqiptarë!

Hetimi i kësaj masakre, që dha rezultate konkrete, jo vetëm që nuk u dënua dhe nuk përfundoi njeri para togave të zeza, por nuk shërbeu as si kambanë alarmi për masakrat e radhës nga UDB-ja e Rankoviqit! Dhe, çuditërisht, sa më shumë mbushej morgu serb me kufoma shqiptare, Beogradi zyrtar ishte më i favorizuar nga Perëndimi, gjithmonë me pretekstin e mosafrimit të Serbisë me Rusinë!

Pse kur Rankoviqi e përsëriti Toplicën, Plavën e Gucinë dhe spastroi qytete shqiptare, si Mitrovica, Vushtrria, Ferizaji, Shkupi, Kumanova, Tetova etj., kjo nuk ndikoi në marrëdhëniet Beograd-Londër-Washington ose në trajektoren diplomatike që Serbia e përdori duke e përdor krishterimin si armën kryesore ekzistenciale, Beograd-Paris-Vjenë?!

Gjermania e rilindur dhe Amerika e tronditur u panë më kot pas masakrës së Srebrenicës si një fat i madh që do ta shpëtojë njerëzimin në këtë pikë të humbur europiane, që u quajt Ballkan, sepse rasti i Kroacisë me Z-4 dhe ai në Dayton tregoi se trajtimi madhështor i Serbisë nuk ka ndryshuar! Deri në momentin e fundit kur Serbia kundërshtoi Planin Z-4 dhe presidenti i Kroacisë, Franjo Tugjman, e humbi durimin, Perëndimi për asnjë moment nuk ishte në anën kroate! U krijua ideja se zelli ekspansionist serb po ndryshonte mendim tek Perëndimi karshi Serbisë, por, me përfundimin e aksionit “Oluja” me të cilin shteti kroat e zgjidhi vetë problemin, u pa se Marrëveshja e Dayton-it ishte një kambanë alarmi se ku mund të përfundojnë forcat serbe!

Për shkak të fundit që i dha luftës “Marrëveshja e Dayton-it”, në vitet e saj të para u konsiderua edhe si sukses perëndimor, por sot është e qartë se kjo marrëveshje ishte një turp i rëndë diplomatik dhe favor par exellence që iu dha Serbisë, sa pafytyrësia e idesë së këtij pakti edhe sot vazhdon dhe prodhon krim dhe kriminel! Dhe, jo vetëm kaq! Është kjo marrëveshje që i dha dritën jeshile Serbisë të vazhdojë me spastrimin etnik edhe të Kosovës, meqë një pakt me Perëndimin edhe nuk do të mungoj! Derisa në masakrën e Srebrenicës Serbia dhe Millosheviqi kishin mbështetjen e qartë nga Rusia dhe disa shtete perëndimore, sjellja e forcave serbe në tokën kosovare dëshmoi se mbështetja e Perëndimit për Serbinë ishte shtuar! Por, leja për të vrarë shqiptarë vetëm për t’u larguar nga Rusia, prodhoi një Serbi shumë më të egër se sa ishte parë në Toplicë, Shpuzë, Pazar të Ri, Tivar etj., e cila vazhdoi me hapjen e varreve në Drenicë dhe Rrafsh të Dukagjinit! Nuk dihet se sa do ta vazhdonte Serbia me këtë lloj spastrimi sikur mos ta kundërshtonte Marrëveshjen e Rambujes, që ishte një alarm i parë për Perëndimin. Por, mediatizimi i Masakrës së Reçakut një vit pas asaj që kishte ndodhur me familjen Jashari dhe Drenicën në tërësi, tregoi se Perëndimi do të ndërhyjë për të mos e nënvlerësuar veten e vet me atë që ofroi me marrëveshjen në Rambuje e që shteti serb e refuzoi me shpërfillje ekstreme duke marrë parasysh udhëzimet ruse! Zhvillim i ngjarjeve pas Marrëveshjes së Rambujesë, bombardimi dhe kapitullimi i Serbisë me një marrëveshje si ajo e Kumanovës dëshmoi se i gjithë skenari ishte mirëkalkuluar nga ana serbe!

Pamjet nga Bllaca, Kukësi, Kruma e Tropoja për fat të keq nuk do të mbeten gjatë në memorien e shqiptarëve, ndërsa shteti serb do ta shfrytëzojë këtë shpërfillje kombëtare për rindezjen e gjakderdhjes shqiptare dhe rehabilitimin e shtetit dhe kishës kriminale serbe në arenën ndërkombëtare. Serbia nuk u ndëshkua për politikën e saj ekspansioniste dhe kriminale, ndërsa forcat e saj ushtarake u tërhoqën ashtu siç u tërhoqën nga Kreta 85 vjet më parë, pa ferrë në këmbë dhe ndaluan te Ura e Mitrovicës për të vrarë, keqtrajtuar dhe dëbuar shqiptarë nga vatrat e tyre.

Nga Kumanova në Ohër

Ndonëse Marrëveshja e Kumanovës në pamje të parë ishte një kapitullim, askush nuk u mor me përmasat e këtij kapitullimi përveç se Serbia! Për shumë pak ditë, derisa shqiptarët po e shijonin lirinë e Kosovës, Serbia u rikthye në tokën kosovare për ta vazhduar misionin aty ku i lejohej brenda territorit të Kosovës! Trazirat tek Ura e Lumbardhit dhe në veri të Mitrovicës, madje edhe vrasjet në sy të forcave franceze të KFOR-it, sot nuk janë histori, por dëshmi se pse sot Kosova vazhdon të mbahet nën tension, ndërsa Serbia po troket në derën e BE-së!

Në këtë frymë, pulenët gjakpirës rusë mund të gjenden edhe në luftën me UÇPMB-në në Luginën e Preshevës për t’u theksuar në atë të UÇK-së në Maqedoni, ku dominoi mbështetja ushtarake ruse për shtetin maqedonas!

Masakrat ndaj popullsisë shqiptare, dëbimi nga vatrat e tyre, si në Luginën e Preshevës ashtu dhe Maqedoni, ishin skena që ishin parë ndër shqiptarë, madje as autori nuk ndryshonte, ndërkohë që europianët sërish u shfaqën me ca plane të pazbatueshme, si në rastet e Bosnjës dhe Kroacisë, ndërsa në Kosovë nuk po pushonin trazirat!

Konflikti, si në Luginën e Preshevës, ashtu dhe Maqedoni, u ndërpre atëherë kur u tërhoq Rusia dhe në të dyja rastet përfituesi më i vogël ishin shqiptarët! Madje, edhe në rastin e Maqedonisë, kur nga një shtet i cili ishte shpërbërë, BE-ja i futi duart në përpjekjen e brutale për ta shpëtuar atë që kishte vdekur, Maqedoninë.

Ndërkohë që filluan negociatat për përcaktimin e statusit final të Kosovës, filloi dhe rivatilizimi i Serbisë në skenën ndërkombëtare ndonëse shteti drejtohej nga krimi! Partitë që konsideroheshin demokratike, edhe pse në thelb antipaqësore dhe antishqiptare, në komunikim me Perëndimin filluan të flasin për Partinë Radikale Serbe, të krijuar nga UDB-ja, por tashmë të dalë kontrolli për shkak të forcimit të radhëve nga përfitimet e luftës. Për ngecjen e reformave, shteti kriminal serb filloi të arsyetohet para Perëndimit për shkak të mbështetjes ruse që e kishin radikalët, por zhvillimi i ngjarjeve në terren tregonte se shërbimi sekret serb po e kontrollonte situatën në veri të Kosovës, ndërsa Beogradi zyrtar po i shfrytëzonte këto tensione për ta integruar shtetit drejt BE-së!

Prapa mohimit të të gjitha reformave në Kosovë nga ana e qytetarëve të saj serb ishte Serbia dhe këtë rol nuk e mohoi as Perëndimi, i cili e bëri palë edhe për çështje lokale, ndërkohë që Brukseli zyrtar nuk e kushtëzoi për asnjë moment. Madje, edhe kur e kushtëzoi, ishte qesharak, si rasti me targat!

Fabrikimi i Shtëpisë së Verdhë dhe drama në Këshillin e Europës lidhur me trafikun e organeve sot e ngarkon nderin e kosovarëve dhe buxhetin e Kosovës me Gjykatën Speciale, duke e çuar Serbinë para portës së anëtarësimit në BE! Aty ku Serbia vazhdon e tallet me të ardhmen e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve duke e hapur Ballkanin me një kryeministër antishqiptar, si Edi Rama, pasi papritmas i doli edhe një çudi burokratike si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe!

Me Brukselin që kurrë nuk e kishte në krah dhe Uashingtonin me politikën europiane që po mundohet ta bindë Serbinë të ndryshojë kurs me Rusinë, Kosova, sot edhe pas 15 vjetësh shtet i pavarur e sovran, duke e parë shtetin serb se si po vazhdon të shkelë mbi kufomat shqiptare dhe e ka mbështetjen e Tiranës zyrtare, ka krijuar një opinion ndër shqiptarët se s’ia vlen të negociosh në këtë situatë. Por, seanca e fundit e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, kur drejtuesi i saj, Senatori Bob Menendez, i kritikoi zyrtarët amerikanë se po bëjnë presion mbi Kosovën për të krijuar Asociacionin, ndërsa pak presion po i bëhet Beogradit, pak presion po i bëhet një udhëheqësit që, siç u shpreh Senatori, gazeta “New York Times” e karakterizoi si “një politikan me lidhje të thella me botën e krimit të organizuar”, ishte një tregues se me transparencë dhe negociata duhet angazhuar jo për ndërprerjen e rrugës së Serbisë në BE, sepse kjo nuk është punë dhe gjykim i shqiptarëve, por për ndërprerjen e kësaj rruge mbi kufomat shqiptare. Dhe, gjithë energjia negative e hedhur mbi Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është e panevojshme aq sa vreri që hedhet mbi kryeministrin Albin Kurti!

Sot është e qartë se nuk varet vetëm nga shqiptarët se kur do të shuhet konflikti shqiptaro-serb në Ballkan, por Kosova është në rrugë të mbarë, pasi për herë të parë në Ohër arriti të futet me kryeministrin e saj në negociata, pa komplekse dhe pa frikë!

Sot, deri sa opozita kosovare që ia la Kosovës në derë, si Asociacionin, ashtu dhe pronën e konfirmuar të Manastirit të Deçanit që asaj ia dhuroi Millosheviqi, dhe nga ana tjetër tund gishtin dhe e akuzon Albin Kurtin për kujdesin që duhet të ketë me Uashingtonin dhe Brukselin, me atë gisht është më mirë të shfletojë dhe të lexojë se shumë kohë më parë njëri ndër presidentët më të guximshëm amerikanë, John F. Kennedy, ka thënë: “Kurrë nuk duhet të negociojmë nga frika! Por, kurrë nuk duhet të kemi frikë të negociojmë!”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X