loader image
July 27, 2024

Konvergjenca politike e përpjekjes shtetndërtuese

Pavarësisht nga rënie-ngritjet e deritashme të politikës së Kosovës, të betejave të brendshme politike për pushtet, në një situatë të këtillë, në një kontekst tjetër tepër të komplikuar, klasës politike të Kosovës i nevojitet një sinkronizim politik, një konvergjim që shkon përtej padurimeve politike të zakonshme, që shkon përtej idesë së pushtetit dhe, përfundimisht, që shkon përtej çdo lloj ndasie politike bjerrakohëse. Kosova edhe njëherë ndodhet përpara një sfide të rëndë, e cila kërkon energji, paqtim dhe angazhim të mirëmenduar në drejtim të finalizimit të subjektivitetit të vetë ndërkombëtar.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

E tashmja dhe e ardhmja në asnjë rast nuk mund të marrin kuptim pa dimensionin e së kaluarës. Asgjë nuk mund të ekzistojë tash e këtu, sepse forca e së kaluarës kuptimëson qenësinë e një kolektiviteti, të një populli. E kaluara e shqiptarëve të Kosovës është e dhimbshme në fatin e vetë tragjik. Kosova është tragjikja e një populli që përhershmërisht brenda vetes ka pasur edhe atë dritë lirie dhe dinjiteti. Trajektorja historike e Kosovës fatalisht ka kaluar nëpër dhëmbëzorët e një okupimi klasik, që me gjithë forcën e vetë asgjësuese ka synuar zhbërjen e ëndrrës shekullore për liri të popullit të Kosovës. Historia tashmë i ka evidentuar të gjitha zezonat e këtij okupimi të pakrahasueshëm anembanë botës. Janë me mijëra vrasje, shpërngulje dhe represione të tjera brutale serbe, që kanë synuar asgjësimin e qenies shqiptare në Kosovë. Një popull i tërë i kërcënuar gjithnjë, gati një shekull, nga hija e vdekjes dhe asgjësimit. Një popull i tërë që, nën hijen kërcënuese të vdekjes, me durim primordial ka arritur ta ruajë palcën kurrizore, ka arritur të ruajë gjallninë e vetë përballë sulmeve të panumërta gjenocidale.

Dhe, pikërisht, në këtë zezonë të pazhurmshme, në këtë vetmi epike të rrethuar me muret e propagandës historike serbe, gjithnjë ka gëluar një rezistencë lirie dhe pavarësia e formësuar më durimin epik të një lashtësie antike. Jo më kot, presidenti historik i Kosovës, arkitekti i pavarësisë do të shpërfaq me kohë kryargumentin e legjitimitetit historik, vazhdimësinë e gjallnisë së Kosovës të determinuar nga trashëgimia e Dardanisë antike.

Ky do të jetë vizioni durimtar i shpërfaqjes së entitetit historik të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në kohën kur Jugosllavia e dikurshme ende ishte gjallë dhe përvetësuar tërësisht nga nacionalizmi i kamufluar serb. Një vizion që me durim proverbial ishte përbrendësuar si vetëdije lirie dhe pavarësie përmes gjeneratave të tëra që kishin kontribuar në rrethana tepër të disfavorshme. Ky vizion lirie dhe pavarësie ishte formësuar në poetikën e gjeneratave të tëra, të emrave të letërsisë, kulturës dhe jetës shoqërore që me ngulm dhe qetësi kishin përgatitur popullin e Kosovës për rrugëtimin e gjatë dhe të dhimbshëm të lirisë. “Kosova është gjaku im që nuk falet”, klithte poeti Ali Podrimja.

Përballë represionit sistematik, shtetrrethimit të vazhdueshëm policor, projeksioneve zhbërëse dhe një makinerie të pafundme brutale propagande serbe do të shfaqet një vetëdije kolektive rezistuese e mbrujtur nga mendje vizionare, nga një elitë intelektuale thellësisht e vetëdijshme për rrethanat, për gjithë kontekstin historik në të cilin ndodhej kauza e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Të mbrujtun me paradigma të reja moderne europiane, të mbrujtur me idenë e fisme të lirisë, ky brez do ta projektojë “refuzimin politik” përballë makinerisë shfarosëse të pushtetit serb, që do të kulminojë me luftën e UÇK-së dhe intervenimin ushtarak të NATO-s.

Pikërisht, kjo trajektore historike, e mbrujtun me ndjeshmëritë më sublime të lirisë dhe e projektuar nga intelektualët e Kosovës, do të krijojë momentumin e madh të çlirimit dhe, më pas, të pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Pavarësia e Kosovës është produkt i këtij angazhimi permanent, produkt i mendjeve rezistuese dhe i vullnetit kolektiv për liri. Pavarësia e Kosovës është finalizim i një paradigme durimtare e mbrujtur me substancën e një aspirate historike, me afshin e një ëndrre primordiale që mbante gjallë frymën e çlirimit dhe të shkëputjes nga kthetrat serbe. Nëse kemi parasysh kontekstet historike, ashtu siç është theksuar edhe nga shumë analistë të vëmendshëm, pavarësia e Kosovës është një mrekulli, një nga ngjarjet më sublime të historisë së shqiptarëve.

Pesëmbëdhjetë vjetori i pavarësisë e gjen shtetin e Kosovës përballë edhe një beteje tjetër me Serbinë, në rrugën e rrumbullakimit të subjektivitetit ndërkombëtar, në një proces bisedimesh që vlerësohet se në epiqendër ka njohjen reciproke. Sigurisht, konstelacionet nuk janë më ato që ishin më parë, ndërkohë që analistë të vëmendshëm kanë theksuar se kjo mbetet një fazë delikate kur kërkohet shumë pjekuri politike, por edhe konvergjencë mes subjekteve politike në Kosovë për ta çuar përpara finalitetin e pavarësisë së Kosovës, që nënkupton legjitimim në të gjitha instancat ndërkombëtare. Një proces i vështirë që kërkon durim, dije, vizion dhe, mbi të gjitha, kohezion politik dhe shoqëror.

Pavarësisht nga rënie-ngritjet e deritashme të politikës së Kosovës, të betejave të brendshme politike për pushtet, në një situatë të këtillë, në një kontekst tjetër tepër të komplikuar, klasës politike të Kosovës i nevojitet një sinkronizim politik, një konvergjim që shkon përtej padurimeve politike të zakonshme, që shkon përtej idesë së pushtetit dhe përfundimisht që shkon përtej çdo lloj ndasie politike bjerrakohëse. Kosova edhe njëherë ndodhet përpara një sfide të rëndë, e cila kërkon energji, paqtim dhe angazhim të mirëmenduar në drejtim të finalizimit të subjektivitetit të vetë ndërkombëtar. Trajektorja e shtetndërtimit duhet të thellohet në një modernitet politik, që nënkupton legjitimitetin historik, shtetin funksional dhe, mbi të gjitha, vizionin demokratik në sinkron me vlerat europiane. Bashkëveprimi dhe bashkërendimi me aleatët perëndimor mbetet një dimension vendimtar për të ngadhënjyer mbi projeksionet intrigante të pushtetit serb.

Kosova ka potencial intelektual dhe demokratik për t’iu përgjigjur kësaj sfide finaliteti. Kosova ka energji politike dhe demokratike për të hapëruar drejt etablimit përfundimtar në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Pavarësisht nga konstelacionet e tanishme gjeostrategjike, Kosova duhet të lëvizë në drejtim të subjektivitetit përfundimtar ndërkombëtar, sepse të gjitha argumentet janë në anën e saj. Klasa politike e Kosovës, por edhe të gjitha institucionet e tjera, duhet të jenë në sinkron më përpjekjen historike për pavarësi të pakushtëzuar që në asnjë rast nuk mund të determinohet nga kontekste të reja. Politika në Kosovë pa diskutim duhet të jetë në lartësinë e këtij imperativi historik, që vjen si vullnet kolektiv lirie dhe pavarësie.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X