Tani paraqitet një situatë e re paradoksale: nëse insistohet në themelimin e Asociacionit pa e përfillur Kushtetutën, atëherë ku mbetet detyrimi për respektimin e Kushtetutës? Në anën tjetër, nëse iniciohen ndryshime kushtetuese për ta legjitimuar këtë lloj të Asociacionit, atëherë i bie që një akt më i lartë juridik do të duhet t’i përshtatet një akti më të vogël (në këtë rast: Statutit të Asociacionit) dhe, rrjedhimisht, do t’i zhvishet kuptimi epërsisë së Kushtetutës.
Shkruan: Ditar KABASHI
Korrupsioni, nepotizmi, ekonomia e brishtë, arsimimi jocilësor, drejtësia e ngathët, krimet urbanistike e shumë sfera të tjera janë sfiduese për shtetin e shoqërinë. Megjithëkëtë, çështja më jetike është jetësimi i sovranitetit, si element qenësor për vetë shtetin. Sovraniteti parakupton shprehjen e vullnetit të lirë të shtetit, brenda dhe jashtë territorit të vet.
Shpeshherë thuhet se Kosova ka disa veçori sui generis. Fondamenti juridik e historik për shpalljen e Pavarësisë, shoqëria shumetnike, toleranca mes komuniteteve jepen si shembuj për këtë pohim. Krahas këtyre, Kosova e ka edhe një tipar sui generis: paradoksin. Kështu, ngase ka, mes tjerash, pranuar t’i themelojë dy institucione, të cilat nuk i kanë honepsur as populli dhe as përfaqësuesit e popullit në Kuvend: Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Gjykatën Speciale për gjykimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Elementi paradoksal bie në sy meqë Kosova nuk ka pasur ndonjë detyrim juridik ndërkombëtar (politik mund të ketë pasur), pra që ka rrjedhur nga ndonjë konventë a akt tjetër formal, për t’i themeluar këta dy trupa të huaj brenda organizmit të vet shtetëror. E çuditshme është që edhe vetë deputetët dhe zyrtarët e lartë partiakë të cilët atëbotë e kishin shtyrë përpara procesin e krijimit të dy institucioneve të sipërpërmendura, këtë e kanë bërë pa dëshirë dhe, sot, kur kanë kaluar vite nga firmat e tyre, pothuaj të gjithë ndjekin një retorikë kundërshtuese për këto.
Porse nuk janë vetëm këto dy çështje që preokupojnë juridikisht shtetin. Duhet pasur parasysh se edhe çështja e sigurisë, ajo e integrimeve euro-atlantike, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme dhe funksionimi i sistemit të qeverisjes janë ndër sfidat që bartin veti juridike.
Në të vërtetë, vetë Kushtetuta e Kosovës është burim i disa anomalive që kushtëzojnë/pengojnë funksionimin normal të organeve të shtetit dhe ndërtimin e një shoqërie të integruar përbrenda. Sidoqoftë, kjo temë e fundit imponon një analizë të posaçme dhe për këtë arsye mbetet jashtë domenit të shtjellimeve në vijim.
Gjykata Speciale
Në vitin 2015, me shtimin e amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Kosovës është bërë i mundshëm themelimi i Gjykatës Speciale, e cila do të funksiononte brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës. Detyrë e kësaj gjykate do të ishte hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare që supozohet të jenë kryer gjatë luftës së fundit dhe menjëherë pas mbarimit të saj në Kosovë.
Para se të themelohej kjo gjykatë, u trumbetua se ajo nuk do të jetë jashtë juridiksionit të Republikës së Kosovës. Realisht, ajo e zbaton legjislacionin kosovar. Mirëpo, ngel e paqartë për opinionin publik se çfarë bashkëpunimi ka ajo me organet e tjera të shtetit ngaqë Specialja gëzon gati pavarësi faktike prej sistemit gjyqësor të Kosovës. Zaten indikativ është formulimi i amendamentit kushtetues që nis me fjalinë “Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute”, sepse në terminologjinë juridike kjo lë të kuptohet se dispozita në fjalë ka prioritet përkitazi me sferën e vet kundruall dispozitave të tjera të Kushtetutës.
Për shkak se Gjykata Speciale ka bazament kushtetues dhe është themeluar me ligj special (lex specialis) atëherë hyn në sistemin juridik vendor dhe prandaj ajo nuk cilësohet gjykatë ndërkombëtare sikurse Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Ja që në kuptimin material të kompetencave që ka, Specialja nuk dallohet gjithaq nga Tribunali i Hagës. Po ashtu ajo nuk është as gjykatë e përzier (hibride), e kombinuar si vendore dhe e huaj, për arsye se asnjë zyrtar i Gjykatës nuk është shtetas kosovar. Ajo administrohet plotësisht nga zyrtarët ndërkombëtarë.
Mospajtimi me ekzistencën e kësaj gjykate pati marrë përmasa konkrete në vitin 2017, ku një numër deputetësh të Kuvendit patën iniciuar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, me qëllim që ta paralizojnë funksionimin e saj. Mirëpo, ky akt ishte kundërshtuar ashpër nga diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë dhe deputetët ishin zmbrapsur nga shfuqizimi i ligjit në fjalë.
Duhet nënvizuar se “argumenti mediatik” i votuesve të Ligjit për Gjykatën Speciale se po të mos votohej në Kuvendin e Kosovës, çështja mund t’i kalonte OKB-së dhe aty shtetet kundërshtuese të Pavarësisë së Kosovës – si Rusia e Kina – mund të luanin rol destruktiv, nuk është pohim bindës. Së pari, ky ka qenë një supozim i hedhur në opinionin publik, mirëpo nuk është qartësuar nëse ka ekzistuar ndonjë dokument zyrtar për këtë. E dyta, edhe po të pranohet i mirëqenë ky supozim, çfarë paskësh mundur të jetë “më e padrejtë” e “më jotransparente” (siç po trumbetojnë tani votuesit e saj) Gjykata Speciale e themeluar nga OKB-ja se kjo që është themeluar nga Kuvendi i Kosovës?
Kur shihet tabloja e sotme, në sy bie jo vetëm mungesa e transparencës së Gjykatës Speciale karshi opinionit publik kosovar, por edhe mbajtja e gjatë në paraburgim e disa prej ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe ish-udhëheqësve të organeve shtetërore të Kosovës. Andaj, procesi gjyqësor vetëm mbi baza faktike dhe me prova bindëse do ta arsyetonte qenësinë e kësaj Gjykate. Përndryshe, ajo do të vazhdojë të jetë praktikisht një institucion paralel i drejtësisë që minon sovranitetin e shtetit kosovar.
Asociacioni Serb
Asociacioni Serb është kthyer në një makth për Kosovën. Qoftë drafti i dokumentit të firmosur më 2015 në Bruksel, i cili doli të kishte problem me kushtetutshmërinë, qoftë drafti “gjerman” i shpalosur në tetor të vitit 2022, janë dokumente të rrezikshme për sovranitetin e brendshëm të vendit.
Karakteri multietnik i shoqërisë i proklamuar me Kushtetutë (nenet 3/1, 6/1, 59/9) cenohet haptazi me një organizëm monoetnik, çfarë ishte paraparë të jetë Asociacioni Serb.
Për më tepër, tipari i një asociacioni të pajisur me tagra ekzekutivë të vetëqeverisjes e lëkund unitaritetin e shtetit, të cilin e përcakton Kushtetuta (neni 1/1). Kësisoj mund të krijohet një nivel i ri i pushtetit, midis pushtetit qendror dhe atij lokal, rregullim të cilin nuk e njeh rendi kushtetues i Kosovës. Dhe, tani paraqitet një situatë e re paradoksale: nëse insistohet në themelimin e Asociacionit pa e përfillur Kushtetutën, atëherë ku mbetet detyrimi për respektimin e Kushtetutës? Në anën tjetër, nëse iniciohen ndryshime kushtetuese për ta legjitimuar këtë lloj të Asociacionit, atëherë i bie që një akt më i lartë juridik do të duhet t’i përshtatet një akti më të vogël (në këtë rast: Statutit të Asociacionit) dhe rrjedhimisht do t’i zhvishet kuptimi epërsisë së Kushtetutës. Gjithashtu, kjo do të paraqiste një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
Asociacioni i tillë do të jetë një trup i huaj në organizëm, një parazit, që, me funksionim autonom, do të mund ta shterë energjinë e trupit të shtetit. Prandaj, kjo çështje mbetet ndër sfidat më themelore të Kosovës, me konsekuenca afatgjate në veprimtarinë dhe rregullimin e shtetit.
(Pa)siguria në rendin publik
Ndonëse sipas Kushtetutës, shteti ka pushtet mbi sigurinë publike, inteligjencën e kontrollin e kufijve në territorin e vet (neni 125/1), edhe pas pesëmbëdhjetë vjetësh shtetësi, Kosova nuk e kontrollon plotësisht territorin e vet. Veçanërisht komunat veriore me shumicë serbe janë bërë herë pas here vatra të tensioneve etnike. Operacionet policore kanë rezultuar jo vetëm me dëme materiale dhe barrë psikologjike për qytetarët, por edhe me pasoja në njerëz, përkatësisht martirizim të policëve kosovarë, siç ka qenë rasti me pjesëtarin e policisë speciale, Enver Zyberi.
Rasti i fundit i barrikadimit të rrugëve kryesore në Veri të Kosovës nga grupe të armatosura serbe që ndodhi në fund të vitit 2022, vuri në pah edhe një herë seriozitetin e sfidës së sigurisë në këtë regjion. E përderisa nuk kontrollohet plotësisht territori i shtetit, nuk mund të flitet për sovranitet të plotë – e si rrjedhojë – as për përmbushje të detyrimeve të shtetit që burojnë nga Kushtetuta, siç janë ruajtja e kufijve, siguria publike dhe garantimi i jetës së qytetarëve.
(Mos)integrimet euro-atlantike
“Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike…” thotë, inter alia, Preambula e Kushtetutës së Kosovës. Ky mëtim kushtetues trason rrugën të cilën duhet ta ndjekë Republika e Kosovës.
Shikuar në praktikë, e gjithë politika e jashtme e Kosovës është kanalizuar në drejtim të integrimeve euro-atlantike. Domethënë, anëtarësimi në BE dhe në NATO është kursi i pandryshuar i Kosovës. Madje, ky është emërues i përbashkët i të gjitha partive politike. Sado që partitë në Kosovë mund të kenë dallime programore e (deri diku) ideologjike, që të gjitha janë unanime kur vihet në pyetje integrimi perëndimor.
Megjithëkëtë, evidente është ngecja e Kosovës në rrugëtimin euro-atlantik. Kosova ende nuk gëzon as liberalizim vizash, paçka në fqinjësinë e vet ka shtete që kanë marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Po kështu, Kosova as nuk është e anëtarësuar në NATO, sikurse disa shtete fqinje të saj, paçka shtetarët kosovarë e theksojnë ditë e natë këtë pritmëri dhe shprehin gatishmërinë të dërgojnë trupa në rolin paqeruajtës kudo në botë, ku e sheh të arsyeshme NATO-ja. Çuditërisht, zyrtarë të shumtë të institucioneve të rëndësishme euro-atlantike e kanë gojën plot lëvdata për Kosovën sa i përket plotësimit të kritereve integruese, por, në fund të ditës, asnjë hap a datë nuk po precizohet. Mbetet e pakuptueshme nëse ky çalim lind nga shterpësia e Bisedimeve të Brukselit. Nëse qëndron ky supozim, atëherë ky është favorizim i Serbisë në proceset integruese dhe është vështirë i justifikueshëm objektivisht.
Kosova jo vetëm që përpiqet të përafrojë legjislacionin e vet në fuqi me atë të BE-së dhe të Këshillit të Europës, por edhe secilin akt të ri juridik që e harton ab initio, e bën në harmoni me aktet e këtyre organizmave ndërkombëtarë. Natyrisht edhe kjo paraqet një sfidë të vazhdueshme për shtetin.
Pasuria e pajustifikueshme
Tendenca për të luftuar korrupsionin ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të draftojë një projektligj për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Mirëpo ky dokument ka hasur në kundërshti nga një pjesë e deputetëve dhe organizatave joqeveritare, me arsyetimin se nuk i plotëson standardet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare. Si rezultat, ky dokument ishte amendamentuar dhe ishte dërguar në Komisionin e Venecias me kërkesën për një opinion juridik. Në fund të vitit 2022, Komisioni i Venecias i kishte mirëpritur këto ndryshime dhe kishte dhënë rekomandim pozitiv.
Sido që të jetë, as draftimet më të kujdesshme të dokumenteve juridike nuk janë të vetëmjaftueshme për të realizuar reformat e rëndësishme. Për këtë duhet vullnet politik, profesionalizëm dhe përkushtim të të gjithë zyrtarëve përkatës. Në rastin konkret është parakusht sine qua non bashkëpunimi ndërinstitucional mes legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit/prokurorisë. Në të kundërtën, çështja e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme do të kthehet sa në idil të qytetarëve të dërrmuar ekonomikisht dhe sa në një mjet propagandistik të partive politike. Shi për këtë, serioziteti i kësaj çështjeje duhet të merret me prioritet nga i gjithë sistemi shtetëror, në mënyrë që të marrin fund akuzat joformale që përhapen në formën e sekreteve publike lidhur me pasurimin e pajustifikuar të zyrtarëve shtetërorë.
Parlamentarizëm (jo)funksional
Deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, asnjë qeveri nuk e ka mbaruar mandatin kushtetues katërvjeçar. Çdoherë ka pasur prishje të koalicioneve dhe rënie të qeverisë. Po kështu është fakt notor se të gjitha qeveritë e kanë kontrolluar shumicën parlamentare dhe kjo nuk përkon me filozofinë e sistemit parlamentar, ku Kuvendi duhet ta kontrollojë Qeverinë. Kështu, deputetët kthehen në numra që duhen plotësuar për të miratuar aktet e synuara të pushtetit ekzekutiv. Gjithsesi kjo ndërlidhet me nivelin e demokracisë brenda partive dhe kësisoj lind situata në të cilën politikat e shënjuara të udhëheqësve partiakë duhet të përkrahen pa kontestim nga deputetët e asaj partie në Kuvend. Shprehja e qëndrimit ndryshe mund t’u kushtojë deputetëve me mospërfshirje në listën zgjedhore të asaj partie në zgjedhjet vijuese ose me sanksione të tjera statutare të partisë. Për pasojë, dispozita kushtetuese që garanton se deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues (neni 70/1) nuk prek realitetin dhe kjo është një sfidë që përcjell si hije skenën politike që nga paslufta.
Përfundim
Sigurisht që sfidat e një shteti të ri dhe në proces konsolidimi si rasti i Kosovës nuk përmblidhen dot e as nuk mund të reduktohen në disa çështje të caktuara. Megjithatë, problemet e tilla nuk zgjidhen per se dhe as nga një person i vetëm ad hominem, por kërkohet një mendje kolektive, e urtë dhe e matur që harton strategji të shëndoshë dhe më pas i nxit mekanizmat e shtetit të kalojnë në veprim.
Ndarja dhe koordinimi i pushteteve është kusht i pashmangshëm dhe mbrojtja e sovranitetit shtetëror është pikë për të cilën nuk bëhet kurrfarë kompromisi. Fundja, sovraniteti e kuptimëson shtetësinë. Krahas kësaj, e drejta e legjitimon veprimtarinë e organeve të shtetit dhe respektimi i drejtësisë e bën të virtytshëm shtetin dhe e mbron qytetarin nga arbitrariteti.
Republika e Kosovës duhet t’ia dalë mbanë me këto sfida dhe kështu ta argumentojë praktikisht të drejtën legjitime për të qenë subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe shtet funksional që garanton dhe mundëson siguri dhe mirëqenie për qytetarët e vet.