Ne [palestinezët] jemi trashëgimtarë të kundërsemitizmit europian: ne jemi viktima të viktimave të tij. Eduard Said
Gjenocidi kundër shqiptarëve është plan i vjetër dhe i ri… Kombi shqiptar është përballë gjenocidit. Ai ose do të zhduket, ose do të triumfojë mbi të. Historia na bind për këtë të dytën. Abdi Baleta, 2 gusht 1998
Enis SULSTAROVA, Tiranë
Tre gjenocide: Holokausti, Kosova, Gaza
Shkatërrimi sistematik i Gazës dhe masakrimi pa diskriminim i palestinezëve që jetojnë aty: burra, gra e fëmijë; shënjestrimi jo vetëm i terroristëve të Hamasit, por edhe i mjekëve, i shpëndarësve të ushqimit dhe i ndihmave të tjera, i gazetarëve, i arsimtarëve, i klerikëve; bllokimi i ujit dhe i ushqimeve, bombardimet e karvanëve të ndihmave për civilët etj., janë mekanizmat të një gjenocidi që qeveria e Izraelit po i kryen para syve të njerëzimit. Shkatërrimi i Gazës është episodi më i fundit i procesit të zhbërjes së palestinezëve, i cili ka filluar dekada më parë, kur Izraeli e fitoi luftën me shtetet arabe në vitin 1948. Atëherë, qeveritarët e Izraelit morën vendim që të pengohej me çdo kusht kthimi i refugjatëve të luftës. E frymëzuar nga miti se Palestina pa çifutët ka mbetur një tokë e zbrazët, elita sioniste nisi projektimin e aneksimit të të gjithë territorit për shtetin izraelit. Shtëpitë e refugjatëve u rrafshuan, tokat u konfiskuan dhe, më vonë, iu shitën kolonëve çifutë. Strategjia afatgjate e Izraelit ka qenë për t’i ndarë arabët e Palestinës në tri kategori: refugjatët dhe pasardhësit e tyre që nuk duhet të kthehen; palestinezët brenda territorit të njohur ndërkombëtarisht si Shteti i Izraelit; dhe banorët e Bregut Perëndimor e të Rripit të Gazës, që kanë jetuar qysh atëherë nën pushtimin apo kontrollin izraelit. Palestinezët që jetojnë brenda Izraelit trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe shumë lokalitete palestineze brenda Izraelit janë shpallur të jashtëligjshme, që të rrënohen gradualisht dhe pranë tyre janë ndërtuar lagje moderne të banuara ekskluzivisht nga izraelitë dhe të mbrojtura me mure të larta prej fqinjëve arabë.
Edhe territoret që përbëjnë Bregun Perëndimor dhe që duhej t’i takonin shtetit të Palestinës i janë nënshtruar kolonizimit. Vendbanimet çifute janë të shpërndara në zona strategjike, si p.sh. kuota të larta, ujësjellës, nyje komunikimi etj. që, marrë së bashku, kontrollojnë 40 për qind të Bregut Perëndimor. Ata janë të lidhura me rrugë të posaçme dhe të mbrojtura me mure, duke veçuar nga njëri-tjetri qytetet e administruara nga Autoriteti Palestinez. Rripi i Gazës ka qenë gjithnjë një problem për Izraelin, për shkak të përqendrimit të madh të popullsisë në një territor të ngushtë që kufizohet me Egjiptin. Në vitin 1956, gjatë Krizës së Suezit, kryeministri izraelit, David Ben-Gurion, e kundërshtoi administrimin e drejtpërdrejtë të Gazës, duke e krahasuar atë me një tumor: “Gaza është një kancer. Një fuçi baruti. Një kancer ndonjëherë mund t’i rrisë përmasat e trupit, por çdo njeri i arsyeshëm përpiqet ta heqë qafe atë… Vendimi më i rëndësishëm që do të marrim është të tërhiqemi nga Gaza” (Abba Eban, “Personal Witness”, 1992, f. 281). Izraeli e rrethoi Gazën me mure e instalime ushtarake, duke e kthyer tërë vendin në një burg të stërmadh e të mbipopulluar. Mirëpo, siç na kujton shkrimtarja Suzana Sontag [Susan Sontag], “të përshkruash një dukuri si kancer është të bësh thirrje për dhunë… Ndërsa metaforat e sëmundjes nuk janë kurrë të pafajshme, mund të thuhet se metafora e kancerit është më e keqja e tyre: nënkupton thirrje për gjenocid” (“Sëmundja si metaforë”, Tiranë, 1998, f. 100-101). Duke marrë shkas prej sulmit terrorist të Hamasit, kësaj radhe Izraeli ka vendosur ta shkëpusë “tumorin” e Gazës, por kjo nuk do të thotë se “trupit” do t’i vijë shëndoshja. Problemi ndodhet tjetërkund: “trupi” i Izraelit i ngjan amebës, ai nuk ka kufij të përhershëm, ka ndryshuar trajtë pas çdo lufte dhe zgjerimi i tanishëm po e ekspozon ndaj rreziqeve të reja.
Kolonizimi sionist i Palestinës ka filluar dekada përpara se të ndodhte Holokausti, mirëpo ishte Holokausti që përfundimisht e legjitimoi shtetin e Izraelit, si kundrejt vetë çifutëve, ashtu edhe kundrejt opinionit botëror. Shumë prej të mbijetuarve të gjenocidit në Europë nisën të mendonin se populli i tyre mund të mbijetonte vetëm nëse mblidhej në shtetin e sapoformuar dhe se ky mund të quhej me të vërtetë atdheu i çifutëve nëse përfshinte edhe qytetet e vendet e shenjta që përmendeshin në Dhiatën e Vjetër. Ndërsa Perëndimi u bëri vend çifutëve në trashëgiminë e vet qytetërimore, prej nga nisi përdorimi i epitetit “judeo-kristian”, një qëndrim ky radikalisht i kundërt me racizmin endemik që prej dekadash, për të mos thënë prej shekujsh, kishte përgatitur terrenin për kryerjen e Holokaustit në Europë.
Më parë çifutët konsideroheshin si “jo të bardhë”, si pasardhës të emigrantëve semitë të ardhur nga Azia Perëndimore dhe që ishin përzier me raca të tjera. Ky përkufizim pranohej edhe nga çifutët sionistë të Europës që kërkonin kthimin e popullit të tyre në Tokën e Shenjtë. Filozofi i njohur Martin Buber, në artikullin “Toka e çifutëve”, të botuar më 1910, shkruante se “ne këtu jemi një pykë që Azia e ka futur në trupin e Europës, jemi shkak për tronditje dhe shqetësim. Le të kthehemi në mitrën e Azisë, në atë djep të madh të kombeve, që është edhe djepi i zotave dhe në këtë mënyrë të kthehemi te kuptimi i ekzistencës sonë” (cit. tek Gilbert Achcar, “The Whitening of European Jews and the Misuse of Holocaust Memory, 2024, Internet: https://www.versobooks.com/en-gb/blogs/news/the-whitening-of-european-jews-and-the-misuse-of-holocaust-memory). Pas Luftës së Dytë Botërore, çifutët u “zbardhën” në përfytyrimin perëndimor, duke bërë që Holokausti të dilte si një krim i europianëve kundër europianëve të tjerë, si një krim i Perëndimit ndaj vetes (shih po aty). Si pasojë edhe e Luftës së Ftohtë, u kalua nga kundërsemitizmi në filosemitizëm, që në arenën gjeopolitike do të thoshte se Izraeli duhej përkrahur kundër komunizmit dhe islamit. Megjithëse Perëndimi përpiqej të distancohej prej praktikave të koloniale dhe raciste, ai Izraelin e shihte si një avanpost perëndimor e demokratik në Lindjen e Mesme, për të përmbajtur rreziqet e komunizmit e islamizmit. Edhe sot, përfytyrimi kolonial vendos një vijë të padukshme midis popujve “të bardhë” dhe të tjerëve, e cila diferencon midis viktimave të luftës: ukrainasit përkrahen si anëtarë të familjes europiane, ndërsa në Lindjen e Mesme lejohet të shkatërrohet Gaza, sepse “Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet”.
Kujtesa e Holokaustit është tashmë një prej miteve politike që legjitimon Bashkimin Europian (BE). Përballë heterogjenitetit kulturor dhe traditave të ndryshme qytetërimore të shteteve dhe popujve që sot janë të përfshirë në këtë projekt politik, është vendosur simbolika e Holokaustit dhe, pas rënies së komunizmit, ajo e Gulagut. Ndryshe nga kujtesa e miteve kombëtare të epokës së lavdishme, që kërkojnë imitim në të tashme, Holokausti është një mit negativ që kërkon mospërsëritjen e tij dhe përpjekjen e vazhdueshme kolektive kundër fashizmit, racizmit dhe totalitarizmit. Pra, bashkimi i Europës konsiderohet si një masë imunitare ndaj përsëritjes së gjenocidit. Mirëpo, fatkeqësisht, kujtesa e Holokaustit, Gulagut ose e Holodomorit nuk e ka aktivizuar reagimin automatik të Perëndimit për të ndalur gjenocidet dhe spastrimet etnike që kanë ndodhur në Europë dhe në botë. Edhe sot, Perëndimi dhe vendet e tjera demokratike të botës nuk po e ndalojnë tragjedinë që po ndodh në Gaza. Përkundrazi, kujtesa e Holokaustit është privatizuar nga lobet sioniste dhe përkrahësit e tyre për të dobësuar ose paralizuar reagimet e shteteve demokratike kundër Izraelit. Duhej të ndodhte e kundërta. Pikërisht se Perëndimi ka nxjerrë mësime nga Holokausti, pikërisht se Perëndimi e mban Izraelin për një shtet demokratik, pikërisht se Perëndimi e quan Izraelin të vetin – Havier Solana më 2009, në cilësinë e kryesuesit të politikës së jashtme të BE-së, thoshte se “Izraeli është një anëtar i Bashkimit Europian, pa qenë anëtar i këtij institucioni” (shih: https://www.reuters.com/article/us-israel-croatia-solana-idUSTRE59K39Q20091021/) – Perëndimi ka detyrën ta ndalë mizorinë në Gaza!
Rasti fatlum kur kujtesa e gjenocideve të kaluara luajti rol për ndalimin e një gjenocidi të ri ishte lufta e NATO-s kundër Jugosllavisë. Holokausti, por edhe ndjenja e fajit për lejimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, e mobilizoi Perëndimin për ta ndërprerë gjenocidin në Kosovë. Në atë kohë, shkrimtari nobelist peruan Mario Vargas Llosa, i cili ndërroi jetë më 13 prill të këtij viti, shkruante se lufta e NATO-s ishte e vonuar, se ajo duhej ndërmarrë dhjetë vite më parë kur regjimi i Millosheviqit anuloi autonominë dhe nisi politikën e aparteidit ndaj shqiptarëve. Ai pyeste: “Mos vallë ka ndonjë farë lidhjeje ndërmjet vonesës me të cilën bashkësia ndërkombëtare ka vepruar kundër Millosheviqit dhe faktit që viktimat e tij janë myslimanë? Kam frikë se po, ashtu siç ndodhi dhe në kohën e Hitlerit, me ngurrimin e aleatëve për t’i shpallur luftë Gjermanisë dhe faktit që viktimat e Holokaustit u bënë hebrenjtë” (antologjia “Lufta kundër luftës”, Tiranë, 2001, f. 19). Lidhja e Holokaustit me gjenocidin serb në Kosovë u bë edhe nga shkrimtarë, intelektualë e politikanë të tjerë. Për shembull, ceremonia e parë e Ditës Kombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në Britaninë e Madhe më 2001, ku ishin të pranishëm Princi Çarls dhe kryeministri Toni Bleir, u hap nga një vajzë shqiptare nga Kosova që ndezi pishtarin e kujtesës, pas së cilës dy të mbijetuar të Holokaustit rrëfyen tmerret që kishin përjetuar në kampet e përqendrimit dhe pas të cilëve e mori fjalën një mësuese kamboxhiane që i kishte mbijetuar masakrës së intelektualëve që ndërmorën Kmerët e Kuq. Në të njëjtën ceremoni u përkujtuan edhe gjenocidet në Ruanda dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Ndërkaq, shqiptarët kujtonin dhe kujtojnë se si, gjatë Luftës së Dytë Botërore, paraardhësit e tyre shpëtuan çifutë vendas e refugjatë. Është me të vërtetë një akt i pashembullt në Europë, te i cili u përfshin qeveria kukull, organizatat çlirimtare (të cilat ndërkohë po luftonin me njëra-tjetrën) dhe familjet që i strehuan. Është i pashembullt, sepse tjetërkund jo vetëm qeveritë kuislinge, por dhe qytetarë të thjeshtë morën pjesë me zell në Holokaust, madje në disa raste pa u detyruar drejtpërdrejt nga pushtuesit gjermanë. Jan Tomas Gros [Jan Tomasz Gross], sociologu që zhvarrosi nga harresa kolektive e polakëve pjesëmarrjen në Holokaust, në një rast ka shkruar se “polakët me të drejtë janë krenarë për rolin e tyre në qëndresën ndaj nazistëve, por, faktikisht, ata kanë vrarë më shumë çifutë sesa gjermanë” (shih: https://www.theguardian.com/world/2015/oct/16/poland-anger-over-claim-that-poles-killed-more-jews-than-germans-during-war). Prej rolit qendror që ka zënë kujtesa e Holokaustit në kulturën publike të shteteve perëndimore, shpëtimi i çifutëve në Shqipëri gjatë luftës botërore po përdoret nga politikanët e këtij vendi si dëshmi europianiteti, ndërkohë që ata vëllazërohen me Serbinë gjenocidale (“Ballkani i Hapur”, organizimi i përbashkët i veprimtarive sportive dhe artistike etj.) dhe tregojnë një solidaritet të shtirë me Izraelin pikërisht kur ky i fundit po ndërmerr gjenocidin në Gaza. Edhe për këtë arsye, akti i shpëtimit të çifutëve në Shqipëri është i jashtëzakonshëm: politikanët, luftëtarët dhe njerëzit e thjeshtë të një populli të masakruar vazhdimisht nga shovinistët fqinjë, gjatë rrëmujës së luftës botërore e në kushte të pushtimit, u dhanë besën një grushti njerëzish pa atdhe, duke rrezikuar veten bashkë me ta; kurse, tani, populli i Shqipërisë, në liri dhe me kujtesën e freskët të strehimit të shqiptarëve të përzënë me dhunë nga Kosova, lejon që politikani më i votuar dhe përfaqësuesi më i lartë i politikës së tyre të jashtme të vizitojë Izraelin, të pranojë një dekoratë shtetërore e t’i krahasojë (disi me të drejtë) pengjet izraelite që mbahen ende nga Hamasi me viktimat e Holokaustit, mirëpo që, në krahun tjetër, të mos shqiptojë një frazë mëshire për viktimat fëmijë të makinerisë luftarake të Izraelit në Gaza.
Ne dhe Gaza
“Himni i Flamurit” na kumton “që kombe shuhen përmbi dhè”. Me atë që po ndodh sot në Gaza, ky varg duhet marrë në kuptimin e parë. Historia jonë e vonë është plot masakra, shpërngulje të dhunshme e shkatërrime, deri në gjenocid. Përkundër planeve që bënin fqinjët tanë për të na zhbërë, ia kemi dalë të mbijetojmë, por duke paguar çmim të rëndë: tërheqje e vazhdueshme prej trojeve etnike, fragmentim politik dhe qeveri të nënshtruara ndaj të huajve dhe me sjellje diktatoriale ndaj popullit të vet. Edhe sot, copëtimi politik i kombit na ekspozon ndaj dhunës së tashme sistemike dhe prej masakrave të mundshme në të ardhshmen. Spastrimi etnik në Luginën e Preshevës vijon me anë të pasivizimit të adresave dhe metodave të tjera. Qeveria e Malit të Zi projekton “shitjen” e Plazhit të Madh të Ulqinit investitorëve arabë, një projekt që rrezikon seriozisht pozitat e shqiptarëve të qytetit. Në Maqedoninë e Veriut, faktori shqiptar është thërrmuar në disa parti që, në përplasje me njëra-tjetrën, nuk po arrijnë ta ngrenë statusin e shqiptarëve në atë shtet në nivelin e popullit shtetformues. Në Kosovë, partitë e sistemit të vjetër, pas të cilave qëndrojnë interesat e disa oligarkëve dhe të Serbisë, në pamundësi për të rimarrë pushtetin ekzekutiv, po bllokojnë formimin e Kuvendit dhe të qeverisë.
Në Republikën e Shqipërisë bandokracia që përleshet mes vetes për pushtet e ka nxjerrë vendin në shitje: Greqisë i jepet hapësirë detare dhe i premtohet kthimi i Himarës në zonë minoritare, çështja e çamëve të shpërngulur zhytet më thellë në pusin e harresës institucionale, Italisë i jepen kampe për refugjatë, dhëndrit të presidentit amerikan i lihet ishulli i Sazanit, e pasuri të tjera publike u jepen në mënyra korruptive oligarkëve vendas në emër të një zhvillimi të paqenë, që bazohet te pastrimi i parave të grupeve kriminale. Rezultati i matshëm: pasurim i shpejtë i një pakice përmes sektorëve të ndërtimit e turizmit, ngecja e sektorëve të tjerë, sidomos i bujqësisë dhe i industrisë së lehtë e fasonerisë, varfërim i shtresave të mesme e punëtore, rritja e emigracionit, mungesa e krahut të punës, importim i krahut të lirë të punës nga vende më të varfra, përhapje e analfabetizmit funksional te brezi i ri i shqiptarëve, zvenitje të vetëdijes qytetare e kombëtare në raport me krahinarizmin dhe përkatësitë fetare.
Gaza e shkatërruar dhe, më parë, djegia e qyteteve dhe e fshatrave të Kosovës, karvanët e refugjatëve që udhëtonin për në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, na tregojnë se kusht për gëzimin e pasurisë vetjake është ndërtimi dhe fuqizimi i publikes, i institucioneve shtetërore dhe i frymës kombëtare. Izraelitët ia dolën ta ngrenë shtetin e tyre dhe kjo ishte humbja e palestinezëve, të cilët i besuan më shumë ndihmës së shteteve të tjera arabe, të cilat në fund i lanë vetëm. Gjithnjë në histori fqinjët na kanë sulmuar me agjentura e ushtri të rregullta, ndërsa ne u jemi përgjigjur me çeta e besëlidhje krahinore. Edhe kur kemi arritur nivele të caktuara vetëqeverisjes, kemi menduar se “Bac, u kry!” dhe e kemi privatizuar shtetin deri në shkallën sa dhe vetë e kemi besuar parullën e fqinjëve se shqiptarët nuk dinë të qeverisin. Pastaj kemi thirrur të huajt që të na zgjidhin problemet tona të brendshme.
Efektiviteti i veprimit shtetëror shihet kur qeverisja është e përgjegjshme dhe priret për nga interesi publik, siç u dëshmua me integrimin e komunave veriore në institucionet republikane të Kosovës gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje! Prandaj, përballë gjepurave për identitete të ndryshme në Shqipëri e Kosovë, që përhapin verbazi disa media shqiptare, duhet ta mbledhim mendjen se investimi te kombi është investimi më i sigurt për interesat private dhe ardhmërinë e brezave. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është i mundshëm të realizohet dhe një shtet i vetëm shqiptar do të ishte garanci më e madhe për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave e shqiptarëve në shtetet fqinje, të cilët gjithsesi nuk duhet të heqin dorë nga përpjekjet për përparimin kombëtar dhe shoqëror.