loader image
December 3, 2024

Kauzat globale dhe pozita shqiptare në botën në ngritje

Nuk kemi ëndërr shqiptare, meqë promovojmë ëndërr europiane dhe amerikane. Nuk kemi arsim cilësor dhe më së paku shkencë. E, si pasojë, në vend që ta shfrytëzojmë teknologjinë, ajo na shfrytëzon neve. Kemi fe, por nuk kemi besim. Kemi shkolla, por jo edhe arsim. Në këso rrethana forca kryesore e krijimit të identitetit është teknologjia. 

Rizvan SULEJMANI, Shkup

Bota po ndryshon në mënyrë dramatike para syve tanë, kurse ne sillemi si udhëtari në anijen e madhe e cila e ndërron anën e udhëtimit, ndërsa ai nuk e heton. Si duket bota në ndryshim? Elon Musk paralajmëron se për jo më shumë se një vjet njeriu do të bashkëjetojë me Inteligjencën Artificiale, kapaciteti i së cilës do të jetë më i madh se i çdo njeriu. Kinezët sot prodhojnë makina elektrike për 75 sekonda vetëm me 20 të punësuar dhe me mbi 700 robotë. Arabët e paralajmërojnë trenin e parë që do të lëvizë me shpejtësi 1000 kilometra në orë në gypin me vakum. Statistikat relevante botërore flasin se nëse në vitin 2023 Afrika është e populluar me 1.46 miliardë njerëz, në vitin 2050 kjo shifër do të arrijë në 2.48 miliardë. Europa është një rrëfim në vete. Situatën aktuale e përshkruan një studente e cila thotë “u zgjova në Europën e Bashkuar, që është koloni digjitale e Amerikës, koloni tregtare e Kinës, koloni demografike e Afrikës dhe koloni kulturore myslimane”.

Të dhënat e shpalosura na bëjnë të mendojmë se rendi i ri botëror, më saktë pozicioni i Perëndimit në të, do të varet nga tre faktorë kryesorë; ekspansioni teknologjik i perëndimit, ekspansioni demografik i Afrikës dhe ekspansioni kulturorë dhe civilizuese i Lindjes së Mesme dhe të Afërt.

Në vazhdën e këtyre ndryshimeve shtrihet dimensioni i sigurisë, për të cilin kryeministri i Polonisë, Tusk, dhe ish Sekretari Gjeneral i NATO-s bëjnë thirrje për zgjim, ngase bota futet në gjendje paralufte dhe sugjerojnë që ekonomia europiane të përgatitet. Sekretarit i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Grant Shapps, brenda pesë viteve parashikon involvimin e Kinës, Rusisë, Kores së Veriut dhe Iranit në luftë, kurse momentin e përshkruan si kalim prej kohës “pos luftës në para-luftën botërore”. Një kolumnist izraelit, disa muaj më parë, në “Times of Israel” shkroi: “Lufta e Tretë botërore ka nisur, por Joe Biden ende s’e ka kuptuar”.

Kjo e fundit shtron pyetjen çka po ndodh me paqen botërore dhe ku është Amerika? Ajo çdo ditë e më tepër po tërhiqet nga pozicioni i rojes së natës, hegjemonit kryesor botëror. Ajo, në mënyrë dramatike, u tërhoq nga Afganistani dhe tani po negocion për tërheqje nga Iraku. Në vazhdën e dramës që zhvillohet me intervenimin e Rusisë në Ukrainë dhe, së fundmi, edhe me luftën e Gazës, kurse përfundimisht me involvimin i Iranit me sulmin ndaj Izraelit, pyetja kryesore është: si të mënjanohet përshkallëzimi që të mos detyrohet të tërhiqet me turp? Për ta kuptuar pozicionin e Amerikës, Perëndimit, por edhe faktorëve të tjerë, duhet marrë në konsideratë disa karakteristika të përbashkëta që i nxorën në sipërfaqe konfliktet aktuale dhe ato paraprake.

Një, okupimet dhe pushtimet klasike kanë kosto shumë të lartë. Ukrainasit dhanë porosi të qartë se vullneti i një populli nuk mund të thyhet edhe nga një fuqi botërore, siç është Rusia. Nuk janë pa mesazh as lufta në Afganistan dhe kjo e fundit në Palestinë. Për çmimin që paguan Rusia dhe dëmet që i pëson Ukraina nuk kemi të dhëna të besueshme, pasi janë në nivelin e propagandës së luftës, flitet për shuma marramendëse. Sipas Faeed Zakaria-s, lufta njëzetvjeçare në Afganistan, bazuar në dokumente relevante të Pentagonit, i ka kushtuar SHBA-së 837 miliardë në operacionet ushtarake, plus 145 miliardë në ngritjen e ushtrisë afgane, kjo përkundër 200 miliardëve që mendohet se i kanë harxhuar talebanët. Në këtë luftë amerikanët kanë humbur 2.443 trupa të veta dhe 1144 trupa të aleatëve, ndërsa 20.666 trupa janë të plagosur. Në anën afgane nga viti 2001 janë vrarë 66.000 trupa dhe 48.000 civilë, ndërsa janë plagosur mbi 75.000. Në këtë shifër nuk përfshihen dëmet materiale dhe rindërtimi.

Vlerësimet për koston që paguan Izraeli për luftën në Gaza sillen nga 220 deri 260 milionë dollarë në ditë. Operohet me shifrat mbi 33.000 palestinezë civilë të vrarë, mbi 70.000 të plagosur dhe një numër të zhdukur, kundrejt diku 600 ushtarëve të vrarë izraelitë dhe mes 5.000 dhe 7.000 të plagosur. Në këto shifra nuk llogariten 1200 civilë dhe ushtarë të vrarë në ditën e parë të sulmit të Hamasit dhe pengje civilësh e ushtarë. Një natë mbrojtje e Izraelit nga ai vetë dhe nga aleatët ndaj sulmit të Iranit vlerësimet e para janë se kushtoi diku 1.35 miliard dollarë, ndërsa Iranit nuk duhet t’i ketë kushtuar më shumë se 50 milionë dollarë.

Dy, epërsia teknologjike e Perëndimit, që përfshihet në parullën “West and the rest” (Perëndimi dhe të tjerët), sinonim për Perëndimin teknologjik the të tjerët, mund të shkaktojë shumë dëme, por nuk mund t’ua ndërrojë mendjen aktorëve në konflikt. Qëndrimi që mban udhëheqësi politik i Hamasit kur pranon lajmin për 3 djem dhe katër nipa të vrarë, se ata janë flijim për lirinë, flet shumë. Ka të tillë që do të thonë se fanatizmi fetar e ka verbëruar dhe do ta kualifikojnë për bindje terroriste, por çështja është se ai nuk thotë se djemtë e tij janë vrarë për Islam, por për Palestinën. Në këtë rast duhet bërë dallim mes veprimeve të kësaj organizate, që mund të jenë terroriste, prej qëllimit që është çlirimi i Palestinës dhe jo përhapja e Islamit.

Dimensioni i tretë dhe më i rëndësishëm është se këto luftëra, në dukje lokale ose regjionale, në esencë janë për kauza më të mëdha. Involvimi i Iranit në luftë ndërmjet Hamasit dhe Izraelit e shpalosë luftën e dy kauzave dhe ajo nuk është më luftë për mbrojtjen e dy shteteve ose dy popujve. Eksperti iranian, Karim Sadjadpour, thotë se kauza e Iranit është dëbimi i Amerikës nga Lindja e Mesme, zëvendësimi i Izraelit me Palestinën dhe rrënimi i botës unipolare me qendër SHBA-në. Këtë tezë e përforcon Netanjahu pas aprovimit të ndihmës amerikane prej 17 miliardë dollarë, kur deklaron se me të do të mbrohet Izraeli dhe civilizimi perëndimor. Qëndrimi është shumë i përafërt me kauzën ruso-kineze, që u përligj përmes marrëveshjes së shkurtit të vitit 2022. Sipas James Crabtree-s, ekspert nga Singapuri, traktati ka për qëllim parandalimin e “disa shteteve” të nxisin përhapjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut tek të tjerët. Si kundërpërgjigje, dy vendet dëshirojnë një “rend botëror policentrik” postamerikan, si kauzë për cilën angazhohen.

Dimensioni i katërt është se në këto përplasje të kauzave, liberalëve çdo ditë e më tepër u rrënohet dheu nën këmbë nga presioni publik, që rëndon mbi elitat politike dhe ushtarake. Përderisa udhëheqësit shtetërorë në vendet perëndimore mundohet t’i arsyetojnë veprimet e Izraelit në Gaza, opinion i përgjithshëm në këto shtete nuk është i gatshëm të përballojë thyerje masive të të drejtave njerëzore, por edhe koston e lartë të luftës. Popullata liberale e përkrah luftën kundër terrorizmit, që në mënyrë jo selektive vret njerëz të pafajshëm, por nuk mund ta tolerojë që një shtet, në emër të luftës kundër terrorizmit, të vrasë në mënyrë jo selektive civilë e fëmijë të pafajshëm. Përkundër kësaj, sistemet politike autoritare bëjnë që elitat politike të ndjehen komode në veprimet e tyre. Për pasojë, liberalët përjetojnë dy goditje: një, nga brenda, presioni i  politikanëve me preferenca autoritare dhe izolacionaliste, që ua rrezikojnë pushtetin dhe, dy, humbjen e simpatisë tek popujt e “botës tjetër”, që do të kishin dashur t’i kenë me vete në rast të përplasjes me Kinën dhe Rusinë.

Çka mund të konkludojmë? Në botë kemi tendencë të zgjerimeve teknologjike, demografike, por edhe kulturore e civilizuese, që shpërfaqen përmes konflikteve lokale dhe regjionale. Mbi këtë bazë në prapashpinë grupe shtetesh ndërtojnë kauza të përbashkëta me efekte gjeopolitike. Rendi aktual botëror nuk ka ngritur një formulë për shpërndarje më të drejtë të teknologjisë, demografisë dhe as nuk ka baraspeshë në vendimmarrje ndërmjet civilizimeve dhe hapësirës gjeografike. Si rezultat, kemi përpjekje nga më tepër qendra që angazhohen për aktualizim ose dominim regjional e global. Efekti përfundimtar është rënia e një sistemi politik përplot me asimetri, por pa ide se si duhet të duket një më i drejtë dhe më i balancuar.

Ku jemi ne, cili është identiteti ynë dhe pozicioni gjeopolitik? Ne jemi pika ku më së mirë gërshetohen këto faktorë që do ta determinojnë të ardhmen e botës. Gjeografikisht, jemi Europë, por jo europianë, pasi edhe zyrtarisht jemi Ballkan, më saktë Ballkani Perëndimor. Historikisht jemi pikëtakim i civilizimeve dhe i religjioneve monoteiste, që sa na bën oksident, po aq na bën edhe orient. Përjetojmë krizë të thellë demografike, për shkak të migrimit, por edhe jemi rruga e marshimit të emigrantëve drejt Europës. Jemi nën çadrën mbrojtëse amerikane dhe kemi ambicie për integrim europian, por kultivojmë bindje myslimane. Nuk kemi ëndërr shqiptare, meqë promovojmë ëndërr europiane dhe amerikane. Nuk kemi arsim cilësor dhe më së paku shkencë. E, si pasojë, në vend që ta shfrytëzojmë teknologjinë, ajo na shfrytëzon neve. Kemi fe, por nuk kemi besim. Kemi shkolla, por jo edhe arsim. Në këso rrethana forca kryesore e krijimit të identitetit është teknologjia. Tik-tok, Facebook, reality show janë arena të ngjeshjes së identitetit shqiptar. Të humbur në mes të kolonizimit teknologjik, demografik dhe kryqëzimeve civilizuese, shprehur përmes kauzave që na i imponon gjeografia – pa pasur kauzën tonë – rrezikojmë të shndërrohemi në laborator eksperimentues të shekullit që jetojmë. Historia sikur na përsëritet; ishim laborator eksperimentues i realizmit socialist pa industrializim, laborator eksperimentimi i perëndimizimit pa emancipim dhe tani i globalizimit pa shkencëtarizim. Atëherë mbetëm në izolim dhe vendnumërim, ndërsa sot rrezikojmë getoizimin në vend të integrimit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X