loader image
October 5, 2024

A (guxojmë t’i) ndryshojmë aleatët?

Shkruan: Ismail SINANI

Ndryshimet e fundit në glob kanë ndikuar edhe në krijimin e ekuilibrave të rinj. Lufta tashmë prej më shumë se dy vjetësh në Ukrainë, por së fundmi edhe në Gaza, shpesh po i bën të dukshme divergjencat në qasjen e fuqive perëndimore intra kampit të tyre. Edhe pse në shikim të parë duket se janë të “një vije”, megjithatë veprimi në terren flet për një qasje tjetër. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, ku Donald Tramp  pritet ta rimarrë postin numër një, e i cili që tani paralajmëron një politikë krejt të re të shtetit të tij, s’do mend se politika globale do të pësojë një ndryshim edhe më të madh nga ai që shihet tani. Aq më tepër, kur e kemi parasysh se në qershor të këtij viti zhvillohen edhe zgjedhjet për Parlamentin Europian, ku sondazhet tregojnë se e djathta mund të fitojë dhe kjo mund të ndikojë në ndërtimin e politikave të reja edhe ndaj zgjerimit, në veçanti, edhe ndaj Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi. Pra, kur t’i bashkojmë këta dy faktorë, është më se evidente se po (mund të) futemi në një rrëmujë të re globale.

Nisur nga kjo që u tha më lart, edhe shqiptarët nuk duhet të presin se do të ngelin pa u prekur në këtë ridimensionim të ri global, aq më tepër kur viteve të fundit po shihet qartë se shumë vende europiane, por edhe SHBA-ja, nuk po shfaqin ndonjë empati të veçantë ndaj shqiptarëve, siç kemi dashur ose siç kemi menduar se e kanë. Andaj parashtrohet pyetja se pse po ndodhë një gjë e tillë? A po e humb Europa fuqinë e vet? A po bëhet vetë Europa demotivuese për vendet e rajonit? A duhet shqiptarët t’i shikojnë më shumë trendet e zhvillimit global? Nëse thellohet hendeku SHBA-BE, si duhet të sillen shqiptarët? A rrezikohet Kosova nga fitorja eventuale e Trampit? A kemi faj ne apo fajin e kanë ata? Teza të shumta, përgjigje edhe më të shumta.

Elitat shqiptare, tashmë prej tri dekadash, janë “betonuar” në qasjen e tyre se ku jemi nisur dhe cili është orientimi ynë. Flasin me terma absolutë, flasin për fundin e historisë, flasin me terma të fizikës për terma plotësisht relativë.

Historia gjithmonë na ka mësuar se si aleancat kanë ndryshuar nga çasti në çast. Po kështu, historia dhe politologjia na ka mësuar se shteti, si organizimi bazë shoqëror, pavarësisht deklarimeve folkloriste të liderëve të tyre, në thelb e ka interesin. Ata që nuk e kanë besuar dhe kanë qenë të bindur në “ideale hyjnore”, kanë rastin të shohin se në Gazë para syve të botës po zhvillohet gjenocid, ndërsa “liderët shpirtërorë” të vendeve përreth, më shumë janë të prirë t’i ndjekin “interesat e tyre strategjike”, qoftë edhe “kur gjaku i fëmijëve shkon lumë”. Ata kanë rastin ta shohin se si “liberalizmi perëndimor”, që është ndërtuar mbi paradigmën e lirisë dhe vëllazërisë, po i shpall armik të demokracisë dhe antisemitë të gjithë ata që duan liri për Palestinën. Po e shohim se si “djepi i demokracisë” po përdor dhunë brutale mbi profesorët dhe studentët e Harvardit, Kolumbisë… Londrës, Sidneit, Berlinit e Parisit… vetëm e vetëm pse thonë se “Izraeli është shtet gjenocidal e po ushtron aparteid”. Po këta, që besonin në “ideale hyjnore”, janë dëshmitarë se si këta “të qytetëruar” janë në dilemë mes kthimit të shpinës Ukrainës dhe faljes së një cope të madhe të saj për t’ia shuar apetitet Rusisë. Faktet janë të dhimbshme e të mençurit shikojnë pak më esëll.

Deri këtu duket se vetëm gjeopolitika do të jetë determinuese e së ardhmes së njerëzimit. Ata që bëjnë analiza të njëtrajtshme me hipoteza të shekullit të kaluar, kanë të drejtë kur thonë se “gjeopolitika çdoherë ka qenë vendimtare për rirreshtimet politike”. Por, tani parashtrohet pyetja se çka nëse e ardhmja nuk do të definohet vetëm në bazë të forcës së armëve? Çka nëse, krahas armëve, rol të rëndësishëm ka ekonomia? Çka nëse, krahas këtyre dy faktorëve, një rol të veçantë luan shkenca dhe teknologjia – inteligjenca artificiale? Çka nëse shpopullimi i Perëndimit dhe shpartallimi i konceptit familje ndikon në fuqinë e Perëndimit? A janë këto tema që duhet t’i analizojmë apo edhe më tej duhet të heshtim?

A duhet të na frikësojë fakti se asnjë qytetërim në botë nuk ka qenë i përhershëm? A duhet të shqetësohemi se mendësia “europiane”, në veçanti, dhe ajo “perëndimore”, në përgjithësi, ende jeton me imazhet e krijuara nga filmat holivudianë në një kohë kur fuqia ekonomike në glob me hapa galopantë po zhvendoset drejt Azisë?

Viti 2030-të është shumë afër. Në bazë të të gjitha parashikimeve ekonomike, Kina në këtë vit, pas fiks 145 vjetëve, sërish do ta marrë primatin e ekonomisë më të fuqishme në botë. Po këtë vit, edhe India, me një lider fashist, pritet të radhitet si ekonomia e tretë në botë (aktualisht është e katërta)… Cinikët menjëherë mund të shfaqin dilemat se mos vallë shqiptarët duhet të kthehen kah Kina e Azia? Përgjigja definitive është jo. Ne, si shqiptarë, gjeografikisht jemi të lidhur me Europën, por, bashkë me këtë pyetje, parashtrohet edhe pyetja nëse aleatët tanë do të kenë kondicion të merren më shumë me ne kur do të kenë probleme “deri n’fyt” me Kinën, Indinë dhe Rusinë, si njëri ndër shtetet me të pasura me gaz e naftë.

S’do mend se SHBA-ja edhe një periudhë do ta ruajë primatin ushtarak, bashkë me të edhe NATO. Por, a ndalemi ta shikojmë hartën e globit për ta parë se kush investon sot më së shumti në Afrikë, cila është shkalla e rritjes ekonomike e Perëndimit e cila e atyre shteteve që ne shqiptarët kemi dëshirë t’i quajmë primitive, lindore?

Këta tre çerekshekuj, që i kemi përpara, janë të teknologjisë, janë të atyre korporatave që do ta kenë në dorë teknologjinë digjitale. Janë të atyre shteteve që do t’i mbështesin këto “korporata digjitale”.

Ne, si popull, në hartën e botës nuk jemi aq të rëndësishëm sa e pandehim veten. Avni Rrustemat, Mic Sokolat… Krajli… “dielli n’Perëndim”, “feja e shqiptarit…”, janë narracione shumë bajate e pa kurrfarë komponente etatiste për kohën drejt së cilës jemi nisur. Kur përplasen titanët, nuk e çajnë fort kokën për buburrecat. Kjo i bie se, pavarësisht orientimit tonë, është mirë të bëhemi gati për furtunën që na pret. Paqja e përhershme, e promovuar pas Luftës së Dytë Botërore, tashmë po shihet se ka marrë fund, ndërkohë që në vitin 1917-të e vitin 1941, shumë pak politikanë e intelektualë e kishin kuptuar se bota ishte në luftë… Tani jemi në vitin 2024 dhe nuk e dimë saktë nëse okupimi i Krimesë në vitin 2014 apo ndërhyrja ruse në vitin 2022 ka(në) qenë fillimi i Luftës së Tretë. Po kështu nuk e dimë nëse lufta për çlirim të Palestinës mund të marrë përmasa më të gjëra?! Irani dhe Izraeli i provuan armët me njëri-tjetrin… Nuk dihet se kur dhe kush e ka radhën?!

(Editoriali i Revistës SHENJA)

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X