E bashkuar rreth Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, kjo elitë e ideoi projektin për pavarësinë e Kosovës. E krijoi ideologjinë kombëtare dhe paqësore që mbështetej në vlerat më të larta njerëzore e qytetërimore europiane. Ishte si vazhdimësi e ideologjisë së Rilindjes Kombëtare, por e modifikuar për rrethana të reja shoqërore e politike.
Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë
Derisa bota e lirë fliste për të drejtat qytetare, shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të ‘90-ta s’i gëzonin as të drejtat themelore njerëzore. Ata u përjashtuan nga institucionet publike. U mbyllën shkollat dhe fakultetet në gjuhën shqipe. Punëtorët u përjashtuan nga fabrikat. Administrata nuk fliste shqip. Ligjin e bënin policët shikimvëngër e të rreptë.
Elita intelektuale e Prishtinës mblidhej nëpër kafene, ku bisedohej për të ardhmen e shoqërisë kosovare, e cila mezi frymonte nën terrorin e pashembullt shtetëror. Shkrimtarë, historianë, profesorë e studiues u bënë pjesë e misionit të përgjithshëm shoqëror, që duhej ta shpëtonte kombin nga robëria dhe errësira.
Shumica e popullit i besonte elitës intelektuale. I miratonte vendimet e saj. Kjo elitë s’kishte pushtet real, por kishte autoritet dhe legjitimitet moral. Autoriteti moral ishte më i fuqishëm se autoriteti ushtarak e policor.
E bashkuar rreth Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, kjo elitë e ideoi projektin për pavarësinë e Kosovës. E krijoi ideologjinë kombëtare dhe paqësore që mbështetej në vlerat më të larta njerëzore e qytetërimore europiane. Ishte si vazhdimësi e ideologjisë së Rilindjes Kombëtare, por e modifikuar për rrethana të reja shoqërore e politike. Ajo bazohej në paqe e humanizëm, përkundër ideologjisë që bazohej në dhunë e terror. Me lule i kundërvihej armës. Se murit s’i bihej me kokë. Çdo aventurë e papërgjegjshme çonte në tragjedi kombëtare. Ky ishte shkaku që elita kulturore e politike e zgjodhi filozofinë paqësore.
Në kushte frymëzënëse, në atmosferë të zymtë, kjo elitë e zgjoi simpatinë te qarqet politike, diplomatike dhe intelektuale europiane. Kështu filloi afirmimi i çështjes kosovare, deri atëherë e panjohur ndërkombëtarisht.
Ideatorët e kësaj ideologjie e dinin se durimi do të sosej një ditë. Dhe, kjo ndodhi në fund të viteve të ‘90-ta, kur nga rezistenca paqësore u kalua në rezistencë aktive.
Ideologjia e sipërpërmendur, aspak ksenofobe, reflektoi fuqimisht te shqiptarët e hapësirës së ish-Jugosllavisë. Partitë politike të shqiptarëve të Maqedonisë (tani e Veriut), në bashkëpunim me politikën kosovare, bënin veprime të kujdesshme politike. Shpesh e “ulnin kokën” karshi terrorit shtetëror maqedonas, që vëmendja ndërkombëtare të mos zhvendosej nga problemi kryesor – Kosova.
Në këtë qark kohor Maqedonia ishte shtet totalitar në raport me shqiptarët. Në pushtet ishin politikanët që ndërtuan karrierë politike si komunistë dhe pasardhësit e tyre. Nëse në vitet e ‘90-ta në Kosovë kishte një kafene si “Elida”, në Tetovë ishin kafenetë “Zana”, “Gurra”, “Shkëndija”, “Edi”. Ato ishin si kafene “Kursali” i Tiranës në vitet e ‘30-ta. Aty bisedohej për politikë, kulturë, art dhe shkencë. Aty organizoheshin orë poetike e debate politike. Aty lindnin ide dhe nisma të ndryshme. Aty qarkullonin revistat kulturore dhe politike të kohës.
Sot është kohë tjetër. Kosova është shtet i pavarur. Për pavarësinë e saj kontribuuan shumë breza. Kontribuuan ata që për Kosovën e dhanë gjënë më të çmuar – jetën. Kontribuuan shkrimtarët, që botonin libra dhe organizonin ngjarje kulturore në kushte terrori. Kontribuuan mësimdhënësit, që punuan në shtëpi private për ta mbajtur gjallë zjarrin e dijes. Kontribuuan mjekët e infermieret, që punuan nëpër spitale të improvizuara. Kontribuuan sportistët, që garuan nëpër terrene me baltë.
Ndryshe nga ajo kohë, sot nuk ka më autoritete morale. Ka një “elitë” snobe, hipokrite, e cila e ka merakun si do të duket, si do të vetëreklamohet dhe jo çfarë do të bëjë. “Elitarët” ankohen se s’i kupton populli. E fyejnë popullin e tyre. E quajnë të pagdhendur, se s’di të votojë. “Elitarët” duan një komb ideal, i cili nuk ekziston mbi faqe të dheut. Harrojnë se fajin për përgjumjen e kombit e ka elita. Mid’hat Frashëri tha se i dituri duhet të kujdeset për të paditurin. E thanë mendimtarët botërorë e shqiptarë se detyrë e elitës intelektuale është të gjejë formula që kombit i sigurojnë mbrothësi. E tha Platoni, tek alegoria e shpellës, se ata që dinë, e kanë për detyrë t’i çlirojnë nga prangat e mosdijes ata që nuk dinë.
Sot nuk kemi debate esenciale për çështjet më të rëndësishme. Kemi zhurmë nëpër ekrane televizive për tema të parëndësishme dhe kemi spektakle që e zhvendosin vëmendjen te gjërat e parëndësishme.
Ndryshe nga dje, sot kemi më shumë institucione arsimore, kulturore e shkencore. Kemi më shumë tituj shkencorë e akademikë. Por, sot s’kemi studime mbi plagët e shoqërisë shqiptare. Pasi s’e dimë diagnozën, s’kemi terapi për shërimin e plagëve të shoqërisë. Veç krizave tjera, sot kemi edhe krizë morale.
Sot mund të jemi më të pasur materialisht, por jemi më të varfër shpirtërisht. Dikur ishim idealistë, kurse sot jemi materialistë. Dikur elita mblidhej kafeneve dhe ndërmerrte veprime për çështje jetike, kurse sot është strukur nëpër institucione dhe s’gjen formula për të dalë nga gjendja që bën kinse dëshiron ta ndryshojë. Nëpër kafene, kur mezi i paguanim kafetë, përgatisnim revista të mira, që sot s’i bëjmë nëpër institucione. Sot s’ka autoritete morale, por vetëm autoritete politike. Intelektuali përjeton ekstazë kur takohet dhe fotografohet me një lider partie, në vend se të ndodh e kundërta. Sot askush nuk pyet për Tolstoin. Botën e sundon vetëm cari. Ai është bërë autoriteti real politik e moral. Edhe kur s’di të bëjë politikë. Edhe kur s’e përfill asnjë normë morale. Dhe kështu do të jetë derisa kemi “elitarë” që shkruajnë himne e panagjirikë për liderë partie.
Ejani miqtë e mi të pimë nga një kafe në kafenetë e dikurshme dhe të flasim për rrugët nëpër të cilat duhet të ecim!
Më falni! Ato kafene nuk ekzistuakan më.