loader image
December 12, 2024

Projekti i papërfunduar i shqiptarëve: Kosova

Vështirësitë për ta përmbyllur procesin janë evidente dhe shkaktari i kësaj është qasja kërcënuese e Serbisë dhe veprimet destruktive, si në aspektin politik, shtetëror e diplomatik, ashtu edhe në terren, duke përkrahur e sponsorizuar strukturat e grupet kriminale.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Përvoja e secilit komb, në disa aspekte, është specifike. Kjo rrjedh nga mënyra e përjetimit të vetes dhe ngjarjeve. Kur ndërtohet kuptimi për veten dhe komunitetin si subjekt me histori e me qëndrime, me sfida, suksese e dështime, bën të mundur vënien e parakushtit për jetësim politik e shtetëror, për të marrë mbi supe detyra dhe përgjegjësi morale për komunitetin. Kjo veçori përbën thelbin e realizimit politik të një populli. Ideja për përjetimin specifik e karakteristik të përvojës vetanake mundëson edhe forcën e parë elementare morale për të fituar në projektin politik, teksa ai shihet si kauzë morale e shoqërore.

Sivjet Kosova shënon pesëmbëdhjetëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Ekzistenca e një shteti të dytë të pavarur shqiptar në Ballkan është “kompensimi” minimal për katastrofën e dramën shqiptare për rreth një shekull. Kjo përbën një sukses dhe arritje të madhe të shqiptarëve. Shikuar nga ky aspekt, shqiptarët janë në një botë më të lirë dhe frymojnë pa trysninë permanente të pushtetit serbo-jugosllav, që i shoqëronte si hije e keqe. Nga ana tjetër, populli i Kosovës sa më parë duhet të fillojë të mendojë se ku gaboi me lirinë, me rehatinë e pretenduar, cili është adresimi i vet për të ardhmen, cili është imazhi i tij për veten dhe a ka kujtesë normale për jetësimin e vet si qenie. Nëse arrin t’i adresojë saktë e sistematikisht këto pyetje themelore, do të krijojë kushte për ta jetësuar lirinë edhe më shumë dhe për të jetuar brenda një bote ku vlerat themelore nuk ndryshojnë nga mëngjesi në mbrëmje. Arritja e paqes me disa vlera e virtyte themelore (si familja, besimi, solidariteti, respekti për dëshmorët dhe sakrificën etj.) është po ashtu jetike për ta jetësuar tamam projektin politik dhe për t’i jetësuar disa dimensione të lirisë, të cilat tani në vlugun e shijimit të lirisë së ëndërruar ngelen të padukshme, por të cilat koha do t’i sjellë në pah. Duhet zgjidhur dilema ndërmjet lirisë dhe respektimit të disa virtyteve e principeve themelore humane, morale e, pse jo, edhe shpirtërore. Pikërisht këtu qëndron tipari rigjenerues i shoqërisë, ku ajo e identifikon veten përmes atyre vlerave e virtyteve morale, që asaj ia japin forcën tejkohore.

Që nga viti 2008 e deri më sot, sado që kishte një momentum më të favorshëm në rrafshin ndërkombëtar (i cili dita-ditës vetëm se ka ndryshuar në disfavor të faktorit shqiptar), në planin e brendshëm nuk ka ekzistuar energjia, intensiteti dhe serioziteti i mjaftueshëm për ta përmbyllur procesin dhe çështjen e hapur me shtetin e papenduar serb. Çalimi i parë e themelor është shënuar në mosdefinimin e mosperceptimin e procesit si pjesë e një plani a narrative që buron nga ideali, si segment në rrjedhën zinxhirore të jetësimit moral kolektiv. Procesi është perceptuar më shumë në një vijueshmëri e rrjedhshmëri ad hoc që duhet kryer, për shkak të procedurës per se. Bëhet fjalë për një qasje më shumë burokratike e administrative sesa idealiste e morale. Nga një ligjërim e praktikë e tillë administrative në raport me Serbinë dhe procesin në tërësi buron edhe kritika absurde se filan lideri a lëvizja është populiste. Të kërkosh korrektësi me plagën kombëtare dhe të respektohet ndjeshmëria e qenies shqiptare në përvojën e fundit, por jo vetëm, nuk është populizëm, por është tipari themelor elementar human që do të duhej ta kishte secili njeri e lëre më lider. Për çfarë populizmi po flasim? A e kemi përmbyllur ne procesin e shtetndërtimit? A kanë mbaruar idealet apo kemi ende diçka për të thënë e vrapuar si shoqëri? A kemi qëllime? Mund të ketë shumë njerëz pa qëllime e ideale, por vendin nuk e kanë në politikë, aq më pak në postin udhëheqës, ngase nuk kanë asgjë për të thënë nga aty, nuk kanë çka të përfaqësojnë, për sa kohë që politika është shërbim ndaj një kauze ose koncepti idesh e qëllimesh për komunitetin. Prandaj të akuzosh një person a lëvizje për populizëm është të justifikosh qasjen joserioze e burokratike të lidershipit kosovar ndër vite ndaj Serbisë.

Tani momentumi është shumë më problematik. Siguria është kërcënim serioz për shtetin. Kërcënimi rus dhe serb janë në një sinkronizim shqetësues për arealin josllav, përkatësisht atë perëndimor e, në rastin konkret, atë shqiptar. Incidentet e njëpasnjëshme që ndodhën kohëve të fundit janë tregues se pamundësia për ta arritur marrëveshjen është reale, por jo vetëm kaq. Skenarët destabilizues që i harton Serbia, disa prej të cilëve i pamë muajve të fundit në veriun e Kosovës, mund të shkaktojnë kaos të ri dhe mund ta përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen e sigurisë. Në tërë këtë dramë është fati i Kosovës që në krye të shtetit ka një lider, që ka një mendim dhe pozicion karshi zhvillimeve, ka një shkollë politike që i beson dhe në funksion të të cilës vepron. Ka një kujtesë sfiduese dhe një qëndrim dinjitoz. Ai përmbledh kujtesën kosovare të tri dekadave të fundit dhe ka një të kaluar ballafaqimi për idealet që beson. Ai e sheh projektin e Kosovës si suazë brenda çështjes shqiptare dhe mundohet t’i qëndrojë besnik mendimit politik panshqiptar që ka referencë Rilindjen Kombëtare. Dhe, kjo ka rëndësi për një lidership dhe për një popull e vend i cili ende ka punë për ta përmbyllur çështjen shtetërore dhe atë kombëtare. Prandaj ky momentum, në anën kosovare, nuk do të duhej të tolerojë liderë e praktika neutrale ndaj projektit politik shqiptar. Do të ishte iluzore e utopike, madje absurde, ta pretendosh si të kaluar nuancën e mendimin kombëtar të shtetit nën emrin e politikave gjoja progresive e liberaliste, kjo në kohën kur Serbia ngre gatishmërinë ushtarake dhe kërcënon për ndërhyrje (pra pushtim) në Kosovë. Krahas legjitimitetit që ka kjo qeveri me mbështetje me mbi 50 për qind të votave, edhe në planin e harmonizimit ndërinstitucional Kosova është një momentum fatlum. Në planin e brendshëm ekziston një sinkronizim i mirë mes qeverisë dhe presidencës, një harmonizim pozitiv që ndikon në mbarëvajtjen e procesit të shtetndërtimit dhe zhvillimit në tërësi. Por, nëse kryeministri dhe presidentja aktuale nuk i përmbahen premtimit dhe rrugës të cilën ia ka besuar populli, edhe atyre duhet t‘u tregohet vendi. Demokracia ose është ose nuk është. Idealet e projekti kombëtar po ashtu. Nga ana tjetër, shteti shqiptar duhet të zgjohet nga gjumi, ta pranojë hisen e përgjegjësisë ndaj Kosovës dhe ta kuptojë mirë se pa një Kosovë e Shqipëri të fortë e të bashkuar nuk ka ditë të mira për shqiptarët. Shqipëria është boshti kryesor e i fortë politik e organizativ i shqiptarëve, prandaj këtë funksion duhet ta dëshmojë më seriozisht.

Vështirësitë për ta përmbyllur procesin janë evidente dhe shkaktari i kësaj është qasja kërcënuese e Serbisë dhe veprimet destruktive, si në aspektin politik, shtetëror e diplomatik, ashtu edhe në terren duke përkrahur e sponsorizuar strukturat e grupet kriminale. Marrëveshja është urgjencë dhe domosdoshmëri. Momentumi ndërkombëtar është kompleks dhe shumë i pafavorshëm, por kjo nuk justifikon tërheqjen nga principet dhe interesat jetike të shtetit dhe të popullit, madje as nga pritshmëritë e qytetarëve të dinjitetshëm. Duhet të identifikohen sfidat dhe nevojat, pikënisje të jetë një konsensus politik e shoqëror, një vetëdije për ndjeshmërinë e kontekstit dhe për domosdoshmërinë e rikonfirmimit të identitetit kolektiv se kush jemi dhe si erdhëm deri këtu. Një rezonim mbi veten, që nga niveli personal e familjar, e deri te niveli politik e publik, do t’i shërbente riafirmimit të subjektivitetit shoqëror e politik. Vetëm kështu do të merrte kuptim politika si kauzë shoqërore dhe si pjesë e një programi e morali kombëtar. Po aq e rëndësishme është të prishet vetëkënaqësia që derivon sjellje të llojit sikur çdo gjë ka mbaruar, lirinë e kemi fituar, pavarësinë e kemi shpallur, NATO e mbron Kosovën etj. Përkundrazi, pak gjë ka përfunduar dhe çdo gjë rrjedhë e zhvillohet. Vigjilenca në nivel shtetëror, por edhe në atë shoqëror, nuk duhet të zbehet asnjëherë. Ne do të kemi shtet e liri aq sa dimë e duam ta kemi. As më pak e as më shumë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X