Kadareja në revanin e vet islamofobik i ka dy fantazma që i faniten vazhdimisht: haxhi Qamilin dhe Esat Pashë Toptanin. Me figurat e tyre, ai e konstrukton sulmin ndaj islamit dhe myslimanëve shqiptarë, si një prozë të hallakatur.
Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë
Për shkak të prejardhjes komuniste-ateiste që kanë shumica e pjesëtarëve të elitave intelektuale e politike ndër shqiptarë, ato kanë një koncept të fuqishëm monist dhe ateist edhe për kombin. Në këto vite të pluralizmit e të demokracisë së proklamuar, shumë prej tyre janë bërë altoparlantë të përjashtimit të disa vlerave fundamentale nga identiteti ynë kombëtar. Kështu ndaj Islamit kanë shpallur pothuajse një kryqëzatë propagandistike, duke luftuar gjithçka që lidhet me trashëgiminë ose me aktualitetin e tij ndër shqiptarë. Intoleranca e sotme ndaj Islamit në masë të madhe është e burimit hoxhist, komunisto-ateist, megjithëse një pjesë e tij e ka burimin edhe te filoortodoksizmi dhe filokatolicizmi.
Edhe pse Pashko Vasa, qysh në kohën e tij, pat folur qartë e zëshëm për rrezikun që disa shtete europiane, nën pretekstin e protektoratit fetar, po i shfrytëzonin ndasitë fetare dhe ashtu po rrezikonin ndarjen politike të shqiptarëve, këta partizanë të islamofobisë së sotme nuk e kanë mësuar leksionin e urtë të tij. Të sponsorizuar prej të huajve ose jo, ata vazhdojnë të provokojnë ndarje fetare, duke fyer shumicën myslimane e duke fyer vlerat e trashëgimisë islame ndër shqiptarë. Disa syresh e mbajnë në gojë haxhiqamilizmin, pa u kujtuar se janë bërë vetë të atillë, veçse në kahun tjetër. Nuk ia vlen të përmenden me emra, jo vetëm pse janë një kamarillë goxha e madhe, po pse janë kompromentuar kaq keq, sa emrat e tyre kutërbojnë urrejtje. Por, për bëmat e tyre duhet të mbahen shënime, sepse janë duke punuar për prishjen e unitetit kombëtar. Meqë shumica dërmuese e shqiptarëve janë myslimanë, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, gjë që u vërtetua edhe në censusin e fundit në vitin 2012, është e palogjikshme të pretendohet përjashtimi i vlerave fetare të shumicës së kombit, për të mbajtur gjoja një komb puritan në vlera fetare, vetëm si ateist dhe, eventualisht, si kristian. Pika më e habitshme e kësaj ka qenë dhe mbetet deklarata e Ismail Kadaresë se sundimi i Enver Hoxhës la diçka pozitive mbrapa – sepse e dobësoi Islamin ndër shqiptarë: “Vit pas viti, feja islame (…) e importuar midis bagazheve të osmanëve do të dobësohet (fillimisht në Shqipëri, pastaj në Kosovë). Kështu që feja e krishterë ose kultura e krishterë do të nguliten në vend. Kështu, pra, së shpejti, nga një e keqe (ndalimi i fesë më 1967) do të dalë një e mirë. Kombi shqiptar do të ecë drejt ripërtëritjes, e cila do ta shpejtojë bashkimin me kontinentin mëmë, me Evropën”.
Gjithë kjo urrejtje islamofobike e këtij shkrimtari, e koncentruar në disa rreshta, është pothuajse e pashembullt! Në fakt, ky angazhim për deislamizimin e pjesës dërrmuese të kombit shqiptar, është si një thimth i Rekonkuistës së vjetër. Edhe inkuizitorët, që i detyronin hebrenjtë dhe myslimanët të konvertoheshin ose të shkonin në turrën e druve, flisnin për kontinentin mëmë dhe “fenë e vërtetë”. Bile, cinizmi i tyre shkonte aq larg, sa hebrenjtë, që i digjnin për së gjalli në turra të druve, i quanin “vëllezër sipas Krishtit”! Pra, pak a shumë ishte vëllavrasje, por e motivuar nga zelli i çmendur fetar.
Në fakt, Kadareja e trajton Islamin si mall kontrabande (që qenkësh futur si mall i fshehur në bagazhe). Me këtë figurë zbulon formimin e vet materialist-marksist, sipas të cilit ekziston vetëm materialja dhe asgjë tjetër, prandaj edhe feja, sipas këtij konceptimi, na qenkësh një mall, kësaj here i kontrabanduar. E dyta, shprehja e gëzimit për dobësimin e Islamit ndër shqiptarë është produkt i mosnjohurisë së arsyes së vërtetë të Islamit dhe i një islamofobie patologjike. T’i adresosh merita regjimit që ndaloi besimet fetare në Shqipëri është jo vetëm antifetare, por edhe antikulturore, sepse një pjesë e madhe e vlerave kulturore të kombit shqiptar janë formuar në përqasje me besimet fetare, ashtu që ndalimi i tyre do ta varfëronte skajshmërisht edhe tërësinë e vlerave kulturore të kombit shqiptar. Por, Kadareja në këtë rast e do kombin ashtu si bindjet e veta, antiplural dhe monist. E treta, është e pavërtetë se Islami ndër shqiptarë në çfarëdo forme ta ketë kontestuar ose penguar përkatësinë europiane të kombit shqiptar. Idetë e para politike e kulturore për kombin shqiptar i kanë formuluar intelektualë që kishin prejardhje myslimane, që nga Hoxha Tahsini, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri etj., sikundër që lëvizjet politiko-ushtarake dhe projektet e pavarësimit të Shqipërisë i kanë idejuar dhe zbatuar po ashtu politikanë e intelektualë që me shumicë ishin myslimanë (që nga Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Abdyl Frashëri, pastaj Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina etj.). Kur kanë dhënë këta ndonjë shenjë se po e ndanin Shqipërinë nga kontinenti mëmë? Asnjëherë. Mirëpo, Kadareja në revanin e vet islamofobik i ka dy fantazma që i faniten vazhdimisht: haxhi Qamilin dhe Esat Pashë Toptanin. Me figurat e tyre, ai e konstrukton sulmin ndaj Islamit dhe myslimanëve shqiptarë, si një prozë të hallakatur. Por, edhe në këtë rast, metodologjikishti Kadareja është i gabuar kur fyen Islamin dhe myslimanët shqiptarë, sepse këta renegatë nuk kanë pasur asnjëherë dhe në asnjë formë mandatin e myslimanëve për veprimtarinë e tyre tradhtare, sikundër nuk do ta ketë pasur as Gjon Marka Gjoni mandatin e katolikëve për të shpallur “Republikën e Mirditës”, nën sponosorizimin e serbëve, për t’u ndarë nga bashkëkombësit shqiptarë të përkatësisë islame. Pra, përdorimi i emrave të dy renegatëve, për të përbaltur të gjithë bashkëkombësit myslimanë, është një urrejtje me prejardhje nga imagjinacionet poetike, por kurrsesi logjike dhe kurrsesi normale. Për ta çuar edhe më tej argumentin, duhet theksuar se shqiptarët gjithmonë kanë qenë të bashkuar dhe pjesë e kontinentit mëmë, edhe gjatë sundimit osman, sepse bashkë me grekët, rumunët, bullgarët, serbët, hungarezët, kroatët, boshnjakët e malazezët, kanë qenë pjesë përbërëse e një perandorie universale, e cila gjithmonë ka qenë dhe është trajtuar si fuqi europiane. Mbetja nën sundim për disa shekuj e të gjithë këtyre popujve nuk e ka ndryshuar me asgjë identitetin europian të tyre. Po ashtu kryeqyteti i Perandorisë Osmane, Stambolli, ka qenë si një vazhdimësi e Kostandinopojës së Bizantit, pra edhe gjeografikisht e edhe kulturalisht një seli evropiane. Por, Kadareja nuk e ka me faktet kokëforta historike e gjeografike. Edhe kur nuk e thotë haptas, ai e ka inatin me “islamin aziatik”, sepse ashtu iu ka ngulitur në krye, që ta urrejë Islamin dhe të gjejë nga të mundet e si të mundet ndonjë etiketë zhvlerësuese për të. Madje, qoftë dhe te shëmbëlltyra e Enver Hoxhës.
Për të qenë absurdi edhe më i madh, ka shumë njerëz që e perceptojnë këtë shkrimtar si gjoja nacionalist! Kjo edhe e tregon katandinë e nacionalizmit të vërtetë, kur ai nuk dallohet nga pseudonacionalizmi dhe nga manipuluesit antinacionalistë. Islamofobia e Kadaresë dhe e dishepujve të tij ideologjikë është e tillë, që ka ruajtur tharmin marksist brenda vetes dhe ai tharm i bën të jenë revolucionarë në luftën kundër Islamit, gjoja se ai ua prish mitologjinë kombëtare, identitetin europian etj. Por, e vërteta është se ata iu kanë kthyer mitologjisë kombëtare, jo pse e duan si të tillë, jo pse e respektojnë pluralitetin e vlerave kombëtare, po për ta mbushur disi vakumin ideologjik e shpirtëror që u ka lënë rënia e palavdishme e mitologjisë komuniste dhe për ta vazhduar edhe më tutje euforinë e tyre perverse revolucionare: “Me rënien e komunizmit universal marksist, së pari në nacionalizëm etnik, intelektualët dhe profesionistët u kthyen nga trashëgimitë dhe mitologjitë përkatëse etnike, me shpresën për të realizuar premtimin mesianik të shndërrimit revolucionar të shoqërisë”.
Aspekti më morbid i këtij dimensioni “të shndërrimit revolucionar të shoqërisë”, në këto njëzet vjet të tranzicionit në Shqipëri shihet në euforinë islamofobike. Sulmet e pareshtura ndaj Islamit dhe ndaj bashkëkombësve myslimanë, gjithmonë nën petkun e nacionalizmit shqiptar, janë dëshmi e ekzistimit të një prirjeje hakmarrëse, e cila mbahet e fashitur vetëm për shkak se nuk e kanë fuqinë e mjaftueshme që ta zbrazin edhe me dhunë fizike zemërimin e tyre mbi “vëllezërit renegatë”. Një gjë është e sigurt: ky zell antiislam nuk ka lidhje me nacionalizmin e as me nacionalen, nuk ka lidhje as me patriotizmin e as me njerëzoren. Të sulesh në sulm të pareshtur dhe të pamoralshëm kundër shumicës së bashkëkombësve, duke i fyer si “gjak i prishur”, si “aziatikë”, si “çeçenë”, si “antieuropianë” etj., kjo është një prirje edhe antinacionaliste edhe antikombëtare.
Për çfarë kombi shqiptar mund të bëhet fjalë, nëse shumica dërrmuese e tij, që është e përkatësisë fetare islame, përjashtohet nga njësia kombëtare me këso etiketimesh? Nëse do të mbeteshin vetëm të krishterët shqiptarë, si “vulëmbajtës të shqiptarizmit”, ata do të përbënin rreth 300.000 frymë dhe, si të tillë, do të ishin një popull i vogël, edhe më i pakët se malazezët. Mos e duan këtë zgjidhje islamofobët, të frymëzuar nga bëma e turpshme e Gjon Marka Gjonit, i cili pat shpallur se katolikët e tij nuk mund të jetonin me “turqit” dhe se më mirë e kishte të lidhej ashtu si u lidh, pas qerres së Serbisë? Paradoksalisht, këtë zgjidhje e duan edhe radikalët islamistë ndër shqiptarë, (fatmirësisht të pakët në numër) që bëjnë ç’bëjnë, po duan ta plasojnë një ide të urrejtjes ndaj Perëndimit si “qytetërim i degjeneruar”. Ata i keqpërdorin fjalët dhe veprimet e islamofobëve shqiptarë dhe i paraqesin si një kryqëzatë kundër të gjithë myslimanëve. Meqë një pjesë e konsiderueshme e besimtarëve myslimanë shqiptarë janë të pashkolluar dhe të painformuar si duhet, rreziku i manipulimit me ndjenjat e tyre është bukur i madh.
Megjithatë, tash për tash stabiliteti në korpusin kombëtar është i siguruar. Por, nëse këto provokime të dyanshme, nga islamofobët dhe nga radikalët myslimanë nuk reshtin, nëse ato bëhen edhe më të bezdisshme, ato mund të shndërrohen në një pykë të rrezikshme, që nga armiqtë e shqiptarëve, në rrethana që mund të jenë të pafavorshme në rrugën e historisë, mund të përdoret për ta çarë trungun kombëtar shqiptar. Si minimum, islamofobët është mirë ta kuptojnë se kjo që bëjnë nuk është nacionalizëm shqiptar, nuk është interes nacional, po është një manovër e rrezikshme që po e bëjnë në dëm të unitetit kombëtar. Ndërsa, radikalët myslimanë tash për tash nuk kanë asnjë grimë vullnet që të ndalen në qëllimet e tyre diversive ndaj identitetit kombëtar. Fakti që islamofobët kontrollojnë jo pak medie, fakti që radikalët myslimanë sponsorizohen nga donacione të ndryshme, nuk duhet t’i trimërojë deri në pikën, ku do të shndërroheshin në mercenarë kundër interesave unike kombëtare.
E vetmja zgjidhje afatgjate dhe, në esencë, edhe humane është bashkëjetesa harmonike e të gjithë bashkëkombësve, duke respektuar edhe pluralitetin e besimeve fetare dhe pluralitetin e vlerave të tjera, sociale, rajonale, gjinore etj. Në fund të fundit, nacionalizmi shqiptar, në versionin e tij human dhe kombforcues e shtetndërtues, nuk mund të ribëhet pa këtë harmoni e pa respektimin e të gjitha vlerave. Nuk mund të forcohet kombi shqiptar, duke përjashtuar vlerat dhe kontributin e besimeve fetare dhe, veçmas, kontributin historik dhe aktual të myslimanëve, përkatësisht vlerat e besimit islam, që janë të integruara në identitetin tonë kombëtar. E ardhmja e shqiptarëve si komb dhe formimi eventual i një shteti të përbashkët kombëtar prej tyre varet nga shumë faktorë, që nga ata gjeopolitikë e deri te fuqia ekonomike. Por, të gjitha këto varen edhe nga harmonia e brendshme, ku respektohen të gjitha vlerat.
(Fragment nga libri “Nacionalizmi shqiptar”, Logos A, 2014, Shkup. Fusnotat u hoqën. Titulli u formësua për këtë rast.)