loader image
December 13, 2024

Shërbimet e Kadaresë për regjimin komunist dhe shërbimet e Sigurimit të Shtetit për Kadarenë

Tashmë kemi dokumente zyrtare, të cilat tregojnë se Ismail Kadareja jo vetëm që nuk e luftonte diktaturën, por ai përdorte organet e saj të dhunës, edhe në shkelje të ligjit, për të përmbushur tekat e tij. Nga dokumentet që kemi gjetur dhe që botohen për herë të parë në këtë numër të revistës Shenja, mësojmë se Komisioni i Internimit dhe Dëbimit, me vendimin nr. 6, të datës 26. 03.1986, urdhëroi heqjen e masës së internimit për Janulla Mark Rrapin, i lindur më 1944, dhe Renato Gori Rrapin, i lindur më 1964, nënë e bir. Të dy ishin internuar me vendimin nr. 7, datë 26.4.1984, të Komisionit të Internimit dhe Dëbimit, nga Tirana në Kosovë të Elbasanit. Arsyeja e internimit, sipas dokumentit, ishte se “Janulla ka qenë femër me qëndrim të keq moral” dhe “Renatua është karakterizuar si njeri që merrej me akte rrugaçërie dhe vazhdimisht i kish krijuar shqetësime familjes së shokut Ismail Kadareja”.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Vdekja e shkrimtarit

Më 1 korrik 2024 vdiq Ismail Kadare, 88 vjeç, shkrimtar, i cili u përcoll me nderimet e një figure të lartë shtetërore. Këshilli i Ministrave shpalli dy ditë zie kombëtare, flamuri kombëtar u ul në gjysmështizë në gjithë institucionet shtetërore dhe publike për dy ditë, xhenazja e tij u vendos për homazhe publike në Teatrin e Operas në Tiranë, radiotelevizioni shtetëror u luajti muzikë funebre gjatë homazheve dhe ditën e varrimit, në orën 13.00, u mbajt një minutë heshtje kombëtare.

Argumenti i Këshillit të Ministrave për nivelin e lartë të nderimit zyrtar që urdhëroi t’i bëhej një njeriu që nuk ka pasur asnjë post zyrtar pas rënies së komunizmit, ishte të qenit e të ndjerit “personalitet i shquar i letrave shqipe”. Politikanët e të gjithë spektrit u bashkuan në nderimin e shkrimtarit, i cili, referuar vlerësimit të Akademisë së Shkencave për të, ishte shkrimtari “më i shquar i realizmit socialist”. Realizmi socialist, sipas përkufizimit të Akademisë, është metodë krijuese që “i interpreton e vlerëson faktet e dukuritë e jetës nga pozitat e socializmit shkencor”. Personalisht, reagimi institucioneve të larta shtetërore dhe ai i një numri të madh të njerëzve publikë e shumë qyrtarëve më kujtoi nderimet që shteti i bëri me rastin e vdekjes Enver Hoxhës (më 11 prill 1985).

Shkrimtari në shërbim të diktaturës

Ismail Kadareja ka qenë një zyrtar i lartë i regjimit komunist, si deputet në dy legjislatura dhe nënkryetar i Frontit Demokratik. Për ata që nuk e dinë, Fronti Demokratik ishte organizata politike më e rëndësishme pas Partisë së Punës, të cilën që nga vitit 1945 e deri në rënien e regjimit komunist, e drejtoi Enveri dhe, pas tij, Nexhmije Hoxha, e shoqja. Në zgjedhjet elektorale që zhvilloheshin në komunizëm, Fronti Demokratik ishte e vetmja organizatë që nxirrte kandidatë; as PPSH nuk e kishte zyrtarisht këtë privilegj.

Rëndësinë e Frontit Demokratik e ilustron dhe historia në vijim. Më 1953, Enver Hoxha ishte kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Mbrojtjes, sekretar i përgjithshëm i PPSH-së, kryetar i Frontit Demokratik. Në takimin me udhëheqësit sovjetikë pas vdekjes së Stalinit, në Moskë (qershor 1953), sovjetikët e kritikuan rëndë udhëheqjen shqiptare për mënyrën e qeverisjes që kishin bërë deri atëherë dhe, mes të tjerave, i kërkuan Hoxhës të hiqte dorë nga disa prej posteve që mbante. Më 1 gusht 1953, Hoxha hoqi dorë nga posti i ministrit të Mbrojtjes; më 20 korrik 1954, hoqi dorë nga posti i kryeministrit dhe ministrit të Punëve të jashtme, por nuk hoqi dorë, deri në vdekje, veç nga dy poste, drejtimi i PPSH-së dhe i Frontit Demokratik, sepse ato ishin dy organizatat që gjeneronin pushtet në Shqipëri.

Si shkrimtar, Kadareja ishte prodhim i regjimit komunist. Të gjitha veprat kryesore i shkroi për të promovuar politikat e regjimit. Romanin e tij më të famshëm, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), e shkroi për të ngritur mitin e luftës partizane, bazuar në të pavërteta historike. Përveç ca akteve vjedhjesh, grabitjesh, terrorizmi dhe banditizmi, komunistët nuk bënë luftë reale kundër ushtrisë italiane, siç pretendon romani, sepse më 8 shtator 1943 Italia shpalli kapitullimin dhe daljen nga lufta dhe komunistët ishin të organizuar veç në ca formacione të vogla hajdutësh. Romani “Dasma” (1968) u shkrua në hovin revolucionit kulturor, duke promovuar luftën e regjimit komunist kundër fesë, të ashtuquajturave zakone prapanike etj. Në romanin “Kronikë në gur” (1971), me ngjarje në qytetin e tij të lindjes dhe të diktatorit Enver Hoxha, anatemoi personazhe realë, të cilët Hoxha i njihte personalisht dhe i kishte vrarë, siç ishte Aqif Kashahu. Romanet “Dimri i vetmisë së madhe” (1973) dhe “Koncert në fund të dimrit” (1988) kanë personazh kryesor direkt Enver Hoxhën dhe janë dëshmi që autori i tyre gëzonte statusin e shkrimtarit të oborrit. Romani i tij “Nëntori i një kryeqyteti” (1975) është një roman pseudohistorik, i cili i thur lavde terrorit komunist në Tiranë në nëntor 1944. Ai mundohet t’i poshtërojë personat që ushtria partizane i vrau me terror.

Në vlerësimin e tim, vepra poetike më e mirë e Ismail Kadaresë është poema “Shqiponjat fluturojnë lart”, e cila do të ishte renditur në poemat e dashurisë më të mira në letërsinë shqipe, nëse do t’i ishte kushtuar një gruaje dhe jo një entiteti politik dhe kriminal si PPSH-ja.

Në dekadat e fundit, pas rënies së komunizmit, Kadareja nuk ka botuar ndonjë gjë me rëndësi, por kanë shkruar të tjerët për të, në një përpjekje perverse për ta prezantuar Kadarenë si viktimë të Sigurimit të Shtetit dhe për ta sfumuar faktin që ai ishte protagonist i pushtetshëm i regjimit.

Në Shqipëri njerëzit ende kanë kujtesë dhe është e vështirë të krijohet një imazh antikomunisti i Kadaresë, por të huajt duket se kanë rënë viktimë e informacionit të rremë. Gazeta italiane “La Republica” në ditën e vdekjes së Kadaresë botoi artikull me këtë titull “Vdes shkrimtari Ismail Kadare: përmes romaneve të tij, luftoi regjimin komunist në Shqipëri”.

Tashmë kemi dokumente zyrtare, të cilat tregojnë se Ismail Kadareja jo vetëm që nuk e luftonte diktaturën, por ai përdorte organet e saj të dhunës, edhe në shkelje të ligjit, për të përmbushur tekat e tij.

Diktatura në shërbim të shkrimtarit

Nga dokumentet që kemi gjetur dhe që botohen për herë të parë në këtë numër të revistës Shenja, mësojmë se Komisioni i Internimit dhe Dëbimit, me vendimin nr. 6, të datës 26. 03.1986, urdhëroi heqjen e masës së internimit për Janulla Mark Rrapin, i lindur më 1944, dhe Renato Gori Rrapin, i lindur më 1964, nënë e bir. Të dy ishin internuar me vendimin nr. 7, datë 26.4.1984, të Komisionit të Internimit dhe Dëbimit, nga Tirana në Kosovë të Elbasanit. Arsyeja e internimit, sipas dokumentit, ishte se “Janulla ka qenë femër me qëndrim të keq moral” dhe “Renatua është karakterizuar si njeri që merrej me akte rrugaçërie dhe vazhdimisht i kish krijuar shqetësime familjes së shokut Ismail Kadareja”.

Dokumenti i dytë është një shkresë e Degës VIII, të Drejtorisë I, të Sigurimit të Shtetit, Tiranë, me lëndë: “Për zbatim vendimi”, drejtuar Degës së Punëve të Brendshme, ana e Sigurimit, Elbasan dhe Drejtorisë së Punëve të Brendshme, ana e Sigurimit, Tiranë, i datës 27.3.1986.

Me këtë shkresë, Dega VIII njofton dy institucionet e tjera për vendimin nr. 6, 26.3.1986, të Komisionit të Internimit dhe Dëbimit dhe jep porosi që të internuarit të njoftohen kundrejt firmës dhe në prani të njeriut të pushtetit (përfaqësues i Këshillit Popullor).

Kjo shkresë përmban dhe një porosi nga ministri i Punëve të Brendshme, prej së cilës është e mundur të diktohet paligjshmëria në internimin e familjes Rrapi. Porosia është kjo: “Para se t’i komunikohet masa e internimit t’i thuhet se po krijoj më shqetësime do të merren masa më të rënda”.

Dokumenti i tretë është një shkresë e Degës së Punëve të Brendshme Elbasan, nr. prot. 613/1, 31.3.1986, drejtuar Degës VIII të Drejtorisë I, të Sigurimit të Shtetit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me lëndë “Mbi vënien në zbatim të vendimit nr. 6, dt 26.3.1986”.

Me anën e kësaj shkresë institucioni marrës njoftohet se porositë e shkresës së atij institucioni nr. 2454/1, të datës 27.3.1986, janë zbatuar me përpikmëri. Sipas shkresës, të internuarit janë liruar konform rregullave dhe porosive të përcjella me shkresën nr. 2454/1. Kjo do të thotë që të internuarit janë liruar në prani të një personi të pushtetit dhe kundrejt firmës dhe porosia e ministrit të Punëve të Brendshme është përcjellë para procedurës së lirimit.

Analizë e dokumenteve

Bazuar në dekretin nr. 5912, 26.6.1979, “Për internimin dhe dëbimin si masë administrative”, një person mund të internohej për dy arsye: nëse paraqiste “rrezikshmëri për rendin shoqëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” (neni 1) dhe nëse kishte persona “të arratisur brenda ose jashtë vendit” (neni 2).

Nga dokumentet mësojmë se Janulla Rrapi dhe Renato Rrapi nuk janë internuar për arsye ligjërisht të qenësishme. Qëndrimi moral i një personi nuk mund të klasifikohet si një veprim që rrezikonte rendin shoqëror. Ajo që në këtë dokument quhet “qëndrim i keq moral” në kodin penal (1977) emrëtohej “kurvëri” dhe parashikohej si një vepër ordinere. Neni 135, i Kodit Penal: “Ushtrimi i kurvërisë, shtyrja ose ndërmjetësimi për kurvëri, si edhe dhënia e shpërblimit, dënohet me heqje të lirisë gjer në pesë vjet.”

I njëjti arsyetim shkon dhe për internimin e Renato Rrapit, i cili u internua sepse “si njeri që merrej me akte rrugaçërie dhe vazhdimisht i kish krijuar shqetësime familjes së shokut Ismail Kadareja”. Aktet e rrugaçërisë, edhe nëse kanë qenë të vërteta, nuk ishin veprime që rrezikonin rendin shoqëror dhe rehatia e familjes së Ismail Kadaresë nuk përfaqësonte rendin shoqëror. Aktet e rrugaçërisë ishin vepër e parashikuar në Kodin Penal, neni 129: “Sjellja e padenjë në shoqëri për motive rrugaçërie, që cenon në mënyrë të dukshme rregullat e bashkëjetesës socialiste, dënohet me riedukim nëpërmjet punës ose me heqje të lirisë gjer në pesë vjet.” Familja Kadare mund të kishte bërë një padi dhe me zgjidhjen e kësaj çështjeje do të ishin marrë organet ligjzbatuese.

Nga dokumenti me nr. prot. 2454/1, i datës 27.3.1986, kuptohet se internimi i familjes Rrapi është bërë për shqetësimin që i është shkaktuar familjes së Ismail Kadaresë nga Renato Rrapi. Ky ka qenë motivi kryesor i internimit dhe duket që është angazhuar vetë ministri i Punëve të Brendshme për këtë çështje. Ministri ka porositur njerëzit e Sigurimit që ta kërcënojnë Renaton se po krijoi edhe më shqetësime (ndaj familjes Kadare), atëherë ndaj tij do të merreshin masa më të rënda. Në dokument porosia është e qartë, që kërcënimi të bëhet para se t’u komunikohet vendimi i lirimit, i cili do të bëhej në praninë e dikujt nga pushteti lokal.

Nuk është e vështirë të kuptohet që, përmes ministrit të Punëve të Brendshme, Ismail Kadareja ka përdorur Sigurimin e Shtetit për të mbrojtur familjen e tij. Nga dokumenti kuptohet që ministri i Punëve të Brendshme e kërcënon familjen Rrapi për llogari të familjes Kadare. Ai ishte njëkohësisht anëtar i Komisionit të Internimi dhe Dëbimit dhe propozimet për internimet i bënte Ministria e Punëve të Brendshme. Ministri i Punëve të Brendshme ka qenë hallka lidhëse në gjithë vuajtjen e familjes Rrapi. Sjellja e ministrit të Brendshëm është një sjellje bandisteke, sepse, si zyrtar, i cili respekton ligjin, duhet t’i referohej ligjit për çdo veprim të mundshëm që mund të ndërmerrte në të ardhmen.

Mbrojtja e familjes është legjitime, por problemi është se rruga e ndjekur nga Ismail Kadareja ishte e paligjshme. Jo vetëm kaq. Kadareja ka zgjedhur që, duke shfrytëzuar njohjet personale, t’i shkaktojë vuajtje një familjeje tjetër, anëtarët e së cilës u detyruan të vuanin dy vjet internim në Kosovë të Elbasanit.

Ne nuk kemi më shumë informacion nga dokumentet zyrtare për llojin e shqetësimit që i është shkaktuar familjes Kadare, por Janulla Rrapi ka vite që e ka denoncuar këtë çështje në media. Ajo i ka bërë thirrje Kadaresë të kërkonte falje, por kjo nuk ndodhi kurrë. Bazuar në informacion nga burime jo arkivore, mund të themi se motivi i Kadaresë, i Sigurimit të Shtetit dhe i Komisionit të Internimit dhe Dëbimit ishte një lidhje e Renato Rrapit me të bijën e shkrimtarit, për të cilën, mesa duket, ai nuk ka qenë dakord që të vazhdonte ose të zyrtarizohej.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X