loader image
December 11, 2024

Endësitë e Fjalës dhe Vdekja e Njeriut

Tanët, endësitë e Fjalës, e kanë qëndrisur Vdekjen me ojnat e Jetës. Shpesh, Vdekja ka qenë xhamadan; Himn për të hutuarit, Flamur për të harruarit! Vdekjen, si të atillë e kemi prekur mes Frymës dhe Forcës – melodi që na ka zgju sa herë vendi ka qenë tuj u shkrumbu.

Anëve tona, vdekja është vërtitur si heroinë a zanë malesh! Tek ne, kanë vdekur veç guximtarët; sypatremburit, agallarët! Janë vrarë a flijuar, për të jetu e për t’mos u shuar!

 

Fjolla SPANCA, Mitrovicë

 

Shtegtimi i dallëndysheve kaherë na rrëmbente gëzimin e pafre fëminor. Ikja e tyre, veç tjerash, e shtronte paq hutimin dhe frikën! Të ikje, nuk qe kurrë e lehtë për një vocërrak që endej oborrit ndën soditjen dashunisht drithnuese të nanës! Të ikje, nëpër qiell, qjejve të hatëruar ishte thuaja e pamundur në kandarin e një picimuli që picërronte sytë matanë hijeve të para vjeshtnore.

Në trullosjen e pikëpyetjeve zhurmuese, thellësisht, mëtonim ta kuptonim se si do e gjenin rrugën e kthimit, të uruarat dallëndyshe? A do ktheheshin më ato anëve tona? Të molisura a të stolisura, me ar drite? Nana thoshte se dallëndyshet ngaqë shkojnë në pole gjatë verës, e shohin n’pllambë dore dritën e diellit gjatë vitit më tepër se çdo krijesë tjetër! Po akujt e errësirës, a arrijnë me i dëftu? Pse është zor me rrnu, veç në nji cep bote?

Pastaj, shtegtimi ish zanat i randë! Punë burrash, ma! Veç burrat e derës së zbehun, e linin Tokën e tyne për me kërku rehatinë, në atdhe të huaj! Frikacakët, në hamendjen tonë, ishin ikanakët! Përjashtim, pa dyshim, mbetën muhaxhirët – karavani i atyre që u mohohej jeta dhe dinjiteti, u digjej votra e shkrumbohej sofra. Po dallëndyshet s’dukeshin ashtu! Ato, në ardhje, çeleshin tok me bojnat e kopshtnajeve së përbotme! Ato, Lajmëtaret e pranverës; nishani jeshil, pse duhej ta brakstisnin folenë?

Shtigjeve të jetës, shtegtimi nuk u rrinte mirë! Herë-herë dukej si duvaku i vonuar, që s’kish nuse për ta provuar! Para se të shtegtoje, duhej, diku, dikur, diçka të harroje!

Argjiroja e Rozafati – sa pak na paska dashtë “fati”

“Princesha me djep në krahë

U vërvit nga kulla poshtë…

Dallëndyshet i ke parë

Kur mësojnë vjeshtës zogjtë?”

Në bibliotekë nuk pat mjaftueshëm kopje ndaj u shtrënguam ta bukurshkruanim me laps mbi letër “Princeshën Argjiro”. Qe dimër. Dritat as dukeshin në horizont. Duhej të siguronim mjaftueshëm qirinjë derisa ta sosnim poemën n’fletore. Pjesë-pjesë edhe përmendësh kërkohej për t’u mësu. Por asgjë nuk dukej e pamundur atëherë! Fundja, aso bote, lirshëm, ne shtegtonim nëpër Shqipëri, veç përmes Fjalësh. Mbas Rozafatit, Argjiroja ishte dehëse deri në asht për fantazinë e dëlir prej të përmalluari.

Ne vizatonim Gjirokastrën teksa lexonim Argjironë e Kadaresë dhe depozitonim vrullshëm, urrejtje e mallkim, për armikun e zi që i kish lënë djalin jetim, që në foshnjëri.

“Fli, o bir i nënës,

Të më rritesh trim,

Të sulesh në luftë

Në zjarr e në tym.”

Argjiroja, për dallim nga Rozafati, falte forcë e guxim; se s’qenë të ligjët njerëzit e vendit tim! Mjegulla mbi Kështjellë që kurban ne Bunë kërkonte nuk ish top turku që kalanë gjëmonte! Në Gjirokastër muret me bedenë tregonin se ç’kishin parë, nja pesëshekujë tufan me turqit, duke prerë e duke vrarë. Ndërkaq Buna sojlie u shkund prej pabesie! Nusja e vogël, flijuar për një kështjellë, nuk e dha dot Shpirtin pa i dhanë gji, të birit edhe njëherë!

Teknikisht, pak a shumë, këto ishin rrëfenjat që (mëtonin të) na brumosnin. Ne lexonim goxha, por krejt pak e njihnim Vetën dhe Tjetrin. Ne shtegtonim viseve të Shqipërisë, por pa lexuar në rranjë, dertin e Vetmisë. Vitë më vonë, m’u desh të ikja matanë oqeanit për ta lexuar së dyti, pa sqimë, Kadarenë. Kësaj here, u zhyta pa teklif brenda “Kronikës në Gur” se isha rritur ca dhe mund të notoja përbrendësisht tejpërtej armiqve e hordhive.

Aty, atëherë, së pari, do ketë çelur filizi i një are që m’bëhej sikur po më priste për ta lëvruar! Kur hoxha nxorri sytë teksa shifte prej minaresë se po avitej komunizmi, ndjeva se po ktheheshin dallëndyshet! Pranvera afrohej. E di, autori edhe mund të mos ketë dashtë hiç me e thanë a nënkuptu as edhe një troshë’ atë që zemra pëlqente me e lexu! Megjithatë, a nuk është kjo magjia e Fjalës? Dehja dalldisëse e lirisë për t’u orvatur tjetërsojshëm në skuta historish të kalamendura?!

Eh, Fjala!

e Fundit dhe e Para!

Fjala

Ikja dhe Ardhja.

Në mort, si thuren Fjalët?

Tanët, endësitë e Fjalës, e kanë qëndrisur Vdekjen me ojnat e Jetës. Shpesh, Vdekja ka qenë xhamadan; Himn për të hutuarit, Flamur për të harruarit! Vdekjen, si të atillë, e kemi prekur mes Frymës dhe Forcës – melodi që na ka zgju sa herë vendi ka qenë tuj u shkrumbu.

Anëve tona vdekja është vërtitur si heroinë a zanë malesh! Tek ne kanë vdekur veç guximtarët; sypatremburit, agallarët! Janë vrarë a flijuar, për të jetu e për t’mos u shuar!

Por, në të vërtetë, cila është vdekja? Ajo, e ftohta, e lehta, e shpejta?

Të kesh çdo gjë pa zotëruar një oh! Të jesh një Zë që lodron kah Perëndimi, LINDur me vaj prej Fundit drejt Fillimit. Të jesh i pari i parisë që njerëzit sundon, por askush para fatit që kudo njësoj murmuron!

Vdekja, në pragun e së cilës vyshken popujtë e xixëllojnë Premtimet ka qenë gjithnjë Matësja e Përsosun e fshehtësisë dhe zbulesës! Pagabueshëm, ka trokitur sahat e dekik për t’i grisur perdet e të gjitha teatrove! Ajo i ka praptu pa cen komeditë e tragjeditë! Në të tjera raste, ka qenë dasma e Andrrimit; dasma e FundFillimit. Vdekja, pelim sa Jeta, ka rrëfy imtësisht vogëlsinë tonë; hiç-in e hirtë për kryenaltit dhe nur-in e përjetshëm të të fismit!

Në mort ne nuk mbulohemi me të zezën! Jo! Sepse e zeza është larg ndërmendjes së Vdekjes! Në fakt, është përkujtim i Prekjes dhe Rrotullimit rilindës! Në mort, ne heshtim, në nderim të një Shpirti që po kthehet në Atdheun e Vet! Heshtim, sepse fjalët janë thënë përsa fryma endej mbi Tokë. Heshtja i meremeton shpresat dhe frikën! Në kryeshnosh, ne shtrojmë sixhade uratash; për të Përtejmen Botë – Prehjen e paqtueshme të një Shpirti që shtegton!

Vdekjet na kujtojnë se Shtegtimi është i sertë! Dhe s’është aspak punë burrash a grash! Ky soj udhëtimi përdëfton Hyjnoren e Shpirtit që i ka kapërcyer gjembat e të përkohshmes; duke u hedhur në ujnat e kulluar të njohjes dhe ndreqjes së Vetës! Në të tilla shtegtime, ernat e Parajsës derdhen si fllad mas zhegu, mbi secilin që e njohu atë Zemrën e kthyer me besë, n’Fole. Tek Dashnia, në atdhe!

I fundit, që iku, ish mjeshtër fjale! Një qëndisës esnaf i rreshtave dhe vargjeve! Iku, andej ku çplohen zemrat dhe treten fjalët! Dhe ne, heshtim, në përulje ndaj së Vërtetës; për Sahatin që ka me trokitun n’Krahnorin e secilit!

Në mort, fjalët thuren edhe pafjalë.

Për t’a kujtuar vetën se do kthehemi nga kemi ardhë!

Njeriu, qoftë mirë n’hije t’Dashnisë!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X