Edhe sot, mu tani, Gaza vazhdon të jetë kryefjalë në edicione lajmesh ku ndër tjerash, shpalosen shifrat e të masakruarve. Fëmijë, gra, pleq, burra e të rinj. Në Palestinë, studiuesit gjejnë njollat e Holokaustit tjetër. Kësaj radhe, ata që dikur shpëtuam mes detit prej faraonit, janë kthyer në projektuesit apatikë të shfarosjes së palestinezëve. Kudo, në ajër ndjehet pesha e dhimbjes, fajit, dorëzimit, pamundësisë, vrasjes, barutit e tradhtisë.
Fjolla SPANCA, Mitrovicë
…atë natë, kodra e shtrume sy më sy me Odën e bacës Selim, aty ku ishim strehue prej nji muaji e kusur, u ba flakë e kuqe. Kodrës po i dilte tymi. Sirenat e fluturakëve edhe krismat e pushkve s’kishin të nalun.
Djemtë e nanë Xhevrijes, zojës sojlie të atij konaku krahnorgjanë, bajshin roje okolla oborrit. Të rinjë ishin boll por patën ba nijet me i ruejt krejt; edhe shpinë edhe miqasinë.
Veçse asaj nate, djemtë kishin çehre sari si limoni. Ndën dhambë dikush tha se Imeri i bac Selimit, sa patë ra terri, qe takue me tre ushtarë të UÇK-së, njani prej t’cilëve ish i plaguem … Tjetër kush kallxoj se burrat n’uniformë lavdie, ua kishin ba me dije Imerit dhe Arbenit se po afrohet sahati me u lshue konaku! I treti za’ tha se plaga e ushtarit po randohet!
Shpresa zu’ të pakohet!
Se këtu kish diçka, fill u kuptue sepse burrat lypën bukë e krypë me shtrue. Në anën tjetër, gratë si bletat, n’qilar u mledhen e tana frignat e jetës mbi syna ju derdhën.
Hidajeti: Nuk e kena larg dekën … po, ma mirë me shku paq sesa me rrnu me hjekën.
Lumnia: Kanë me na nda! Keni për ta pa … Burrat veç e veçmas gratë! Djepat kanë me na mbetun thatë!
Emineja: Zemra ju kam, veç ma kadale se s’na ka lane Zoti krejt pa çare! Tek e mrama nuk jena vet, anise mirë prej çetnikut kush s’po pret!
Mevlydja: Ani, qysh po ja bajmë pra?
Xhevria: Le t’i rehatojmë vocrrakët në gjumë, tanaj na flasim ma shumë. Sonte janë trembun sa për nji shekull. Akull janë ba të ngratët e shohin si n’mjegull.
Unë: Mam, gjumi nuk po vjen!
Mami: Pusho evlat se Hana edhe pak vjen! Shkon Hana e kthehet Dielli, rritesh ti e gëzohet Qielli! Hajde, msheli synat e mendo për mirë, knoji Lutjet me u zgjue t’Lirë!
Matanë, nigjohen ecejaket e grave tuj i ba gati baulet e shtegtimit! Dro, paska ardhë dekiku i largimit!
1998; vjeti kur dolëm udhëve, për me hjekë.
Të flasësh për ato/ata që s’kanë zë
Dhjetë ditë pas dëbimit, tek prisnim shpresësosur për ta shkelur Tokën e Shqipërisë së ëndrrave në brez, ndën dhëmbë e mes ethesh, pyesnim vetën në mundej dikush me rrëfy hallin tonë, diku, Andej, Matanë nesh?! Dikush t’i tregonte Botës se Tokën e shqiptarëve po e shkrumbonin tok me shpirtat e atyre që s’kishin më as fuqi as mundësi me kapërcy pragun.
Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se pritjet jane sfilitëse. Frika i tret të gjitha. Megjithëkëtë, të flisje për mijëra zemra që s’kishin më as emra e as zë ishte njësoj si të falje jetë aty ku tymi i padrejtësisë kish katranosur çdo gjë. Veçse, të flisje dhe të kërkoje ndihmë për një grusht frymorësh të terrorizuar nga egoizimi dhe verbëria kronike e një milicie të qartur – donte guxim, kurajo, qytetari dhe Shpirt. Në fund fare, aniqë çilimi, prej bombash e masakrash edhe vocrraku e kupton, se Lufta mbaron kur Njeriu, me forcë kërkon, fundin e së keqës. Fundi brumosej mes Fjalësh. Të flisje për të pafjalët, qe fisnikëri e forcë tjetërsoj.
Dashni në kohën e gjenocidit
Meleku dhe Ahmedi po numëronin orët e fundit që do t’i kalonin larg njëri-tjetrit. Dashnia e tyre, e ngjizur mes gjenocidit, sfidave dhe ëndrrave pacen, shumë shpejt do të kurorëzohej me martesë. Biles, Meleku e kishte qëndisur me ojna-bojna fustanin e bardhë të nusërisë, ndërsa Ahmedi, djaloshi që i rrëmbeu zemrën, pati premtuar se në ditën e dasmës do t’i dërgonte nuses hiç më pak se 100 trëndafila. Për të dashuruarit, dita e madhe ishte caktuar: 7 Mars 2025.
Mesa duket, dashninë nuk e përmbysin dot as granatat as bombat me fosfor. Aty ku jeta çel sojshëm edhe ndër rrënoja, lufta, një ditë duhet me u kry. Është çështje orësh a punë fati; të paktën kështu shpreson njeriu, i ngrati. Njeriu, vendaliu, shpreson tek Dashnia që s’mbaron. Ajo dashni që gufon e meremeton, jetë e frymë. Dashni që rritet pa mure e pa kufi. Dashni që prapton kuaj e ushtri. Dashni që mbahet me shpresën për fillim të ri. Dashni n’dashni, shpresë e magji.
Ah, shpresa! Medet, shpresa!
Një ditë para dasmës, Meleku po i shkruante Ahmedit, thuajse si përherë, sa për ta pyetur se si ishte… por ai nuk po përgjigjej. Asnjë fjalë nuk u kthye prej numrit të tij. Ajo po priste, me durim e ankth, duke e bindur veten se ndoshta Ahmedi ishte thjesht i zënë me punë … Megjithatë, nuk do të kalonin shumë orë dhe një lajm si stuhi me breshëri, do të përmbyste gjithçka: babai i Melekut u njoftua nga fqinjët se shtëpia e Ahmedit ishte bombarduar e shkrumbuar… ndërkohë që ai dhe familja e tij ndodheshin brenda.
Një perde ra. Dashnisë, një krah iu tha. Dasma u zhba.
Telefoni i Ahmedit, ai numër që Meleku e dinte përmendësh, vazhdonte të cingëronte … por zëri mungonte. Pa u vonuar, në vlugun e dhimbjes dhe trishtimit, Meleku hodhi mbi supe ç’mundi të gjente atypari dhe me zemrën e shastisur u nis turravrap drejt Deir al-Balah.
Një grimcë shprese, se ndoshta Ahmedi ishte ende gjallë, ende diku, ende duke e pritur e mbërtheu Melekun … Por, prej asaj ditë e deri më sot, në telefonin e saj, ajo ruan vetëm një imazh: buzëqeshjen diellore mbuluar me qefin bojëtamli të atij që i kishte premtuar se nuk do ta linte vetëm kurrë; një premtim ky i pathyer nga dashuria, por i djegur nga lufta e babëzia, e njeriut pa njerëzi. Më 7 Mars 2025 Ahmedi mungonte! Ahmedi kishte shtegtuar dhe, bashkë me të, një pjesë e shpirtit të Melekut u nis kah rruga e pafundme e Përjetësisë – si ninulla e mramë e Dashnisë.
Pajën dhe gjithë çfarë mbeti nga amaneti, Meleku e palosi në një baule … tani, ajo pret ashtu me mall, dhimbje e trishtim, ditën kur praptohet gjenocidi i pambarim. Gazanët e tjerë presin gjithaq vdekjen në heshtje. Nëse dikur ishin numra, sot ata thonë se janë asgjë. Hiç në sytë e një bote verbërisht memece e cila dëshmon ditë e natë, fluturimin e trupave të njomë të palestinezëve që vërtitën në ajër prej bombardimesh gjenocidiale. Gazanët presin dhe vazhdojnë të mbledhin copëza trupash që shpërndahen nëpër Godina prej krismave që u vijnë nga “ushtria paqësore”. Vdekja, atyre anëve as numrohet më.
Holokuasti si skemë masive e inxhinierisë shoqërore
Zygmunt Bauman, në trajtimin e tij mbi modernitetin dhe Holokaustin, i identifikon dy mënyra përmes të cilave nënvlerësohet, keqinterpretohet ose shpërfillet domethënia e Holokaustit në kuadër të teorisë sociologjike të qytetërimit, modernitetit dhe qytetërimit modern në veçanti.
Së pari, Holokausti shpeshherë paraqitet si një ngjarje që u përket ekskluzivisht hebrenjve, si një kapitull i veçantë në historinë hebraike. Një përqasje e tillë e izolon atë si një fenomen unik, atipik dhe, për pasojë, i parëndësishëm për analizën e përgjithshme sociologjike. Interpretimi i Holokaustit si kulminacion i antisemitizmit kristiano-europian përfaqëson një shembull të kësaj tendence, e cila kontribuon në ndarjen e Holokaustit nga konteksti më i gjerë i paragjykimeve dhe dhunës fetare apo etnike në historinë e njerëzimit.
Së dyti, ekziston një prirje tjetër që në pamje të parë duket se e vendos Holokaustin në një kornizë më të gjerë shoqërore, por që përfundimisht e prodhon të njëjtin efekt reduktues. Kjo është qasja që e trajton Holokaustin si një rast ekstrem brenda një kategorie të njohur dhe të përsëritur të fenomeneve shoqërore – një kategori që, ndonëse përfshin dukuri të tmerrshme, konsiderohet si pjesë e pashmangshme e historisë njerëzore dhe me të cilat, në një mënyrë ose tjetër, jemi të detyruar të bashkëjetojmë.
Në këtë kontekst, identifikimi i faktorëve psiko-socialë, që lidhen me prirjet e sjelljes së individëve dhe grupeve në rastet kur kryhen veprime të tilla ndaj komuniteteve të caktuara, përbën një hap thelbësor drejt të kuptuarit më të thelluar të kushteve që i mundësojnë ato. Studimi i këtyre faktorëve, veçanërisht në aspektin e ndërveprimit dinamik e kompleks, na lejon të kuptojmë se cilat kombinime rrethanash mund të ushtrojnë ndikim të shtuar mbi aktorët që ndërmarrin veprime ekstreme. Kjo nuhatje ose njohuri është jetike jo vetëm për të ndriçuar të kaluarën, por edhe për të ndërtuar mekanizma të qëndrueshëm të parandalimit; të aftë për të sinjalizuar dhe ndaluar përsëritjen e këtyre fenomeneve në shoqëritë bashkëkohore.
Sjellim ndërmend faktin që qeveria naziste e Gjermanisë kreu ndaj popullsisë hebraike një nga aktet më të tmerrshme dhe më të sistematizuara të dhunës shtetërore në historinë moderne; shembull paradigmatik i atyre që Everett C. Hughes i përkufizon si “vepra të ndyra”. Ky episod nuk ngre vetëm dilema morale, por edhe pyetje esenciale për sociologjinë dhe shkencat politike, si: kush/cilët janë individët që kryejnë vepra/veprime të tilla dhe cilat janë kushtet që ua mundësojnë/ lehtësojnë/ lejojnë dhe tolerojnë të tjerëve (të cilët, potencialisht në rrethana të zakonshme mund të kishin qenë njerëz “të mirë”) bashkëpunimin me ekzekutorët e veprimeve të tilla?
Sipas Hughes, është e domosdoshme të thellohemi në të kuptuarit e shenjave të hershme që paralajmërojnë ngjitjen në pushtet të këtyre individëve ose grupeve; si dhe të përmirësojmë mekanizmat institucionalë dhe shoqërorë që mund të pengojnë përhapjen e ideologjive përjashtuese, si dhe të parandalojnë ushtrimin e dhunës së organizuar.
Lajmet e fundit:
Spitalet në Rripin e Gazës kanë pranuar trupat e pajetë të 51 palestinezëve të vrarë nga sulmet ajrore izraelite përgjatë 24 orëve të fundit, njoftoi të dielën Ministria e Shëndetësisë. Numri i përgjithshëm i viktimave palestineze të vrarë nga ushtria izraelit në 18-muajt e fundit gjenocidial ka arritur tashmë në 52,243.
Shpëtimtarët
Zygmunt Bauman, tek shkruan rreth Holokaustit, nuk harron të theksojë edhe rolin e shpëtimtarëve ose atyre që refuzuan të bëheshin pjesë e “fabrikimit të fateve njerëzore”. Bauman-i sjell në vëmendje një studim të Nechama Tec-it, ku shpjegohen figurat e shpëtimtarëve si “roje” – të cilët nuk lejuan kryerjen e “veprës së ndyrë”, madje jetën e tyre ua kushtuan njerëzve që ishin në përvujtni, duke qenë brenda një bote të egoizmit universal. Në këtë kontekst, ata njerëz që mbetën të moralshëm në kushte ekstreme të imoralitetit paraqesin një dëshmi të forcës së etikës dhe moralit edhe kur rrethanat ishin të një atillë natyre që “justifikonte” barbarizmin. Për më tepër, Tec-i do të arrinte në përfundimin se shpëtimtarët vepruan në mënyra që ishin fare të natyrshme për ta, pra, ata luftuan spontanisht kundër tmerrit të kohës në të cilën jetuan, duke treguar vullnetin e tyre për shpëtimin e çifutëve, një cilësi e lartë morale kjo që ishte e pranishme në vetë natyrën e njeriut. Tec-i do ta mbyllë studimin e saj duke theksuar se po të mos ishte Holokausti, shumica e atyre që i ndihmuan viktimat do të kishin vijuar rrugët e tyre të pavarura, disa duke kryer vepra bamirësie e disa duke jetuar thjesht dhe larg vëmendjes së të tjerëve. Megjithatë, mirësia që përkundej në brendësinë e tyre ishte qartësisht e dukshme. “Ata ishin heronj potencialë, shpesh të padallueshëm nga njerëzit përreth tyre,” do të theksonte Tec-i.
Shqiptarët ose shpëtimtarët e shquar
Lamtumirë Shqipëri! Më keni dhënë kaq shumë mikpritje, mbrojtje, miq dhe aventura. Lamtumirë Shqipëri! Një ditë do t’i them botës se sa të guximshëm, se sa të patrembur, se sa të fortë dhe se sa të besës janë djemtë e tu, sesi as vdekja dhe as djalli nuk mund t’i trembin. Në qoftë e nevojshme, do të them se si mbrojtën ata një refugjate dhe nuk lejuan që ajo të dëmtohej edhe në qoftë se ajo mbrojtje do të kërkonte jetën e tyre. Portat e vendit tuaj të vogël mbetën të hapura, Shqipëri. (Irene Grunbaum, “Shpëtimi përmes Ballkanit”)
Gjatë periudhës së Holokaustit, Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm në shpëtimin e hebrenjve, duke ofruar strehë të sigurt për ata që mundën të arrinin në territorin shqiptar. Sipas të dhënave historike, shqiptarët shpëtuan të paktën 3,280 hebrenj nga persekutimi nazist. Në atë kohë, Shqipëria nuk e kufizoi hyrjen e hebrenjve dhe as nuk miratoi ligje diskriminuese për ta. Çifutët nuk u dorëzuan, nuk u penguan të hynin dhe as u vunë nën ndjekje për sa kohë qëndruan mes shqiptarëve. Kjo praktikë e mikpritjes dhe mbrojtjes, me shumë mundësi është e lidhur ngushtë me vlerat e besës dhe humanizmit, mbi të cilat thirrej e qendërzohej kultura shqiptare. Për shqiptarët, zbatimi i “Rregullit të Artë” ose i mikpritjes ndaj të huajve dhe ndihma ndaj atyre që ishin në nevojë, qenë norma të thella kulturore dhe morale. Madje, institucioni “Yad Vashem” në Jerusalem ka njohur deri tani rreth 69 shqiptarë si “Fisnikë të Kombeve” për kontributin e tyre në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.
Pra, shqiptarët, dikur qenë shpëtimtarët.
Lajmet e fundit. Përditësim:
Ish-shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, vitin e kaluar e akuzoi Izraelin për përdorimin e “urisë si armë lufte” dhe për “provokimin e urisë” në Gaza. Gjatë një deklarate të dhënë, Borrell-i theksoi se Gaza nuk ishte më në prag të urisë, por ndodhej në një gjendje “zie për bukë”, nga e cila ishin prekur mijëra njerëz. Ai shtoi se kjo situatë nuk ishte një fatkeqësi natyrore, por një krizë e shkaktuar drejtpërdrejt nga Izraeli, i cili po pengonte hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza. Javës së shkuar, Borrell-i shkruante gjithashtu se rënia e Gazës në një katastrofë humanitare e ka vënë në provë ndërgjegjen e Europës, duke ngritur kështu pyetje të rëndësishme mbi përgjegjësinë dhe veprimet që mund të ndërmerren për të lehtësuar tragjedinë, e cila po zhvillohet para syve të mbarë botës.
Shqiptarët ose shtegtarët e parehatuar
Edhe sot, mu tani, Gaza vazhdon të jetë kryefjalë në edicione lajmesh ku, ndër tjerash, shpalosen shifrat e të masakruarve. Fëmijë, gra, pleq, burra e të rinj. Në Palestinë, studiuesit gjejnë njollat e Holokaustit tjetër. Kësaj radhe, ata që dikur shpëtuam prej faraonit mes detit, janë kthyer në projektuesit apatikë të shfarosjes së palestinezëve. Kudo, në ajër ndjehet pesha e dhimbjes, fajit, dorëzimit, pamundësisë, vrasjes, barutit e tradhtisë.
Të fortët e Kohës sonë, heshtin. Perëndimi po trandet prej demonstratave që nuk kanë të sosur. Ndërkaq, shqiptarët, të zënë mat me hallet e veta, kalamendun prej opinioneve të klerikëve ose nga frika se qëndrimet e drejta do t’i mbajnë larg Perëndimit, me përjashtime tek-tuk, njëzëri, heshtin dhe bëjnë sikur nuk shohin. Të tëhuajësuar nga zvetënimi i shpirtnores, shqiptarët sot dallohen nga përpjekja e pareshtur për të shtegtuar sa ma larg Tokës së tyre. Përbuzja dhe neveria që hapëron me shumicë mes ish Besatarëve rrëfen me dhimbje zhgënjimin nëpër dekada. Këndej, grimca gazane gjen ngado. Por, s’janë të huajt dhe as komunizmi të vetmit armiq që i njohin shqiptarët. Përkundrazi, lufta, kacafytja, betejat brenda llojit – sa të mbyllura po aq të hapura – po çojnë ujë në bunarin e trishtë të mohimit, zhvlerësimit, braktisjes e mallkimit të Tokës tonë.
Ndërkohë, politikanët dhe pasunarët vazhdojnë ta betonizojnë secilën pëllëmbë. Ndërtimet e vrullshme nuk kanë të ndalur. Ka më shumë pallate sesa ajër rrotull nesh. Besa – e huaj dhe e largët nuk zë vend sot përballë gjenocidit izraelit mbi Gazën e gjorë. Shqiptarët, të kacafytur prej provokimesh dhe premtimesh boshe, japin çdo gjë në këmbim të një pasaportë europiane – sa më larg gjuhës së nanës.