Mund të thuhet se “përpjekja” për përligjjen faktike të shqipes vazhdon, se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe AZGj janë agjentë relevantë në avancimin e zbatimit të shqipes dhe të kulturës shqiptare në RMV dhe se bashkëpunimi mes politikbërësve, akademisë, OJQ-ve, qytetarëve mund ta çojë shumë përpara kultivimin dhe mbrojtjen e shqipes në këtë vend dhe shoqëri postetnike, shumëkulturore, shumidentitare.
Ali PAJAZITI, Shkup
Emile Durkheimit pohon se gjuha dhe mënyra e të shprehurit të njerëzve përcaktohen nga shoqëria në të cilën ata jetojnë (Pajaziti, 2009: 137); gjuha dhe dija formojnë bazën e fuqisë për ndërtimin shoqërore të realitetit (Jacoby, 2006: 292‐297). Sipas Encyclopedia Britannica (2021), gjuha paraqet një sistem të simboleve konvencionale të shpërfaqura gojarisht, përmes gjestikulacioneve ose shkrimit, nëpërmjet të të cilave qeniet njerëzore, si anëtarë të një grupi social dhe si pjesëmarrës në kulturën e tij e shprehin vetveten. Gjuha është një indikator i dukshëm dhe i fuqishëm i identitetit, një nga elementët në bazë të të cilëve definohemi nga të tjerët (Deng, 1995: 1 në Fearon, 1999: 4) ose, siç shprehet Taylor-i, një nga burimet e vetes-unit (sources of the self). Përpjekja shqiptare për ta mbajtur gjallë, për të kultivuar dhe krijuar shqip – shpesh paguar edhe me gjak – shënon një kontinuitet që arrin deri më sot.
Shqipja në Maqedoni: 1880-2001
Gjuha shqipe, si një degë e veçantë e familjes indoeuropiane, të cilën e flasin më tepër se gjashtë milionë njerëz, në Maqedonitë historike, nga ajo osmane deri te ajo e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 dhe më pas, ka përjetuar batica dhe zbatica, sfida të shumta që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të qytetarit, të cilat nga regjimet e ndryshme shpesh janë shkelur deri në mënyrën më brutale. Odiseada e gjuhës shqipe në Maqedoni fillon me një koncept multietnik të “Kushtetutës për organizimin e ardhshëm shtetëror të Maqedonisë të vitit 1880” (neni 3), e panjohur deri sot për opinionin, që nisej nga parimi “shumë kombe – një shtet”, e ngjashme me frymën e shtetit demos të KAÇKM-së (АСНОМ, 1944), që i njihte të drejtat kolektive, theksonte se sovraniteti i takon “popullit të Maqedonisë” (Sela et.al, 2021:17), që lejoi hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Dokumenti i vitit 1880 ishte i afërt me perspektivën e Marrëveshjes Kornizë që solli deetnizimin e shtetit, “Maqedoninë e Tretë” (e para – 1944-1991; e dyta 1991-2001 dhe e treta 2001 e këndej), që paraqet frymën dhe kulturën e tolerancës ndaj tjetrit, një qasje më liberale ndaj jomaqedonases etnike. Një analist shqiptar thekson se përdorimi institucional i shqipes në Maqedoni daton nga viti 1941 (gusht-shtator), kur territore të caktuara të Banovinës së Vardarit, të banuara me shqiptarë, ishin vënë nën juridiksionin e Italisë, gjegjësisht të qeverisë së Shefqet Verlacit (Nesimi, 2019: 183). Kushtetuta e vitit 1946 dallohej me përkufizim republikan të shtetit, por edhe me mossanksionim taksativ të përdorimit të gjuhës shqipe dhe të atyre të komuniteteve të tjera. Kushtetuta e vitit 1963, së cilës i shtohet preambula, etnicizohet, stratifikon (shtresëzon) entitetet, thekson “aspiratën historike të popullit maqedonas për liri kombëtare dhe pavarësi shtetërore”, duke i vënë në pozitë dytësore të tjerat, të cilave u referohet si pakica kombëtare. Diskriminimi ishte evident edhe përkundër neneve 73 dhe 75, që shprehin nuanca fleksibiliteti për përdorimin e gjuhëve. Ndryshim pozitiv në Maqedoninë socialiste solli kushtetuta e vitit 1974, që e avancoi statusin kushtetues juridik të shqiptarëve dhe të turqve, të cilët i cilësonte si subjekte konstituive bashkë me maqedonasit, duke i mbiquajtur si kombësi (националности) dhe duke ia dhënë çdo kombësie të drejtën për ta përdorur lirisht gjuhën e vet, për ta zhvilluar kulturën e vet (neni 178). Qasja destrukive dhe ekskluziviste sërish do të shfaqet në skenë me gjallërimin e shovinizmit serb; në vitin 1989 ndodhi i ashtuquajturi “agresion kushtetues” (amendamentet XXIV deri LV) kur u degraduan të drejtat kushtetuese të shqiptarëve, kur Republika Socialiste e Maqedonisë u definua si shtet vetëm i kombit maqedonas dhe kur gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik u bënë të vetmit në përdorim zyrtar në shtetin e zënë ngoje, “rërë e gjallë” kjo në të cilën establishmenti maqedonas do të thellohet me “gabimin e madh” (S. Andov) të kushtetutës së vitit 1991, që u miratua pa përkrahjen ose pa aprovimin shqiptar. Akti i fundit (Kushtetuta e 1991-shit), që afirmonte sovranitetin etnik, do të jetë “uverturë” për kalimin në gjendjen e shoqërisë së tensionuar dhe të asaj që Eric Nordlingeri e quan “e ndarë thellësisht” (deeply divided society) në baza etnike. (Lustic, 1979)
Marrëveshja Kornizë e Ohrit: Ndryshime cilësore në përdorimin e shqipes
Nga fillet e tranzicionit dy etnitë më të mëdha, maqedonasit dhe shqiptarët, do të kenë dialektikë, përplasje për shkak të diskriminimit dhe pakënaqësive të shqiptarëve lidhur me statusin e tyre, klimë kjo që do të çojë deri te konflikti i vitit 2001, pas të cilit me ndërmjetësimin ndërkombëtar përmes MKO-së do të synohet krijimi i një Maqedonie te re, të hapur, multietnike, pa hierarki statusore të bashkësive që jetojnë në këtë nënqiell. Kjo frymë e demokracisë konsensuale, përmes Aneksit A, B dhe C, solli ristrukturimin e shtetit, akomodimin e kërkesave themelore të palëve, ndonëse preambula, si “korridor i madh hyrës në kështjellën e kushtetutës” (f. 96), që popullin maqedonas e përkufizon si etnos (komb), kurse shqiptarët dhe të tjerët si pjesë të popujve dhe disa elemente të tjera si gjuha shqipe (as MKO nuk parasheh barazinë gjuhë maqedonase-gjuhë shqipe), himni dhe flamuri, mbeten ende kontestuese dhe të hapura për diskutim dhe kritika.
Në hulumtimin Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019 (AZGJ, 2021) jepet edhe një pasqyrë e institucioneve arsimore dhe kulturore që kanë mbajtur barrën kryesore të gjuhës shqipe dhe “produkteve” të saj nga periudha e pasluftës deri në vitet e demokracisë dhe të tranzicionit: “Flaka e Vëllazërimit”, shkollat, si “Liria” (Shkup, Tetovë), “Zef Lush Marku”, “Kiril Pejçinoviq”, “Rexhep Voka”, “Hajdar Dushi”, Fakulteti Pedagogjik, RTVM-shqip (gjuha shqipe për herë të parë është dëgjuar në radio më 1944 – Radio Shkupi, kurse në televizion më 1967, TV Shkupi, kronika javore televizive), tre universitetet (USHT – 1994, UEJL – 2001 dhe Universiteti “Nënë Tereza” – 2016), Teatri Shqiptar (1950), ITSHKSH (2007), shoqatat kulturore artistike etj.
Me ndryshimet kushtetuese të Marrëveshjes Kornizë, mes tjerash, u avancua përdorimi i gjuhës shqipe si në territorin e RMV-së ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, në njësitë e vetëqeverisjes lokale (shih amendamenti V, VI, VIII), ndonëse gjuha në fjalë është kategorizuar si “gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve”. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe Ligjin e përdorimit të gjuhës të vitit 2008 (Ligji për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetadministrimit lokal) dhe 2011 që regullonte përdorimin e shqipes në Kuvend, në komunikimin e qytetarëve me ministritë, te Avokati i Popullit, në librat e amzës, autoritetet policore, aktivitetet financiare, arsim, shkencë, kulturë etj. Në tekst konstatohet se gjuha shqipe është zyrtare në 5 rajone, në 26 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Pyetësorit që AZGJ e ka realizuar lidhur me statusin e shqipes mes viteve 1991-2019 i janë përgjigjur 17 komuna, por edhe ato me shumë mangësi (në disa pyetje nuk kanë dhënë fare përgjigje). Gjuha shqipe zyrtarizimin më të hershëm e ka parë në Komunën e Tetovës (1992), ndjekur nga ajo Tearcës dhe Jegunovcës (1997) dhe e Dibrës (2003). Në RMV deri më 2019 qytetari shqiptar ka pasur të drejtën për komunikim me organet në gjuhën e vet, kurse shqipja ka qenë zyrtare me kapacitet të plotë në territorin e njësive të vetadministrimit lokal (Nesimi, 215). Ligji i përdorimit të gjuhëve i vitit 2019 (që ngërthen 25 nene), i kontestuar nga politikanë, profesorë universitarë, akademikë maqedonas, ish presidenti Ivanov (veto pezulluese), i shpallur në “Gazetën Zyrtare” të datës 14 janar 2019, i detyroi institucionet ta zyrtarizojnë shqipen, ndërkohë duke ndërgjegjësuar edhe publikun lidhur me këtë segment, që sanksionon përdorimin e gjuhëve zyrtare dhe alfabetet e tyre. Me nenin 18 është themeluar Agjencia e Zbatimit Gjuhës si person juridik, kompetent për standardizimin dhe përdorimin uniform të gjuhës që e flasin së paku 20% të qytetarëve të RMV-së. Me nenin 20 të këtij ligji krijohet edhe Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve në suaza të Ministrisë së Drejtësi që mbikëqyr zbatimin e këtij ligji, që mbron frymën kushtetuese në funksion të sigurimit të sundimit të së drejtës dhe të realizimit të lirive dhe të të drejtave të njeriut dhe qytetarit. Autorët theksojnë se zbatimi i plotë i këtij ligji është gurthemeli për ndërtimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike me karakter multietnik dhe shumëgjuhësor.
Gjendja në terren: Studim empirik
Ligji i vitit 2019 e avancon përdorimin e shqipes, por nuk e barazon atë me maqedonishten. Nga studimi empirik i realizuar nga AZGj me 183 institucione është konstatuar një gjendje për të dëshiruar në aspekt të trajtimit të gjuhës shqipe: vetëm 48 institucione (26 %) janë përgjigjur edhe në gjuhën maqedonase edhe në atë shqipe, ndërsa 131 (72 %) vetëm në gjuhën maqedonase dhe 4 vetëm në gjuhën shqipe (2 %); 135 institucione (74 %) nuk kanë paraparë sektor dhe njësi të përkthimit nga gjuha shqipe dhe të lekturës, vetëm 76 institucione janë shprehur se parashohin ndryshim në sistematizimin e vendeve të punës, 124 institucione (68 %) nuk kanë të punësuar asnjë përkthyes apo lektor; në buxhetin e vitit 2020 vetëm 43 institucione kishin paraparë mjete financiare për përkthyes dhe lektorë të rinj, vetëm 27 institucione (14.7 %) janë shprehur se kanë nevojë për ndihmën e AZGJ-së (63 syresh “nuk kanë nevojë”) (Sela et. al, 2021: 124-126).
Konkluzione
Mund të thuhet se “përpjekja” për përligjjen faktike të shqipes vazhdon, se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe AZGj janë agjentë relevantë në avancimin e zbatimit të shqipes dhe të kulturës shqiptare në RMV dhe se bashkëpunimi mes politikbërësve, akademisë, OJQ-ve, qytetarëve mund ta çojë shumë përpara kultivimin dhe mbrojtjen e shqipes në këtë vend dhe shoqëri postetnike, shumëkulturore, shumidentitare. Agjenda e ardhshme duhet të jetë kalimi definitiv nga shifra “20%”, pra nga aritmetika te kategoria që reflekton realitetin social: “gjuha shqipe”. Në këtë drejtim duhet mobilizim kolektiv i të gjitha instancave, që evoluimi të arrijë pikën e duhur, te akceptimi transparent i gjuhës së bashkësisë së dytë për nga numri në këtë shoqëri. Averzionet duhet të mbeten në histori. Mendjehapuria, respekti i tjetrit dhe tjetërsisë janë e ardhmja e njeriut të shekullit XXI. Keqleximet sociologjike mund të gjenerojnë rezultate fatale. Shoqëritë racionale vazhdimisht e kontrollojnë dioptrinë e vet dhe në bazë të saj i ndërtojnë politikat e tyre që synojnë stabilitetin dhe shëndetin social.