loader image
April 18, 2024

Disa çështje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Shikuar në perspektivën nacionale, të drejtat dhe liritë politike, gjuhësore dhe kulturore, janë vija e kuqe për garancinë dhe avancimin e të cilave shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si element përbërës, do të duhej të përdornin çdo mjet legjitim dhe vetëm atëherë do të ndërtohej një realitet normal socio-politik dhe do të vendoseshin themelet e një paqeje dhe drejtësie të qëndrueshme. Nuk mund ta realizojë veten bota shqiptare pa iu njohur plotësisht subjektiviteti kulturor e gjuhësor, aq më pak kur nuk është një popullsi me numër të papërfillshëm.

Blerim HALILI, Prishtinë

Pozita dhe potenciali i shqiptarëve

Shqiptarët në Ballkanin Perëndimor përbëjnë një entitet vendimtar për paqen dhe sigurinë e rajonit. Të shtrirë në pesë vende të rajonit, ata janë element jetik i konsolidimit dhe i progresit të gjithmbarshëm, por edhe i procesit të integrimit europian. Fakti se ata janë praktikisht faktor vendimtar në paqen dhe sigurinë e rajonit nuk mjafton në vetvete. Në mënyrë që ky fakt të mund të shndërrohet edhe në fakt politik e progresiv për tërë rajonin, është e domosdoshme vetëdija për këtë shtrirje dhe potencial, pra që shqiptarët të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe rolin që bartin dhe pozitën strategjike të vendeve ku jetojnë dhe sundojnë. Kjo vetëdije do të mund ta kapitalizonte në sensin zhvillimor shtrirjen demografike dhe kapacitetin e mobilizimit politik të shqiptarëve. Historia e shekullit të kaluar na ka mësuar se për aq kohë sa shqiptarëve u ka munguar paqja, liria, siguria e barazia, nuk ka pasur stabilitet e paqe as për rajonin. Ndonëse niveli i zhvillimit intelektual, industrial dhe ekonomik i hapësirës shqiptare lë për të dëshiruar, kjo nuk e zhbën potencialin e tyre në esencë. Kështu hartëzimi dhe etablimi i një politike panshqiptare, në kontekst të integrimeve euro-atlanike, do t’i shkonte për shtati pikërisht arritjes së kësaj vetëdijeje, kësaj njohjeje të vetes dhe do të mundësonte një zgjim shqiptar në realitetin e ri.

Shkupi si bosht i rezistencës dhe programit politik shqiptar

Përveç autoktonisë së dëshmuar dhe shtrirjes së gjerë të shqiptarëve në ato territore në periudhat e mëhershme historike, Maqedonia e Veriut, Shkupi si qendër e Vilajetit të Kosovës, dhe qytete e vendbanime të tjera si Manastiri, Tetova, etj., në planin historik përbëjnë boshtin qendror të mobilizimit kombëtar shqiptar dhe të shtirjes së kryengritjeve shqiptare për shpëtim dhe bashkim, si dhe për etablimin kolektiv të lëvizjes kombëtare. Shkupi, në kujtesën shqiptare, simbolizon praninë, mobilizimin dhe triumfin e mendjeve të ndritura dhe luftëtarëve shqiptarë me nam në shërbim të programit kombëtar dhe ruajtjes së trungut shpirtëror të popullit. Edhe në periudhat e mëpastajme, Maqedonia e Veriut përbën vatrën e organizimit politik, organizatave legale dhe ilegale që kishin synim shtrirjen dhe aplikimin e programit kombëtar kundër pushtimit serb/jugosllav dhe formimin e një Shqipërie që do të përfshinte edhe shqiptarët e mbetur jashtë saj, por edhe organizatave që kërkonin dhe mbronin të drejtat e shqiptarëve dhe myslimanëve në përgjithësi brenda realitetit të ri të krijuar pas luftërave ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore. Panorama e aktivizmit politik të lëvizjes nacionaliste shqiptare në Shkup dhe rrethinë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore nuk është më e varfër. Aty prapë përqendrohen e shtrihen aktivitete, idealistë, organizata dhe lëvizje me program politik nacional shqiptar kundër lëvizjes komuniste dhe kundër ripushtimit të trojeve shqiptare.

Roli i faktorit shqiptar në kontekstin e integrimeve euro-atlanike

Këto janë vetëm disa elemente të portretit historik dhe demografik, të subjektivitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në realitetin e ri, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të jenë shumë të ndjeshëm dhe të përkushtuar në procesin e integrimit europian. Krahas avancimit politik e kulturor dhe zhvillimit ekonomik në plan të brendshëm, integrimi duhet të jetë prioritet i padiskutueshëm. Kjo lidhet jo vetëm me mirëqenien, por edhe me sigurinë. Roli konstruktiv i shqiptarëve në procesin e integrimeve euro-atlantike do të ishte garanci e stabilitetit dhe sigurisë së tyre dhe rajonit, si dhe e distancës me botën nacionaliste ruso/serbe që ushqen tendenca destabilizuese në rajon. Prandaj ata duhet të vazhdojnë të jenë element konstruktiv dhe besnik i NATO-s, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nuk lejojnë kompromis e komprometim të rrugës dhe orientimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut.

Migrimet si problem rajonal dhe nevoja për një qasje të re

Nga ana tjetër, po të hedhim një vështrim mbi disa probleme sociale dhe ekomomike, rajoni përballet me disa çështje që janë të përbashkëta e jo specifike për një vend apo etni. Migrimet, për shembull, nuk janë problem specifik i botës shqiptare. Ato paraqesin një problem rajonal, që lidhet me nivelin e zhvillimit ekomomik dhe me pamundësinë e ofrimit të perspektivës për vende pune dhe stabilitet financiar. Ndonëse është një proces që nuk mund të ndalet, autoritetet e shtetit dhe qarqet intelektuale do të duhej të ofronin një perspektivë se në çfarë mënyre do të mund të shërbenin këto migrime në ngritjen e kualitetit të jetës në rajonin tonë, në bartjen e përvojave më të mira, në bartjen e dijes dhe praktikave pozitive, në tërheqjen e investimeve, pra në një mënyrë që boshllëku demografik të cilin e krijojnë migrimet të amortizohet me qasje e praktika zhvillimore afatgjate. Mbase kështu me kalimin e kohës migrimi në masë do të mund të mbetej i panevojshëm. Nga perspektiva kombëtare, do të mund të zhvilloheshin strategji të punës me diasporën shqiptare gjithandej botës, e cila në instancën e fundit do t’i shërbente konsolidimit, mirëqenies dhe avancimit të gjithëmbarshëm të botës shqiptare. Përvoja shqiptare me diasporën është shumë premtuese. Diaspora shqiptare është potencial i madh kombëtar, i cili u ka dhënë kahe proceseve dhe ka qenë promotor i mobilizimit nacional, humanitar dhe gueril në interes të çështjes kombëtare.

Të drejtat politike dhe kulturore

Shikuar në perspektivën nacionale, të drejtat dhe liritë politike, gjuhësore dhe kulturore janë vija e kuqe për garancinë dhe avancimin e të cilave shqiptarët në Maqedoninë e Veriut si element përbërës do të duhej të përdornin çdo mjet legjitim dhe vetëm atëherë do të ndërtohej një realitet normal socio-politik dhe do të vendoseshin themelet e një paqeje dhe drejtësie të qëndrueshme. Nuk mund ta realizojë veten bota shqiptare pa iu njohur plotësisht subjektiviteti kulturor e gjuhësor, aq më pak kur nuk është një popullsi me numër të papërfillshëm. Në fakt, të drejtat politike dhe kulturore të popujve në shekullin 21, veçanërisht në një rajon që synon integrimin euro-atlantik, do të duhej të ishin një çështje e zgjidhur dhe e mbyllur qysh moti.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X