loader image
November 4, 2024

Gjuha shqipe si etalon i demokratizimit të Maqedonisë së Veriut

Demokracia nuk e pranon diskriminimin e asnjë lloj forme dhe sundimi i ligjit kërkon që të zbatohet e drejta duke u ofruar garanci juridike të gjithë qytetarëve, pa dallim. Prandaj, kodifikimi ligjor i parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimi i tyre nuk kanë alternativë. Ato janë parakusht i stabilitetit dhe i rrugëtimit të përbashkët të të gjitha komuniteteve drejt BE-së. Secila vonesë tjetër do t’i ketë efektet negative për të ardhmen e vendit.

Ditar KABASHI, Prizren                                                                                         

Kushtetutat bashkëkohore i kushtojnë vëmendje respektimit të identiteteve të popujve, përfshirë diversitetin kulturor që mund të jetë i pranishëm në komunitetet etnike e fetare brenda një shoqërie. Ruajtja e kulturës imponon gjithëpërfshirje në politikat shtetërore sa i takon arsimit, mediave, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore etj., që e karakterizojnë një komunitet të caktuar. Për të gjitha këto, emërues i përbashkët është respektimi i gjuhës amtare i një komuniteti, që mund të jetë e ndryshme nga gjuha e shumicës në një shtet.

Respektimi i gjuhëve amtare të komuniteteve në vendet me përbërje heterogjene të qytetarëve paraqet jetësimin e shoqërisë multikulturore.

Nisur nga kjo premisë, bashkësia ndërkombëtare ka iniciuar promovimin për respektimin e gjuhës amtare dhe në vitin 1999, Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) e ka shpallur Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare (21 shkurt), ideja për të cilën ka lindur nga shteti i Bangladeshit. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mirëpriti shpalljen e ditës në rezolutën e saj të vitit 2002, ndërsa më 2007 Asambleja e Përgjithshme, në rezolutën e saj A/RES/61/266, u bëri thirrje shteteve anëtare ta promovojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës.[1]

Maqedonia ishte kthyer në arenë të luftës midis shqiptarëve dhe forcave maqedonase, e cila mori fund me Marrëveshjen e Ohrit, të nënshkruar më 2001. Njëra ndër parimet e kësaj marrëveshjeje ka qenë përdorimi zyrtar i cilësdo gjuhë të cilën e flasin të paktën 20% e popullsisë, gjë që parakuptonte, për arsye demografike, gjuhën shqipe.

Pozita juridike e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut

Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Ndërkaq, në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilat si shumicë ose në numër të konsiderueshëm jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar, krahas gjuhës maqedonase, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive në mënyrën e përcaktuar me ligj.[2]

Tutje, Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili ka hyrë në fuqi më 2019, krahas specifikimit që bën se në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase, afirmon se gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare. Kështu, në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve.[3]

Qytetarët kanë të drejtë ta përdorin cilëndo nga gjuhët e theksuara zyrtare, ndërsa institucionet kanë për obligim që t’u mundësojnë qytetarëve shfrytëzim, përdorim dhe zbatim të atyre gjuhëve zyrtare në çfarëdo procedure, përfshirë ato gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedurat parahetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe për kundërvajtje, procedurat kontestimore dhe jashtëkontestimore, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve, si dhe procedurat e tjera të parapara me legjislacion. Gjithashtu, përdorimi i këtyre dy gjuhëve do të jetë i mundshëm edhe në organet e pushtetit shtetëror, si: Kuvendi, Presidenti, Qeveria, gjyqësia, Prokuroria Publike, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, pastaj në procesin zgjedhor, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, gjatë zbatimit të autorizimeve policore, në veprimtarinë radiodifuzive, noteri, përmbarim, objekte infrastrukturore, evidencën e amzës, dokumentet personale, financat, ekonomi, si dhe në sferat tjera.[4]

Ligji parasheh që funksionarët e zgjedhur ose të emëruar në institucionet e lartpërmendura, në komunikimin e tyre zyrtar e përdorin gjuhën maqedonase si dhe gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve, nëse së paku njëri prej funksionarëve flet gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase.[5]

Në aspekt infrastrukturor, legjislacioni parasheh se emrat e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, si dhe në Shkup, shkruhen në gjuhën maqedonase, në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve, si dhe në gjuhët që janë të pranuara përgjithësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Po kështu, në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë dhe aeroportet që gjenden në rajonin ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, emrat e institucioneve, mbishkrimet e tjera dhe udhërrëfyesit shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve.[6]

Risi që solli ligji është ai që të gjitha aktet juridike të institucioneve shtetërore që publikohen në Gazetën Zyrtare dalin në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve.[7]

Ligji përcakton themelimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin së paku 20% e Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, e cila ka për detyrë promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e barabartë të gjuhës zyrtare që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.[8] Ndërkaq, për ta mbikëqyrur zbatimin e plotë dhe konsekuent të përdorimit të gjuhëve është themeluar Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.[9]

Këndvështrimi zyrtar europian

Raporti i Progresit i Komisionit Europian është një pasqyrë e veprimtarisë shtetërore, e cila shëmbëllen vlerësimin zyrtar europian për shtetin përkatës. Meqë i gjithë Ballkani Perëndimor aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian, raportet që vijnë nga institucionet e BE-së paraqesin rëndësi të madhe.

Sa i përket mbrojtjes së komuniteteve joshumicë në Maqedoni të Veriut, Raporti i Progresit i vitit 2023[10] nxjerr në pah disa pika që duhen marrë në konsideratë nga shteti.

Fillimisht, Raporti i Progresit thekson se autoritetet shtetërore vazhduan të zbatojnë pjesërisht strategjinë kombëtare për promovimin e një shoqërie multietnike dhe se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar mbështetje të mjaftueshme politike, koordinim ndërmjet autoriteteve përkatëse, financim adekuat dhe burime të tjera, me qëllim promovimin e mundësive të barabarta dhe përmirësimin e kohezionit social në vend.

Një temë e rëndësishme që ka shoqëruar prej dekadash jetën publike në Maqedoni të Veriut është përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Së këndejmi, sipas Raportit të Progresit, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve mbeten të paplotësuara dhe të financuara. Krahas kësaj, Raporti nënvizon nevojën për trajnim dhe rekrutim të përkthyesve dhe përkthyesve dhe domosdonë për të forcuar tutje pavarësinë financiare të këtyre dy institucioneve, gjë që do të rrisë aftësinë e tyre për t’i rezistuar ndikimit politik.

Në anën tjetër, Raporti 2023 e cilëson si të dobët përfaqësimin e komuniteteve joshumicë dhe bën thirrje që autoritetet duhet të zbatojnë rekomandimin e lëshuar nga Komiteti Konsultativ i Konventës Kuadër për Pakicat Kombëtare për të ratifikuar Kartën Europiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave, nënshkruar në vitin 1996.

Përkitazi me çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet joshumicë, në fund, Raporti 2023 apelon që autoritetet duhet të organizojnë një konsultim publik dhe të miratojnë në kohën e duhur një strategji të re të ndërtuar mbi konceptin e “një shoqërie dhe ndërkulturalizmit”, për periudhën 2023-2025.

Gjuha shqipe si etalon i së drejtës

Pa dyshim se zyrtarizimi i gjuhës shqipe në nivel republikan është një sukses politik e juridik i shqiptarëve. Megjithëkëtë, ky triumf nuk është i plotë, ngase kushtetuta vijon ta njohë gjuhë zyrtare vetëm atë maqedonase dhe, në anën tjetër, Ligji për përdorimin e gjuhëve i referohet gjuhës shqipe me aluzion, si gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, duke e përmendur vetëm një herë me emrin e saj “gjuha shqipe” edhe atë në kllapa. Sidoqoftë, nuk duhet zvetënuar këtë arritje të shqiptarëve, por edhe duhet përmbajtur nga vetëkënaqësia e pakontrolluar, për arsye se nuk kemi një barazi të plotë juridike të gjuhëve zyrtare në Maqedoni të Veriut, çfarë është, ta zëmë në Republikën e Kosovës, ku gjuhë zyrtare në nivel shtetëror janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe, përderisa gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome e kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose janë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligjin.[11] Duke marrë parasysh se përqindja demografike e komunitetit serb në Kosovë nuk tejkalon 4-5% të popullatës së përgjithshme, bie në sy që të drejtat e komunitetit të dytë më të madh (serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Maqedoni) nuk janë proporcionale në këto dy shtete respektive. Madje, duhet thënë se zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut është i vonuar në mënyrë të pajustifikueshme.

Maqedonia e Veriut duhet të synojë përmbushjen e standardeve europiane. Sado të shumta që mund të jenë kriteret e BE-së, që të gjitha qëndrojnë rreth binomit demokraci-sundim i ligjit. Demokracia nuk e pranon diskriminimin e asnjë lloj forme dhe sundimi i ligjit kërkon që të zbatohet e drejta duke u ofruar garanci juridike të gjithë qytetarëve, pa dallim. Prandaj, kodifikimi ligjor i parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimi i tyre nuk kanë alternativë. Ato janë parakusht i stabilitetit dhe i rrugëtimit të përbashkët të të gjitha komuniteteve drejt BE-së. Secila vonesë tjetër do t’i ketë efektet negative për të ardhmen e vendit.

 

[1] Shih: https://www.un.org/en/observances/mother-language-day (qasur më 16.2.2024).

[2] Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, neni 7.

[3] Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut, neni 1.

[4] Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni të Veriut, neni 2.

[5] Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni të Veriut, neni 3.

[6] Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni të Veriut, neni 16.

[7] Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni të Veriut, neni 17.

[8] Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni të Veriut, nenet 18-19.

[9] Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni të Veriut, neni 20.

[10] Teksti i plotë në gjuhën angleze i Raportit të Progresit i vitit 2023 për Maqedoninë e Veriut: https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/document/download/28a9322a-3f18-434e-89d2-0890c90b2f96_en?filename=SWD_2023_693%20North%20Macedonia%20report.pdf (i qasshëm më: 18.2.2024).

[11] Kushtetuta e Kosovës, neni 5.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X