Ç’ka ndodhur nuk zhbëhet. Ç’ka ikur nuk kthehet. Jeta vazhdon. E ardhmja është ajo për të cilën jo vetëm njerëzit, por edhe politika bën përpjekje ose bën sikur bën përpjekje që të jetë e shkëputur nga e shkuara, ndërkohë që nuk lëviz nga themelet e së shkuarës ose edhe kur lëviz, lëviz e detyruar nga rrethanat e reja të krijuara, të cilat jo gjithmonë janë të kapura dhe të kontrolluara nga politika.
Nuredin NAZARKO, Korçë
Qyshse Kabili (Kaini) e ngriti dorën kundër Habilit (Abelit) dhe derdhi gjakun e tij, krimi i njeriut ndaj njeriut në botën njerëzore nuk ka të ndalur. Kjo është botë, në të cilën as nuk mbizotëron absolutisht e keqja dhe as absolutisht e mira. Ditët ndërrojnë dhe e keqja me të mirën janë gjithmonë në luftë mes njëra-tjetrës. Paqja që ëndërrojnë një pjesë nuk mund të arrihet vetëm se kur mbizotëron e mira brenda shpirtit njerëzor, por edhe kjo nuk mjafton se e keqja qëndron gjithmonë në pusi. E mira dhe e drejta duhet të qëndrojnë të përgatitura në të gjitha drejtimet që e keqja të marrë përgjigjen që meriton dhe të mos bëhet mbizotëruese e zemrës së njeriut më së pari dhe e familjes dhe shoqërisë më pas.
Homo homini lupulus est.
Tjetërsimi i natyrës së njeriut, duke i dhënë krah së keqes brenda tij, ka qenë gjithmonë në qendër të forcave që vijnë nga bota e errët e djallëzisë dhe ligësisë. Kushdo që të mirën, të drejtën dhe mëshirën e ka të përbrendësuar në shpirtin dhe zemrën e tij, e ka të vështirë, pothuaj të pamundur, ta kuptojë pse një pjesë e njerëzve shkon deri në kufijtë e së paimagjinueshmes në kryerjen e krimeve të njeriut ndaj njeriut. I miri e i drejti nuk mund të pajtohet me këtë tjetërsim dhe i etur për drejtësi qëndron me të gjitha forcat përballë së keqes. Kjo është rruga dhe nuk ka tjetër rrugë për të mos u bërë palë me atë pjesë njerëzish që e ushqejnë jetën e tyre vetëm me urrejtje.
Urrejtja e verbër, rrugë krimesh.
Urrejtja për arsye fetare, kombëtare, racore, krahinore, pasurore është baza mbi të cilën ndërtohet e ardhmja kriminale e njeriut. Njerëzit që rriten me urrejtje, ushqehen me urrejtje, nuk e kanë aspak të vështirë të drejtojnë dhe të kryejnë krime nga më të përbindshmet ndaj njerëzve që urrejnë. Mjafton që propaganda djallëzore t’i ushqejë vazhdimisht me urrejtje ndaj atyre që janë tjetri që duhet asgjësuar dhe nuk ka parim e princip që t’i ndalojë ta shtrijnë dorën gjakatare ndaj të pambrojturve, të dobëtëve, grave, fëmijëve, pleqve, invalidëve. Qenia e ushqyer me urrejtje nuk njeh mëshirë, keqardhje, principe. Të vetmit rregull që i binden është krenaria e rreme e superioritetit që duhet materializuar me gjenocid ndaj të shënjestruarve. “Sukseset” e tyre në rrugën gjakatare e kundërnjerëzore janë shenjë e dobësisë së tyre dhe frikës që rron me ta, aq sa i tremben edhe më të dobëtëve, edhe çdo shkëndije që ndez zjarrin e forcës të së drejtës. Kushdo që ushqehet me urrejtje dhe kryen krime nxitur prej saj në mos herët vonë ka për ta përjetuar ferrin mbi tokë, mes makthesh dhe paranojash, para se të përfundojë në ferrin e botës tjetër.
E ardhmja nuk duhet të na turbullojë kujtesën e së shkuarës.
Ç’ka ndodhur nuk zhbëhet. Ç’ka ikur nuk kthehet. Jeta vazhdon. E ardhmja është ajo për të cilën jo vetëm njerëzit, por edhe politika bën përpjekje ose bën sikur bën përpjekje që të jetë e shkëputur nga e shkuara, ndërkohë që nuk lëviz nga themelet e së shkuarës ose edhe kur lëviz, lëviz e detyruar nga rrethanat e reja të krijuara, të cilat jo gjithmonë janë të kapura dhe të kontrolluara nga politika. Propaganda për të ardhmen e paqtë, ku shtetet dhe njerëzit do të jetojnë në paqe, nuk duhet të na turbullojë kujtesën historike. As nuk vihet në dyshim që shtetet duhet të punojnë për të ndërtuar një botë më të paqtë. Po a mund të ndërtohet një botë e tillë duke mos i vendosur përpara drejtësisë ideatorët dhe zbatuesit e gjenocideve? Apo, kur gjenocidet bëhen mbi të vegjlit, kalohen në heshtje dhe në emër të së ardhmes krimineli të barazohet me viktimën e pafajshme? Pa drejtësi nuk ka as të ardhme të paqtë.
Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet.
Harresa është bashkudhëtare e njeriut në rrjedhën e kohës. Po jo çdo ngjarje duhet harruar e hedhur pas krahëve, aq më tepër kur bëhet fjalë për ngjarje të cilat janë dëshmi e gjallë e natyrës gjakatare të individëve që zbatojnë projekte gjenocidale. Rrjedha e kohës do t’i largojë nga skena këta individë, por kjo nuk është kusht që bashkë me ta të ikin dhe projektet gjenocidale, sepse idetë gjallojnë edhe pas vdekjes së ideatorëve të tyre. Projektet gjenocidale mund të bien në letargji, por edhe mund të rizgjohen kur rrethanat i favorizojnë. Kujtesa historike dhe ndërgjegjja njerëzore që mbruhet me të, nuk duhet t’i harrojë gjenocidet, por duhet ndërtuar një shoqëri që të jetë gati për të mos lejuar përsëritjen e tyre ose, kur të jetë e nevojshme, edhe të luftojë kundër atyre që ideojnë e kërkojnë të zbatojnë projekte të tilla. Nëse e kaluara fshihet në emër të së ardhmes së paqtë, mund të vijë dita që të gjendemi sërish përpara rrethanave që sjellin gjenocide të reja bash aty ku mendohet se nuk do të ketë më asgjë të kësaj natyre.
Sa për kujtesë historike po i përmendin disa tituj librash që të shërbejnë si një referencë dhe përkujtim mbi rrezikun potencial që mbartin projektet e çartura gjenocidale që ushqehen me urrejtje si fillim e me shpirtra të pafajshëm njerëzorë në fund.
“Muhaxhirët, Dosja Britanike”, Bejtullah Destani.
“Çamëria, Një histori dokumentare”, Robert Elsie dhe Bejtullah Destani.
“Barbaritë greke në Shqipëri”, Kosta Tomori Leusa
“Vdekje dhe dëbim”, Justin Mccarthy.
Popujt duhet ta lexojnë me akull të mendjes historinë dhe nuk duhet të mbështetin politika e politikanë që i hedhin benzinë zjarrit të urrejtjes mes njerëzve dhe popujve. Në të kundërtën, ata do të shndërrohen në lëndën e parë të gjenocideve dhe do ta marrin mallkimin e viktimave, të pafajshmëve dhe të të gjithë atyre që në vend të urrejtjes kanë dashuri e mëshirë për njeriun si qenie.