loader image
April 25, 2025

Ku shtrihen kufijtë e “njeriut të ri”

“Vendi i unitetit të popullit dhe i luftës së klasave, i partisë drejtuese dhe i masave sovrane, vendi i Enver Hoxhës që ka fituar shumë admirim dhe shumë miqësi, por jo kult; Shqipëri ku vdesin shqiponja që të jetojnë njerëzit, ti numëron në Europë shumë miq vëllazërorë se je vendi i shpresës”.  Gilbert Mury

Elton HATIBI, Tiranë

Mesa duket, më shumë se nga kushdo tjetër termi “njeriu i ri” u kuptua nga vëzhguesit e huaj. Për shumë mendimtarë dhe politologë komunistë të perëndimit, Shqipëria ishte një shembull konkret i transformimeve sociale dhe kulturore që i atribuoheshin reformave dhe përpjekjeve të regjimit komunist. Mes së shkuarës ende të prekshme në qytetet dhe fshatrat shqiptarë, dhe utopisë virulente në ndërtim e sipër, shqiptarët e mesit të shekullit të njëzetë dukeshin me të vërtetë diçka unike. Kështu impresionoheshin shqiptarët kur ky regjim përkthente dhe botonte në shqip vepra si ajo e Gilbert Mury, me titullin kuptimplotë “Shqipëria, toka e njeriut të ri”. “Vendi i shqiponjave që vdesin, që të jetojnë njerëzit”. Jeta dhe vdekja janë të pandashme në këtë metaforë që të shtang frymën dhe njëkohësisht të zbret me këmbë në tokë. “Shqiponjat” që vdesin për “njerëzit” sintetizohen e bëhen “njeriu i ri”, i cili në udhëheqje apo në front të punëve, me kontribute gjakuese titanike, ndërton dhe mbron këtë “fanari të socializmit në botë”.

Termi është produkt i përpjekjes ideologjike dhe propagandistike për të përftuar qytetarë të bindur ndaj regjimit, sidomos te rinia, e cila i ishte nënshtruar sakaq indoktrinimit sistematik nga institucionet edukuese dhe nga masmedia. Në shtypin propagandistik të regjimit “njeriu i ri” përkufizohej në këto terma: “…njeriu i ri i cili është bartës i vlerave të larta politike e morale, ndërtues i komunizmit dhe është pakrahasimisht më i denjë se çdo përfaqësues i botës së vjetër. Ai është një njeri, interesat personale të të cilit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me interesat e popullit, ai është gati të luftojë deri në vetëmohim për kauzën e Komunizmit…” . Duke qenë bartës i disa vlerave, ai është më i denjë se eksponentët e botës së vjetër. Pra, kemi një dikotomi mes njeriut të ri konkret, me vlerat e tij, në një përballje të pakompromistë me “botën e vjetër”, me të gjitha format me të cilat manifestohet ajo. Një luftë klasash e vazhdueshme me të vetmin përfytyrim metafizik që amalgamohej në kokën e “njeriut të ri”, larg konkretes, e gjithnjë e më e paqartë në definicionet e fesë, patriarkales, feudales, etj. Me disa tema të formuluara me togfjalësha të parafabrikuar, “njeriut të ri” i tregohej konkretisht se si duhet mbrujtur me këto vlera të cilat konstruktohen që në familje, në shkollë, në solidaritetin kolektiv në vendet e punës dhe militancën në organizatat politike. Vetia parësore e cila duhej të përbrendësohej nga “njeriu i ri” ishte mbizotërimi i interesave shoqërore mbi ato personale”. Vetëm duke u ngritur mbi interesin personal do të mund të përballej ky “individ i ri” me përfaqësuesit e të vjetrës. Me këtë vetëdisiplinim të vazhdueshëm, me këtë luftë të brendshme ndaj egos “mikroborgjeze”, i përafrohemi si përfytyrim vdekjes së shqiponjës figurative në dobi të çimentimit karakterial të një tufe me “njerëz” të denjë për regjimin.

Interesi i regjimit, që propagandën e tij ta përhapte përtej kufijve të Shqipërisë, ishte tejet i madh. Sa nga ngasja e madhështisë megalomane, sa nga nevoja për ta skicuar veçantinë e realitetit shqiptar socialist, propaganda komuniste përhapej jashtë vendit në forma të ndryshme. Ndryshimet e shpeshta ndërkombëtare i detyronin komunistët shqiptarë që, sipas rrethanave, tëa ridimensiononin edhe  praninë e tyre si entitet politik në botë. Në thelb, propaganda kishte qenë e njëtrajtshme: paraqitja e transformimit të një vendi të prapambetur agrar në një model të suksesshëm të ndërtimit të socializmit. Më herët, kur bënte pjesë në kampin socialist që komandohej nga Bashkimi Sovjetik, Shqipëria ishte një lule e veçantë mes buqetës së vendeve që përbënin këtë aleancë. Me veçantitë e saj, Shqipëria joshte dhe realitete të tjera me të cilët bashkëndante elementë social-kulturorë, si fjala bie feja, etj. Edhe kur u lidh përherë e më ngushtë me Kinën maoiste, propaganda komuniste përmes këtij dualiteti internacionalist unik përpiqej ta dëshmonte suksesin e Shqipërisë në proporcion të njëjtë me përmasën e një fuqie globale të komunizmit tashmë aleate. Me izolimin dramatik të vendit, propaganda u përqendrua në rrethet intelektuale të majta dhe në grupet militante marksiste dhe sindikaliste, kryesisht në perëndim. Kjo dritare komunikimi me botën e ndihmonte regjimin të ishte i pranishëm në ligjërimin ideologjik të këtyre grupeve dhe, shpesh, përdorte shërbimet e këtyre grupeve për ta propaganduar “të vërtetën e re” të Shqipërisë.

Kësaj periudhe i përket dhe instrumentalizimi simbolik nga kritika e huaj gjatë një ekspozite ikonografike në Francë, i “të kuqes së Onufrit”, duke krijuar një asociacion me Shqipërinë e “kuqe”,  një e kuqe unike dhe “revolucionare” që vinte nga një kthinë e Europës. Pavarësisht se një regjim militant antifetar, komunizmi shqiptar edhe në periudhën autarkike, si ajo e viteve ’70-80-të, kur vinte puna te përdorimi i aseteve kulturore kombëtare, investohej fuqishëm për të qenë i pranishëm në diskursin kulturor të kontinentit. Krahas ndërtimit ritmik me dorë të hekurt të një shoqërie ideologjike që u përgjigjej nevojave të regjimit, në periudhën e izolimit vërehet një qasje zbutëse ndaj trashëgimisë kulturore, kryesisht asaj të krishterë ortodokse. Pas një fushate histerike ndaj trashëgimisë fetare, që kulmoi në fundin e viteve ’60-të, në vitet e izolimit shohim të ndërtohen disa institucione muzeale që e akomodojnë trashëgiminë shpirtërore të krishterë ortodokse. Në Berat dhe në Korçë ndërtohen muze të dedikuara ikonografisë, ndërsa në pavionet e Galerinë së Arteve Figurative në Tiranë përfshihet një ikonostas i plotë druri. Kjo pasuri e çmuar dhe njëkohësisht e dekontekstualizuar kulturore fetare, shndërrohet në një dritare tjetër të regjimit për të komunikuar me botën e jashtme, krahas përdorimit të ansambleve folklorike dhe të çdo veçantie tjetër tërheqëse. Pra, ideologjia marksiste, e mishëruar te industrializimi dhe mënyra e jetesës socialiste, bashkë me pasurinë kulturore të vendit, përçojnë në perëndim atë realitet shqiptar që dëshironte ta paraqiste regjimi.

Me rënien e regjimit komunist në vitet ’90-të të shekullit të kaluar, ideologjia komuniste shqiptare u diskreditua në imazhet e anijeve të stërmbushura me njerëz, që përpiqeshin ta kalonin Adriatikun. “Njeriu i ri” kishte hyrë në krizë të thellë. Ai kishte vepruar gjatë viteve të regjimit komunist nën një këmishë force dhe në tablonë e plotë të kësaj periudhe shumica e shoqërisë kahet dhe lëvizjet e veta i kishte të automatizuara. Nga dhuna dhe izolimi, shoqëria kishte mësuar disa shprehi dhe kode komunikimi ideologjik dhe kështu sillej në qerthull për ta përmbushur mbijetesën e përditshme. Befas, aparati shtetëror i dhunës ra, por shprehitë dhe ky kod kulturor ideologjik ishte përbrendësuar mjaftueshëm. Për dhjetëvjeçarë të tërë nuk kishte pasur modele të tjera, aq më tepër që modeli i kundërt i skematizuar ishte tabela e qitjes e ideologjisë komuniste në arte, letërsi dhe format e tjera të propagandës. “Njeriu i ri”, i mbetur pa tutor dhe i okultuar mjaftueshëm nga bazat e vlerave tradicionale, nisi rrugëtimin e tij drejt ndërtimit të një shoqërie tjetër, shoqërisë së tregut dhe e lirive të individit. Nga sa rrodhën ngjarjet e post-komunizmit, që janë ende të freskëta, “njeriu i lirë” u përpoq të ndërtonte së pari ekonominë e tij vetjake, aq të goditur nga ideologjia e shkuar, shpesh duke dërrmuar me bërryla “tjetrin” e ngjashëm. Në njëfarë mënyre, shoqëria shqiptare duhet të rigjente shumëçka nga “bota e vjetër” që kishte shkelmuar dhe asfiksuar gjatë gjysmë shekulli. Dy manifestime të kësaj bote u çliruan menjëherë nga shpërngejtë ku qëndronin të mpirë: feja dhe prona private!

Ende pa ligjëruar liritë politike, regjimi sanksionoi me shpejtësi liritë fetare dhe aktivitetin ekonomik privat. Transformimin e ri drejt një shoqërie të lirë e nisi pa ndonjë mëdyshje regjimi i vjetër. Këto orvatje mund të shihen edhe si përpjekje për ta bërë më të larmishme realitetin e ngurtë që po shkërmoqej, me shpresën që regjimi në ikje të mos shihej si një masë monolite konservatore e stalinizmit dhe njëkohësisht për të kontrolluar sa mundej fenomene që nuk përmbaheshin dot. Me fjalë të tjera, njerëzit e regjimit, autoprodukte të ideologjisë marksiste-leniniste, po mundësonin dhe orientonin proceset e reja, që buronin nga “bota e vjetër”. Ky rikthim i formave tradicionale të funksionimit të shoqërive të lira nuk i përngjau një restaurimi të tipit “kintsugi”, ku porcelani i thyer ngjitet përmes një aliazhi me përbërës kryesor floririn. Një përpjekje e tillë, edhe pse rezulton në një formë tjetër nga gjendja e mëhershme, përsëri i fisnikëron copëzat e vyera të enës së thyer me një ngjitës edhe më me vlerë, siç është floriri. Ngjitja e enës shqiptare u bë me material të lirë, pa ndonjë garanci të mirë funksionimi, një material i siguruar nga “njerëzit e rinj”, për “njerëzit e rinj” të masës që e kishte dehur liria. Autoritetet e reja u kujdesën ta ridimensiononin përsëri pozicionin e Shqipërisë në botë. Kthesa ishte njëqindetetëdhjetë gradë, duke pasur parasysh që mentorët e rinj post-izolim të vendit e kishin fituar globalisht luftën ndaj komunizmit. Shqiptarët ishin mësuar me këto të prera timoni kur një herë brohorisnin dhe më pas pështynin aleatët e këmbyeshëm.

Vizitën e tij në vitin 1991, James Baker, i pari Sekretari i Shtetit që vizitonte Shqipërinë, e nisi me interesin për të këqyrur Xhaminë e Et’hem beut në qendër të Tiranës. Ishte e pazakontë që një personalitet i lartë të vizitonte një objekt kulti, aq më tepër të fesë islame, kur në të shkuarën totalitare vizitat kulturore për personalitetet e huaja orientoheshin drejt siteve arkeologjike apo në “qytetet muze” si Berati dhe Gjirokastra. Në vetvete, kjo ngjarje simbolike risillte në vëmendje interesin e aleatëve të rinj për gjithë spektrin identitar fetar të shqiptarëve. Edhe pjesa myslimane e këtij identiteti do të thirrej të kotribuonte në nevojat pragmatike të perandorisë. Krahas ikonës së shpluhurosur të Nënë Terezës, që “ish-njerëzit e rinj” të tranzicionit e sollën në sferën publike si një monedhë të ndërkëmbyeshme me perëndimin që e kishte përbrendësuar si personalitet, një konstrukt tjetër u soll në vëmendjen e gjerë, e ashtuquajtura “toleranca ndërfetare”. Shqiptarëve të painteresuar plotësisht për çështjet e “botës tjetër”, pas eksperiencës indoktrinuese komuniste, kjo veti njerëzore, e gjendur rëndom dhe gjetiu, u plotësonte një përmasë të munguar në realitetin e rizgjimit mes tyre të praktikave fetare. Por, më tepër kjo ishte një lloj pasaporte identitare për sytë e botës, e shoqëruar shpesh me interpretimin absurd: “jemi tolerantë ndaj feve të njëri-tjetrit, sepse nuk jemi aspak fetarë”! Kthimi sa lart e sa përsëprapthi i imazhit të Nënë Terezë në harkun e pak viteve, si të ishte një figurë e letrave të bixhozit, na sjell në vëmendje mjaftueshëm përmasën transparente të moralit publik shqiptar të postkomunizmit.

Për t’u kthyer edhe një herë te toleranca, bashkë me evidencat historike të rigjetura për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, nisi të marrë formë dhe themeli konceptual ku do të mbështetej ky realitet historik. Edhe pse shumica dërrmuese e personazheve dhe familjeve që shpëtuan hebrenj ishin të traditës myslimane, nuk u kërkua fare brenda kësaj tradite për vlerat apo përfytyrimet që nxitën këta njerëz t’i ekspozoheshin rrezikut. Diskursit publik për këtë çështje i erdhi në ndihmë termi “besa”, një fjalë e glosarit etnografik, një term që më së shumti shqiptarët e përftojnë nga letërsia apo folklori. Termi i shpërqendron arsyet dhe qasjen antropologjike të shqiptarëve për të ndihmuar “tjetrin”, nisur dhe nga veçantitë e tyre fetare, me gjasë sepse kjo hap një perspektivë të pavolitshme dhe në këtë papërgatitje thërrasim në ndihmë nga repertori termin e sekularizuar “besa”, që bashkëndahet dhe kuptohet pa mundim nga publiku. Edhe në sytë e botës, ku demokratizimi i kasnecëve që na qasen mundëson ekspertizë të leverdisshme, prezantohemi me një veçori disi abstrakte – “jap besën kundrejt kujt?” – për ta përmbyllur me këtë arnim një moment të vyer krenarie kombëtare. Përveç elaborimit të mëtejshëm të kësaj historie, nevojiten dhe ikona, si për t’ia vënë pikat mbi “i” sikletit që një popullsi me shumicë myslimane ka një histori kaq befasuese mirësie mes kasaphanës së Luftës së Dytë Botërore. Dhe, ikonat shpjeguese nuk vonuan. Kështu, nga “në një dorë kazmën, në tjetrën pushkën” e kudogjendur në pllakatet e socializmit, sigurisht për të ndërtuare mbrojtur  atdheun dhe socializmin, shkojmë drejt pllakateve të tolerancës “në një dorë teken e rakisë, në tjetrën Kuranin”, si shpjegim për mbrojtjen e hebrenjve, për të plotësuar kështu dhe pazëllin tonë kaotik.

Shamia e grave myslimane që merret e përdoret si ilustrim nga kasnecët e huaj të temës së shpëtimit të hebrenjve, ka qenë një nga simbolikat e forta të luftës për zhdukjen e traditës në Shqipërinë komuniste. Si mund të ndërtohej “njeriu i ri” nëse vishej dhe sillej në përputhje me kodet e botës së vjetër?! Shaminë e kokës, që në Shqipërinë tradicionale nuk e kishin ekskluzivitet gratë dhe vajzat myslimane, në këtë përpjekjen “emancipuese”, propaganda e regjimit e bashkëlidhi përmes termit “ferexhe” gati vetëm me këtë traditë fetare dhe kulturore. Fushatat propagandistike, ekspeditat e militantëve të indoktrinuar dhe të agjitatorëve ideologjikë, si shenjë të fitores ndaj patriarkales dhe zakoneve të vjetra, tundnin në duar shamitë e hequra të grave dhe vajzave shqiptare. Edhe hierarkët e dikurshëm të diktaturës, edhe pse në një kontekst tjetër si ky i sotmi demokratik, këtë “arritje” të komunizmit e theksojnë si kontribut në emancipimin e gruas. Në një kohë kur në perëndim ka kontroversi për këtë praktikë fetare myslimane, kjo është një nga shembujt që militantët e së shkuarës e tundin si flamur triumfi. Por, kohët kanë ndryshuar dhe me rizgjimin fetar të shqiptarëve edhe shamia e grave dhe e vajzave është bërë e dukshme në peizazhin urban shqiptar. Pas përpjekjeve për ta parë këtë fenomen si të financuar nga misionarët e huaj ose si reflektim të injorancës dhe fanatizmit, shohim një rehabilitim të kësaj praktike fetare myslimane. Dhe, ky rehabilitim vjen kryesisht nga eksponentët politikë dhe ideologjikë që derivojnë nga regjimi i dikurshëm komunist. Paradoksalisht, pinjollët e atyre që udhëhoqën fushatat emancipuesë për ndërtimin e “njeriut të ri” dhe, rrjedhimisht, të socializmit, përfshijnë dhe ekspozojnë në organizatat dhe forumet e tyre vajza dhe gra që e mbajnë këtë veshje fetare. Duket sikur kjo është një rezonancë e politikave të përfshirjeve identitare të së majtës moderne, por dhe motivimi elektoral luan një rol të padiskutueshëm në këtë hapje të së majtës ndaj sferës fetare.

Po në aspektin vizual, ndër të vetmit klerikë myslimanë që pandërprerë shfaqet në publik me rrobë fetare është kryegjyshi i bektashinjve. Që nga rënia e komunizmit, baballarët e çdo rangu nuk i ndahen traditës së veshjes së “hirkës” dhe të pjesëve të tjera të veshjes tradicionale. Kryegjyshi i mëparshëm i ndjerë erdhi dhe e risolli praktikën fetare të bektashinjve pas një përvoje persekutimi fetar, që e kishte mbajtur të izoluar në fshatrat e vendit. Sjellja dhe besnikëria e tij ndaj traditës përputhej me historinë e tij të kësaj nëpërkëmbjeje nga regjimi i vjetër. Ndërsa pasuesi i tij, me një të kaluar që e lidh me forcat e armatosura shqiptare, na dëshmon një histori “konvertimi”, tipike e postdiktaturës, ku ish-futbollistë, muzikantë, mësues etj., iu dedikuan jetës së rilindur fetare. Megjithatë, këto ndërrime kostumografike nuk e shqitën në sytë e publikut imazhin e dikurshëm të këtyre klerikëve të rinj dhe, rrjedhimisht, pa dashur, përfoljen për qëllimin e vërtetë të këtyre transformimeve. Të shpëlarë në komunizëm nga botëkuptimet metafizike, shqiptari i post-diktaturës, më së shumti këtu shihte transformime dhe garderoba me rroba të reja shumëngjyrëshe, në funksion të përfitimit të favoreve tokësore. Pikërisht nga ky klerik i lartë, bektashi që identifikohet fort me veshjen e traditës, do të dëgjojmë të artikulohet në mënyrë të paplotë nevoja për një shtet fetar të shkëputur nga trungu i shtetit shqiptar. Figuracionet retorike me raki çudibërëse dhe me veshje “allafrënga” të grave thjesht sa e shpërqendrojnë këtë nevojë enigmatike për ta sakatuar vendin tonë. Në mënyrë alegorike presim të shohim një paradë tjetër mode, që kahen nga ushtarak në kryegjysh tashmë ta ketë drejt një monarku të vogël sovran.

Në një nga citatet fondamentale të ideologjisë që synonte  “njeriun e ri” të komunizmit ishte:  “Tipari kryesor i moralit komunist është patriotizmi socialist, d.m.th. edukimi i dashurisë për atdheun socialist…”. Këtu duhet nënkuptuar që ky patriotizëm socialist demonstrohej kundrejt dy objektivave: armiqve të jashtëm dhe atyre të brendshëm. Është tepër e kuptueshme se çfarë nënkuptonte regjimi më këto dy kategori. Gjatë gjithë kohës, propaganda komuniste e portretizonte në mënyrë të padiferencuar çdo vend të huaj si armiqësor me Shqipërinë, ndërsa “të brendshmit” ishin pinjollët e “Shqipërisë së Vjetër”, bejlerë, mendimtarë, tregtarë e fetarë të çdo rangu. Me cinizëm mund ta shtrojmë pyetjen: po kur të mos ekzistojë më “atdheu socialist”, si do të sillet “njeriu ynë i ri”? Mos vallë patriotizmi nuk ka më kuptim në një atdhe josocialist – këtë që kemi sot – të cilin nuk do të jemi të gatshëm më për ta mbrojtur?

Në këtë trajektore që e mori shoqëria shqiptare e postkomunizmit, e ushqyer më shumë deri në pangopësi me gjithçka materiale që trashëgoi nga rënia e regjimit dhe duke konstruktuar në vazhdim aspekte identitare për nevoja mbijetese dhe pëlqyeshmëria në sytë e huaja, është fare e logjikshme që të mbërrijmë dhe t’i nënshtrohemi prej trysnisë projekteve antishqiptare. Në kohët që do të vijnë, ndoshta dikush do të ulet dhe të shkruajë për “ish-Shqipërinë, tokën e njeriut të ri”, vendin ku shqiponjat shqyejnë mëlçitë e njerëzve që e ndërtuan këtë komb.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X