loader image
December 12, 2024

Si dy pika loti

“Krejt humori i ka rranjët në dhimbje.” (Richard Pryor)

“…asgjë nuk është më e vështirë se sa të bësh të kuptueshëm humorin.” (Kundera)

Edison ÇERAJ, Tiranë

Ka lot nga dhimbja, ka edhe të qeshura me lot; ama në dukje janë krejt njisoj, “si dy pika loti”, të ngrohtë, të kripur, të fortë si fati, të brishtë si shpresa. A kanë të njajtin burim? A kanë të njajtin fat?

Ka edhe lot gëzimi, më të veçantët, më të bukurit për sytë, vesë për faqet, më përfaqësuesit e gjendjes njerëzore, që thonë ma shumë se deti, që flasin gjuhën e harruar të qiellit, që thonë pafundësinë: shpresën.

Atëherë kur dhimbja arrin kulmin, gëzimi është krejt afër, sikurse dhe anasjelltas. Këto dy gjendje do ta ndjekin njëra-tjetrën si hija njeriun, si gjembat trëndafilin, si heshtja fjalën.

Është parimi dhe realiteti i të kundërtave të njësuara, që janë të pandashme, përplotësuese; nevoja për me përballu teprinë e njërës gjendje apo tjetrës; nevoja për harmoni, për njësim. Çdokush që është përpjekë me i nda, është nda nga jeta, është privu, dhe në fund ose është dorëzu si njeri, ose ka humbë si “mbinjeri”.

Don Kishoti është nji rast unik ku humori është i dhimbshëm dhe dhimbja kaq “qesharake”, saqë të vjen edhe të qeshësh, edhe të qash. Don Kishoti na ban me ndie dhimbje përmes humorit dhe me qeshë përmes dhimbjes.

Me gjasë, zbehja e humorit sot ose shndërrimi i tij në gallatë vjen si rrjedhojë e mpiksjes së dhimbjes, që është aty, por edhe nuk është, si nji hije jetime, pa freski, që nuk dihet se kush e lëshon; që nuk të zgjon e as të kthjell në të tashmen.

Në nji shoqëri ku mungon humori, mungon edhe mëshira. Shoqëri të tilla kanë probleme me vërtetësinë, dhe marrëdhëniet midis njerëzve janë me role, duke ba sikur. Zakonisht njerëzit nuk e thonë atë që mendojnë dhe as nuk shfaqen siç janë.

“Humori: shkreptima hyjnore që zbulon botën në ambiguitetin e vet moral dhe njeriun në paaftësinë e thellë për të gjykuar të tjerët; humori: dehja prej relativitetit të gjërave njerëzore; kënaqësia e hatashme rrjedh nga siguria që nuk ka siguri…” (Kundera)

Përderisa vetë jetën tonë nuk mund ta marrim si të mirëqenë, atëherë asgja tjetër nuk mund të merret si e tillë. Asgja nuk është sigurt. Fillimisht qeshim me veten ose me të tjerët që përgatiten e garojnë kaq ethshëm për ma shumë botë dhe emër; por, mbas kësaj na vjen edhe me qa, sepse asgja nuk mund të marrim me vete në botën tjetër. Në varr zbresin të gjithë siç kanë lé: pa asgja.

Dhimbja është e lidhur me kujtesën, ndërsa humori me harresën; jo me harresën si mohim, por si shkëputje, si “pushim” nga kujtesa, nga pesha e saj mal. Ndoshta si shkëputje nga nostalgjia, me të cilën, ashtu si me dashurinë, nuk ka marrëveshje. Nostalgjia, ashtu si engjëlli i vdekjes, na rrëmben pa na marrë leje. Humori mbetet nga aleatët tanë ma të mirë në përballje me pushtetin e nostalgjisë.

Humori është nji çlodhje e shkurtër midis harresës dhe kujtesës, nji strehë nën këto dy erëra, përndryshe është absurd, i tepërt, madje i dëmshëm; në fakt, vetëm nji fije krejt e hollë e ndan nga absurdi.

E për çfarë na duhet humori përderisa njeriu vdes?! Pikërisht ngaqë njeriu vdes na duhet.

“E randësishme është që vdekja me na gjetë gjallë.” (Eco)

Kjo e fundit duhet lexu dy herë.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X