loader image
December 12, 2024

Gjenocidi në Srebrenicë tanimë mban emrin dhe adresën e kryerësit

“Pas Srebrenicës, unë, si polak në Europë, ndihem më pak i sigurt”.  (Ta­de­ush Mazovjecki, Raportues për të Drejtat e Nje­riut për ish Jugosllavinë në kuadër të OKB-së, korrik, 1995, Srebrenicë, BeH). 

Behxhet JASHARI, Shkup

Si kthesë përfundimtare dhe më e rrezikshme në spi­ralen e fatkeqësisë boshnjake 1992-1995, ndodhi Srebrenica – ma­sakra ndaj 9 mijë myslimanëve boshnjakë dhe katër he­rë më shumë se kaq të dëmtuar! Me këto operacione të ushtrisë serbe (e cila për pesë dekada është ushqyer, veshmbathur dhe armatosur edhe me paratë e shqiptarëve, myslimanëve, boshnjakëve, kroatëve, sllovenëve etj.) drejtpërdrejt komandonte gjenerali Rat­ko Mlladiq, të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e aku­zoi për gjenocid ndaj boshnjakëve.

Ishte fillimi i korrikut të vitit 1995… Njëzet mijë ve­të kishin arritur të shpëtonin nga sul­met serbe. Ishin stre­huar në bazën ushtarake të forcave paqeruajtëse ho­landeze. Baza ushtarake ndodhej në Potoçari afër Sreb­renicës…

Për ta kujtuar: në momentet e sulmeve, ky qy­tet ishte zonë e demilitarizuar, gjoja nën mbrojtjen OKB-së, ndërsa boshnjakët kryesisht i kishin dorëzuar ar­mët, duke besuar pak sa naivisht se në rast të sulmeve nga forcat serbe me përmasa të gjera, do të mbrohen nga UNPROFOR-i. Megjithatë, reaksionet munguan, ndër­sa Izetbegoviqi më kot dërgonte letra nëpër shumë ven­de të botës, madje edhe vetë presidentit të SHBA-së, Bill Klinton. Sipas një analize të mëvonshme, do të bë­het e qartë se reagimet e forcave të UNPROFOR-it ishin penguar nga funksionarët e atëhershëm më të lartë të OKB-së në krye me Jasushi Akashin dhe Butros Ghalin.

Siç është e njohur, me vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1993, Srebrenica ishte shpallur zonë e mbrojtur. Si mbrojtës të asaj zone të mbrojtur, gjith­ash­tu përmes një vendimi të OKB-së, ishin përcaktuar for­cat paqeruajtëse holandeze të emëruara si “Dutchbat III”. Para mbërritjes së forcave paqeruajtëse në Sreb­re­ni­cë në janar të vitit 1995, njësia ushtarake holandeze “Dut­chbat III” stërvitjet e fundit i realizoi në Gjermani. Pa­ra se të nisen ushtarët në detyrën e caktuar për në Sreb­renicë, majori holandez De Ruijter, përndryshe zyr­tar i lartë nga shërbimi informativ ushtarak, u kishte thënë ushtarëve se “popullata lokale përbëhet nga fundë­rrina të rëndomta” dhe se “myslimanët janë në fus­ta­ne­lla të gjata e të bardha dhe me turbanë, ndërsa ser­bët janë me kësula të mëdha ruse”. Mirëpo, të­ra kjo nuk ishte e vërtetë… ata gënjyen, ashtu si edhe shumë shekuj më parë kur i gënjyen banorët e ishujve të Botës së Tretë, kur i kolonizonin ato…

Si do t’i trajtonim këto paragjykime dhe vlerësime të gabuara? Si do t’i trajtonim ndryshe gjeneralët fran­cez dhe britanikë të OKB-së, siç ishin Majkëll Rouz dhe Fi­lip Morion, të cilët vazhdimisht i fshihnin shkeljet e të drej­tave të njeriut? Madje, gjenerali Rouz aspak nuk turpërohej kur injoronte një numër të madh të vik­ti­ma­ve boshnjakë në qytetin Gorazhde. Mirëpo, këtë më pas e korrigjoi humanisti dhe intelektuali i madh Ta­de­ush Mazovjecki, i cili pas këtyre intrigave vendosi të japë dorëheqje nga posti i Raportuesit për të Drejtat e Nje­riut për ish Jugosllavinë në kuadër të OKB-së. Ma­zo­vjec­ki tha: “Tanimë nuk mund të shtirem se jam në gjen­dje t’i mbroj të drejtat e njeriut nën këtë flamur”. Ai dësh­moi se i kishte vërejtur se si të burgosurit në llogore e shikonin flamurin e kaltër dhe tha: “Pas Srebrenicës, unë, si polak në Europë, ndihem më pak i sigurt”.

Në raportin e Blomit thuhet: “Srebrenica ishte lë­në vetëm me 200 ushtarë holandezë. Në anën tjetër, Mlla­diqi kishte 200 ushtarë të veshur dhe të ar­ma­to­sur mirë. Holandezët morën urdhër që mos të për­gji­gjen në sulme derisa nuk janë të sulmuar direkt. Këtë e din­te edhe gjeneral Mlladiqi, i cili ishte kujdesur mirë që me rastin e marrjes së Srebrenicës mos të vijë deri te një konflikt me trupat holandeze. Këta trupa, me atë nu­mër, nuk ishin të mjaftueshëm as për ta mbrojtur di­kë, e as të mbrohen vetë”.

Gjenocidi në Srebrenicë ndodhi më 11 korrik të vitit 1995 dhe përfshiu vrasjen masive e të planifikuar të një numri të madh burrash dhe të rinjsh boshnjakë që nga mo­sha dymuajshe e deri në moshën 99-vjeçare. Ma­sak­ra mban firmën e ushtrisë shtetërore serbe nën ko­man­dën e gjeneralit famëkeq Ratko Mlladiq, përfshirë pa­raushtarakët “Skorpioni”, të cilët ishin nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Ngjarja ësh­të konsideruar si një nga masakrat më të mëdha në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore, ku u vranë 9.000 civilë të pafajshëm. Myslimanët u përdhunuan, u ma­sakruan kolektivisht, kurse ushtarët e misionit pa­qe­ru­ajtës nuk bënë asgjë… Nexhad Avdiqi ishte vetëm 17 vjeç kur for­cat serbe të Bosnjës e futën në shkollën e fsha­tit Petkoviq, së bashku me 1000 burra e djem të tjerë, pas rënies së Srebrenicës… Në mes­na­tën e 14 korrikut 1995 ushtarët e urdhëruan atë dhe të tje­rë të dilnin përjashta. Ai kujton pirgjet me trupat e të ek­zekutuarve që i pa gjatë ecjes më këmbë e më pas rru­gës me kamion deri tek një fushë e hapur, ku ushtarët filluan të qëllojnë mbi ta. Nexhadi u plagos, por bëri si­kur kishte vdekur. Pas largimit të ushtarëve, ai dhe një tjetër i mbi­je­tu­ar arritën të dalin nga zona dhe, duke ecur për katër di­të radhazi, arritën në zonën e kontrolluar nga qeveria e Bosnjës.

Ush­ta­rët holandezë nuk arritën ta mbrojnë popullatën civi­le përballë dyndjes së ushtarëve serbë të Bosnjës… Ana më e keqe në luftën e Bosnjës është ajo që serbët e Bosnjës, të armatosur dhe të mbështetur nga Mi­llo­she­viqi, vrisnin civilë, gra, fëmijë të vegjël, burra të moshu­ar… Le të mos harrojmë se kjo ishte një vrasje e pa­ra­menduar e civilëve, e jo një luftë ndërmjet dy ushtrive. Synimi i serbëve të Bosnjës ishte që të terrorizojnë dhe të vrasin, të kryejnë spastrim etnik në territoret që ata i dë­shironin për vete. Ata, madje, ëndërronin t’i bashko­heshin një Serbie të madhe. Ata e vazhduan synimin, du­ke u vendosur në malet përreth Sarajevës, duke bo­mbarduar dhe duke shtënë me snajperë mbi banorët, kry­esisht myslimanë të Sarajevës, Srebrenicës dhe qyte­teve të tjera të rrethuara, që shtriheshin poshtë lu­gi­nës. Aty as një gjë nuk e kishte një kufi të caktuar: rre­sh­tat për bukë, pikat e furnizimit me ujë, spitalet, shko­llat, madje edhe rrugët ishin shndërruar në shënjestër…

Shënimi i krimit

Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi (ICTY) e përcaktoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) këtë vendim e konfirmoi në vitin 2007. Por, ajo konstatoi gjithashtu se Serbia nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt në gjenocid. Megjithatë, sipas GJND-së, autoritetet e Beogradit në atë kohë nuk bënë asgjë për ta parandaluar gjenocidin. Parlamenti i Serbisë e dënoi “masakrën” e Srebrenicës në vitin 2010 pa e përdorur termin “gjenocid”!

Në korrik të vitit 2014, Gjykata në Hagë e pra­noi pjesërisht edhe ankesën e nënave dhe të të vejave të viktimave të Srebrenicës kundër shtetit holandez dhe forcave të saj të armatosura. Gjykata vendosi se batalioni holandez ësh­të përgjegjës për vdekjen e meshkujve nga Srebrenica, të cilët në korrik të vitit 1995 ishin në bazën e OKB-së në Potoçari. Gjykata në Holandë tre muaj më parë ven­dosi se gjenerali në pension, Tom Karemans, ko­man­dan­ti i paqeruajtësve holandezë në Srebrenicë nuk mu­nd të ndiqet penalisht. Vendimi i Departamentit Ush­ta­rak të Gjykatës në Arnhem (Gjermani) thotë se “Karemans nuk mund të ndiqet penalisht në bazë të përgjegjësisë ko­man­duese”.

Gjenocidi la gjurmë të thella në vetëdijen e shu­më ushtarëve holandezë, të cilët në atë periudhë ishin me de­tyrë në Srebrenicë. Shumica e tyre, ashtu si Roy Zo­mer, morën mbështetje psikologjike. Ndërkaq disa të tjerë nuk arritën ta kapërcejnë traumën, pavarësisht mje­ki­me­ve që morën dhe zgjodhën rrugën e vetëvrasjes. Or­ga­nizata joqeveritare holandeze ACOM ka kryer një stu­dim i cili ka dëshmuar se deri në 10 pjesëtarë të batalionit ho­landez që ishte në Srebrenicë kanë kryer vetëvrasje dhe se në të njëjtën kohë rreth 70 për qind janë larguar nga ush­tria për shkak të ndjenjës së fajit. Avokatët dhe or­ga­nizatat bamirëse që i ndihmojnë ish anëtarët e for­ca­ve të armatosura thonë se narkomania, krimi i or­ga­ni­zu­ar dhe format e ndryshme të dhunës janë më të për­ha­pura në mesin e ushtarëve që shërbyen në Sre­bre­ni­cë, por edhe në mesin e veteranëve të misioneve të tje­ra të OKB-së.

Sipas dokumenteve të filmuara dhe fo­to­gra­five ekzistuese, në gjenocidin në Serbrenicë është për­fshi­rë edhe Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa forcat kriminale ser­be “Skorpionët”, para se të niseshin në këtë ope­ra­cion kriminal, e morën bekimin e Kishës Serbe.

Gjykata ho­lan­de­ze, me vendimin që e kishte marrë në vitin 2014, arriti në konkluzionin se ushtarët e misionit pa­qe­ruaj­tës të Holandës në Bosnjë, nga rreth 9 mijë bosh­njakë të masakruar në Srebrenicë, janë për­gje­gjës vetëm për vdekjen e 300 prej tyre, që ua kishin dorëzuar serbëve çetnikë. Helmetat blu, numri i të cilëve ish­te rreth 300, zgjodhën rrugën e mospërdorimit të armëve përballë serbëve që ishin afër dy mijë…

Parlamenti Europian, gjatë seancës plenare në Strasburg (korrik 2015), e miratoi një rezolutë që e dënon fu­qi­shëm gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq dhe të njësive pa­ramilitare serbe. Teksti i rezolutës përmban edhe dy ndryshime:

– dënon veton e përdorur nga Rusia kundër re­zo­lu­tës britanike për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së; dhe

– përshëndet vendimin që 11 korriku të shpallet di­të zie në Bosnjë e Hercegovinë në kujtim të vik­ti­ma­ve.

Sipas re­zolutës së OKB-së, agresorët ndaj Bosnjë e Her­ce­go­vi­nës ishin: Serbia dhe Mali i Zi, ish armata jugosllave, for­macionet paraushtarake dhe partia terroriste de­mo­kra­tike serbe e Bosnjës (SDS).

Ndihmësit e tërthortë, të vetëdijshëm dhe të pa­ve­tëdijshëm, ata me paramendim dhe pa paramendim, në agresion ndaj Bosnjës e Hercegovinës janë të shum­të, pra të gjithë ata faktorë të cilët ishin të ngar­ku­ar për krizën në ish-Jugosllavi. OKB-ja, në mënyrë të dy­fishtë, e ndihmoi agresorin serb. Së pari e ndihmuan du­ke vënë embargon për armatim ndaj të gjitha re­pub­li­kave të ish-Jugosllavisë. Ky do të ishte një vendim i men­çur dhe i mirëseardhur po qe se para këtij vendimi Ser­bia e Millosheviqit nuk do ta kishte vjedhur e plaç­ki­tur gjithë armatimin nëpër fabrikat ushtarake të ish Ju­go­sllavisë, si dhe armatimin e mbrojtjes territoriale të re­publikave. Kjo tregon se kujt i ndihmoi vendimi për em­bargo në armatim dhe për cilin në të vërtetë ishte vdekjeprurës dhe fatal!

“Kultura e paqes”

Pas luftës së Bosnjës e Hercegovinës, Srebrenica hyri nën juridiksionin e Republika Srpskas, më e vogla nga dy entitetet në Bosnje e Hercegovinë. Megjithatë, numri i popullsisë aty është ulur në dy të tretat në krahasim me periudhën e paraluftës. Gjithsej rreth 13,000 njerëz jetojnë në qytet dhe fshatrat përreth dhe një shumicë e vogël deklarohen si boshnjakë. Sot Srebrenica i ngjan një qyteti fantazmë. Nuk ka pothuajse asnjë dyqan dhe asnjë stacion autobusi. Në Srebrenicë nuk mund të blesh as një gazetë ditore. Të rinjtë largohen, sepse nuk shohin perspektivë për veten.

Rezoluta për gjenocidin e Srebrenicës, e cila u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 maj të vitit 2024 me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime, u propozua nga Gjermania dhe Ruanda.

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë u prezantua në seancën e Asamblesë së Përgjithshme me temën “Kultura e paqes”. Sipas kësaj Rezolute, 11 korriku shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe bën thirrje për përfshirjen në programet mësimore të fakteve rreth gjenocidit të pranuar nga gjykatat.

Në versionin përfundimtar të Rezolutës për Srebrenicën është përfshirë amendamenti i Malit të Zi, i cili thotë se përgjegjësia penale për gjenocidin sipas ligjit ndërkombëtar është individuale dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi etnik, fetar apo një komuniteti si të tërë (d.t.th. pa emër dhe numër të kryerësit)!

Në pikën nr. 6 të Rezolutës “kërkohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara të hartojë një program informimi të titulluar ‘Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara’, duke filluar aktivitetet e tij me përgatitjet për 30-vjetorin e përkujtimit në vitin 2025, dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që të sjellë rezolutën aktuale në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile për respektimin e duhur”.

Ndërkaq në pikën nr. 7 Rezoluta i fton “të gjitha shtetet anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe organizatat rajonale dhe shoqërinë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera të interesuara për ta respektuar Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë komemoracione dhe aktivitete të veçanta në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe edukimin e duhur dhe aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit”[1].

Sidoqoftë, pro miratimit të Rezolutës, votuan edhe: Shqipëria, Australia, Austria, Bel­gji­ka, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia. Kundër Rezolutës u radhitën: Antigua, Bjellorusia, Kina, Komoret, Kuba, Koreja e Veriut, Kongo, Dominika, Eritrea, Eswatini, Grenada, Hungaria, Mali, Nikaragua, Nauru, Rusia, Sao Tome, Serbia dhe Siria. Hungaria është i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Europian që votoi kundër miratimit të Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë.

Përkujtim

Srebrenica, megjithatë, është vetëm maja e një luf­te të përgjakshme dhe shkatërruese në Bosnjë e Her­ce­govinë, të cilën udhëheqësit e atëhershëm serbë e ka­në drejtuar me një bindje të thellë. Vërtetë është tallje e thjesh­të nëse kërkohet që t’ua falin fajin vra­sësve! Kujt duhet t’ia falin, nëse vrasësit nuk kanë kër­kuar falje, kur fëmijët serbë nëpër shkolla në Sreb­re­ni­cë edhe më tej e festojnë dhe i këndojnë Ratko Mlla­di­qit, kur në dasmat serbe në disa vende ende barten fotografitë e Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit?!

Nje­rëzit e këtillë nuk duan falje dhe pajtim, ndërsa të vër­tetën nga Srebrenica nuk mund ta durojnë. Edhe për këtë shkak ky vend i vogël i Ballkanit do të ketë për një kohë të gjatë kujtime të freskëta nga dështimi i tme­rrshëm i bashkësisë ndërkombëtare.

Ky gjenocid mbe­tet pika më e ulët e qytetërimit në his­to­rinë e re europiane. Edhe një kohë të gjatë kjo do të na kuj­to­jë se sa e brishtë është paqja në Europë. Ndërkaq re­fu­zi­mi i Rusisë në KS të OKB-së dëshmon se disa nuk kanë më­suar asgjë nga e historia. Atëherë kur barbarizmi, racizmi dhe fun­da­men­ta­liz­mi religjioz bëhen aleatë, me qëllim që ta çrrënjosin një popull, politika nuk do të kishte kuptim, sepse në ras­te të këtilla vdekja bëhet më e dëshiruar se vallëzimi shpir­tëror.

Në rastin e Europës të shekullit të njëzetë, një vdekje e këtillë kolektive ndodhi në Sreb­re­ni­cë, ku është kryer gjenocid klasik i përmasave të gjera. Atë gjenocid duhet shënuar dhe përkujtuar jo për shkak se ndodhi mu në zemër të Europës, por për mos ta falur as­një­herë. Dhashtë Zoti që të mos përsëritet askund në botë!

[1] https://albanianpost.com/rezoluta-per-gjenocidin-ne-srebrenice-miratohet-nga-asambleja-e-okb-se/ (22.06.2024).

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X