loader image
October 11, 2024

Fillon me ne

Gjendjet dhe ngjarjet nëpër të cilat kalon nji shoqëri nuk janë rrufe në qiell të hapur ose rastësi me kombinim të papritur rrethanash, por rrjedhojë e zgjedhjeve që ban ajo shoqëri, pasojë e mënyrës së jetesës që kanë zgjedhë shumica e pjesëtarëve të saj.

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

1.

Nji prej iluzioneve ma problematike që mundet me mbërthy nji shoqëri është edhe mendësia ose prirja me e pritë zgjidhjen e problemeve nga jashtë, zakonisht nga shtetet e zhvilluara, nga “i forti”.
Sipas Kuranit, Zoti nuk e ndryshon nji shoqëri përderisa ajo nuk e ndryshon vetveten. (Kurani, 13:43)
Çdo lloj ndryshimi/reforme nga jashtë apo nga lart, pa ndryshu veten, është si pemë pa kokrra, sado e bukur të jetë në dukje.
Pa u vetëdijesu për këtë parim themelor të çdo ndryshimi të qëndrueshëm, është e pamundur me ndodhë ajo që duhet.
Nuk mjafton me e dashtë apo me e kërku diçka, pa e shoqëru me veprime e vepra konkrete. Janë këto të fundit që e provojnë se sa të vërtetë jemi në atë që duam dhe janë pikërisht veprat ato që e sjellin ndryshimin. Duhet ta meritosh diçka që ta kesh. Nuk mjafton thjesht dëshira. Është vullneti i qëndrueshëm ai që na ban meritorë për atë që kërkojmë.

2.

“Dhe nëse besoni se do ta shkatërroni vërtet despotin që ju sundon, së pari duhet të shkatërroni fronin, të cilin despoti ka ngritur brenda jush, në zemrën tuaj.
Sepse, si mundet që një tiran të nënshtrojë dhe ta turpërojë një njeri të lirë dhe krenar në qoftë se në qenien e tij ky njeri është i lirë, në qoftë se brenda tij nuk ka as tirani, as çnderim, por ka vetëm dinjitet dhe krenari?
Dhe, nëse ka një të keqe të cilën doni ta zhbëni, mos harroni se këtë të keqe e keni zgjedhur vetë, sepse askush nuk ua jep dot pa e pranuar ju vetë.” (Gibran, Profeti, përkth.: B. Karabolli)
Te këta rreshta përballemi me nji prej atyre të vërtetave që shumë prej nesh e harrojnë ose i shmangen: “…këtë të keqe e keni zgjedhur vetë, sepse askush nuk ua jep dot pa e pranuar ju vetë”.
Gjendjet dhe ngjarjet nëpër të cilat kalon nji shoqëri nuk janë rrufe në qiell të hapur ose rastësi me kombinim të papritur rrethanash, por rrjedhojë e zgjedhjeve që ban ajo shoqëri, pasojë e mënyrës së jetesës që kanë zgjedhë shumica e pjesëtarëve të saj.
Nga ana tjetër, duhet me kuptu se arritja e diçkaje që vërtet ka vlerë nuk vjen me shkop magjik. Vetëm kambëngulja e vazhdueshme e sjell atë që kemi nevojë. Asgja e qenësishme nuk arrihet shpejt apo lehtë. Siç e thotë Tagora, “ai që mbjell nji pemë dhe është i vetëdijshëm se nuk do të ulet nën hijen e saj, mund të thuhet se ka kuptu diçka nga thelbi i jetës”.
Kështu, ky lloj vetëdijesimi nuk mund të arrihet brenda nji brezi. Edhe nëse arrihet, pjesën ma të madhe të rezultateve nuk ka me e dhanë në atë brez, por te pasardhësit, natyrisht, nëse edhe ata vazhdojnë me e kultivu rëndësinë e këtij parimi, që vepron si nji ligjësi e pandryshueshme.
“Skllavi është ai që e pret lirinë nga dikush tjetër.” (Ezra Pound)
Kjo vlen edhe për të tjera pritje apo pritshmëri që mund të kemi prej të tjerëve. Sa ma shumë që nji shoqëri pret prej të tjerëve, aq ma e varur do të jetë, aq ma të pamundur do ta ketë me ndjekë rrugën e vet dhe, në nji mënyrë apo në nji tjetër, do të detyrohet me marrë nji drejtim që nuk i buron dhe kështu fillon largimi nga vetja, për me u ba dikush tjetër. Në këtë pikë fillon kriza, sepse vjen duke ra vetëbesimi.
Aleanca e vërtetë në nji shoqëri është ajo e pjesëtarëve të saj me njëri-tjetrin. Ky është kushti i çdo aleance me të tjerët.

“Është udha jote:
të tjerët mund ta bajnë me ty,
por jo për ty.” (Rumi)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X