loader image
December 12, 2024

Enigma e partneritetit transatlantik nën vorbullën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA

“Europa duhet të jetë e gatshme të ballafaqohet me çfarëdolloj situate që lidhet me rezultatin e zgjedhjeve në SHBA” (François Hollande – ish president francez) 

Muhamed JASHARI, Shkup

Viti 2024, përveçse është dëshmi e vazhdimit të luftimeve dhe tragjedive humanitare, ky vit konsiderohet edhe vit i zgjedhjeve, qofshin ato presidenciale ose parlamentare, nëpër vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe rajone dhe shtete mjaft të populluara. Supozohet që më tepër se 2 miliardë njerëz pritet t’u drejtohen kutive të votimit, duke filluar nga SHBA-ja e deri në Indonezi. Ana e mirë e zgjedhjeve është ngase ua jep të drejtën qytetarëve t’ua japin besimin politikanëve që do t’i udhëheqin gjatë një mandati të caktuar kohor, ndërkaq aspekti negativ i tyre qëndron mu në faktin që në demokraci kandidati më pak i dëshirueshëm (ose, në rastin më ekstrem, i rrezikshëm) mund t’i fitojë zgjedhjet!

Zgjedhjet presidenciale të një shteti, siç është SHBA-ja, prania e së cilës ndihet gjithandej, sigurisht që do të zgjonin kureshtjen jo vetëm të burrështetasve dhe shtëpive të ndryshme të informimit, por edhe njerëzve të rëndomtë!

Pavarësisht epilogut të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, tradita politike në këtë vend është lëkundur ndërmjet dy boshteve kryesore që e kanë formësuar politikën amerikane, atë të izolacionizmit dhe të angazhimit. Përdryshe, këtyre dy traditave mund t’iu referohemi me internacionalizmin, një pikëpamje kjo e cila mbron besimin dhe idenë se SHBA-ja, si një vend i lirë dhe fanar i demokracisë që është, duhet të angazhohet në bashkëpunimin ndërkombëtar për t’i zgjidhur vështirësitë globale, kurse pikëpamja tjetër përkrah nacionalizmin, e cila niset nga premisa që prioritet për një qeveri a administratë duhet jetë vendi dhe më pak t’u kushtohet vëmendje dëshirave të kombeve dhe shteteve të tjera (Schulzinger).

Në rastin e shqiptarëve, mbështetja për Shqipërinë nga ana e qeverisë amerikane dhe presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Versajit në Paris më 1919, si dhe angazhimi i administratës së presidentit Bill Klinton, që vuri në lëvizje fuqitë ushtarake të NATO-s për të ndalur kasaphanën milosheviqiane në Kosovë në vitin 1999, janë tregues mirëfilli i ndjekjes së asaj linje të veprimit, e cila preferon angazhimin mbi izolacionizmin. Ndërkaq shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, gjatë mandatit të presidentit G. W. Bush, i cili ndonëse vinte nga krahu Republikan dhe njohu pavarësinë që në momentet e para të shpalljes, në gjykimin tim erdhi si rrjedhojë e “Doktrinës Bush 2”, ku shprehimisht thuhej që “është politikë e SHBA-së të kërkojë dhe mbështesë rritjen e lëvizjeve dhe institucioneve demokratike në çdo vend dhe kulturë” (Bush, 2005), madje pa pasur nevojë për mbështetje të gjerë multilaterale. Fati i mirë i shqiptarëve ishte që në ato periudha aq të rëndësishme dhe vendimtare për ecurinë e popullit tonë ata u gjetën në agjendën e politikës dhe diplomacisë amerikane!

Tashmë kur nëpër qarqet vendimmarrëse politike dhe qendrat e ndryshme studimore e mediatike qarkullojnë zëra (Politico, The Guardian etj.) të nominimit të Donald Trump-it për president të SHBA-së, madje edhe fitores së mundshme të tij, partnerët europianë gjithnjë e më tepër hamenden mbi të ardhmen e bashkëpunimit SHBA-BE dhe (mos)çarjen e këtij bashkëpunimi, i cili sot në shek. XXI konsiderohet bazë e mbijetesës së Perëndimit dhe institucioneve politike perëndimore që janë ngritur në 80 vitet e fundit.

Paqartësia europiane ndaj zgjedhjes së Trump-it qëndron edhe në atë se mos vallë SHBA-ja do të ndjekë një politikë gjithnjë më izolacioniste dhe në këtë formë ta kundërshtojë angazhimin e saj në politikat globale. (Jashari, 2016).

Dhe kur jemi në këtë pikë, lidershipi dhe diplomatët europianë shqetësimin e vërtetë pa dyshim që do ta kishin mbi atë se çfarë do të nënkuptonte zgjedhja e Donald Trump-it në krye të SHBA-së për arkitekturën e sigurisë në Europë dhe për ngjarjet të cilat i përjeton kontinenti ynë në lindje, saktësisht në Ukrainë! Në të vërtetë, për europianët edhe më shqetësuese do të ishte fakti që nëse do të jetësohej ose jo propozimi i Trump-it për ta shtyrë Ukrainën që t’ia dorëzojë Krimenë (edhe zyrtarisht) Federatës Ruse, si dhe rajonet e pjesës lindore të vendit, të cilët tash e dy vjet u janë nënshtruar betejave të ashpra. Në të vërtetë, kjo do ta hidhte në ujë gjithë solidaritetin (qoftë në planin ushtarak apo ekonomiko-financiar) mbarëeuropian me udhëheqjen ukrainase dhe përpjekjet e tyre për çlirim kombëtar.

Në shumë raste kandidati i mundshëm republikan është mburrur se mund të negociojë një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, madje brenda 24 orëve, nëse zgjidhet president. (The Washington Post). Në kushte të tilla, në të cilën do të gjendej Europa, “europianët do të bënin përpjekje ta ndihmojnë Ukrainën, mirëpo tashmë do të ishin kundër SHBA-së, kjo si rrjedhojë e një marrëveshjeje të negociuar nga Trump-i”, siç vë në dukje François Heisbourg nga Institutin Ndërkombëtar për Studime të Sigurisë me seli në Londër.

Ndonëse partnerëve europianë zgjedhja e tij ua ngjall reminishencën e periudhës së “Trump 1”, por nëse i kthehemi Sigurisë së Strategjisë Nacionale, të miratuar nga administrata Trump shumë vite më parë, shohim që në të bëhej me dije se “Rusia … përpiqet ta dobësojë besueshmërinë e angazhimit të Amerikës në Europë, … dhe mundohet ta minojë unitetin transatlantik”. Kështu, europianët jo vetëm që do të bënin përpjekje për çfarëdo skenari të mundshëm, por në të njëjtën kohë do të shpresonin që bashkëpunimi tradicional SHBA-BE ose NATO-BE do të ishte triumfues dhe t’i tejkalonte preferencat elektorale!

Ka të ngjarë që, në rrethanat në të cilën bashkëpunimi SHBA-BE nuk do të ishte në një nivel të kënaqshëm për europianët, këta të fundit edhe më tepër të çojnë para dhe të nxisin idenë e autonomisë strategjike ose të sovranitetit europian, përmes së cilës synohet që BE-ja të shndërrohet në një aktor të vërtetë, që vendos për fatin dhe sigurinë e tij! Megjithatë, në bazë të dokumenteve zyrtare të BE-së, prapëseprapë kjo autonomi i kontribuon pozitivisht sigurisë globale, madje është plotësuese e NATO-s, si një themel i mbrojtjes kolektive. (European Union External Action, 2022).

Në kuadër të gjithë kësaj çfarë po ndodh në Europë ose ndryshimeve të gjithanshme, për realitetin shqiptar e rëndësishme është përforcimi i institucioneve shtetërore si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Fuqizimi i tyre, në radhë të parë, duhej të ndodhë edhe për faktin e thjeshtë, sepse ai e rrit rendimentin e shtetit për t’u ballafaquar me situata të llojllojshme, si sociale, ekonomike, të sigurisë etj. Tashmë do të ishte naive të besohej se çështja shqiptare qëndron ose do të qëndrojë lart në listën e prioriteteve të shteteve të mëdha, siç ishte rasti në fund të shek. XX! Të gjithë jemi të vetëdijshëm që Perëndimi (SHBA-ja, BE-ja e NATO-ja) ka përballë sfida, qoftë në Europë ose në rajone të tjera të botës, të cilat detyrimisht ia imponojnë radhitjen e prioriteteve sipas nivelit të rreziqeve.

Shqipëria jo vetëm që obligohet t’i përmbush reformat dhe kërkesat të cilat BE-ja ia rekomandon më qëllim që të shpejtohet rruga e saj drejt anëtarësimit dhe kësisoj të jetë lider në rrugën euro-integruese në krahasim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, por edhe në kuadër të NATO-s ta plotësojë detyrimin e saj në çështjen buxhetore kur vjen në shprehje shpenzimi i 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm, një detyrim ky të cilin edhe administrata e mëparshme amerikane ua kishte kërkuar aleatëve, mbi të cilën shprehte pakënaqësi ndaj shpenzimeve të vendeve anëtare!

Në rastin e Kosovës, përveçse duhet të përkushtohet e të çimentohet përafrimi dhe harmonizimi i saj me BE-në, Republika e Kosovës subjektivitetin e saj pa dyshim që do ta përforconte duke i thelluar raportet mbi bazën bilaterale vis a vis SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera perëndimore.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X