loader image
December 14, 2024

Feja dhe identiteti politik në Kosovë: prapavijat ideologjike të një qasjeje antropologjike

Dujizings, Ger: 2001. Religion and the Politics of Identity in Kosovo, Columbia University Press, New York

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Libri i antropologut Ger Dujizings “Feja dhe Identiteti Politik në Kosovë” (2001) është ndër tekstet më të njohura mbi Kosovën gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Nëpërmjet ndërthurjes së punës në terren me burimet e dorës së dytë, autori ka zhvilluar një analizë të detajuar mbi pakicat etnike, marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë pas konflikteve të fundviteve 90-të. Ashtu sikundër edhe tekste të tjera të botuara nga autorë të huaj mbi analizën e shoqërisë së Kosovës (siç është për shembull studimi i Denisa Kostovicova “Kosovo: Politics of Identity and Space” botuar në vitin 2005), pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm në shqyrtimin dhe interpretimin e të dhënave parësore, kur vjen momenti i konsultimit të të dhënave dytësore, shpeshherë, ndoshta si rrjedhojë e mungesës së qasjes kritike në interpretimin e materialeve ose thjesht orientimit të gabuar, kanë prirjen që analizën e tyre ta bazojnë në të dhëna të dyshimta, që më së shumti vijnë nga institucionet jugosllave të kohës, dokumentimet e të cilave karakterizoheshin nga politikat nacionaliste të promovuara nga regjimi i Millosheviqit. Me sa duket, edhe studimet mbi Kosovën, po njësoj si gjeopolitika rajonale ose interesat ndërkombëtare të shteteve të ndryshme, janë pjesë e po atyre debateve që priren ta relativizojnë jo vetëm luftën në Kosovë, por edhe prapavijat nacionaliste të Serbisë, duke i barazuar me to politikat për promovimin e shqiptarizmit te shqiptarët e Kosovës gjatë këtyre viteve. Në pjesën dërrmuese të tij, i tillë është edhe libri i Ger Dujizings. Ai është i ndarë në 7 kapituj, që mund të konceptohen si 7 artikuj të ndryshëm që kanë në fokus studimin etnografik të Kosovës. Në katër kapitujt e parë autori na pajis me të dhëna të detajuara që lidhen me eksodin e katolikëve kroatë nga Letnica në fillimvitet e ’90-ta, mandej vijon me konvertimin në myslimanë të romëve nga Graçanica, si dhe një trajtesë të detajuar mbi rolin e misionit françeskan në mbështetjen e kripto-krishterëve në Kosovë. Megjithatë, në interpretimin e tij mbi konvertimin e romëve të Kosovës në myslimanë gjatë kësaj periudhe, autori arrin në përfundimin se “Romët dhe egjiptianët në Kosovë, në të vërtetë janë aq të shumtë në numër sa mund të ndërtojnë lehtësisht një bashkësi etnike më vete” (f.68). Përveç faktit se përbërja etnike dhe fetare e Kosovës, qysh nga vitet e ’80-ta e deri në vitin 2007 ka qenë në një proces transformimi, ndryshimi dhe rikompozimi i vazhdueshëm duket qartë se trajtesa e tij mbi romët dhe egjiptianët e Kosovës mbështetet në versionin e shovinistëve serbë të kohës se “Kosova dhe Metohija përbëhej vetëm nga popullsi rome dhe egjiptiane të shqiptarizuar si dhe sllavë etnikë”. Për më tepër, sikurse shkruan recensuesi i këtij libri, Isa Blumi: “Statusi i autonomisë së Kosovës në periudhën e Jugosllavisë nuk e mundësonte ‘shqiptarizimin’ apo mëtimin e ‘konvertimit’ të bashkësive të tjera etnike apo fetare. Presionet për asimilimin e popullsisë rome dhe egjiptiane nga shqiptarët e Kosovës asnjëherë nuk janë dokumentuar” dhe janë tregues të mënyrës se si propaganda e aparatit ideologjik të Beogradit, edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pavarësisë së Kosovës, vijon të citohet nga studiues të ndryshëm duke u konsideruar si material historik i besueshëm”.
Në kapitullin e pestë “Dervishët shqiptarë kundër ulemave boshnjakë: ringjallja e sufizmit popullor në Kosovë”, autori parashtron një analizë tepër të thjeshtëzuar mbi mënyrën se si kombi dhe ideologjitë kombëtariste janë rindërtuar nëpërmjet dallimeve fetare, ku shqiptarët e Kosovës i përkasin traditës sufiste, kurse pakicat boshnjake në Kosovë janë sunitë. Kjo perspektivë e shpërfill krejtësisht jo vetëm kompleksitetin e ndërlidhjes së kombit me religjionin, por gjithashtu është e bazuar kryesisht mbi stereotipa, a thua se thjesht fakti që pakicat kanë kombësi boshnjake dhe kjo i bën detyrimisht sunitë apo se myslimanët në Kosovë janë tërësisht sufistë, çka nuk është aspak e vërtetë. Në nënkapitullin ku trajtohen polemikat e myslimanëve të Kosovës me Komunitetin Islamik në Ish-Jugosllavi (f.118), Dujizings-i përpiqet ta argumentojë pikëpamjen e tij me “rezistencën që i bënë shiitët e Kosovës autoriteteve zyrtare të myslimanëve të Sarajevës që synonin ta dobësonin politikisht Urdhrin e Dervishëve.” Nga ky argument, shtjellimi i autorit justifikon dy kapitujt e tij të fundit, ku përpiqet të ndërtojë një analizë krahasimore ndërmjet mitologjisë kombëtariste shqiptare te Beteja e Qerbelasë të Naim Frashërit me mitologjinë kombëtariste serbe mbi Betejën e Kosovës të vitit 1389. Veçmas faktit se shpërthimi i nacional-shovinizmit serb të fillimviteve të ’90-ta nis me 600-vjetorin e betejës së Fushë-Kosovës, ku në vitin 1989 u rindërtua edhe njëherë ligjërimi mbi liturgjinë e “luftës së shenjtë” të serbëve ortodoksë kundër pushtuesve myslimanë me rikthimin e imazhit të Kosovës si tokë të premtuar, krahasimi me Betejën e Qerbelasë, siç do të shohim në vijim, pavarësisht elementëve të përbashkëta të martirizimit në emër të një kauze të shenjtë, jo vetëm nuk na shpjegon asgjë mbi mënyrat e ndryshme se si janë instrumentalizuar këto dy mite në lëvizjet nacionaliste respektive, por është edhe politikisht e dëmshme përkundrejt të kuptuarit të nacionalizmin shqiptar.

Instrumentalizimi politik i betejave mitologjike: kurthi i një etnografie të rrezikshme

Në recensionin e saj mbi librin Feja dhe Politika në Kosovë, studiuesja Nathalie Clayer argumenton se “Urdhri i Dervishëve dhe tradita bektashiane në tërësi nuk kanë pasur ndonjë ndikim në Kosovë pasi bektashinjtë përgjithësisht janë të përqendruar në zonat e Shqipërisë Jugore”. Mirëpo, sipas analizës së Dujizings-it, rezulton se myslimanët në Kosovë janë krejtësisht të ndryshëm nga komunitetet e tjera myslimane në Ish-Jugosllavi, çka e bën raportin e tyre me fenë myslimane të jetë “atipik”, të ngjashëm vetëm me traditën bektashiste në Shqipëri. Sikurse shkruan Dujizings-i: “Për shqiptarët, feja është pothuajse e papërfillshme në jetën politike zyrtare, ndërsa nacionalizmi shqiptar nuk ka veshje fetare dhe myslimanët e Kosovës nuk u mbështetën asnjëherë nga myslimanët gjetiu në ish-Jugosllavi ose Ballkan.” Ndonëse ky argument nuk shtjellon tiparet e ngjashme të besimit fetar mysliman në Kosovë me atë në Shqipëri, autori është më tepër i përkushtuar që t’i identifikojë këto ngjashmëri në mitologjinë serbe të Betejës së Kosovës me mitologjinë e Betejës së Qerbelasë. Duke mëtuar të shpjegojë se si imagjinatat fetare rikompozohen në përfytyrime kombëtare, Dujizings-i tregon mënyrën se si nacionalistët shqiptarë, në raste të caktuara, janë përpjekur ta përziejnë kauzën e tyre me elementë fetarë të marrë kryesisht nga bektashizmi, sidomos elementë që kanë prejardhje nga poema e gjatë epike me njëzetepesë këngë “Qerbelaja” (e botuar për herë të parë në 1898), në të cilën saga e Shiizmit rrëfehet edhe njëherë nga poeti i famshëm shqiptar i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Naim Frashëri. E njëjta gjë, sipas tij, ka ndodhur edhe në rastin e instrumentalizimit politik, që i është bërë nga nacionalistët serbë, betejës (me sfond qartësisht fetar) për Kosovën. Sipas Duijzings-it, në të dyja këto beteja mitologjike, secili është paraqitur nëpërmjet këngëve epike dhe vargjeve popullore, “që të dy ruajnë kujtimin e një beteje të humbur në të cilën forcat e së drejtës u mposhtën nga forcat e së keqes, u sakrifikua një hero kryesor, çka solli detyrimin për ndjekësit që këta të pranonin vuajtjen si hap drejt shlyerjes se fajeve dhe revoltës ndaj tiranisë” (f. 179). Mbi të gjitha, Duijzings-i beson se të dyja këto ngrehina poetike patën peshë të ngjashme në rritjen e nacionalizmave shqiptarë dhe serbë gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Mirëpo, siç kanë vënë në dukje disa nga recensuesit e këtij libri, përveç elementit fetar, këto dy beteja nuk kanë asgjë tjetër të ngjashme për nga stili, përpunimi apo përmbajtja. Siç vëren antropologu Albert Doja, “Epika e Qerbelasë së Naim Frashërit asnjëherë nuk u shndërrua në një simbol politik të nacionalizmit shqiptar. Në ndryshim nga kjo, miti i Betejës së Kosovës u bë kaq i fuqishëm pikërisht sepse ishte i rrënjosur në folklore dhe në kulturën kishtare të nacionalizmit serb. Miti serb i Kosovës dhe poezia epike u zhvilluan në një proces të gjatë përpunimi të traditave orale dhe atyre kishtare” (Doja: 2005). Përmbajtja fetare e mitit qe e dokumentuar nga Kisha Ortodokse, e cila u kthye në ndër instrumentet më të fuqishme identitare të nacionalizmit serb. Pas rënies së komunizmit dhe federalizmit në Jugosllavi, “kisha ortodokse serbe e ringjalli nacionalizmin duke organizuar dy linja ritualesh “kombëtare”: pagëzimet në masë të serbëve dhe malazezëve në Kosovë dhe, gjatë viteve 1988-1989, “procesioni” i relikteve të Car Llazarit nëpër fshatrat e banuara nga serbët, nga Kroacia dhe Bosnja e deri në Kosovë, ku edhe u rivarrosën përfundimisht pas një ceremonie funerale shenjtërimi.” I gjithë ky “procesion” riktheu edhe njëherë imazhin e Kosovës si tokë të shenjtë, rrugëtim përfundimtar dhe epiqendër liturgjike të Kishës Ortodokse Serbe për të rivendikuar simbolikisht humbjen e pësuar në vitin 1389 në Betejën e Kosovës. Pasi Kisha Ortodokse Serbe riktheu princin “heroik”, tashmë periudha e tranzicionit pas shpërbërjes së federalizmit do të konsiderohej si “fillim i ri” dhe “rilindje” për rikthimin e Serbisë në tokën e premtuar nëpërmjet një misioni të ri heroik, kësaj here në duart e nacionalistëve serbë. Krejt ndryshe qëndron funksioni i Betejës së Qerbelasë për nacionalizmin shqiptar. Në dallim nga mitologjia e Betejës së Kosovës, e cila mbështetet kryesisht në kundërtinë, antagonizmin dhe agresionin e një grupi fetar kundrejt të huajve armiqësorë, te Beteja e Qerbelasë, “Naim Frashëri është parësisht i interesuar në ilustrimin dhe aktualizimin e kundërtive etike (Zoti kundër Djallit, e vërteta kundër gënjeshtrës, drita kundër errësirës etj) sa në nivel njerëzor universal po aq edhe në nivel vendor, historik dhe kombëtar” (Doja: 2022).

Djalli dhe Perëndija
Dhe parrajsa e skëterra
E gjithë ç’janë të tjera,
Te njeriu gjithë janë,
Ata që dinë, kshu thanë,
I gjen ndaj teje të tërë
Kë të duash, atë zërë.
Do zërë Imam-Hysenë
Do Jezitn’ e Mavijenë
Njëri të nxjerr te shpëtimi
E tjatëri ne mundimi.

(Qerbelaja XIII 448-459)

Kësisoj, përtej materialit të pasur etnografik që autori ka arritur të mbledhë, ajo çka mungon në librin e Dujizings-it është mprehtësia analitike dhe antropologjike për të kuptuar përsiatjet poetike dhe intelektuale të Naim Frashërit te Qerbelaja, të cilat e ritregojnë sagën e shiizmit si një fe të viktimave të persekutimit dhe jo të rivendikimit dhe ripushtimit të një “toke të shenjtë”, që në rastin e instrumentalizimit të Betejës së Kosovës mund të realizohet vetëm përmes asgjësimit dhe eliminimit të Tjetrit. Beteja e Qerbelasë te Naim Frashëri nuk është veçse rezistenca e një populli ndaj persekutimit, ndërsa në rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kjo epikë, sikurse edhe Istoria e Skënderbeut ose veprat e tjera të Naimit, vijojnë të mbeten aktuale në kontekstin e një komuniteti që ende kërcënohet nga ambiciet politike shoviniste të Serbisë për marrjen e “Tokës së shenjtë”. Siç duket nga dhjetëra recensione që ka pasur në dy dekadat e fundit, ky tekst tashmë është i njohur nga studiues dhe akademikë vendas dhe të huaj e, për këtë arsye, sidomos tek lexuesit e huaj, libri Feja dhe Identiteti Politik në Kosovë sjell një përfytyrim të caktuar mbi marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë. 23 vjet pas botimit të këtij libri, Kosova tashmë është një shtet me përfaqësim të gjerë të pakicave etnike në parlament pavarësisht shkallës së lartë të homogjenitetit. Punimi i Ger Dujizings-it nuk është veçse një rikujtesë e transformimeve dhe rikompozimeve identitare që kanë ndodhur në Kosovë qysh nga periudha e luftës, por edhe rolit që kanë luajtur mitet dhe feja në rindërtimin e përkatësisë kombëtare të një komuniteti që ka kaluar nga autonomia, në luftë për pavarësi e tanimë i organizuar në formën e një shteti multietnik.

* Për shkak të natyrës së revistës, janë hequr të gjitha referencat.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X