loader image
December 13, 2024

Fatura e të gjitha kompromiseve me Kosovën – në tavolinën e Albin Kurtit

Albin Kurti e ka rastin të bindet se pararendësit e tij, sidomos Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti jo vetëm që nuk kanë qenë tradhtarë, si i etiketonte Kurti me bandat e tij, por kanë bërë shumë më tepër sesa që Kurti, kryeministër, sot mund të ëndërrojë.

Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Edhe pse Albin Kurti ka hyrë në skenën politike dhe ka ardhur në pushtet me sloganin “Jo negociata, vetëvendosje”, ai tashmë ka hyrë thellë në negociata me Serbinë, madje edhe për çështje banale siç është çështja e targave të veturave. Çka ka ndodhë me Albin Kurtin e dikurshëm, që zdërhallej mitingjeve e shkërryhej shesheve, sulmonte e digjte institucionet, sulmonte zyrtarët qeveritarë, shpallte tradhtarë secilin që kishte ndonjë kontakt me serbët në Procesin e Vjenës e në Procesin e Brukselit? Cinikët mund të bëjnë pyetjen retorike: “Albin, a je ti?”, për ta portretizuar një person të shfytyruar politikisht deri në masën sa më nuk njihet në është ai apo nuk është. Ndërsa simpatizantët e tij thjesht nuk arrijnë ta kuptojnë që Kosova ka problem shumë më të madh sesa “guximin” e liderit. Pra, nuk është problem guximi i liderëve. Problem themelor është dobësia e Kosovës. Pse? Sepse përveç konfliktit me Serbinë, Kosova, që nga fillimi i krizës së ish Jugosllavisë në vitet e nëntëdhjeta e deri më sot, ka problem me faktorët ndërkombëtarë. Faktet janë kokëforta: fillimisht Kosova u injorua nga Komisioni i Badenterit. Mandej u mor në dorë ad hoc nga Grupi i Kontaktit, që e organizoi Konferencën e Rambujesë. Pastaj, pas bombardimeve të NATO-s, kaloi në kompetencë të OKB-së. Më vonë, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së një segment të problemit të Kosovës (dialogun me Serbinë) e kaloi edhe në duart e Bashkimit Europian. Natyrisht, këto gjëra i ka ditur mirë Albin Kurti, në çdo fazë e në çdo detaj. Por, duke luajtur rolin e një Robin Hudi, ndër vite ka sulmuar, dobësuar e kompromentuar institucionet e brishta të Kosovës, pra e ka sulmuar palën e dobët. Me ato taktika zjarrvënëse e ka fituar pushtetin. Por, tash është edhe vetë viktimë e pozitës që i është rezervuar Kosovës nga faktorët ndërkombëtarë, si shtet i konceptuar prej tyre për të dështuar.

Albin Kurti në “labirintin e vet”

Fanatikët e Kurtit e meritojnë një shpjegim korrekt se përse po i ndodhë ky plastenilizim heroit të tyre të legjendarizuar. Përgjigja për modifikimin e qëndrimeve të Kurtit është e thjeshtë, gati argëtuese: Albin Kurtit nuk po i ndodhë asgjë që nuk u ka ndodhë para tij edhe udhëheqësve të tjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovës, Bajram Rexhepit, Nexhat Dacit, Fatmir Sejdiut, Hashim Thaçit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Abdullah Hotit. Pra, Albin Kurtit po i ndodhë i njëjti trajtim me të cilën janë trajtuar nga institucionet ndërkombëtare edhe pararendësit e tij. I vetmi dallim është se Kurti me taktikat e tij zjarrvënëse dhe anarkiste, sa ishte opozitar, i ka ndihmuar institucionet ndërkombëtare për të qenë më efikase me presionet e tyre mbi Kosovën. Ky është i vetmi dallim i tij me pararendësit e tij, po edhe me konkurrentët e tashëm të tij, të cilët po bëjnë opozitë konstruktive e jo destruktive, siç e bënte Kurti.

Në detyrën si kryeministër, Kurti po detyrohet të kolovitet edhe vetë në “Shtratin e Prokrustit”, që është konstruktuar që nga Konferenca e Rambujesë, Marrëveshja Teknike-Ushtarake, rezoluta 1244, Marrëveshja Hakerup-Qoviq e 5 nëntor 2001, Gjashtë Pikat e Ban Ki Munit 26 nëntor 2008, Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, e cila esencialisht është kompilim i të gjitha dokumenteve, qëndrimeve dhe vendimeve e propozimeve të huaja, të bëra për Kosovën postrambujeane. Zbatimi i tyre nga Albin Kurti e zbulon një gjë të hidhur për aspektin moral të politikave të tij: ose e ka pasur keq atëherë, kur fyente e etiketonte barbarisht, ose e ka keq tash, kur ka hyrë në një spirale të kompromiseve evidente. Të dashuruarit në politikat e Albin Kurtit nuk e kanë problem këtë kundërthënie, sepse ata mendojnë se Kurti e ka mirë edhe kur e ka keq. Jashtë përjetimeve të tyre, Kurti tashmë është si në labirint. Mbase titulli i romanit të Markesit, “Gjenerali në labirinthin e vet” mund të asocojë deri diku me dramën e tij.

Pavarësia e Kosovës nuk ishte në plan   

Hyrja e labirintit është Konferenca e Rambujesë. Në Konferencën e Rambujesë ideja e Grupit të Kontaktit ishte e qartë dhe kondensuake: një autonomi substanciale e Kosovës brenda Jugosllavisë së mbetur. Këtë gjë e pati deklaruar solemnisht presidenti i Francës, Zhak Shiraku, në hapje të Konferencës së Rambujesë, me këto fjalë: “Korniza e këtyre bisedimeve është përkufizuar shumë qartë nga Grupi i Kontaktit. Ju do të keni këtu parimet e një autonomie thelbësore. (…) Unë dëshiroj që diskutimet tuaja t’ju udhëzojnë drejt masash praktike nëpërmjet të cilave kjo autonomi e dëshiruar të jetë e siguruar dhe në fakte.” Ndërkaq, Sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbajt, në kujtimet e saj pohon: “Qëllimi ynë ishte arritja e një zgjidhjeje përmes bisedimeve midis Millosheviqit dhe shqiptarëve, e cila do t’i siguronte krahinës një shkallë të madhe vetëqeverisjeje.” Xhejms Pardju, nga ana e vet, e vërteton: “Millosheviqi mund t’i ishte shmangur pavarësisë për Kosovën, por e bëri një gabim strategjik, me peshë kritike, në periudhën ndërmjet tetorit të 1998-tës dhe marsit të 1999-tës. Po të kishte bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare, ta kishte kthyer në normale shkallën e forcave të sigurisë, ta kishte negociuar autonominë për Kosovën dhe t’i lejonte paqeruajtësit ndërkombëtarë ta monitoronin marrëveshjen, ai me siguri se do ta kishte zvarritur pavarësinë e Kosovës dhe mund t’i ishte shmangur pavarësisë si rezultat i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Në vend të kësaj, Millosheviqi zgjodhi konfrontimin, duke e garantuar në të vërtetë më herët pavarësinë.“ Pra, aktorët kryesorë shprehin të njëjtin qëndrim se pavarësia nuk ishte në planet e tyre në kohën kur u mbajt Konferenca e Rambujesë. Fatkeqësisht, as Marrëveshja Teknike-Ushtarake e as rezoluta 1244 e OK të OKB-së nuk kanë evoluar asnjë milimetër nga korniza e ofruar në Rambuje. Rrjedhimisht, edhe administrimi civil e ushtarak pas 10 qershorit 1999 ishte brenda kornizës së njëjtë, të një autonomie substanciale. Ndërsa Plani i Ahtisarit, i cili e propozoi pavarësinë e mbikëqyrur dhe Kushtetuta, që u hartua mbi termat e atij plani, vetëm sa e modifikoi në disa aspekte kornizën rambujeane, por pa u shkëputur plotësisht prej saj dhe produkteve të mëvonshme të OKB-së, sikundër ishin Marrëveshja Hakerup- Qoviq e datës 5 nëntor 2001 dhe Gjashtë Pikat e Ban Ki Munit të datës 26 nëntor 2008. Për të pasur një ide më të qartë lexuesi harrestar, po edhe për t’i kuptuar më qartë problemet e tashme, si ato për targat si për Bashkësinë e Komunave Serbe, ia vlen të evokohen këtu pikat e marrëveshjes Hakerup-Qoviq, të cilat i kanë brenda vetes këto çështje. Ja pikat e Marrëveshjes Hakerup-Qoviq të datës 5 nëntor 2001:

1.“Vendosja e vetadministrimit substancial”

  1. “Konstituimi i gjyqësisë multietnike në Kosovë”
  2. Gjyqtarët e prokurorët serbë do të punonin në komunat me shumicë serbe
  3. Shkollimi i serbëve nga fillorja deri në universitet të jetë sipas sistemit arsimor të Republikës së Serbisë,
  4. Të themelohen medie serbe të pavarura,
  5. Të jepen tabela falas të automjeteve për serbët.

Ndërkaq në dokumentin “Dialogu me Beogradin” të Ban Ki Munit, i cili është miratuar nga KS i OKB-së më 26 nëntor 2008, çështjet që konsiderohen të hapura dhe për të cilat propozohen diskutime janë: policia, doganat, drejtësia, komunikacioni dhe infrastruktura, linjat administrative dhe trashëgimia kulturore serbe. Pra, nëse mund të nxirret një përfundim, që Grupi i Kontaktit, NATO, OKB, OSBE dhe Bashkimi Europian, janë angazhuar për Kosovën, por nuk e kanë pranuar si realitet të pakthyeshëm pavarësinë e saj. Në faza të ndryshme kanë bërë edhe përpjekje për ta restauruar në Jugosllavinë e mbetur. Kur është parë që ajo nuk është e mundshme, e kanë konceptuar si shtet për një periudhë kalimtare. Rrjedhimisht, edhe ideja e shkëmbimit të territoreve e ka të njëjtën adresë, të aktorëve ndërkombëtarë që nuk kanë gjetur një zgjidhje më të mirë dhe në ndërkohë kanë dashur ta mbyllin disi këtë dosje, pra duke e çmontuar Kosovën si “shtet kalimtar”. Meqë ende ka politikanë që trumbetojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, ia vlen t’ua kujtojmë edhe atyre pasojat që mund të prodhonte një iniciativë e atillë shkatërrimtare.

Cili nga planet është më i keq se tjetri

Ideja e shkëmbimit të territoreve ka qenë e ish ambasadorit amerikan në Beograd, Kameron Manter, pastaj e Xhon Bolltonit, e Federika Mogerinit dhe e shumë zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë e europianë. Por, e sigurt është se shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk e zgjidh asnjë problem, përveç që mundëson zhbërjen e shtetit të Kosovës. Ja pse? 1. Problemi më i madh në konfliktin tonë është qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe, sipas së cilës Kosova është “tokë e shenjtë serbe” dhe “Jerusalem serb”. Pra, shkëputja eventuale e veriut të Kosovës nuk ndikon asnjë gram në këtë qëndrim, sepse objektet kryesore të Kishës Serbe janë në Pejë (Patrtiarkana) në Deçan, në Prizren, në Graçanicë, në Gazimestan, pra në thellësi-brendësi të Kosovës. Pretendimet e KOS-së mbesin në këto objekte dhe në këto hapësira. Aspak në veri. 2. Komunat e formuara me Planin e Ahtisarit (Graçanica, Novobërda, Kllokoti janë në qendër e në lindje të Kosovës e jo në veri. Bile, këto komuna kanë ndërlidhje territoriale, konkrete ose lehtësisht të arritshme, (Graçanica, Novo Bërda, Parteshi, Kllokoti) e cila mund të nxitë formimin e një entiteti të ri autonom serb në zemër të Kosovës. Në rast të shkëmbimit të veriut në Luginën e Preshevës, këto territore mund të rebelohen e të kërkojnë bashkim me Serbinë. Rebelimi do të detyronte qeverinë të ndërhynte, ashtu që konflikti i armatosur do të ishte i paevitueshëm. 3. Lugina e Preshevës do të shpërbëhej, meqë nuk do të “shkëmbehej” në pako, po vetëm një pjesë e vogël e saj. Rreziku do të ishte që shqiptarët të spastroheshin etnikisht nga Bujanoci, sepse serbët e Bujanocit (40% e banorëve) nuk do të pranonin të shkëputeshin nga Serbia e të bashkëngjiteshin me Kosovën. 4. Shteti i Kosovës do të dukej si një mall në ankand. Rrjedhimisht, do të mund të tërhiqeshin shumë njohje, nuk do të kishe njohje të reja dhe shteti do të izolohej e do të mbikëqyrej nga Serbia. Praktikisht, do të shndërrohej në një Palestinë ballkanike. 5. Rreziku që konflikti të përhapej në rajon, sikundër i kishte potencialet në vitin 1999, do të ishte minimal, gjë që do të ndikonte vetëm për dështimin e Kosovës si shtet, pa e trazuar rajonin, ngase Serbia me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake e ka të ndaluar të futet në Kosovë, ndërsa shtetet fqinje të Kosovës, Mali i Zi, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, pra kanë mbrojte të plotë kolektive e nuk rrezikohen me asgjë. Rusia, pas rezistencës spektakolare të Ukrainës ndaj agresionit të saj ushtarak, çdo ditë po dobësohet më shumë dhe izolimi i saj ia pamundëson që të involvohet më direkt në një krizë në Ballkan, prandaj kriza të jetë vetëm ndërmjet serbëve lokalë dhe qeverisë së Kosovës. Natyrisht serbëve lokalë mund t’iu vinin ndihma në armë e njerëz me rrugë ilegale nga Serbia e edhe nga Rusia. Mundet edhe nga Franca. Pikërisht kjo mundësi e bën konfliktin të jetë edhe më i rrezikshëm, vetëm për stabilitetin dhe ekzistencën e Kosovës. Në një rast të atillë, konflikti do të gangrenizohej, do të shndërrohej në konflikt që do ta dërrmonte e kompromentonte Kosovën. Dialogu do të shkatërrohej, njohjet do të hiqeshin dhe Kosova do të rikthehej në vatër kronike krize e jo faktor stabiliteti. Pas një kohe të konfliktit dhe pas ndryshimeve të mundshme gjeopolitike, sipas modelit rus në Gjeorgji, veriu do të mund të shpallte pavarësinë dhe funksionalisht të bëhej pjesë e “botës serbe.”

Kërcënimi i ri me zhbërjen e shtetit – nga “patriotizmi i tepruar” i Kurtit

Prandaj Albin Kurti duhet të tregojë maturi në veri e të mos zdërhallet, si në kohën kur ishte opozitar. Konflikti për targat dhe për bashkësinë e komunave serbe është duke e çuar prapë Kosovën drejt copëtimit, gjë që tashmë është testuar me daljen e serbëve nga institucionet e sistemit. Shtyrja e zbatimit të vendimit për targat për dhjetë muaj dhe formimi i bashkësisë së komunave serbe sipas termave të Gjykatës Kushtetuese është e vetmja mënyrë për ta ndaluar copëtimin dhe shpërbërjen e shtetit. Nëse vazhdon me këtë konflikt irracional, rreziku i zhbërjes së shtetit të Kosovës është potencial. Në atë rast ai do të mund të bëhej kryeministri që e ka realizuar zhbërjen e shtetit, për ç’gjë akuzonte të tjerët. Në këtë kontekst, tashmë Kurti e ka rastin të bindet se pararendësit e tij, sidomos Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti jo vetëm që nuk kanë qenë tradhtarë, si i etiketonte Kurti me bandat e tij, por kanë bërë shumë më tepër sesa që Kurti, kryeministër, sot mund të ëndërrojë. Megjithatë, brenda “shtratit të Prokrustit”, ku është e futur Kosova, kushdo që i shtrin gjymtyrët më shumë sesa hapësira e tij, ka rrezik t’i priten, siç u ka ndodhë Thaçit, Sejdiut, Mustafës, Haradinajt e Hotit. Radhën e ka Kurti. Fatura e të gjitha kalkulimeve, komploteve e poshtërsive të komunitetit ndërkombëtar tashmë i është lënë Kurtit në tavolinë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X