loader image
May 22, 2024

Armiqësimi i shqiptarëve me BE dhe SHBA

Më 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet takimi mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po atë ditë që Tirana do të jetë në vëmendjen e institucioneve më të larta të kontinentit e më gjerë, Sali Berisha, me mbështetësit e tij, në aleancë me Ilir Metën dhe partinë e tij, do të organizojnë një protestë, që në publik lexohet si anti-BE.

Çelo HOXHA, Tiranë

Shqiptarët kanë qenë, për një kohë të gjatë, populli më proamerikan në Ballkan dhe në Europë. Besoj se vazhdojnë të jenë, por entusiazmi i tyre duket se ka pësuar lëkundje.

Sheshi “Skënderbej”, më i madhi në Tiranë, nuk është mbushur më me njerëz si ditën që erdhi sekretari i Shtetit të SHBA, James Baker, pak muaj pas rënies së regjimit komunist (22 qershor 1991).

Më 2018, një raport në formë ankete i publikuar nga “Gallup”, në kuadër të samitit të NATO-s, tregoi se, shqiptarët ishin pro rolit udhëheqës të SHBA në NATO në masën 72%. Ndjekësi më i afërt i Shqipërisë ishte Polonia me 56%. Kjo shifër kishte një ulje 4% nga një vit më herët, për të njëjtën çështje.Sipas një ankete nga Euronevs për periudhën 20-29 tetor 2021, kryer nga MRB dhe “Data Centrum” në nivel kombëtar, në rastin e një konflikti mes SHBA-së dhe BE-së, që nuk ka lidhje me Shqipërinë, shumica e shqiptarëve do të rreshtoheshin në krah të BE-së. Pak më shumë se gjysma e qytetarëve, 56,9%, mendonin se Shqipëria duhej të pozicionohet pro BE-së dhe 32,6% pro SHBA-së.

Në një sondazh mbi besueshmërinë e institucioneve, i publikuar gjatë muajit nëntor 2022, kryer nga Barometri në “Euronews Albania”, Ambasada Amerikane renditet si institucioni me besueshmërinë me të lartë me 33.2%, pasuar nga delegacioni i BE me 30.7% dhe OSBE-ja me 23%.

Ajo që bie më shumë në sy në këtë sondazh është fakti që ambasadorja amerikane, Yuri Kim, është më e besueshme për votuesit e së majtës, sesa të djathtës. Socialistët i besojnë ambasadores në masën 59.1%, 31% janë neutralë dhe vetëm 8.7% nuk i besojnë. Të djathtët (demokratët) kanë qasje të kundërt. Ata i besojnë ambasadores në masën 15.8%, 29.4% janë neutralë dhe 53.8% e votuesve të Partisë Demokratike (PD) nuk e besojnë. E njëjta qasje është dhe ndaj ambasadores së BE-së, Christiane Hohmann, e cila është më e besueshme për 59.6% të socialistëve dhe 23% të demokratëve, ndërsa nuk i besojnë 7.3% e socialistëve dhe 40.1% e demokratëve.

Statistikat e besueshmërisë brenda partive kryesore tregojnë një përmbysje në qëndrimin e partive politike ndaj SHBA dhe BE. Në fillim të viteve 1990-të, më proamerikanët, ata që mbushën sheshin “Skënderbej” për ish-sekretarin e Shtetit, Baker, më 1991, ishin votues të Partisë Demokratike (PD). Ndërsa socialistët, të cilët sot rezultojnë më proamerikanë e proeuropianë, janë mbështetësit e Partisë Socialiste (PS), e cila e solli komunizmin në Shqipëri (më 1945-48 kishte emër tjetër – Partia Komuniste Shqiptare dhe Partia e Punës e Shqipërisë pas vitit 1948), vendosi regjimin komunist pas luftës dhe e sundoi vendin për 45 vjet, në një izolim total nga bota perëndimore. Në ato 45 vjet, mijëra shqiptarë u dënuan – me ekzekutim, burg, internim, dëbim ose forma të tjera – vetëm sepse shfaqnin simpati për botën perëndimore, ndiqnin radiot ose televizionet perëndimore, përpiqeshin të arratiseshin për në Perëndim etj. Propaganda antiamerikane dhe antieuropiane, gjatë regjimit komunist, ka qenë e përhershme, pra qytetarët shqiptarë ushqeheshin me urrejtje për Perëndimin. Kuptohet, që mbështetësit më të mëdhenj të PPSH-së (Partia Socialiste e sotme) ishin dhe urrejtësit më të mëdhenj të Perëndimit.

Një përmbysje e tillë e raporteve është e trishtueshme. Arsyet janë të njohura. Gjithçka ka ndodhur në publik.

Para zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, SHBA i kërkoi PD-së, përmes kanaleve të saj diplomatike, që të mos e kandidonte Sali Berishën në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Sinjali ishte i qartë – PD-ja duhet të shkëputej nga influenca e ish kryetarit të saj. Sugjerimi i SHBA-ja nuk u pranua dhe pasojat dihen: PD i humbi zgjedhjet. Cili ishte roli i SHBA-së në humbje? Nuk e përcaktojmë dot me saktësi, por e sigurt është që ajo mbajti anën e qeverisë. Në shkurt 2021, rreth dy muaj para zgjedhjeve, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, pas një takimi me kryeministrin shqiptar u shpreh se me Edi Ramën folëm për qeverinë e re (pas zgjedhjeve). Mesazhi ishte i qartë.

Më 19 maj 2021, SHBA-ja e shpalli Sari Berishën person nongrata. Ende pa u mbledhur parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, ambasadorja e SHBA-së e vazhdoi presionin ndaj PD-së, që, sipas saj, të zgjidhte të ardhmen, jo të shkuarën, të mos izolohej për shkak të interesave personale të një personi (nënkuptimi për Sali Berishën). Më në fund, ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, por çoi në përçarjen e partisë dhe dobësimin e opozitës. Influenca e Berishës, kryetarit më jetëgjatë të partisë, i cili e drejtonte partinë edhe kur formalisht ishte dikush tjetër kryetar, ishte e konsiderueshme. Ai grumbulloi rreth vetes shumë mbështetës të tij dhe PD-ja ende vazhdon të jetë një parti e përçarë, me konflikte të brendshme të mëdha dhe nuk është çudi që të shkatërrohet fare pas një ose dy ciklesh zgjedhore.

Pas SHBA-së, Sali Berishën e shpalli nongrata dhe Britania e Madhe, por dhe BE-ja ka qenë në linjë, megjithëse më e tërhequr, me vendimin e SHBA dhe Britanisë.

Roli i SHBA-së në përjashtimin e Sali Berishës nga politika shqiptare ka ndikuar ndjeshëm në qëndrimin e votuesve të PD-së ndaj SHBA-së dhe BE-së, gjë që reflektohet në besueshmërinë e ulët të tyre, shprehur sipas sondazhit të mësipërm.

Mirëpo, nga retorika po kalohet drejt veprimeve politike kundër politikës perëndimore në Shqipëri. Më 6 dhjetor do të mbahet në Tiranë takimi mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po atë ditë që Tirana do të jetë në vëmendjen e institucioneve më të larta të kontinentit e më gjerë, Sali Berisha, me mbështetësit e tij, në aleancë me Ilir Metën dhe partinë e tij, do të organizojnë një protestë, që në publik lexohet si anti-BE.

Është e pabesueshme ,që pas 30 vjetësh, një pjesë e shqiptarëve do të protestonin kundër influencës së vendeve perëndimore në Shqipëri, duke harruar rolin e tyre në rrëzimin e komunizmit sovjetik dhe, për rrjedhojë, edhe atë në vendet e tjera të Europës, përfshi Shqipërinë, duke harruar rolin e tyre në çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

Protesta, e udhëhequr nga dy ish-presidentë, ish-kryeministra dhe deputetë aktualë, flet më shumë për gjendjen e mjeruar të politikës në përgjithësi dhe të opozitës në veçanti.

Sali Berisha më 1992-1997 ka qenë presidenti i Shqipërisë, më 2005-2013 ka qenë kryeministër i Shqipërisë. Ilir Meta ka qenë kryeministër më 1999-2002, president më 2017-2022, kryetar i Kuvendit më 2013-2017. Të dy, veç e veç, i kanë drejtuar institucionet më të larta të Shqipërisë nga 13 vjet. Kjo do të thotë që në 31 vjet demokraci, në 26 prej këtyre viteve kanë qenë në pushtet Sali Berisha dhe Ilir Meta. Pra, cilësia e institucioneve që ekzistojnë sot, niveli i demokracisë që kemi, është, më së shumti, kontribut i këtyre dy politikanëve. Megjithatë, ata vazhdojnë të luftojnë për pushtet sikur s’kanë qenë kurrë më parë dhe sikur nuk kanë pasur mundësi t’i zbatojnë idetë e tyre. Po armiqësohen me të gjithë, brenda e jashtë Shqipërisë, por nuk tërhiqen nga pozicionet e tyre.

Protesta në ditën e ardhjes së zyrtarëve të lartë të BE-së dhe Ballkanit në Shqipëri flet se drejtuesit e saj nuk dinë diçka elementare: që protestat janë instrument demokratik i lejuar për njerëzit që nuk kanë zë në institucione, e jo për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Ata shumë mirë mund t’i adresojnë shqetësimet e tyre përmes institucioneve. Ata mund t’i përcjellin shqetësimet e tyre dhe në BE përmes rrugëve institucionale. Berisha është deputet, grupimi që ai drejton ka një grup parlamentar. Partia që drejton Meta përfaqësohet me disa deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, pra fuqia institucionale e tyre është e konsiderueshme.

Përqafimi i politikës së rrugës prej këtyre dy politikanëve, sidomos i Sali Berishës që ka përfaqësuar një parti të madhe për 30 vjet, duket si një akt irracional, por nuk është i tillë. Kështu përfundojnë të gjithë ata që jepen pas pushtetit me çdo kusht. Ata bëjnë çdo gjë, veç të mos ikin nga pushteti. Mirëpo, nga ana tjetër, dëmtojnë rëndë interesat e vendit dhe të njerëzve që i ndjekin. Diktatori Enver Hoxha i ndërtonte marrëdhëniet me shtetet e tjera në bazë të interesave të tij – në momentin që i kërcënohej pushteti, ai menjëherë i ndërpriste marrëdhëniet me to. Kështu bëri me Bashkimin Sovjetik më 1960 dhe me Kinën më 1978, duke e çuar Shqipërinë në izolim të plotë dhe duke e rikthyer gjendjen ekonomike të vitit 1945, me triska. Ndryshimi i vetëm ishte që triskat në vitet 1980-të u quajtën tollona.

Një gjë është e sigurt – protesta kundër BE-së ose SHBA-së nuk u ndihmon interesave të shqiptarëve në Ballkan. Kush del kundër tyre, ka dalë, me dashje ose pa dashje, kundër interesave të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nuk ka nevojë ta themi me zë të lartë se kush përfiton prej një politike të tillë dhe se interesat e kujt gjenden në anën e kundërt të interesave të Shqipërisë dhe Kosovës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X