Procesi i mëvetësisë së Kosovës, si dhe zhvillimet politike-shoqërore në arealin shqiptar, ka të ngjarë që te secili prej nesh të kishte krijuar përshtypjen e vendosjes së drejtësisë së munguar. Shenjat e zbehjes së kësaj përshtypjeje filluan me propozimin Ahtisari plus, që në dukje mbante farën e dhënies së të drejtave të “munguara” ndaj pakicës serbe në Kosovë, e që në kushte normale nuk do të ishte fare problem, por që këto të “drejta” më shumë i shërbenin Serbisë për minim të mëvetësisë së Kosovës sesa për gëzim dhe plotësim të të drejtave natyrore.
Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë
Të gjithë mund t`i referohemi historisë si mësuese e jetës. Së këndejmi fillimisht Kongresit të Berlinit, aty kur për së pari herë u hodh në një tryezë të rrumbullakët shumëlaterale edhe çështja shqiptare. Në negociatat e Kongresit të Berlinit u pandeh për zgjidhje të problemeve të shteteve të reja ballkanike si Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Bullgaria. Çështja shqiptare u anashkalua pikërisht për shkak të trajtimit të gabuar. Ky trajtim i gabuar, që zanafillën e ka në filozofinë konservatore europiane, rolin e fuqishëm nacional-racist të Rusisë, degradimin dhe papërgjegjshmërinë e Perandorisë Osmane dhe pozicionin kontradiktor të treshes së atëhershme, aleatëve Austri-Itali-Gjermani, duke e anashkaluar faktorin josllav në Ballkan, krijoi pasiguri dhe turbullira, që deri në ditët e sotme nuk po mund të zgjidhen.
E pranojnë edhe autorë të shumtë të shquar se shqiptarët nuk patën shansin për t`u rritur nën mbrojtjen e Europës, ndërsa sikur ta kishin këtë mundësi, përparimi i tyre do të ishte sigurisht më i shpejtë.
Përgjegjësia e Europës atëbotë për popullin shqiptar nuk qëndron se nuk i ndihmoi si popull e si komb europian që ishin, porse nuk ia dha mundësinë e lirisë që të provoheshin si të tillë.
Pas rënies së komunizmit, diplomacia europiane, e ndikuar tej mase nga diplomacia amerikane, u këndell dhe u zgjua nga hibernacioni i kapluar. Këtij zgjimi i ndihmuan edhe luftërat e përgjakshme në Ballkan, të nxitura nga Serbia dhe politika e saj hegjemone. Diplomacia dhe forca koercitive amerikane, tejet e vendosur kësaj radhe, duke e marrë timonin e vendosjes së drejtësisë, e ndëshkoi politikën serbe fillimisht me bombardimet gjatë luftës në Bosnjë, e më pas gjatë luftës në Kosovë.
Procesi i mëvetësisë së Kosovës, si dhe zhvillimet politike-shoqërore në arealin shqiptar, ka të ngjarë që te secili prej nesh të kishte krijuar përshtypjen e vendosjes së drejtësisë së munguar.
Shenjat e zbehjes së kësaj përshtypjeje filluan me propozimin Ahtisari plus, që në dukje mbante farën e dhënies së të drejtave të “munguara” pakicës serbe në Kosovë, e që në kushte normale nuk do të ishte fare problem, por që këto të “drejta” më shumë i shërbenin Serbisë për minim të mëvetësisë së Kosovës, sesa për gëzim dhe plotësim të të drejtave natyrore. Përveç kësaj, sikur Serbia të kishte bërë denacifikimin e duhur, katarsën e duhur, sikur atje kriminelët e luftës të merrnin ndëshkimin e merituar, sikur të paguheshin reparacionet dhe dëmet e shkaktuara, e krejt në fund, sikur të njihej ekzistimi i shtetit të Kosovës, këto të drejta do të kishin kuptim. Por, fatkeqësisht, u bënë gabime në hapa. Në vend të kushtëzimit të Serbisë, u kushtëzuan shqiptarët e Kosovës (mbase kjo edhe falë asaj se nuk arritëm të çliroheshim vetëm, e që nuk rezistuam si komb ashtu si rezistuan kroatët në luftën e tyre çlirimtare), duke i bërë lëshime Serbisë, nën emrin e përshtatjes së pakicës serbe në Kosovë.
Kur të marrim nëpër mend faktin se tërë këto lëshime, tërë ky arsenal i të drejtave, nuk po shërben për qetësimin e tyre, gjegjësisht të Serbisë, por përkundrazi për trazim dhe për shfaqje të orekseve të mëtutjeshme, që në bazë kanë vetëm një gjë, rrënimin e Kosovës si shtet, kalbëzimin e saj dhe, së këndejmi, ndarjen e saj, ndërsa në anën tjetër kur e shohim kërkesën për ekstraterritorialitetin për pronat e kishës ortodokse, kur e shohim se gjuha serbe është zyrtare edhe në territoret qind për qind shqiptare në Kosovë, aty ku ende nuk është tharë gjaku i njomë i shqiptarëve të masakruar nga Serbia, pa dhënë kjo e fundit llogarinë e duhur, e që edhe më tej të vazhdojë me kërkesa të ndryshme për kompromise, kur e shohim trysninë për kompromis vetëm ndaj palës shqiptare, është më se normale që të dilet me opsione të tjera, si kundërpërgjigje ndaj këtyre zhvillimeve.
Fjala vjen, kur në kancelaritë diplomatike perëndimore dhe jo vetëm, top temë është krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, u plasua ideja për një Asociacion të Komunave Shqiptare, fillimisht në Maqedoninë e Veriut, e më pas edhe në shtetet tjera, ku shqiptarët janë element i rëndësishëm numeroz. Me gjithë përpjekjet për “djallëzim” të kësaj ideje nga njëra anë, e në anën tjetër mosargumentimit si dhe sa duhet të kësaj ideje nga plasuesit, është normale të kërkohet zhvillim dhe përditësim i të drejtave të shqiptarëve kudo qofshin ata. Është dialektikë. Është mision historik. Pse një e drejtë për ndokënd, qenka e padrejtë për ndokënd tjetër? Atëherë le të bëjmë një listë të drejtash, së bashku me një rubrikë se për cilën bashkësi, cilën etni, cilin popull mund të vlejnë këto të drejta e për cilin jo…. Për ta shqyrtuar me të drejtë pastaj se vallë kjo gamë e të drejtave, si e tillë, e mban konceptin e universales??
Nëse qëndrojmë të kënaqur në vetëmjaftueshmërinë tonë, nëse pranojmë që fillimisht të zgjidhen problemet ndërkombëtare (e që nuk do të zgjidhen kurrë), e më pas të nisim shtruarjen e çështjeve tona, kam drojën se do t`ia huqim, ashtu siç ia kemi huqur shumë herë gjatë historisë. Së këndejmi, është e natyrshme të lindë pyetja se pse shqipja të mos jetë gjuhë e plotë zyrtare gjetiu, ashtu siç është serbishtja në Kosovë? Pse edhe më tej shqipja të kumbojë si e huaj këtu te ne, pse aq frikë nga shqipja? Deri kur do të vazhdohet me këtë qasje të ndrojtur ndaj shqipes? Europianizimi nuk nënkupton kundërshtim dhe rezistencë ndaj një gjuhe, po përkundrazi, shumëgjuhësia është vlerë europiane. E për këtë europianizim ka nevojë jo vetëm Kosova, por edhe tërë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në anën tjetër, kur jemi te zhvillimet në lidhje me procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit, nën maskën e të drejtave të komuniteteve pakicë dhe trashëgimisë kulturore e fetare, po e kurthon shtetësinë e Kosovës, e së këndejmi edhe kreatorët e këtij shteti, përfshirë edhe aleatët e Kosovës. Fjala vjen përmes ekstraterritorialitetit, trashëgimisë kulturore e fetare, e së këndejmi edhe Asociacionit, po imponon rrezikshmëri për dezintegrim territorial, ngritje të institucioneve jashtë çdo lloj bashkëpunimi me Prishtinën si qendër e Kosovës, futje të dëmshme të ndonjë strukture midis pushtetit vendor dhe qendror me ndikim e drejtim nga jashtë Kosovës, gjegjësisht nga Serbia. Përmes të drejtave shtesë për komunitetin serb, ajo po krijon rrezikshmëri relative, duke kërkuar avancim të të drejtave të serbëve më shumë se standardet e parashikuara europiane për pakicat etnike, si dhe përtej mundësive reale që i ofron Kosova për qytetarët e saj. Pra, po krijon efektin bumerang, duke tentuar që t’i fusë në kurth shqiptarë në Kosovë, që para bashkësisë ndërkombëtare t`i paraqesë si kundërshtues të të drejtave, të cilat janë fondamentale, e për cilët të drejta vetë shqiptarët kanë hequr të zinjtë e ullirit e, në anën tjetër, duke këmbëngulur në pranimin e këtyre të drejtave për komunitetin serb, do të krijohet një mishmash, që në fakt do ta shpinte Kosovën në një qasje diskriminuese ndaj qytetarëve të pakicave tjera, sepse privilegjet vetëm për njërën pakicë janë diskriminim për pakicat tjera, e qe besa diskriminim edhe ndaj shumicës.
Thënë shkurt e troç, o privilegje e të drejta, e së këndejmi europianizim për të gjithë, o për askënd. Kjo është dhe duhet të jetë formula e marrëveshjes, e aneksit të saj, si dhe e planit të zbatimit.