loader image
October 5, 2024

Kosova, me Asociacion serb, e ka vetëm një rrugë!

Kosova, anëtare e OKB-së dhe me Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe jo që nuk e ka të ardhmen e sigurt, por nuk ka fare të ardhme! Ndryshimin e situatës gjeopolitike dhe të sigurisë të cilën e demonstroi Rusia dhe situata negociatore në të cilën aktualisht ndodhet Kosova përballë Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, shtetit kosovar i lë vetëm një shteg!    

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Epilogu i takimit në Ohër dhe më pas debati ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe opozitës, kryesisht rreth pikës së Aneksit të Marrëveshjes, që flet për implementimin e nenit 7 të Marrëveshjes, e bën situatën shumë më shqetësuese sesa themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili sot është një akt i cili ka shkelë në vitin e tij të tetë qëkur është votuar në parlamentin kosovar!

Raportimi i Kryeministrit Abin Kurti në Parlamentin e Kosovës rreth marrëveshjes së arritur në Ohër, nuk e konfirmoi vetëm hallin e madh që ka shteti kosovar pa opozitë, por edhe situatën e krijuar dhe si sillet qeveria e një shteti pa opozitë! Në debatin parlamentar, si Kryeministri, ashtu edhe opozita, gjithçka thanë për Asociacionin dhe tradhtitë rreth tij, por jo edhe për rrugëzgjidhjen nga kjo situatë, ku përballë, aktualisht, nuk kanë njëri-tjetrin për pushtet, por Serbinë, që cenon ekzistencën e shtetit të Kosovës! Nëse kësaj ia shtojmë dhe ndërmjetësin tmerrësisht të dobët të dialogut Kosovë-Serbi, Bashkimin Europian, situata bëhet shumë serioze!

Meqë i gjithë itinerari i zgjidhjes së çështjes së Kosovës si kryefjalë kishte trajtimin Sui Generis të çështjes, edhe zgjidhja e këtij zotimi kosovar në Bruksel e gjen zgjidhjen pikërisht me një sui generis, pasi që me përfundimin e takimit të Ohrit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dha një ndihmesë të madhe Kosovës kur u shpreh se “Serbia nuk e njeh Planin e Ahtisarit”!

Rreth Asociacionit të përçarë

“Për ta implementuar nenin 7, Kosova i fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese,” ishte kjo pika 7 e Aneksit të Marrëveshjes, që buroi nga takimi i Ohrit, që e revitalizoi opozitën anemike të Kosovës për t’i treguar miletit se sa shumë e do Kosovën, ndonëse kemi të bëjmë me një çështje që Albin Kurti e gjeti në sirtarët e qeverisë së po këtyre partive që sot bëjnë patriotin – LDK e PDK. Dhe, gatishmëria e Kryeministrit të raportojë në parlament me ato që kanë ndodhur në Ohër konfirmoi se Kosova është në hall vetëm sepse ka një opozitë kaq të dobët përballë një Qeverie që tashmë vërtetë ka marrë kot!

Strategët e komunikimit mund ta kenë mësuar Kryeministrin Albin Kurti se si të sillet përballë një opozite kaq të dobët, por këta strategë është dashur që debatin në parlament ta përdorin për të sqaruar qytetarin, sepse Lulmir Abdixhiku dhe Memlqi Krasniqi ka kohë që kanë konfirmuar se mendjen e kanë te pushteti!

“Vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje as vetadministrim.”, tha Albin Kurti, duke i kërkuar opozitës që të mos përdorë nocione të skajshme, por të gjithë ata që i kanë thënë Kryeministrit të Kosovës që zgjidhjen mund ta gjejnë në nocionet e Asociacionit janë të shkollës europiane, që, ashtu si zgjidhjen, edhe temperamentin e kanë zgjidhje, të cilën nuk e kanë harmonizuar me temperamentin e shqiptarëve në Kosovë. Aq më shumë, kur pas përvojave në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, Kosova del para Serbisë me një performancë të këtij lloji, gjë që situatën e bën edhe më serioze.

Pasardhësi i Ibrahim Rugovës, që të ardhmen e Kosovës e sheh në miqësi të përhershme me SHBA-në dhe NATO-n, Lumir Abdixhiku, u shpreh me keqardhje “për të mashtruarit, të përdorurit, të shfrytëzuarit dhe, mbi të gjitha, për humbjen e kohës së Republikës së Kosovës”, pasi, sipas tij, Asociacioni ishte pranuar në Marrëveshjen e Ohrit, pa i përfillur kushtet që i kishte vënë në fillim të muajit shkurt vetë Kurti, që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet vetëm pas njohjes reciproke, edhe kur dihet qartë kërkesa e aleatëve strategjikë.

Ndërsa pasardhësi i Hashim Thaçit ishte alarmuar pas intervistës së Kryeministrit Kurti në televizionin publik, RTK, ku Memli Krasniqi kishte konstatuar, ndërkohë e shprehu nga foltorja e parlamentit, se “Kryeministri i Kosovës me një fjali mbrëmë e ka përmbysur të gjithë jetën e tij politike. Po, ka Asociacion dhe ka pasur Asociacion sa herë që ky ka thënë që nuk ka Asociacion!”. Dhe jo vetëm kaq! “Me marrëveshjen në Ohër Kurti ka rrezikuar t’u japë autonomi politike serbëve të Kosovës”, tha Memli Krasniqi nga foltorja e parlamentit, që në rastin më të mirë mund të jetë retorikë politike e liderit të PDK-së, por nëse i fusim në një thes me homologun e tij nga LDK-ja, nuk mund të dalin me një petk më ndryshe politikani sesa Ramush Haradinaj kur e “zgjidhi” çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi vetëm në postin e kryeministrit!

Në këtë situatë, a mund të marrë rrugëzgjidhje kjo situatë kur qeveria me opozitën nuk janë të përbashkuara as rreth një pike të vetme, e lëre me rreth Aneksit të Marrëveshjes, ndërkohë që Kosova duhet ta shfrytëzojë situatën gjeopolitike dhe të sigurisë me të cilën po përballet Bashkimi Europian pas situatës së krijuar me pushtimin e Ukrainës nga Rusia!

Asociacion me NATO-n, jo OKB!

Retorika që përdorë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prag të çdo takimi me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke përfshirë edhe atë të Ohrit, deri më sot ishte ushqim vetëm për opozitën kosovare pas çdo epilogu të takimeve, jo falë aftësive të Vuçiqit, por qëndrimeve politike europiane të Kurtit!

Që Presidenti i Serbisë nuk e pranon Planin e Ahtisarit, kjo nuk është hendikep për Kosovën si palë negociatore dhe realitet i krijuar në Europë, por një fakt i cili duke pasur parasysh shumë elementë të marrëveshjes së 27 shkurtit, në veçanti ajo që ka të bëjë me kishat e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, do të kalojnë jo si kompromise të dhimbshme që i ka pranuar Kurti, që trumbetohen nga opozita kosovare, por kompromise të dhimbshme që janë pranuar një herë me Planin e Ahtisarit dhe sot i kemi në Kushtetutën e Kosovës. Këtu nuk duhet harruar nenin që si çekiç qëndron mbi kokën e çdo kosovari, se Plani i Ahtisarit e prevalon Kushtetutën e Kosovës!

Dhe, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara! Ndonëse përvojat e Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës na mësojnë se fakti që ishin këto shtete anëtare të OKB-së nuk e pengoi Sllobodan Millosheviqin ta sulmojë dhe përgjakë si tokën kroate ashtu dhe atë boshnjake, madje në atë të Bosnjës kreu dhe masakrën më të tmerrshme pas Luftës së Dytë Botërore, qeveritë kosovare sërish vazhdojnë t’i mëshojnë idesë se Kosova si nevojë imediate e ka anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Edhe pse momenti negociator, në të cilën ndodhet është shumë kompleks dhe gjëja e fundit që i duhet në situatën gjeopolitike dhe të sigurisë në të cilën ndodhet shteti i Kosovës është anëtarësimi në OKB! Aq më shumë kur në këtë moment negociator nga Kosova kërkohet themelimi i Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe!

Që Kryeministri i Kosovës dhe asnjë qytetar i këtij shtetit të mos kompleksohet ta thotë me zë të lartë se me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i hapet rruga Serbisë për aneksimin veriut, duhet ta ketë pike reference Rusinë, e cila aneksoi Krimenë nga Ukraina, edhe pse ajo ishte shtet anëtar i OKB-së! Dhe, me fillimin e pushtimit rus, Suedia dhe Finlanda, si anëtare të OKB-së dhe fansa të neutralitetit ushtarak, nuk qëndruan të qeta pse ishin anëtare të OKB-së, por kërkuan anëtarësim të përshpejtuar në NATO, në mënyrë që të vazhdojnë të ekzistojnë si shtet.

Sot, Kosova, sikur edhe mos të kushtëzohej me Asociacion ose Vetëmenaxhim të serbëve, nevojë imediate e ka ekzistencën si shtet dhe jo ato që e kërkon opozita kosovare! Meqë, gjithçka që ka arritur deri më sot Kosova është mbështetur nga Perëndimi në emër të parimit “sui generis”, edhe kërkesa për anëtarësim në NATO duhet të jetë garancia e vetme për Kosovën përballë një Serbie ekspansioniste dhe tashmë edhe më të armatosurën në Ballkan, pa u kompleksuar fare dhe duke e thënë qartë se i duhet ky anëtarësim thjesht për mbrojtjen kolektive që e ofron Aleanca Veriatlantike duke pasur parasysh: “Mbrojtja kolektive do të thotë që një sulm ndaj një aleati konsiderohet një sulm ndaj të gjithë aleatëve.”

Në vitin 1949, qëllimi kryesor i Traktatit themelues të NATO-s ishte krijimi i një pakti të ndihmës së ndërsjellë për të luftuar rrezikun që vinte BRSS-ja, pasi Moska kërkonte ta shtrinte kontrollin mbi Europën Lindore, në Ballkan dhe në pjesët e tjera të botës.

Sot, fatkeqësisht, Rusia nuk po kërkon, por vazhdon dhe shtrihet në Bosnjë e Hercegovinë, ku dita e ditës po e zhvlerëson dhe Marrëveshjen e Dejtonit, atje falë satelitëve të tij, Aleksandar Vuçiq dhe Millorad Dodik, si dhe politikës së vakët që e drejton Bashkimi Europian në këtë shtet që nuk u bë dot shtet vetëm pse drejtohet nga një mision europian.

Se çfarë nuk i lejohet Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, këtë e ka thënë qartë Gjykata Kushtetuese, ndërsa se çfarë nuk mund të bëjë Serbia me këtë Asociacion kjo është thënë qartë në nenet 4 dhe 5 të Traktatit të NATO-s, që do ta garantonin Kosovën si shtet anëtar të NATO-s dhe jo të OKB-së.

”Palët do të këshillohen bashkërisht kurdoherë që, sipas mendimit të cilësdo prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e cilësdo prej palëve.”, thotë neni 4 i Traktatit të NATO-s, i cili përveç se do ta ndryshojë retorikën e Aleksandar Vuçiqit me armatimin rus që i ka bërë Serbisë, do ta qetësonte edhe veriun me kriminelët serbë, të cilët do të sqaroheshin një herë e mirë për të zotin e integritetit territorial të Kosovës dhe çmimin që do të kishte përpjekja për ndryshimin e këtij realiteti!

E për pasardhësit e Aleksandar Vuçiqit, që nuk e kanë përjetuar në vepër forcën e NATO-s dhe atyre u mbushet mendja ta sulmojnë Kosovën, pasi ta kenë parë në një ditë t’i bukur hambarët e tyre plotë me armatim, e vetmja gjë që do t’i ndalojë është neni 5 i Traktatit të NATO-s, që u jep fund një herë e mirë edhe historive më Serbinë si fuqi ushtarake në Ballkan: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre në Europë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve dhe, për rrjedhojë, ata bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë i armatosur, secila prej tyre, duke ushtruar të drejtën e vetëmbrojtjes individuale ose kolektive, të njohur nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë palën ose palët e sulmuara, kështu duke marrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me palët e tjera, një veprim të tillë, siç e gjykon të nevojshme, përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut.”

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X