loader image
October 6, 2024

Dokumenti antikombëtar i Akademisë së Kosovës

Sintagma “komb kosovar” për herë të parë literaturën shqipe përmendet në poemën e Mitrush Kutelit [1907-1967] të vitit 1941 kushtuar Kosovës. Që nga fillimi i viteve të 1990-ta autori i këtyre rreshtave e ka përdorur këtë term vazhdimisht në shtypin e kohës në Tiranë, Shkup e Prishtinë, i bindur se lindja e kombit kosovar është pashmangshmëri historike.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Programet kombëtare të kombeve ballkanike

Rumunët

Të gjitha kombet ballkanike në procesin e tyre të komb-formimit kanë pasur platforma për kahet e zhvillimit të tyre nga njerëzit e tyre më të ditur. Kështu, bojari i madh i Principatës së Vllahisë, Jan Kantakuzeni më 1790 hartoi projektin për Republikën Aristo-Demokratike. Pra, vetëm një vit pas Revolucionit Francez të vitit 1789. Nëse do ta krahasonim me projektin e parë për shtet shqiptar, të hartuar më 1899 nga ideologu kombëtar shqiptar Sami Frashëri [1850-1904], “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, i bie se rumunët janë zgjuar nga gjumi mesjetar fiks 109 vite para shqiptarëve.

Grekët

54 vite mbas rumunëve dhe 55 vite para shqiptarëve, grekët do të bëhen me programin e tyre të parë kombëtar të quajtur “Megali Idea” (Ideja e Madhe). Hartues i këtij projekti më 1844 ishte kryeministri grek i asaj periudhe Janis Koletis (1774-1847). Projekti parashihte forcimin dhe zgjerimin e Greqisë me synim që të pushtohej Stambolli dhe të bëhet kryeqytet i Greqisë. Ky synim nuk u arrit asnjëherë, por falë këtij programi kombëtar Greqia brenda 74 viteve u katërfishua.

Bullgarët

Bullgarët ishin më të vonshëm se rumunët e grekët, por gjithsesi me të hershëm se shqiptarët. Më 1861, Georgi Rakovski (1821- 1967) hartoi programin e parë kombëtar bullgar me titull “Projekti i çlirimit të Bullgarisë”. Programi përcaktonte renditjen e hapave deri në krijimin e shtetit bullgar. Hapi i parë, sipas Rakovskit, ishte pavarësimi i Kishës Bullgare. Kjo ndodhi vetëm 9 vite pas (më 1870), por Rakovski nuk e priti, sepse vdiq 3 vite para se kjo të ndodhte.

Më 1878 Bullgaria e fitoi autonominë e saj, e më 1908 pavarësinë, por mbeti pa Maqedoninë. Më 1912/13, gjatë luftërave ballkanike, Bullgaria mori vetëm një cep të vogël të Maqedonisë, ndërsa hisen e luanit në Maqedoni e morën Serbia e Greqia. Për më tepër, pjesa serbe e Maqedonisë u ngjiz si një komb i veçantë.

Serbët

Në po të njëjtin vit me grekët, pra më 1844, edhe serbët u bënë me program kombëtar. “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1812-1874), atëherë ministër i Brendshëm i Principatës së Serbisë, e më vonë ministër i Jashtëm dhe dy herë kryeministër i Serbisë. Garashanini e hartoi programin se sa do të zgjerohet Serbia dhe si do të arrihet ky zgjerim. Programi i tij synoi krijimin e Jugosllavisë, gjë që u arrit në faza brenda 74 viteve pas hartimit të këtij projekti. Gjatë kësaj periudhe Serbia zhvilloi 5 luftëra dhe e dhjetëfishoi territorin e saj. Politika e jashtme që e projektoi Garashanini mbeti busull e Serbisë për 180 vitet në vijim. Ajo konsiston në marrëdhënie vëllazërore me Rusinë dhe marrëdhënie të ngushta miqësore me Perëndimin. Duke pasur marrëdhënie vëllazërore me Rusinë, Perëndimi do të na respektojë më shumë – thotë Garashanin – dhe duke pasur lidhje të ngushta miqësore me Perëndimin, Rusia nuk do të mund t’i shesë interesat serbe ashtu si i shet vëllai i madh interesat e vëllait të vogël. Rezultatet kulmore të kësaj politike u arritën në kohën kur shteti serb (Jugosllavia) udhëhiqej nga kroati Tito.

Megjithëkëtë, serbët në sfidat e tyre historike u përpoqën ta mbindërtojnë projektin e Garashaninit. Vuk Karaxhiqi (1787-1964), përmes projektit “Srbi svi i svuda” (“Serbët, të gjithë e gjithkund”), apeloi që serbët të formësohen si komb multifetar, por ky projekt nuk pati sukses.

Më 1941 Stevan Moljeviqi (1888-1959), me projektin “Homogena Srbija” (Serbia homogjene), tentoi krijimin e një Serbie të madhe të spastruar etnikisht. Ky projekt solli shumë viktima gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dështoi.

Pak vite para rënies së murit të Berlinit, elita intelektuale serbe e kohës i nuhati ndryshimet gjeopolitike globale dhe tentoi që të ofronte një program kombëtar serb konform këtyre sfidave. Kjo gjë ndodhi më 1986, kur Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve hartoi një memorandum, i cili në fakt ishte variant i zbutur i “Serbisë homogjene” të Stevan Moljeviqit. Këtë program e vuri në jetë Sllobodan Millosheviqi [1941-2006], ndërsa pasojat qenë fatale për kombin serb.

Programi Kombëtar Shqiptar

Më 1899 ideologu kombëtar shqiptar Sami Frashëri [1850-1904] ka shkruar të vetmin program kombëtar që e posedojnë shqiptarët, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Programi i Samiut ishte një analizë e shkëlqyeshme e së kaluarës dhe situatës së atëhershme aktuale shqiptare. Fakti se ky program nuk arriti të realizohet në tërësi flet për mangësi të tij. Mangësia kryesore e këtij programi ishte fakti se Samiu shpjegonte se si mund dhe duhet të jetë Shqipëria, por jo edhe si të bëhet një Shqipëri e tillë. Edhe pse i mangët si program, drafti i Samiut paraqet një bazë filozofike për kombin shqiptar, vijat e së cilës filozofi janë të dukshme në tërë historinë moderne shqiptare mbi 120-vjeçare. Jo vetëm mangësitë e këtij programi, por edhe rrethanat e tjera bënë që etnia shqiptare të mos etablohet në një komb të vetëm.

Sado që pjesa e etnisë shqiptare që mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar të vitit 1913 u përpoq ta injorojë si fakt lënien jashtë kufirit shtetëror gjatë gjithë kësaj kohe dhe ta kuptojë të qenët jashtë kufijve vetëm si okupim të përkohshëm, zgjatja e madhe e kësaj “përkohësie” bëri që të krijohen themelet edhe për një komb tjetër nga gjiri i etnisë shqiptare: kombit kosovar. Natyrisht, për dallim nga etnia që është fakt fizik, kombi është një rezultat politik.

Kombi kosovar dhe programi i tij

Sintagma “komb kosovar” për herë të parë literaturën shqipe përmendet në poemën e Mitrush Kutelit [1907-1967] të vitit 1941 kushtuar Kosovës. Që nga fillimi i viteve të 1990-ta autori i këtyre rreshtave e ka përdorur këtë term vazhdimisht në shtypin e kohës në Tiranë, Shkup e Prishtinë, i bindur se lindja e kombit kosovar është pashmangshmëri historike. Në fund të viteve të 1990-ta, pikërisht më 26.09.1999 në gazetën më të madhe të kohës në Kosovë, “Koha Ditore”, botova editorialin me titull: “Kosova ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet dhe si do të bëhet?”. Kjo ishte përpjekja e parë për një program kombëtar kosovar. Disa nga vijat e këtij programi po i përkujtoj këtu më poshtë:

-Shqiptarët e Kosovës nuk duhet ta bëjnë një mohim ndaj Shqipërisë dhe historisë shqiptare siç vepruan bullgarët e Maqedonisë (maqedonët), por duhet ta kuptojnë se Kosova ka nevojë për një infrastrukturë politike më të lartë e më cilësore se atë që ka Shqipëria dhe njëkohësisht të punojnë e të luftojnë për këtë.

-Kosova nuk ka nevojë për një gjuhë dhe një alfabet të ri siç bënë bullgarët e Maqedonisë (maqedonët), por sidoqoftë kjo nuk do të thotë që kosovarët të mos i kushtojnë kultivimit të gjuhës shqipe rëndësi më të madhe se ajo që i kushtohet në Tiranë. Nëse në Tiranë lejojnë të futen greqizma, sllavizma, italianizma, kjo nuk është e thënë që kjo të lejohet edhe në Kosovë. Dhe, nëse për këtë nuk gjendet mirëkuptim në Tiranë, nuk ka gjë të keqe të përdoret termi “standardi kosovar i gjuhës shqipe”. Tek e fundit kemi tri variante të anglishtes standarde [britanike, amerikane, australiane] dhe mund t’i kemi edhe 2-3 variante të shqipes standarde po që do të jetë nevoja.

– Nëse synimi shqiptar në Kosovë është që Kosova të jetë një shtet i pavarur, atëherë kjo nuk mund të arrihet pa u formësuar kosovarët si komb. Kushtet ekzistuese në Kosovë, pas okupimit të saj nga ana e ushtrive të NATO-s, janë ideale për këtë. Vetëm se duhet ditur të shfrytëzohen. Për këtë qëllim në interesin e Kosovës e Shqipërisë, në interesin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe, përgjithësisht, në interesin e trungut etnik shqiptar është të jenë sa më kooperativë me forcat ndërkombëtare në Kosovë. Por, jo të jenë servile ndaj tyre. Fatkeqësisht, aktualisht në Kosovë qasja politike ndaj organizmave ndërkombëtarë në Kosovë po zhvillohet në dy drejtime shumë të rrezikshme për perspektivën e Kosovës. Njëra është servilizmi, ndërsa tjetra është qasja armiqësore ose, më mirë të themi, karshillëku ndaj organizmave ndërkombëtarë, që veprojnë në Kosovë. Që të dyja këto janë fatale për ardhmërinë e Kosovës. Për t’iu shmangur kësaj është e nevojshme që Kosova dhe kosovarët të krijojnë një strategji, e cila do t’i çojë nga pavarësia e Kosovës dhe që nuk do të bjerë ndesh me interesat e Perëndimit, në radhë të parë atyre amerikanë, në Kosovë. Pasja e një strategjie të qartë e të kuptueshme për Perëndimin çon nga ajo që Perëndimi në të gjitha pazaret rreth Kosovës të anojë kah interesat e Kosovës.

Aleatët strategjikë të Kosovës duhet të jenë SHBA-ja, BE-ja dhe Turqia

Në çdo strategji ekonomike duhet përkrahur klasa e mesme e shoqërisë, sepse ajo përbën shtyllën kurrizore të çdo shoqërie. Forcimi i kësaj klase do të thotë forcim i kombit kosovar dhe përkrahje e interesave strategjike të Kosovës. Në këtë kontekst, prioritet duhet dhënë zhvillimit të fshatrave, sepse niveli i zhvillimit të fshatit paraqet nivelin e zhvillimit të një shoqërie. Në shumë shtete afrikane ose latino-amerikane ka klasë pasanikësh, pasuria e të cilëve është pakrahasimisht më e madhe se e pasanikëve të Europës Perëndimore, por megjithëkëtë këto vende janë të pazhvilluara dhe larg realizimit të tyre si komb. Kjo është kështu, sepse për dallim nga arti, ku niveli i cilësisë matet me shpejtësinë e anijes së parë në flotë, niveli i zhvillimit të shoqërisë matet me shpejtësinë e anijes së fundit në flotë. Hapi i parë që duhet të ndërmerret në këtë drejtim është shpërndarja e institucioneve qendrore nëpër mbarë Kosovën. Për shembull, Ministria e Tregtisë do të mund të vendosej në Pejë, Ministria e Mbrojtjes në Skënderaj, Ministria e Turizmit në Dragash, Ministria e Industrisë në Mitrovicë, Ministria e Transporteve në Ferizaj, Ministria e Rendit në Vushtrri, Ministria e Kulturës në Prizren, Ministria e Jashtme në Gjakovë, Ministria e Financave në Gjilan, Ministria e Sporteve në Leposaviq, etj. Po kështu do të mund të shpërndaheshin edhe institucionet e tjera qendrore. P.sh. Instituti i Historisë mund të vendosej në Prizren, Instituti Albanologjik në Gllogoc, ndonjë institut në Podujevë, Klinë, Rahovec etj. Një shpërndarje e tillë nuk do të paraqiste problem teknik për një vend të vogël, siç është Kosova.

Kështu, pos tjerash, do të përshpejtoheshin iniciativat dhe hapat për meremetimin dhe zgjerimin e rrugëve ndërurbane në Kosovë. Nëse kjo nuk përbën problem teknik për një shtet të madh, siç është Suedia, përse të përbëjë për Kosovën, të cilës për tri-katër orë mund t’i sillesh rreth e përqark me veturë. Përqendrimi i institucioneve vetëm në kryeqytet ka efekt psikologjik dhe bën që të ngushtohet shpirti i kombit në formim e sipër. Nga ana tjetër, shpërndarja e institucioneve anembanë Kosovës do ta zhvillonte Kosovën në mënyrë të balancuar, do ta forconte klasën e mesme dhe fshatarësinë, me një fjalë do ta shprehte shpirtin e madh kombëtar të Kosovës.

– Simbolet dhe terminologjia. Kosova sa më parë duhet të krijojë simbolet e veta dalluese, flamurin, stemën, himnin, dhe ditën kombëtare. Do të ishte e rrugës që këto t’i bëjmë vetë sesa të na i caktojë Kushneri ose ai që do të vijë pas tij. Çështja e simboleve kombëtare të Kosovës do të duhej të vendosej pas një debati të gjerë demokratik.

Himni i Kosovës do të mund të ishte kompozimi i Rexho Mulliqit “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” . Dita kombëtare e Kosovës do të mund të ishte 10 qershori. Kjo është dita e Lidhjes së Prizrenit, si edhe dita e kapitullimit të forcave serbe në Kosovë.

– Kosova po ashtu duhet t’i veçojë figurat e veta historike, me të cilat është krijuar boshti i ideologjisë kombëtare të Kosovës.

Këto pra ishin vijat kryesore të programit kombëtar kosovar të vitit 1999.

Për dokumentin e ASHAK-ut

Në vitin 2022, pra 23 më vite mbas, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u përpoq ta nxjerrë një dokument që mëtonte të ishte një program kombëtar për Kosovën. Dokumenti u refuzua nga të gjitha palët e interesuara. Në fakt, dokumenti ishte një pamflet antikombëtar që mëtonte të bëhej program kombëtar.

Ishin 4 segmente të këtij dokumenti që sulmojnë në thelb palcën kurrizore kombëtare:

  1. Qasja anti-myslimane.

Komponenta fetare është shtylla më e rëndësishme e kombndërtimit. Pavarësisht se kombi kosovar bën pjesë në modelin e dytë të kombeve (nga 5 gjithsej), pra në modelin e kombeve monoetnike e multifetare (njësoj si kombi shqiptar, kombi gjerman, kombi hungarez etj.), feja luan rolin e vet krucial. Aq më tepër kur sulmohet feja të cilës i përkasin 95% e pjesëtarëve të kombit. Të sulmosh Islamin ose Krishterimin në Kosovë, kjo do të thotë ta sulmosh palcën e kombit, se as Islamit botëror e as Krishterimit botëror nuk i bën gjë edhe nëse gjithë Kosova zhduket nga faqja e dheut.

  1. Qasja anti-turke.

Turqia është aleat strategjik i Kosovës për nga vetë natyra gjeopolitike. Edhe sikur turqit të mos ishin fare myslimanë, edhe sikur në Turqi të mos jetonin me miliona shqiptarë dhe të mos kishim lidhje kulturore çfarë i kemi, vetë gjeopolitika e imponon faktin që Turqinë ta kemi aleat strategjik. Qasja kundër aleatit strategjik të Kosovës është qasje anti-Kosovë.

  1. Qasja anti-Shqipëri.

Sado që klasa politike e Tiranës shpesh ka bashkëpunuar ose bashkërenduar me Beogradin kundër Kosovës, nuk është interes i Kosovës të ngrihet narrativ kundër Shqipërisë.

  1. Aparati historiografik enverist.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri u botuan shumë dokumente, vepra të ndaluara e memoare që e rrënuan tërësisht historiografinë e etabluar për 50-vite. Fatkeqësisht, përkundër këtij fakti, tekstet shkollore të historisë në Kosovë e Shqipëri mbetën të pandryshuara. Dokumenti i Akademisë së Kosovës është shërbyer me aparatin historiografik tashmë të rrënuar. T’ia ndryshosh të kaluarën një kombi është ta bësh atë të merr n’thu n’hapat e së ardhmes, sepse e kaluara dhe e tashmja e përcaktojnë të ardhmen.

Këto 4 gjëra e bëjnë dokumentin e fundit të Akademisë së Kosovës një dokument thellësisht antikombëtar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X