loader image
July 27, 2024

Debatet e pasthirrmave!

Një problem shumë neuralgjik që ndërlidhet me “temat e mëdha” të debatit është burimi i tyre. Gjithherë që shtetet ose shoqëritë tona duhet të kalojnë ndonjë sfidë të papërballueshme, lindin tema që prekin thellë nervat e shumicës së popullatës, andaj ato bëhen top-tema për javë e muaj të tërë. Dhe, këto tema rëndom burojnë nga qendrat politike, përkatësisht nga shërbimet propagandistike të partive politike ose shërbimet inteligjente shtetërore. 

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë 

“Çy çy çy…!”, “Jo moree!”, “Of of of!”, “Obobo!”, “Uhaaa!”… janë vetëm një pjesë nga fondi i gjerë i pasthirrmave në fjalorin publik të një pjese të madhe të “intelektualëve” tanë, që i shohim për çdo natë nëpër ekrane televizive derisa drejtojnë “brirët e dashit”. Në fakt, ato shprehje emocionale më së shumti u shërbejnë atyre për ta neutralizuar mungesën e kundër-argumentit që kanë ndaj oponentit të caktuar. Prandaj, sa më të theksuara, të vrazhda e cinike të jenë, e sipas fuqisë fizike të zërit, sa më zëshëm që të thuhen, e të përcillen me mimika psikopatike, për aq më të mençur e pandehin veten!

Natyrisht, është për keqardhje niveli i debatit intelektual që ka kapluar jo vetëm kornizat e studiove televizive, por në përgjithësi korpusin tonë shoqëror, ku e kanë humbur kuptimin idetë dhe debatet e shëndosha për nevojën e zhvillimit të arsyeshëm kulturor, arsimor, shkencor, ekonomik apo politik.

Prandaj, është një perceptim i përgjithshëm se gjithçka që sheshohet e debatohet publikisht, paraqet një lloj fasade false, së cilës i del ngjyra sa çel e mbyll sytë. Niveli intelektual dhe akademik brenda shoqërisë sonë është katandisur aq keq, saqë është vështirë për ta definuar. Dhe, natyrisht, shkaqet për këtë gjendje janë të shumta…

Llojet e “intelektualëve”

Bota është bërë shumë e vogël si rezultat i procesit të globalizimit, zhvillimit teknologjik dhe depërtimit të rrufeshëm të ideve, rrymave e shërbimeve të ndryshme inteligjente përmes mjeteve digjitale. Njeriu i sotëm, për çdo ditë, bombardohet nga qindra-mijëra informata, të cilat nuk është në gjendje t’i absorbojë, e aq më pak t’i sistemojë se cilat i ka të nevojshme e cilat të panevojshme. Ose, rëndom më shpesh ia nxënë kapacitetin e “memory disk”-ut informatat e panevojshme sesa ato të nevojshme dhe, si rrjedhojë, mendja e njeriut katandiset aq keq, saqë nuk është në gjendje të sjell asnjë gjykim të drejtë për gati se asnjë çështje aktuale, meqë mundësia për lajthitje është e paparashikueshme.

Prandaj, sot për një intelektual të mirëfilltë është shumë e vështirë të japë mendime publike, ngase në këtë botë të kontaminuar nga një shumësi e paimagjinueshme e informatave që vijnë nga të gjitha anët, bëhet e rëndë dhënia e gjykimeve të caktuara. Dhe, shih për këtë, ata në vend të fjalës, e zgjedhin heshtjen!

Sot për intelektualin është shumë e rëndë të jep mendime publike, meqë shumë lehtë mund të vijë deri te situata neveritëse, kur për çështje të caktuara të gjeopolitikës, një “ngelaç” me shkollë fillore e fiton të drejtën të përballet dhe debatojë publikisht me një ekspert të shkëlqyeshëm! Prandaj, intelektualët e mirëfilltë, në vend të fjalës, e zgjedhin heshtjen!

Sot paraqitet e rëndë situata për të dhënë mendime publike, meqë me automatizëm vihesh në bankën e të akuzuarve, ku natyrisht përpara teje ke edhe avokatë edhe prokurorë, por se do të bëhesh përrallë, si me njërën anën si me tjetrën, kjo është e paevitueshme. Dhe, ka pak intelektualë që janë në gjendje ta përballojnë peshën e fjalës publike, andaj ata në vend të fjalës, rëndom e zgjedhin heshtjen!

Dhe, ka një lloj tjetër të intelektualëve, që quhen konformistë, të cilët asnjëherë nuk marrin guximin të japin qëndrime publike, të cilat do të ishin në kundërthënie me bindjet e shumicës (për të mos thënë më troç, partive politike qeveritare ose personave që bartin funksione të rëndësishme publike). Megjithëse nuk jam shumë i sigurt nëse ky lloj i njerëzve hyjnë në rendin e intelektualëve, jam shumë i sigurt se për nga numri i përgjithshëm i korpusit të bashkësisë intelektuale, konformistët e përbëjnë shumicën.

Temat e debateve dhe burimet e tyre

Një problem tjetër shumë neuralgjik, që ndërlidhet me “temat e mëdha” të debatit, është burimi i tyre. Gjithherë që shtetet apo shoqëritë tona duhet të kalojnë ndonjë sfidë të papërballueshme, lindin tema që prekin thellë nervat e shumicës së popullatës, andaj ato bëhen top-tema për javë e muaj të tërë. Dhe, këto tema rëndom burojnë nga qendrat politike, përkatësisht nga shërbimet propagandistike të partive politike ose shërbimet inteligjente shtetërore.

Nëse ju kujtohet, pak përpara se të dalë propozimi për emrin e ri të shtetit tonë – Maqedonia e Veriut, doli një emër tjetër krejt “i rastësishëm”, që kurrë më parë nuk ishte përmendur – Republika e Maqedonisë së Ilindenit. Një kohë u desht të merren analistë e intelektualë të shumtë me atë se çka ishte Ilindeni, a ishte adekuat, a ishte gjithëpërfshirës për të gjithë popujt apo jo, etj. etj. E ndërsa çështja kryesore ishte nëse opinioni publik maqedonas do të merret me komentimin e kësaj “zgjidhjeje”, e cila në fakt përbënte një test nëse opinioni publik maqedonas ishte i përgatitur të pranojë ndryshim të emrit kushtetues të shtetit, meqë deri në atë moment as që ishte debatuar ndonjëherë. Dhe, në momentin që u shter debati për emrin e Ilindenit, doli sheshit emri i ri i dakorduar paraprakisht mes dy palëve për nocionin gjeografik – Maqedonia e Veriut.

Njësoj ishte momenti i debatit edhe në Kosovë, kur presidenti Hashim Thaçi, në vitin 2018 përnjëherë nxori në opinionin publik idenë e “korrigjimit të kufijve”, që sipas tij nënkuptonte vetëm se bashkimin e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës. Sigurisht që ideja apo kërkesa si e tillë ishte shumë e favorshme për shqiptarët, por ishte krejtësisht e pamundshme të realizohet. I gjithë debati në këtë temë u zhvillua intensivisht me muaj të tërë dhe në momentin kur pas saj duhet të vinte një marrëveshje tjetër finale që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ndodhi burgosja e Thaçit dhe ai mbeti hero i një ideje e cila fatkeqësisht mbeti pas asnjë epilog deri në ditë e sotme.

E të tilla janë edhe temat që debatohen vazhdimisht nga mediat tona. Hidhet në publik një problem për t’i fshehur problemet e tjera, duke e defokusuar vëmendjen e opinionit të gjerë.

Politikat ditore dhe gjithologët

Në mediat shqiptare vazhdimisht dalin tema të reja për debat, të cilat rëndom janë reflektim i politikës ditore. Vendimet ose prononcimet publike ditore të Edi Ramës në Tiranë, Albin Kurtit në Prishtinë ose edhe të Ali Ahmetit e të tjerëve në Shkup, në mbrëmje bëhen tema debati nëpër studio televizive, me analistë e ekspertë, që në të shumtën e rasteve janë politikanë që kanë bërë kërcime gjimnastikore nëpër të gjitha partitë politike dhe pas dështimit të tyre politik, kanë përfunduar në ulësen e analistit. Në këto rrethana rrallëherë ndodhë që për një çështje të caktuar aktuale të merret mendimi i profesionistit të vërtetë. Gjithologët janë aty për të folur edhe për politikë, edhe për ekonomi, edhe për arsim, edhe për shkencë, edhe për kulturë, edhe për sport, edhe për bujqësi e blegtori.

Edhe për çështjen e emrit të Maqedonisë, edhe për korrigjimin e kufijve të Kosovës, edhe tani për kontestin identitar mes Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë, më tepër pyeten dhe japin vlerësime gjithologët se sa njohësit e vërtetë të këtyre problemeve. Ata që japin gjykime për të gjitha çështje e hapura aktuale, rëndom bëjnë pjesë në grupin e atyre “intelektualëve” që i parafrazuam në fillim të këtij artikulli, të cilët përmes pasthirrmave çoroditëse, debatet i bëjnë më “interesante” dhe më ngacmuese për publikun, gjë që reflektohet në shikueshmërinë e tyre. Pra, jemi në kohën kur njerëzit po edukohen më tepër virtualisht përmes shou-ve televizive sesa përmes debateve të njëmendta profesionale e përmbajtjesore. Dhe, natyrisht, ata që dëshirojnë të bëjnë shou dhe të përfitojnë nga klikimet, nuk është e thënë të debatojnë seriozisht ose të japin zgjidhje e alternativa shkencore për çështje të debatueshme aktuale. Prandaj, si duket, edhe në këtë rast vlen maksima e filozofit të njohur francez Xhozef Zhuber, se: “Është më mirë të debatohet për një çështje pa arritur një zgjidhje se sa të arrihet një zgjidhje pa bërë debat!”.

Në rrethana të tilla, nga e gjithë kjo çorbë çoroditëse mediatike, më së shumti pëson e vërteta dhe shëndeti mendor i audiencës! E vërteta asnjëherë nuk mund të zbulohet, andaj edhe nëse zbulohet, ajo nuk mund të perceptohet dhe kuptohet nga shumica, ndërsa shëndeti mendor i audiencës e humb aftësinë e perceptimit dhe dallimit të gënjeshtrës nga e vërteta. Kështu, opinioni publik mund të manipulohet pa kurrfarë problemi, gjithherë që një qendër e fuqishme politike ka qëllim të caktuar për të shtyrë përpara një agjendë të tyre, qoftë edhe antikombëtare, antishtetërore ose edhe antinjerëzore!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X