loader image
May 20, 2024

Dokumente ekskluzive: Letra e Lea Elton, për themelimin e shtetit sionist në Shqipëri (1935)

Elton-i shpreh besueshmërinë se pas një caktimi të një komisioni të kualifikuar dhe një hetimi të vazhdueshëm të specializuar, do të mund të nxirret gjykimi dhe vendimi i drejtë nëse do të ishte e leverdishme vendosja në Shqipëri. Natyrisht, do të fillonin me hebrenjtë idealistë, me karakter të padiskutueshëm, me kulturë të gjerë, të palodhshëm në punë dhe të gatshëm: “për t’iu shmangur aventurave politike”. Në këtë mënyrë do t’i hapej rruga e suksesshme prosperitetit material, por edhe vullnetit të mirë të shqiptarëve e, njëkohësisht, përgjatë rrjedhës së pak viteve, jo qindra, por qindramijëra hebrenj do t’i ndjekin. 

Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork 

Ideja e krijimit të një shteti sionist në vende të ndryshme të botës është hulumtuar në momente të ndryshme të historisë nga individë dhe grupe brenda diasporës hebreje dhe jo vetëm. Brenda këtyre hulumtimeve, përgjatë rrjedhës historike të Izraelit, janë paraqitur një seri idesh e propozimesh për themelimin e shtetit “kombëtar” sionist. Disa prej tyre janë të njohura më shumë, disa më pak e disa janë të harruara fare.

Një ide e tillë mund të ketë nisur në vitin 1844 me librin “Discourse on the Restoration of the Jews” të autorit Mordekai Manuel Noah (1785-1851), një pararendës i sionizmit modern [Mordekai:1844]. Në faqen e parë të këtij libri është paraqitur një hartë ku është veçuar “Toka e Izraelit”. Ai provoi ta themelonte “shtëpinë çifute” në Ishullin e Madh të lumit Niagara (SHBA), për ta quajtur “Ararat” sipas malit Ararat (vendi biblik i prehjes së Arkës së Noas). Në ishull ngriti një monument, ku shkruhej: “Ararat, një qytet strehimi për hebrenjtë, themeluar nga Mordekai M. Noah në muajin Tishri, 5586 (shtator, 1825) dhe në vitin e pesëdhjetë të Pavarësisë Amerikane”. Ai besonte se “hebrenjtë” do të ktheheshin një ditë dhe do të rindërtonin atdheun e tyre “të lashtë”, duke i bërë thirrje edhe Amerikës që të jepte kontributin e vet në këtë drejtim [Adler & Connolly:1960]!

Në vitin 1903, Sekretari Kolonial Britanik, Joseph Chamberlain (1836-1914), i ofroi grupit sionist të Theodor Herzelit (1860-1904) rreth 5.000 mile katrore (13.000 kilometra katrore) në “Mau Escarpment”, aty ku sot gjendet Kenia. Oferta ishte si një përgjigje ndaj masakrave që Perandoria Ruse shkaktoi kundër hebrenjve, për të gjetur një strehë dhe për t’i shpëtuar nga persekutimi. Kjo ide u soll në Kongresin VI Sionist të Organizatës Botërore Sioniste në vitin 1903 në Bazel. Pas një debati të ashpër, toka afrikane u përshkrua si një “paradhomë për Tokën e Shenjtë”, por grupe të tjera, që ëndërronin për Palestinën, mendonin se pranimi i ofertës do ta bënte më të vështirë krijimin e një shteti sionist në Palestinën osmane, veçanërisht Mutasarrifate të Jerusalemit. Para në votimin për këtë çështje, delegacioni rus doli në opozitë. Në fund, mocioni për shqyrtimin e planit kaloi me 295 pro dhe 177 kundër! Në vitin pasues, një delegacion prej tre personash u dërgua për të inspektuar pllajën. Lartësia dhe klima e saj e butë e bënte atë të përshtatshme për vendbanime europiane, por vëzhguesit nuk e pëlqyen kur gjetën një tokë të rrezikshme të mbushur me luanë dhe krijesa të tjera. Për më tepër, ajo ishte e populluar nga një numër i madh njerëzish Maasai, të cilët nuk dukeshin aspak të përshtatshëm për një fluks njerëzish që vinin nga Europa. Pas raportit të tyre Kongresi e refuzoi ofertën britanike në vitin 1905 [Schreiber:2003. f.291].

Më 28 mars 1928 u hodh ideja për mundësinë e krijimit të Shtetit “kombëtar hebre” në Birobidzhan të Lindjes së Largët, si koloni ruse, pasi politika e tyre ishte që t’i mbante hebrenjtë sa më larg qendrave të pushtetit. Komiteti Ekzekutiv Sovjetik e pranoi këtë ide më 20 gusht 1930, por kundërshtitë e bënë të padëshirueshme për peizazhin kryesisht moçal, pasi çdo koloni e re do të duhej ta ndërtonte jetën nga e para. Kishte pasur edhe ide të tjera përbrenda Federatës Ruse, si në Ukrainë apo Krime. Sionisti Max Bodenheimer (1865-1940), në vitin 1902, i kishte propozuar Lidhjes së Shteteve të Europës Lindore krijimin e një shteti tampon (Pufferstaat) brenda vendbanimeve ruse, përkatësisht diku në ish provincat polake, që i kishte aneksuar Rusia [Michlic:2006, f.48, 55–56; Blobaum:2005, f.61]. Por, më i debatueshëm ishte plani i vitit 1934 dhe 1938, në territorin Khabarovsk, kur politika kombëtare staliniste synonte krijimin e grupeve kombëtare brenda Bashkimit Sovjetik dhe ku secila do të ndiqte autonominë kulturore, në kuadër të shtetit socialist ateist. Këto ide u refuzuan për shkak të frikës së antagonizimit të johebrenjve në ato rajone, por edhe për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore!

Gjatë kësaj kohe u diskutua edhe ideja për një rajon autonom hebre në Japoni! Ky ishte “Fugu Keikaku” [“Plani Fugu” ose “Komploti Fugu”], sipas të cilit rabini Marvin Tokayer (l.1936) dhe Mary Swartz (1874-1941) e titulluan librin e tyre të botuar në vitin 1979. Ato diskutojnë për memorandumet e shkruara në Japoninë Perandorake të viteve 1930, të cilët propozonin vendosjen e refugjatëve hebrenj jashtë Europës së pushtuar nga nazistët në territoret japoneze [Gamble & Watanabe:2004, f.196–197]. Nënshkrimi i paktit (1941) nuk u bë i realizueshëm për shkak të ngjarjeve që pasuan. Ben-Ami Shillony, një profesor në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, thotë se pretendimi i autorëve Tokayer dhe Swartz është i nxjerrë nga konteksti dhe se përkthimi me të cilin ata u shërbyen ka plot të meta.

Plani i Madagaskarit ishte një politikë më e heshme, por e sugjeruar edhe nga qeveria e Rajhut të Tretë të Gjermanisë naziste, për të zhvendosur me dhunë “popullsinë hebreje” të Europës në ishullin e Madagaskarit. Një plan të tillë e kishin pasur më herët edhe Henry Hamilton Beamish, Arnold Leese, Lord Moyne, studiuesi gjerman Paul de Lagarde dhe qeveritë britanike, franceze dhe polake [Browning:2004, f. 81]. Gjermania naziste vetëm se e ripërtëriu këtë ide në maj të vitit 1940. Heinrich Himmler-i deklaroi: “Shpresoj që koncepti i hebrenjve do të shuhet plotësisht përmes mundësisë së një emigrimi të madh të të gjithë hebrenjve në Afrikë ose në ndonjë koloni tjetër”. Ato që e vunë në lëvizje qenë nazistët e njohur si: Julius Streicher, Hermann Göring dhe Joachim von Ribbentrop. Plani u miratua nga Adolf Hitleri, kur Adolf Eichmann-i lëshoi një memorandum më 15 gusht 1940, ku bëhej thirrje për rivendosjen e një milion hebrenjsh në vit atje, gjthë kjo për katër vjet. Plani u shty, pasi gjermanët nuk arritën t’i mposhtin britanikët në Betejën e Britanisë dhe përfundimisht u shua në vitin 1942.

Gjatë periudhës fashiste, për zgjidhjen e “problemit hebre”, Italia propozoi një vend në territorin e saj kolonial të Afrikës Lindore. Sipas këtij plani, “hebrenjtë” nga Europa dhe Palestina do të rivendoseshin në rrethet veriperëndimore Etiopiane të Gojjam-it dhe Begemder-it, së bashku me komunitetin “Beta Israel” (të Etiopisë) [Time, 18.06.1938]. Ky ishte plani i Musolinit që nuk u shqyrtua kurrë!

Sidoqoftë, në hartën e botës që u botua nga Joseph Hepler-i dhe që pasqyron diversitetin e opinioneve në lidhje me vend-vendosjen më të mirë për një “atdhe hebre”, figurojnë vetëm dhjetë vende: një në Amerikën Veriore, një në Alaskë, dy në Amerikën Jugore, tre në Afrikë, dy në Azi dhe një në Australi. Është Qiproja dhe El Arish në Gadishullin Sinai në Egjipt dhe rrethinat e tij [Montefiore:2011], Port Davey të Tasmanisë në Australi (1939) [Australian Broadcasting Corporation. January 18, 2010], në Guiana Britanike (Guajana e sotme), në Sitka të Alaskës [Anchorage Daily News, August 21, 2007], etj. Këto kërkesa e propozime thuhet se dolën nga dëshira për t’i shpëtuar persekutimit, diskriminimit ose antisemitizmit, por se çfarë lidhjeje kishin “çifutët” e Europës me semitizmin, kjo është një temë më komplekse që mbetet për ta diskutuar në ndonjë rast tjetër.

Natyrisht, disa prej këtyre ideve kurrë nuk u bënë të njohura ose u harruan fare, por pak e dinë se brenda këtyre propozimeve ishte edhe Ballkani, përkatësisht Shqipëria! Ishte ide që e hodhi anglezi Lea Elton, që njihej si gazetar sionist, por më shumë si një biznesmen i suksesshëm britanik, i cili mbante bisedime të nivelit të lartë me qeverinë britanike. Pas takimit të tij me Churchilin, qeveria britanike doli me idenë që hebrenjtë sionistë të lejohen të migrojnë në Shqipëri dhe të lejohen të blejnë tokë me çmime të lira!

Elton thotë se këtë ide e kishte lexuar në gazetat britanike, të cilat raportonin se “qeveria shqiptare mirëpriste emigracionin hebraik”. Për këtë arsye, në vitin 1935, ai udhëtoi për në Shqipëri, në vendin e vogël me një milion banorë, që ishte plotësisht i shkëputur nga Europa e industrializuar, për të parë nëse ishte e mundur të vendosej aty “entiteti nacional hebre”. Raportin e kësaj vizite, i cili u bë i njohur dhjetë vite më pas (1945), ia dërgoi Judah Leib Magnes-it, që drejtonte Universitetin e Parë Hebraik të Jerusalemit dhe asnjëherë nuk u njoh dhe nuk u shqyrtua zyrtarisht, por madje edhe sot qëndron i kyçur në Arkivin Qendror për Historinë në bibliotekën Kombëtare të kampit të Universitetit “Givat Ram” në Jerusalem [Haaretz, 25 qershor 2009]. Me kërkesën time, Fabiene Rottenberg, një pediatriste që e njoh prej vitesh, përmes të njohurve të saj në Universitetin e Jerusalemit, më ka siguruar kopjen e kësaj letre, të cilën tani unë e kam në dorë.

Letra është e shkruar në makinë shkrimi, përbëhet prej tetë faqesh dhe shoqërohet me një letër të shkruar me dorë dhe një faqe si përgjigje që Magnes i kthen Eltonit. Në krye një titull: “Përshtypjet e një vizite në Shqipëri me një vëzhgim të vetëm mbi mundësitë e hapura për kolonët hebrenj në atë vend. (Gusht 1935)”. Fillimisht i tregon se: “Disa muaj më parë dolën në shtyp shkrime se qeveria shqiptare kishte deklaruar që do të mirëpriste emigracionin hebre. Një deklaratë e tillë më dukej se ishte në vetvete mjaft e pazakontë në ditët e sotme, për të tërhequr vëmendjen dhe bëra disa hetime paraprake, si rezultat i të cilave interesi im u zgjua mjaftueshëm për të më nxitur të hartoja një arsye që do të më jepte një mundësi për të vizituar Shqipërinë. Kisha rënë në kontakt me Legatën Shqiptare në Londër dhe u prita nga Ministri, i cili më foli me autoritet mbi burimet e vendit të tij dhe qëndrimin e qeverisë së tij ndaj kësaj çështjeje. Ai më dha një letër prezantimi për Ministrin e Ekonomive në Tiranë… të cilën në kohën e duhur e paraqita”.

Në Shqipëri nuk u diskutua thuajse fare propozimi i Eltonit dhe nuk u mor në konsideratë ideja e tij, mbase për shkak se Europa i donte hebrenjtë sa më larg saj, ndërkohë që vetë sionistët preferonin një vend “që ua kishte premtuar Zoti”! Sidoqoftë, Eltoni kishte marrë përsipër për të gjetur një vend që do të vendoseshin ata dhe me këtë synim u nis për të vizituar Shqipërinë, për të parë mundësitë e jetës atje. Për ne mbetet enigmatike përshtypja dhe përshkrimi i Eltonit, i cili pasi zbarkoi në Durrës, udhëtoi për Tiranë përmes: “një rruge të shkëlqyer që lidh bregdetin me kryeqytetin… Peizazhi është i larmishëm dhe i lezetshëm, dhe madje edhe në gusht, gjelbërimi i shijshëm bie në sy në të dy anët gjatë gjithë rrugës. Kodrat janë shumë të pyllëzuara dhe në luginat e gjera ka dëshmi të bollshme në fushat e kultivuara të bujarisë së tokës shqiptare”.

Me të arritur në Tiranë, zyrtarëve ua paraqiti letrën e prezantimit, të cilën ia kishte lëshuar Legata Shqiptare në Londër. Meqë ministri ishte i angazhuar, i dha sekretarin e parë të ministrisë, z. Vehbi Frashërin, me të cilin u morën vesh në frëngjisht dhe i cili: “u tregua i dobishëm dhe informues”. I foli për pjellorinë e mahnitshme të vendit, për mungesë të industrive prodhuese apo të tregtisë së organizuar të eksportit, mbi vetëdijen e qeverisë për zhvillimin, për admirimin që populli hebre kishte arritur në një kohë kaq të shkurtër në Palestinë, por edhe për dëshirën e bashkëpunimit me popullin hebre në zhvillimin e Shqipërisë. I tha gjithashtu se intoleranca fetare në Shqipëri është mjaft e panjohur, megjithëse “mbi gjashtëdhjetë për qind e popullsisë është muhamedanë”, prapëseprapë: “nuk janë fanatikë”. Edhe pse nuk kishte hebrenj që jetonin aty, nuk kishte ndonjë traditë armiqësie ndaj popullit hebre dhe nuk kishte asnjë arsye për të parashikuar, që kolonët hebrenj nuk do të jetonin në harmoni të plotë me elementët e ndryshëm të popullsisë shqiptare. Përveç kësaj: “…toka është me pjellori të mahnitshme. Ajo mund të quhet si e virgjër, e kultivuar ashtu siç ka qenë deri më tani vetëm me metodat më primitive, plehrat kimike dhe rrotullimi sistematik i të mbjellave janë njësoj të panjohura. E banuar pak tani, nga vetëm rreth një milion njerëz, do të mbështeste një popullsi të paktën pesë herë më të madhe. Ekziston një neglizhencë në përdorimin e duhur të dhuratave të natyrës, e cila është në kontrast të madh me bujarinë me të cilën janë dhuruar këto dhurata.

Punën e mbretit Zog e vlerëson për fushën e arsimit, duke dërguar fëmijë në Universitetet e Europës për shkollim me shpenzimet e qeverisë, por ka mungesë komoditeti në qytet, nuk ka teatro, nuk ka koncerte, nuk ka leksione, nuk ka sallone, nuk ka vende ku njerëzit e kulturës mblidhen. Ndonëse standardi i jetesës është i ulët, misri rritet me bollëk ashtu si edhe perimet dhe frutat, prodhimi i të cilave në fakt është shumë më i madh se konsumi shtëpiak. Ka një fushë premtuese për sipërmarrjen në linjat që i kanë sjellë aq shumë adventa frutave të Palestinës. I thanë se portokajtë dhe limonët e rritur në Shqipëri janë të pakrahasueshëm, ndërsa citronët nga më të mirët në botë! Pjeshkat i provoj vetë: “për aromën dhe lëngshmërinë, pamjen dhe madhësinë, nuk kam hasur askund pjeshkë për t’u krahasuar”. Do të mund të krijohej një industri me lëndët e para, me kaq bollëk të disponueshëm: “Ekstrakt portokalli dhe limoni, fiq të thatë esencial, fruta të konservuara, verëra, rrush të thatë dhe rrush pa fara… prodhimi i vajit të ullirit dhe rafinimi. Ullinjtë me bollëk e me cilësi të shkëlqyer… Nga Vlora, nafta e rafinuar mund të dërgohej në çdo pjesë të botës”.

I thotë se një mundësi tjetër për një jetë të mirë, do të ishin toka edhe klima e përshtatshme për kultivimin e duhanit. Ndërsa në kohën turke prodhimi gëzonte një reputacion të merituar e të lartë, tani ishte përkeqësuar për shkak të injorancës dhe paaftësisë së kultivuesve. Përveç kësaj edhe kultivimi i krimbit të mëndafshit ia vlente të merret në konsideratë, ndërsa punime lëkure nuk kishte, megjithëse lëkura e papërpunuar prodhohej dhe eksportohej në sasi të mëdha. Atë që ia kishin thënë në Legatën Shqiptare në Londër ia tha edhe Vehbi Frashëri, se qeveria do të mirëpriste dhe do të lehtësonte vendosjen e hebrenjve të pajisur mjaftueshëm me kapital dhe me përvojë biznesi, të cilët synonin ta bënin për shtëpinë e tyre dhe të zhvillonin burimet e saj, duke organizuar eksportin e prodhimit ose duke krijuar industri të reja.

Megjithatë, Elton-i kishte një dyshim dekurajues. Ndonëse ishte bindur që ajo tokë mund të mbante lehtësisht disa herë më shumë se banorët aktualë, kishte dy herë më shumë shqiptarë në vendet fqinje, falë perversitetit të Fuqive të Mëdha [“Auslands-Albanier”] ata që kërkonin dhënie toke në vendin e tyre. Në një situatë të tillë, nuk do të kishte vend për “të ardhurit e huaj”. Këtë dyshim ja shfaqi Frashëri, i cili e “siguroi” se ata i konsideronin pronarët e vegjël hebrenj si promotorë të vlefshëm të prosperitetit të vendit. Se kishin sipërfaqe të mëdha tokash potencialisht më të mira në botë dhe ai ndihej i sigurt se duhet të kishte hebrenj dhe do t’i inkurajonin, do t’ua lehtësonin dhe përshpejtonin të drejtat e plota të shtetësisë. Më vonë Elton-i mësoi se rreth 70.000 shqiptarë nga vendet fqinje tashmë “kishin ardhur në shtëpi” dhe ishin pajisur me tokë, proces që tani qeveria e kishte ndaluar. Për më tepër “Irredenta e Shqipërisë do të bashkohet me ta në një Shqipëri të Madhe”!

Elton-i shpreh besueshmërinë se pas një caktimi të një komisioni të kualifikuar dhe një hetimi të vazhdueshëm të specializuar, do të mund të nxirret gjykimi dhe vendimi i drejtë nëse do të ishte e leverdishme vendosja në Shqipëri. Natyrisht, do të fillonin me hebrenjtë idealistë, me karakter të padiskutueshëm, me kulturë të gjerë, të palodhshëm në punë dhe të gatshëm: “për t’iu shmangur aventurave politike”. Në këtë mënyrë, do t’i hapej rruga e suksesshme prosperitetit material, por edhe vullnetit të mirë të shqiptarëve, e njëkohësisht, përgjatë rrjedhës së pak viteve, jo qindra, por qindramijëra hebrenj do t’i ndjekin. Por, Elton-i nuk ndalet këtu. Ai i futet politikës dhe qëllimeve sioniste si një “aventurë të madhe”, duke i shkruar Magnes-it se hebrenjtë janë njerëz me vizion, nën drejtimin e të cilëve guxojnë të fillojnë rrugën e fundit? Ai merr parasysh ngatërresat që do të mund të paraqiteshin dhe se: “Në reagimin e sionistëve ndaj një aventure të tillë mund të ketë rreziqe të tmerrshme”. Një “skemë shqiptare” do të mund të vinte si pasojë e dyshimit dhe xhelozisë ndaj sionistëve, e cila: “jo vetëm që mjaftojnë për të shkatërruar vetë skenën, por përveç kësaj i bëjnë dëm të pallogaritshëm kauzës së unitetit, e cila është nevoja jonë më e rëndësishme”. Përveç kësaj, një: “paraqitje e konkurrencës me Palestinën do të ishte menjëherë fatale”! Por, nëse do të ndërmerrej diçka e natyrës së një lëvizjeje të organizuar kolonizuese në Shqipëri, do të duhej të koordinohej me aktivitetet sioniste.

Shqiptarët e kohës së Eltonit, ndoshta, nuk mund ta kuptonin se çfarë ishin këto “aktivitete sioniste”, por ne sot mund t’i kuptojmë, sepse po i shohim dhe po i ndjejmë çdo ditë e më tepër. Edhe për Eltonin Palestina ishte vendi i dëshiruar dhe i përshtatshëm për Izraelin, ndërkohë që Shqipëria mbetej si një “xhoker” që mund të përdorej, nëse plani i Palestinës nuk do të mund të realizohej. Aq më tepër kur fluksi drejt Palestinës po binte ndjeshëm nga kolonët e zhgënjyer: “të cilët nuk ka qenë e mundur të akomodohen”. Përveç kësaj: “Shqipëria do edhe burra edhe para”. Një skemë e organizuar e kolonizimit hebraik në Shqipëri nënkuptonte veprimin e bashkërenduar të qeverisë shqiptare dhe disa organeve autoritare hebraike. Ndërkohë: “Ekziston një material i bollshëm për një traktat midis Shqipërisë dhe Eretz Yisrael-it [Tokës së Israelit], i cili do t’i sjellë përfitime të mëdha secilit”. Futja e kapitalit në Shqipëri jo vetëm që do të shkaktojë progres dhe zhvillim, por do të vendosë miqësi me një popull musliman.

Në fund të letrës Elton-i i thotë se nëse do të endeshin një grusht modest sipërmarrësish tregtarë dhe industrialë, për të mbjellë farën e parë në koloninë e vogël në Shqipëri, do të ketë sukses në dy çështje: nga njëra anë ata do të krijojnë shpejt fatin e tyre dhe nga ana tjetër një numër më i madh do të ndjekin fatin e tyre.

Si duket, Elton-i i kishte shkruar Magnes-it edhe letra të tjera për Shqipërinë, madje edhe ishin takuar, siç duket nga një përgjigje që i dërgon më 6 nëntor 1945, kur i thotë: “I nderuar zoti Elton. Të falënderohem shumë për letrat mbi Shqipërinë që i kam lexuar me shumë interes, veçanërisht përshtypjet tuaja të gushtit të vitit 1935. Këtë po e mbaj, kurse të tjerat po t’i kthej. A është hartuar ndonjë memorandum për t’iu dorëzuar autoriteteve? Unë do të shkoj në Huleh nesër për të ndihmuar në përkushtimin e një Qendre Shëndetësore Hadassah në kujtim të të ndjerit Prof. Kligler dhe nuk do të kthehem deri më 13 nëntor. Ishte shumë e këndshme që ju takova dhe me të gjitha urimet e mira për një kthim të sigurt në shtëpi. Sinqerisht i juaji, Sgd. J.L. Magnes

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X