loader image
July 27, 2024

Do çaste me Eugenio Montale-n

“[…] Mos prit prej nesh formulën që botë ty të shpalosin,

po veç ndonjë rrokje të shtrembët e dushk të thatë.

Vetëm këtë sot mund të themi,

se çka nuk jemi e se çka nuk duam.” (Montale, përkth.: Zef Zorba)

Edison ÇERAJ, Tiranë

Poeti përzgjedh, filtron; priret me lanë mënjanë çdo gja të tepërt. Nganjiherë poeti flet ma shumë me heshtje, me hapësirën e bardhë ndërmjet dy fjalësh a midis dy strofave. Poeti kërkon thelbin, ndaj dhe i bjen “shkurt”. Poeti na porosit mos me pritë asgja të gatshme, asgja në pëllambë të dorës. Dora duhet të jetë e rreshkun e me shenja prej kërkimit, prej vetëmohimit, sikurse dhe e brishtë për me dhuru nji lule.

Kur pranojmë diçka të gatshme prej të tjerëve, “veç ndonjë rrokje të shrembët e dushk të thatë” do të kemi. Thuhet se gjaja ma e shtrenjë është ajo që merr falas. Prandaj, nuk kemi pse presim prej kujt, asgja. Kjo nuk don me thanë mos me ecë krah për krah me dikë. Kjo don me thanë, ndër të tjera, se ma shumë duhet me dhanë se me marrë.

Në nji thanie profetike thuhet se “nëse dikush ju ban nji dhuratë, kthejani edhe ju me nji dhuratë”, në mënyrë që njeriu të mos jetë i varur prej njeriut; në mënyrë që varësia të jetë vetëm prej Zotit. Synimi ky duhet të jetë.

Sipas poetit, ne mund të themi vetëm “se çka nuk jemi e se çka nuk duam”. Për shembull, mundena me thanë se nuk jemi as engjëj, as kafshë. Por, se çka don me thanë me qenë njeri, kjo është tjetër gja. Këtë nuk e themi dot. Ndoshta i vetmi përkufizim është se nuk kemi përkufizim.

“Dora që jep është ma e mirë se dora që merr.” (Profeti Muhamed)

* * *

“[…] Po qe se vreni një hije, s’është

hije – ajo jam unë.

Prej vetes kesh ta shkulja

e për dhuratë t’jua jepja.”

(Montale, përkth.: Zef Zorba)

Është egoja, është pesha e saj e vazhdueshme, trysnia që na mban tek e ulëta, e poshtmja. Egoja, pra uni, i del gjithnji përpara vetes në rrugën kah e epërmja.

Në nji parabolë thuhet se nji i ri u gatit me shku në parajsë. Kur mbërriti te porta, trokiti. Nji za nga brenda e pyeti: – Kush është? – Jam unë, – iu gje i riu. – Nuk ka vend për ty.

Mbasi i riu i dikurshëm u ba plak, u nis edhe nji herë drejt parajsës. Pas trokitjes, zani pyeti sërish: – Kush është? Jam ti! – qe përgjigjja.

Të mirënjohurit “dërvishë rrotullues”, bash këtë shprehin në rrotullimin e tyre të pambarimtë: “Jam ti.”

Kemi edhe këtë qasje:

“Zoti thotë: «Duaje armikun tënd!» E unë iu binda: fillova me dashtë veten.” (Gibran)

Nuk është fjala me e luftu egon, apo me i dalë kundër, por me e i dalë përballë; me e përballu, me e mbajtë nën kontroll. Përpara se egoja të jetë armiku ynë, është pjesë e jona, dhe kjo nuk është diç që na është ngjitë rrugës – ne lindim bashkë me të.

Pra, zgjidhja nuk është as te adhurimi apo nënshtrimi ndaj unit, as te mohimi i tij. Në fakt, nuk ka nji zgjidhje, në kuptimin e formulës, ka vetëm përpjekje, dhe kjo është ma afër natyrës njerëzore se çdo zgjidhje e formuluar.

* * *

“Para teje dhe sot si dikur mbetem ngrirë,

o det, por veten nuk e ndiej të denjë

për madhërinë e qortimit që shpalos

frymëmarrja jote. I pari ti më pate thënë

se ngacmimi vocrrak

i zemrës sime s’ish tjetër veçse një çast

i tëndit; që tek e mbramja ligji yt për mua

ish plot rreziqe: me qenë i gjerë e gjithfarësh

e ponjëheri i ngujuar […]”

(Montale, përkth.: Zef Zorba)

Me gjasë, “madhëria” mahnitëse dhe e pacen e detit e ban poetin me u ndie i vogëlth, “i padenjë”. Kudo, në qiej e në tokë mbizotëron një rend i paqtë ku çdo gja është në vendin e vet; ku gjithçka flet paprá përmes heshtjes, sa çdo fjalë është e tepërt. Nuk gjen qoftë dhe nji gja të vetme që nuk është në harmoni me tërësinë. Nuk na e vret syrin qoftë dhe nji fije, qoftë dhe nji grimcë. “Heshtja është gjuha e Zotit; çdo gja tjetër është vetëm nji përkthim i vorfën.” (Rumi)

Prandaj, kur përballesh me gjithë këtë mrekulli misterioze, shpeshherë të duket vetja i vobektë, i mjerë, deri dhe i padenjë, siç ndiehet Montale. Ama, asnji gjallesë dhe asnji qenie nuk është e lirë, me përjashtim të njeriut. Kështu që, pa këtë liri, çfarëdo mund të jemi, por jo njerëz.

A nuk është kaq e përsosur kjo papërsosmëria jonë?!

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X