loader image
June 18, 2025

Diplomacia shqiptaro-izraelite dhe “medalja e gjakut” për Edi Ramën

Në periudhën postmoniste, i pari që shprehu publikisht mendimin mbi mundësinë e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Izraelit ishte Ismail Kadare, i cili në vitin 1991 befasoi shumë qarqe kur iu përgjigj korrespondentit të “Radio Jrusalemit” në një intervistë telefonike, se: “shqiptarët dhe izraelitët kanë një traditë miqësie të pazakontë në Europë”. Më 19 gusht 1991, ministri i Jashtëm, Muhamed Kapllani, e vizitoi Izraelin dhe të dy vendet firmosën një “memorandum mirëkuptimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.

Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Megjithëse Shqipëria, si i vetmi vend europian i pushtuar nga fuqitë e Boshtit gjatë Luftës së II-të Botërore, doli me një popullsi më të madhe hebraike, ishte një nga vendet e para që e njohu zyrtarisht Shtetin e Izraelit, më 16 prill 1949. Ky akt përkoi me politikën e të gjitha vendeve komuniste të Europës Lindore ndaj Izraelit, por – ndryshe nga ato – ajo refuzoi të vendoste marrëdhënie diplomatike, tregtare dhe kulturore midis dy vendeve [Jewish Political StudiesReview, Vjeshtë 2005]. Mund të shikohet me simpati periudha e Luftës së Dytë, kur Shqipëria jo vetëm që strehoi rreth 200 hebrenj që jetonin aty, por edhe dhjetëfishin e atyre që vinin nga vende të tjera, duke u bërë i vetmi vend ku numri i hebrenjve pas Luftës ishte më i madh se para se të fillonte lufta [Gershman:2008]! Duke qenë e mbyllur për më shumë se 50 vjet, askush nuk e dinte historinë ”e shpëtimit të hebrenjve nga nazistët”, një gjest human i shqiptarëve që po përdoret vitet e fundit nga zyrtarët, për të promovuar këto rrëfime dhe për të kultivuar lidhjen me Izraelin!

Para luftës, mbreti Zog, që sundoi Shqipërinë nga viti 1928 deri në kohën e pushtimit fashist (1939), e rreshtoi Shqipërinë në krahun e fashizmit italian [Najbor:2002; Mediterranean Quarterly, 24:2/2013]. Siç tregoi Leka II, në Hotel Maritime Plaza, “Zogu lejoi refugjatët hebrenj të hynin në vend” në vitet e 1930-ta dhe u siguroi atyre jetesën: “rrezikoi pozicionin e tij si mbret, por refuzoi të ishte një kukull” dhe këtë e shpjegon si një prej arsyeve që iu desh të largohej nga Shqipëria, për të mos u kthyer më! “Ne kemi një simpati të madhe për Izraelin – tha Princ Leka – ajo që ndodhi më 7 tetor nuk ishte një sulm ushtarak, ishte një sulm terrorist. Kushdo që justifikon këto akte kriminale, është në anën e gabuar të historisë” [JTA, 25.10.2023]. Kështu i tha edhe kreu i zyrës qeveritare, që mbikëqyr shërbimet e transportit rrugor të Shqipërisë – Blendi Gonjxhi, Agjencisë Telegrafike Hebraike se: “Izraeli ishte plotësisht i justifikuar në kundërsulmin ndaj Hamasit”. Se cilën anë të historisë do të mbajnë ata që justifikojnë aktet kriminale të Izraelit, as Leka e.as Gonjaxhi nuk e thanë!

Gjatë gjithë periudhës moniste (1946-1991), regjimi marksist, që i ndaloi të gjitha fetë në vitin 1967 (përfshirë hebraizmin), Izraelin e përçmonte si “djalli i vogël” i Shteteve të Bashkuara. Shqipëria nuk ishte aspak dashamirëse ndaj shtetit hebre, duke qenë më afër vendeve të tjera të Lindjes së Mesme dhe duke refuzuar disa tentativa diplomatike të Izraelit drejt përmirësimit dhe vendosjes së marrëdhënieve tregtare dhe kulturore midis dy vendeve. Regjimi e mbështeti Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO) me të gjitha mjetet, duke ofruar armë, trajnime, fonde dhe logjistikë për ta mbështetur luftën e armatosur kundër Izraelit dhe për t’i qenë opozitë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, konkretisht në rezolutën 252 të vitit 1968, rezolutën 476 të vitit 1980 dhe rezolutën 478 të vitit 1980!

Në periudhën postmoniste, i pari që shprehu publikisht mendimin mbi mundësinë e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Izraelit ishte Ismail Kadare, i cili në vitin 1991 befasoi shumë qarqe kur iu përgjigj korrespondentit të “Radio Jrusalemit” në një intervistë telefonike, se: “shqiptarët dhe izraelitët kanë një traditë miqësie të pazakontë në Europë”. Më 19 gusht 1991, ministri i Jashtëm, Muhamed Kapllani, e vizitoi Izraelin dhe të dy vendet firmosën një “memorandum mirëkuptimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.

Në mesin e vitit 1998, qeveria “Nano” vendosi të hapte seli të përhershme për ambasadën shqiptare në Izrael, me ambasadorin e parë të saj në Izrael – Dashnor Dervishin [Mediterranean Quarterly, 24:2/2013]. U deshën edhe 21 vjet të tjera që një ambasadë izraelite të hapej në Tiranë! Këto aktivitete shpjegohen në detaje nga Yosef Govrin-i në “Annals of Israeli-Albanian Contacts on Establishing Diplomatic Relations” [Jewish Political Studies Review, Vjeshtë 2005, f.67-74] dhe Michael B. Bishku në “Albania and the Middle East” [Mediterranean Quartley, Prandverë 2013, f.81-103]. Aty tregohet se konflikti izraelito-palestinez në mënyrë indirekte e ka pasur fuqinë të shkaktojë përçarje gjeopolitike në botë, me vendet që e mbështesin ose Izraelin ose Palestinën. Më 6 dhjetor 2017, Presidenti Donald Trump njoftoi vendimin e zbatimit të Aktit të Kongresit të SHBA-së për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen e Ambasadës Amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem. Njohja e fundit e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit duket se solli implikime të reja gjeopolitike në politikën e sotme botërore, ndërsa Shqipëria votoi në favor të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që e dënoi njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga SHBA-ja [Journal of European Social Research, #1/2018, f.40-50].

Në tetor të vitit 2020, Parlamenti i Shqipërisë e miratoi Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm të antisemitizmit, të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, si dhe organizimin e Forumit të Parë Ballkanik kundër Antisemitizmit. Përveç kësaj, presidenca shqiptare e OSBE-së e organizoi në Tiranë Konferencën e Nivelit të Lartë për Luftën kundër Antisemitizmit në rajonin e OSBE-së. Shqipëria, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mandatin e saj 2022 – 2023, i kushtoi vëmendje të veçantë adresimit të çështjeve të sigurisë dhe konflikteve, përfshirë atë Izrael-Palestinë. Në vitin 2023, Izraeli dhe Shqipëria nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi (MM) mbi mbrojtjen dhe bashkëpunimin ushtarak. Për më tepër, Shqipëria u bë vendi i parë me shumicë muslimane që e miratoi zyrtarisht përkufizimin e antisemitizmit nga Aleanca Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit (IHRA) në vitin 2020. Sot, Shqipëria i ka tre konsuj nderi në Izrael: një përgjegjës për Tel Avivin, Jerusalemin dhe rajonin qendror; një tjetër në Haifa, që mbulon Izraelin verior; dhe një i tretë në Eilat për Izraelin jugor dhe Negevin. Rreth 54 kompani izraelite operojnë aktualisht në Shqipëri.

Ashtu siç e kishte rreshtuar Zogu në anën e fashizmit italian, kryeministri Rama e rreshtoi Shqipërinë në krahun e fashizmit izraelit. Në vizitën e fundit që i bëri Izraelit, Rama mbajti një fjalim të shkurtër, me ç’rats tha se: “Neve mbështesim totalisht Izraelin në atë që po bën në Gaza… dhe nuk jemi më për dyshtetësi në Gaza…” Në Twitter, Rama shkroi se “Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, nuk ka asnjë justifikim për të ‘mbyllur një sy’ ndaj përgjigjes izraelite. Në këtë konflikt, Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike qëndrojnë fort në anën e Izraelit, i cili është shënjestruar barbarisht nga shthurja e terroristëve të Hamasit!” Ai, madje, nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u nderua me “Medaljen Presidenciale të Nderit” [Jerusalem Post, 7 Prill 2025], që është dekorata më e lartë civile në Izrael! Kjo ishte medalja e gjakut, që e bëri Ramën bashkëpunëtorë të gjenocidit në kohën kur gjithë bota po e bojkoton dhe po përballet me izolim ndërkombëtar! Herzog-u po udhëtonte në periferitë e Europës për të ushtruar legjitimitet dhe për të treguar se udhëheqësit e tyre ende mund të udhëtonin jashtë vendit. Megjithatë, dyshoj se ata kanë marrë supe të ftohta nga pjesa më e madhe e botës. Tifozllëku i Ramës në anën e aparteidit na sjell ndërmend një fjalë të urtë turke, që thotë se: “kur një palaço hyn në pallatin mbretëror, ai nuk bëhet mbret, por pallati kthehet në cirk...!”

Në shtator 2024, “Jerusalem Post” botoi një shkrim për Baba Mondin, i cili ende po pret realizimin e ëndrrës për mikroshtetin bektashi që ia premtoi kryeministri Rama [New York Times, 21. 09. 2024] pas vizitës së Herzog-ut. Mondi kishte deklaruar: “Unë e njoh Izraelin dhe e konsideroj veten vëlla të popullit të Izraelit. Unë kam vizituar gjithë Izraelin me miqtë e mi atje. Ne i konsiderojmë ata si vëllezër dhe motra. Dy gjëra më lanë shumë përshtypje kur vizitova Izraelin. E para ishte mikpritja. Më mirëpritën si vëlla dhe shok“ [Jerusalem Post, 13 tetor 2024]. Përveç kësaj, thuhet se në mesin e mijërave mercenarëve të huaj përfshihen edhe së paku 200 mercenarë shqiptarë, që luftojnë krah forcave pushtuese izraelite! Njërin prej tyre – Joel Kaplan – kryerabini e pati deklaruar publikisht! Sipas “Middle East Eye”, ai “u pa në një video duke festuar shkatërrimin në Gaza, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga grupet palestineze” [Middle East Eye, 5 shtator 2024]! Asnjë zë i ngjashëm mediatik me ata që shkuan në Siri!? Ky është sindromi “Titanik”, një situatë kur komunitetet janë në prag të përballjes me një fatkeqësi të dukshme, por zgjedhin ta injorojnë atë dhe të përqendrohen në çështje sipërfaqësore ose të parëndësishme. Pak a shumë, njëjtë me atë që ngjau me pasagjerët e Titanikut, të cilët kërcenin e këndonin edhe pse anija po fundosej!

Çfarë i lidh politikanët shqiptarë me Izraelin? Intensifikimi i marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike ndërmjet tyre ka rënë në sy dukshëm. Vizita e parë historike e presidentit Isaac Herzog në shtator 2024, në kohën e ofensivës brutale në Gaza, theksoi raporte të afërta me shtetin shqiptar dhe me shtetin serb, duke u takuar me Vuçiqin dhe Ramën dhe duke bërë një marrëveshje të tregtisë së lirë. Për udhëheqësit shqiptarë dhe serbë, mundësia për të pritur personalitete ndërkombëtare shërben si një mundësi për të forcuar kredencialet e tyre globale. Ky intensifikim u rikonfirmua edhe nga kryetarja e parlamentit, Spiropali, e cila e quan Shqipërinë “lider rajonal në luftë kundër antisemitizmit”! Pavarësisht situatës, industria izraelite vazhdon t’i intensifikojë kërkesat tregtare me Shqipërinë! Ato e zbuluan Shqipërinë si një destinacion turistik të afërt, të lirë dhe të përshtatshëm që kombinon peizazhe të mahnitshme, ushqim të mirë dhe njerëz mikpritës dhe interesantë. INSTAT-i tregon se, në periudhën janar-korrik 2024, eksportet midis dy vendeve janë rritur për 64%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023! Vetëm në korrik të vitit 2024 eksportet e Izraelit në Shqipëri kanë pësuar një rritje për 160%, krahasuar me korrikun e vitit të 2023. Shqipëria i është bashkuar listës së vendeve për furnizimin e Izraelit me naftë gjatë luftës në Gaza! “Oil Change International” raporton se Shqipëria ka dërguar sasi të mëdha të naftës dhe produkteve të rafinuara. Në vitin 2024, Shqipëria u bë furnizuesi i tretë më i madh i naftës së Izraelit, pas Rusisë dhe Brazilit, duke transportuar mbi 70,000 ton. Që nga fillimi i luftës në Gaza, Serbia ka kontribuar gjithashtu, duke dërguar armë me vlerë mbi 25.6 milionë dollarë në Izrael. Agjencitë serbe të inteligjencës thonë, gjithashtu, se kanë blerë armë kibernetike të sofistikuara, të njohura si Pegasus, nga Grupi NSO i Izraelit, për të monitoruar figurat e opozitës brenda vendit. Përtej gjesteve diplomatike, Shqipëria dhe Serbia kanë treguar mbështetje të fortë për përpjekjet luftarake të Izraelit.

Natyrisht, pozicionimin e Shqipërisë në anën e agresorit historia nesër do ta gjykojë me turp, por derisa ne e lexojmë Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut (OKB), mbetemi të shtangur se si nuk ka mbetur asnjë nen i vetëm i saj pa u nëpërkëmbur në mënyrën më flagrante para syve të botës dhe nuk ka mbetur asnjë ndjenjë morali për ta frenuar këtë panjerëzi! Dërdëllitjet për demokraci dita-ditës po varrosen nga po ata që demokracinë e kanë kthyer në peshqir për të fshirë duart e lara të ndërgjegjeve të përlyera me krime kundër njerëzimit. Krimet brenda standardeve të dyfishta perëndimore janë argumenti më i qartë i dështimit të botës së hipokrizisë dhe mosbesimit, për të drejtuar botën drejt paqes, që mbushin konferencat ndërkombëtare dhe botimet e heshtura të referateve pa fund! Kush e studion historinë, e ka të qartë se ç’mëkate bartin mbi supe këta njerëz me kollare që nuk e respektojnë shenjtërinë e jetës së qenieve njerëzore: një burg i izoluar me 2.2 milionë njerëz, mesatarisht të moshës 18-vjeçare, brenda rrënojave e bombardimeve të njëpasnjëshme, pa bukë, pa ujë, pa urgjencë, pa drita, pa internet, pa telefona, pa buldozerë për lirimin e atyre nën rrënoja, pa buldozerë për pastrimin e rrugëve; një vend ku, veç pesë namazeve ditore, falet edhe “namazi i gjashtë”, i xhenazes; një vend ku fëmijët, duke e ditur se janë shënjestër, i shkruajnë emrat e tyre në gjithë trupin, në mënyrë që nëse vriten, të mund t’i njohin prindërit e tyre! Në intervistën e dhënë për “Asoshiated Press”, ministri izraelit i Mbrojtjes thoshte: “Nëse loja është luftë guerile, ne jemi kampionat i botës”, por kjo nuk është një lojë “nintendo”, është realitet i përditshëm tragjik!

Por, a është e ndershme t’i fajësosh vazhdimisht të tjerët pa e kthyer gishtin drejt vetes?! Fillimisht, ideja e krijimit të Izraelit lindi në momentin kur forcat politike të Islamit ishin tejet të ulëta, të prapambetura e të përçara, ja kështu siç janë sot! A nuk kuptohet e gjitha përmes këtij realiteti të hidhur, që izraelitët zënë vetëm 0.4% të territorit që zënë vendet myslimane, dhe a nuk është e çuditshme që një popullatë afërsisht 500-milionëshe nuk është në gjendje të mbrojë një popull dy milionësh nga gjenocidi i një vendi që nuk numëron as 10 milionë banorë!? Këta jo vetëm që nuk e ndihmojnë, por e përkrahin e furnizojnë agresorin dhe e pengojnë kauzën palestineze! Gjithë ajo pasuri burimesh natyrore dhe gjithë ajo varfëri e nënshtrim! Ndërkohë që Islami u bën thirrje për unitet, ata ndahen e përçahen; u bën thirrje për arsimim dhe dije [Kur’ani, 96:1, 4-5], ata e refuzojnë; u bën thirrje për drejtësi, ata i bëjnë zullum njëri-tjetrit; u bën thirrje ta kundërshtojnë ndikimin dhe politikën e të huajve, ata u nënshtrohen dhe miqësohen me ta! E kanë shndërruar Islamin në një grumbull ritualesh, të cilat pjesërisht ose aspak nuk i kryejnë, e pastaj vetushqehen me iluzionin se janë muslimanë të vërtetë. E refuzojnë pjesëmarrjen në ndërtimin e shoqërisë islame dhe, me këtë, praktikisht ndihmojnë në zhvillimin e shoqërisë joislame, e cila mbështetet në dhunë, devijim dhe mëkate [Kutub:1999, f.5-8]. Miliona dollarë në sponsorizime koncertesh, dekorimesh e aktivitetesh të kota. Aq të parëndësishëm, sa askush nuk i pyet për asgjë!

Sidoqoftë, njerëzit që shohin çdo ditë imazhe tronditëse, të frymëzuar nga fjalët e poetit Dylan Thomas (1914-1953), revoltohen “kundër shuarjes së dritës” [www.poets.org] dhe ndjejnë detyrimin të flasin pavarësisht pasojave (të akuzuar për “simpatizantë të terrorit”, “kryengritës” dhe “banditë” e të “dhunshëm”), në mënyrë që të mos bëhen bashkëfajtorë përmes heshtjes së tyre! Ata e kanë parasysh thënien e Albert Anshtajnit, se: “Bota nuk do të shkatërrohet nga ata që bëjnë keq, por nga ata që rrinë duarkryq dhe nuk bëjnë asgjë.” Ata e kanë kuptuar se, për shtatë dekada, vendi i tyre e ka lejuar ose përkrahur Izraelin ta vjedhë tokën palestineze dhe i ka duartrokitur Izraelit kur ai “mbrohej” prej gurëve të fëmijëve palestinezë, por e dënonte ashpër çdonjërin që ua prishte gjumin izraelitëve! Izraeli po varros në Gaza çdo gjë njerëzore, edhe atë në varrin që bashkërisht e gërryen bijtë më “të civilizuar” të kësaj bote, një njollë e errët dhe shumë e rëndë në historinë njerëzore!

Analiza e fuqishme e poetit dhe publicistit palestinezo-amerikan – Favaz Turki (l.1940), e eksploron arrogancën si forcë shkatërruese që po e gërryen Izraelin nga brenda! Ai argumenton se sjellja izraelite nuk është më çështje politike, por një shfaqje klasike e arrogancës, që historia e ka ndëshkuar me rrënim të pashmangshëm! Izraeli po e përsërit fatin e qytetërimeve që e përçmuan realitetin dhe u shembën mbi themelet e arrogancës së tyre. Arroganca izraelite e vetëreklamuar me mburrje kundrejt rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të raporteve të organizatave për të drejtat e njeriut, madje edhe të aktakuzave të Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë dhe të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, u sjell imagjinatën se gjithmonë do ta ketë një fuqi të madhe, si SHBA-ja, për t’ua mbrojtur krahët dhe dëshirën për ta dëgjuar vetëm zërin e vet dhe për t’i ndjekur ambiciet e çmendura për hegjemoninë dhe hapësirën jetike në Lindjen e Mesme! Ky lloj arrogance është gabimi fatal që ka çuar drejt rënies njerëzit më të fuqishëm dhe kombet më të mëdha [TRT Global, 11 Prill 2025]. Për këtë arsye, gazetari i njohur C.J. Werleman e pa të domosdoshme ta shkruajë këtë mesazh: “E dashur Amerikë, jepi vetes një lehtësim tatimor, duke u dhënë fund shpenzimeve prej 4 miliardë dollarësh në vit për një forcë pushtuese dhe të paligjshme, që i bombardon qëllimisht spitalet dhe shkollat”. Le të shpresojmë së paku që të jetë i saktë mendimi i autorit izraelit, Avraham Burg, i cili vite më parë në të përditshmen “Jediut Hadronut” shkruante: “Fundi i projektit sionist është në dyert tona, ka shumë mundësi që brezi ynë do të jetë brezi i fundit i sionizmit” [Jediut Hadronut, 29. 08. 2003].

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X