loader image
June 18, 2025

Besa e shqiptarit, shpëtimi i hebrenjve dhe ndëshkimi i Titos – masakrat komuniste

Humaniteti shqiptar, i shprehur ndaj popullsisë hebraike gjatë LDB-së, në vend se të shpërblehet, menjëherë posa kjo ushtri ripushtoi Kosovën dhe trevat verilindore dhe ato veriore shqiptare ,u ndëshkua nga ushtria komuniste e Titos. Është me rëndësi të vihet në dukje se një politikë e tillë antishqiptare u vu re menjëherë pasi njësitë komuniste jugosllave-maqedonase, me ndihmën edhe të njësive komuniste shqiptare, më 2 shtator 1944 e ripushtuan Dibrën e Madhe.

Qerim LITA, Shkup

Siç është e njohur botërisht, shteti shqiptar, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shndërrua në strehimore të hebrenjve të Ballkanit dhe më gjerë. Burimet arkivore hedhin dritë se, duke filluar nga vjeshta e vitit 1941 e deri në shtator të vitit 1944, në tokat shqiptare qenë vendosur disa qindra familje hebraike, numri më i madh i të cilëve ishin nga territori i ish Mbretërisë Jugosllave, përkatësisht nga Shkupi, Beogradi, Sarajeva, Nishi, Manastiri, pastaj nga Bullgaria, Greqia, Rumania, Polonia, Gjermania, Austria etj. Të gjithë ata u vendosën nëpër banesa kolektive në më shumë qytete të Shqipërisë. Kështu, në Berat, gjatë vitit 1943, ishin vendosur 100 familje hebraike, në qarkun e Durrësit – 181 familje, në Tiranë – 15, në Elbasan – 14, në Vlorë – 23, në Gjirokastër – 23, në Dibër të Madhe – 7 etj. Prefekti i Beratit, Hasan Alizoti, më 15 qershor 1943, e njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme siç vijon:

“Bashkangjitur ju paraqesim listën emnore e gjithë Ebrejve qi ndodhen në këtë qark të plotsueme konformë përmbajtjes urdhnit sipërmë. Shtojmë se kjo listë përmban jo vetëm Ebrejt tardhun nga Prishtina e qi mbajnë nënshtetsinë Shqiptare, por edhe Ebrejt qi janë largue nga Shtetet Fqijë, dërgue këtu e qi mbajnë nënshtetësin e vendeve nga kanë ardhë. Kuestura Mbretnore asht urdhnue për të veprue konform përmbajtjes urdhnit sipërmë për mos me i lanë me u largue nga vendi i banimit të tyre”.

Po kështu, edhe prefekti i Elbasanit, Tafil Boletini, sikurse edhe prefekti i Vlorës, Ahmet Muhtari, e njoftonin MPB-në për strehimin e një numri të konsiderueshëm të hebrenjve në ato dy qarqe, të cilët – për shkak të përndjekjes së organeve policore të shteteve fqinje – ishin detyruar t’i lënë vendet e tyre për të emigruar në Shqipëri. Përveç kësaj, nuk ishte numri i vogël edhe i refugjatëve hebraikë, të cilët ishin strehuar nëpër familjet shqiptare. Ajo çfarë është e rëndësishme të thuhet me këtë rast është fakti asnjë nga ato familje nuk iu dorëzua autoriteteve gjermane.

Mirëpo, humaniteti shqiptar, i shprehur ndaj popullsisë hebraike gjatë LDB-së, në vend se të shpërblehet, menjëherë posa kjo ushtri ripushtoi Kosovën dhe trevat verilindore dhe ato veriore shqiptare ,u ndëshkua nga ushtria komuniste e Titos. Është me rëndësi të vihet në dukje se një politikë e tillë antishqiptare u vu re menjëherë pasi njësitë komuniste jugosllave-maqedonase, me ndihmën edhe të njësive komuniste shqiptare, më 2 shtator 1944 e ripushtuan Dibrën e Madhe. Po atë ditë u vendos pushteti ushtarak jugosllav, i cili në emër të “grumbullimit të armëve”, si dhe në emër të “zbulimit të ballistëve”, arrestoi me dhjetëra veprimtarë të shquar shqiptarë nga ky qytet me rrethinë, një pjesë e të cilëve u pushkatuan pa asnjë proces gjyqësor. Në mesin e të burgosurve ishte edhe komandanti i Zonës Operative I të LNÇJ-së për Maqedoni, Hamdi Dema, i cili u akuzua gjoja se në radhët e LNÇJ-së ishte inkuadruar me sugjerimin e shërbimit sekret gjerman.

Në pjesën e dytë të shtatorit, njësitë partizane, në shenjë hakmarrjeje, i dogjën fshatrat Runicë dhe Gllazhnje të Karadakut të Kumanovës. Kjo ngjarje ndodhi menjëherë pas luftës së Preshevës, e cila u zhvillua natën e Bajramit (më datë 18-19 shtator 1944), midis njësive kreshnike shqiptare, nga njëra anë, dhe njësive partizane jugosllave, përkatësisht Brigadës së VIII, asaj XIII të Preshevës, Brigadës e XII të Bujanocit, Njësitit Partizan të Shkupit, Brigadës së Moravës së Jugut, si dhe Brigadës II dhe III Kosovare. Forcat partizane-jugosllave, me humbje të mëdha, u tërhoqën nga fronti i luftës, ku Brigada e VIII dhe XII, së bashku me njësitin e Shkupit, u nisën në drejtim të Karadakut të Shkupit. Më 22 shtator, ndërmjet Vaksincës dhe Llojanit, u ndeshën me forcat vullnetare të Sylë Hotlës, andaj ata u tërhoqën në drejtim të Runicës. Këto njësi partizane ia dhanë flakën fshatit dhe pushkatuan dhjetëra banorë të tij. Në flakën e zjarrit u dogjën dy gra, tri vajza dhe katër fëmijë të vegjël.

Menjëherë pasi njësitë partizane jugosllave dështuan për marrjen e Preshevës, komandanti i SHK të LNÇM-së, Mihajllo Apostollski, arrin marrëveshje me udhëheqjen e PKB-së (Partinë Komuniste të Bullgarisë), që brigadat partizane bullgare të vendoseshin në Maqedoni. Sipas marrëveshjes, këto brigada duhej të vepronin nga Kriva Pallanka në drejtim të Kumanovës. Veç kësaj, Apostollski, me pëlqimin e udhëheqjes komuniste bullgare, në Sofje bëri mobilizimin e ushtarëve të ish armatës fashiste bullgare me prejardhje nga territori i Maqedonisë. Për këtë, SHK i LNÇM-së, më 27 shtator 1944, e njoftonte Shtabin e Zonës IV Operative se: “Gjeneral Apostollski në Sofje ka bërë pranimin e të gjithë maqedonasve të cilët kanë qenë në ushtrinë bullgare, i ka armatosur me armatim sovjetik dhe ka bërë organizimin e shumë njësive”.

Më 25 tetor 1944, njësitë bullgare u vendosën në vendbanimet Tabanoc, Sopot, Staro Nagoriçane dhe Novo Nagoriçane. Një ditë më pas ata u futën në fshatin Moravicë, ndërsa më 27 tetor edhe në Bukuricë dhe Zhunicë, duke e vazhduar marshin e tyre në drejtim të fshatrave shqiptare që shtrihen mbi hekurudhë, të cilat kontrolloheshin nga forcat vullnetare shqiptare. Në afërsi të Zhunicës ata u ndeshën me vullnetarët shqiptarë dhe, pas një lufte dyorëshe, bullgarët u detyruan të tërhiqen, duke u vendosur brenda fshatit Zhunicë, ku atyre iu bashkuan edhe serbët vendas. Në anën tjetër, forcave shqiptare u erdhën në ndihmë qindra vullnetarë shqiptarë nga Presheva, të cilët e rrethuan fshatin nga dy anët, andaj ushtria bullgare u detyrua ta braktisë fshatin, për t’u vendosur në Sopot. Posa u vendosën në Sopot, bullgarët – në shenjë hakmarrjeje – i grumbulluan banorët e fshatit, ashtu që gratë dhe fëmijët i vendosën në shkollë, ndërsa 71 burrat i futën në xhami dhe pasi i torturuan, 68 prej tyre i pushkatuan, një i ri i larë në gjak arriti t’u ikë, ndërsa dy pleq i falën.

Ndërkohë, në fshatin Bllacë të Shkupit ndodhi një kasaphane e vërtetë. Kjo ngjarje e trishtueshme ndodhi mes datës 18-19 nëntor 1944, kur njësitë partizane të Brigadës XVI u futën në fshat pa ndonjë rezistencë, sepse paraprakisht ishin zhvilluar bisedime dhe të dyja palët kishin rënë në ujdi që t’u mundësohet hyrja e njësive partizane në këtë fshat buzë Karadakut të Shkupit. Menjëherë pas këtyre bisedimeve, Shtabi i Divizionit të Kumanovës, më 16 nëntor 1944, urdhëroi që dy brigadat e tij të fillojnë marshimin e tyre në linjën Shkup – Kaçanik, edhe atë: “Brigada e XVI, me fuqitë e veta operative me 17 nëntor në orën 6 të marshojë në drejtimin Orizare-Çuçer dhe të lidhet me njësitë bullgare, të cilat qëndrojnë në atë linjë të komunikacionit dhe nëpërmjet tyre të vendosin lidhje me Brigadën XVIII.”

Në të njëjtën ditë, komandanti i Brigadës XVI, Gligorie Sharanoviq, i shkruante Komandës së Divizionit të Kumanovës, se sapo ta rregullonte njësinë, do të nisej për Bllacë dhe se sjelljet e tyre me banorët e atij fshati do të ishin ashtu siç do të “rrjedhin ngjarjet”, përkatësisht nëse ata do të bënin edhe “rezistencën më të vogël”, do ta eliminonin e tërë fshatin, ndërsa në rast të kundërt, atëherë do të pushkatonin “vetëm familjarët e atyre fajtorëve”, për të cilët i kishte informuar banori i lartpërmendur serb. Paralajmërimi i Sharanoviqit, fatkeqësisht, u bë realitet me 18 nëntor 1944. Në njoftimin e shtabit të kësaj brigade thuhej se ishin arrestuar 250 fshatarë të Bllacës së Epërme dhe 40 të Bllacës së Poshtme. Arrestimi i fshatarëve u bë me pretekst se ata nuk e kishin dorëzuar armatimin, përkatësisht, siç thuhet në njoftim, “jo vetëm që nuk e dorëzuan atë sasi që e premtuan, por madje filluan të kundërshtojnë me fjalët: “a jeni ju njerëz dhe kujt t’ia japim armën ?”. “Për këtë sjellje të keqe – thuhej më tej në njoftim – luftëtarët tanë aq shumë reaguan, saqë me një mund të madh arritëm ta pengojmë kasaphanën e vërtetë ndaj shqiptarëve, por megjithatë në këtë drejtim nuk u arrit shumë, sepse luftëtarët depërtuan deri te vendi ku shqiptarët ishin të vendosur, arritën të ndajnë një numër shumë të madh dhe të njëjtit i ekzekutuan”. Paraprakisht, me urdhër të Sharanoviqit, u ekzekutuan 15 vetë, me pretekst se e kishin keqtrajtuar popullatën serbe në Karadak. Gjithë kjo kasaphanë nuk i kënaqi sllavo-komunistët, të cilët me 19 nëntor, gjatë marshimit të tyre në drejtim të Kaçanikut, morën edhe 50 banorë tjerë të Bllacës dhe në afërsi të Lepencit i ekzekutuan. Më pas, njësitë e kësaj brigade u vendosën në Kosovë, ku kryen krime dhe masakra të shumta në fshatrat Muçbabë, Bukorocë e Keqe, Ranatoc, Gosponicë, Stanec, Depcë, Gruhali, Buricë, Kurbali, Caravajkë, Shurdhan, Sefer, Lozbali, Buhiç etj.

Dhuna dhe terrori i njësive partizane-çetnike jugosllave u shtri në mbarë hapësirën veri-lindore shqiptare, që nga Struga e deri në Preshevë, me ç’rast njësitë pushtuese jugosllave-maqedonase vranë dhe masakruan qindra shqiptarë të pafajshëm, mijëra të tjerë i arrestuan, duke i vendosur nëpër kampet e përqendrimit nëpër kazermat ushtarake e lokalitete tjera, siç ishin: Monopoli i Duhanit në Tetovë, kazermat ushtarake në Kërçovë e Gostivar, pastaj shkollat në Saraqinë e Grupçin, kampet e përqendrimit në Vaksincë e Preshevë etj.. Veprimet e tilla kryheshin me urdhër të udhëheqjes së lartë politike e ushtarake maqedonase. Shtabi i Korparmatës XV, më 25 nëntor 1944, i raportonte SHK të LNÇM-së për numrin e shqiptarëve të burgosur, të cilët ishin vendosur nëpër llogoret e brigadave. Në atë raport shprehimisht thuhej: “…Në llogorin e Brigadës I – 40 ballistë dhe 25 që nuk kanë dorëzuar armë; në llogorin e Brigadës IV nuk ka asnjë rob; në llogorin e Brigadës VI – 28 ballistë dhe 46 shqiptarë (arnautë) të cilët nuk kanë dorëzuar armët; dhe në llogorin e Brigadës XV – 736 vetë, kurse në burgun e OZN-ës – 54 vetë ballistë…”. Ky numër do të pesëfishohet duke arritur në shifrën 5.000 shqiptarë të pafajshëm nga qyteti dhe fshatrat e Gostivarit. Përveç kësaj, më 26 nëntor të vitit 1944 në Gostivar u pushkatuan pa gjyq rreth 20 shqiptarë, që u lanë disa ditë në rrugët e qytetit, për ta terrorizuar popullsinë.

Masakrimet e forcave partizan-çetnike nuk do të ndalen me kaq. Ata i prej burgut të Kërçovës morën 320 burra dhe djem të rinj të Zajazit dhe i pushkatuan në malin Gradicë, midis fshatrave Vrapçishtë dhe Toplicë, duke qenë të lidhur me tela e litarë nga 6 veta bashkë. Në fshatin Vrapçisht, në nëntor të vitit 1944, u pushkatuan pa gjyq më shumë se 150 shqiptarë. Po në rajonin e Gostivarit u dogj fshati Përshevcë dhe u pushkatuan të gjithë meshkujt në gropat që fshatarët kishin qenë të detyruar t’i hapnin vetë me forcë nga repartet ushtarake.

Ngjashëm si në Gostivar e Kërçovë, u veprua edhe në Tetovë, ku me urdhër të shtabit të Korparmatës I, njësitë e kësaj korparmate i mblodhën të gjithë meshkujt shqiptarë, duke i vendosur në Monopolin e Tetovës, nëpër shkollat e fshatrave Zhelinë, Grupçin etj. Numri i të burgosurve nuk mund të dihet saktësisht, mirëpo supozohet se arrinte nga 6000-10000 vetë. Nga kampet, sikurse edhe nga burgjet, me lista të veçanta pushkatoheshin për çdo natë me dhjetëra shqiptarë, me pretekst se gjoja kishin marrë pjesë në grupet e Xhemë Gostivarit e të Mefail Zajazit. Përveç kësaj, në mesin e të arrestuarve filluan të përhapen në masë epidemitë e ndryshme, si dezinteria, tifua etj., kjo sidomos në kampet e Kërçovës. Si rrjedhojë e kësaj, krahas pushkatimeve që bëheshin çdo natë, me dhjetëra shqiptarë vdisnin edhe nga këto sëmundje. Pas reagimit të vëllezërve Agolli (Nexhatit dhe Qemalit) pranë Svetozar Vukmanoviq Tempos dhe Llazar Kolishevskit, këta të fundit u dakorduan, sa për sy e faqe, se gjoja do të shqyrtoheshin në hollësi këto krime, për çka formalisht formuan disa komisione, në të cilat krahas maqedonasve, merrnin pjesë edhe disa shqiptarë. Një komision i tillë u formua edhe për Monopolin e Duhanit të Tetovës, i cili arriti të lirojë shumë pak shqiptarë të burgosur. Po kështu ndodhi edhe me Komisionin e Kampit të Përqendrimit, që ndodhej në shkollën e Grupçinit. Është e rëndësishme të vihet në dukje fakti se përderisa komisionet në mbrëmje ktheheshin në Shkup, “…bëheshin pastrime, d.m.th., pushkatoheshin të burgosur të pafajshëm, sipas urdhrit të V. Tempos, Kolishevskit, Markos (Aleksandër Rankoviqit – v.j.) e të tjerë…”. Si rrjedhojë e kësaj gjendjeje të padurueshme, një komision i udhëhequr nga Nexhat Agolli, gjatë muajit shkurt 1945, kërkoi nga S. V. Tempo lirimin e të gjithë shqiptarëve të pafajshëm. Ky i fundit, i drejtohet komandantit të përgjithshëm të UNÇM-së, Mihajllo Apostollskit, duke i thënë shprehimisht këto fjalë: “ende po i mbani ata (shqiptarët – v. j.) që keni për t’i qëruar; qëroni sa më parë, ndërsa të tjerët lironi”.

Përkundër reagimeve dhe protestave të shqiptarëve, si dhe ndërhyrjeve të disa komunistëve shqiptarë, siç u tha më lart, nëpër kampet e përqendrimit dhe në burgjet e OZN-ës vazhdonin pushkatimet dhe vrasjet pa gjyq. Masakra masive u bënë në brigjet e Vardarit pranë Tetovës. Ata që ishin caktuar nga OZN-a për t’u ekzekutuar, veçoheshin nga masa e të arrestuarve të tjerë nën pretekstin se do t’i dërgonin për t’i plotësuar repartet ushtarake ose për t’i transferuar në kampe të tjera dhe ekzekutoheshin rrugës.

Studiuesi shqiptar, Lefter Nasi, në veprën e tij “Ripushtimi i Kosovës shtator 1944-shtator 1945”, duke u mbështetur në dëshmitë e faktorit njeri, thekson se vetëm në kampin e përqendrimit në Tetovë “nga 10.000 shqiptarët e arrestuar, OZN-a i pushkatoi pa gjyq 1.200 prej tyre, pa bërë fjalë për ata që vdiqën në burgje”. Në vazhdim ai shkruan se në fillim të vitit 1945, oficerë të reparteve ushtarake maqedonase “zgjodhën midis të arrestuarve nga kampi i përqendrimit në Tetovë, 500 djem shqiptarë, të aftë për pushkë”, si dhe 300 të tjerë nga Shkupi, me pretekstin se një pjesë e tyre do të përdoreshin për t’i plotësuar repartet e tjera dhe “për ta nuk u dëgjua e nuk o mor vesh asgjë”.

Brigadat komuniste serbo-maqedonase, nga 20 nëntori depërt­uan në territorin e sotëm të Kosovës dhe Fushëgropës së Kumanovës e të Preshevës, si: Brigada XVI qëndronte në fshatrat shqiptare midis Bllacës dhe Kaç­anikut, Brigada XVIII qëndronte në regjionin e Ferizajt, ndërsa Brigada XVII ishin në territorin midis Mateçit dhe Preshevës.

Më 24 nëntor 1944 Shtabi i Divizionit të Kumanovës i raportonte Shtabit Kryesor të Maqedonisë, ku e paralajmëronte “rrezikun” nga “krijimi i brigadave shqipta­re”, nga shkaku se ato po krijoheshin, siç thuhej, “me direktivën e të deleguarit të Shtabit për Kosovë dhe Metohi, pa shkuar fare në çarmatosjen e përgjithshme të shqiptarëve”. Kjo, për mendimin e tyre, krijonte “një pasqyrë të shëmtuar” nga shkaku se ky shtab qëndrimin e shqiptarëve në sektorët e tjerë e shihte si një rrezik të madh, për arsye se të gjitha ato forca shqiptare mbanin lidhje ndërmjet vete “për një sulm të përbashkët” kundër njësive partizane jugosllave, menjëherë posa të tërhiqeshin njësitë bullgare. Dy ditë pas këtij raporti, Shtabi i Korparmatës XVI të LNÇM-së lëshoi një urdhëresë, në të cilën iu kërkua Shtabit të Divizionit të Kumanovës, që me brigadat e veta me 28 nëntor të kryejë një aksion të përgjith­shëm mbi fshatrat shqiptare të Kaçanikut, Ferizajt, Vitisë, Gjilanit, Kumanovës dhe të Preshevës. Krahas brigadave të atij divizioni, në aksion do të marrin pjesë edhe Brigada XII e Divizionit 42 dhe dy batalione të Divizionit 50. Më tej, SHK i LNÇM-së urdhëronte që “gjatë marshimit ose luftimeve, në qoftë se haset në ndonjë rezistencë armiqësore, të gjithë ata shqiptarë të cilët janë të armatosur, si edhe ata të cilët e kanë fshehur armatimin dhe gjatë kontrollimit zbulohen, aty për aty të ekzekutohen… Të gjitha vendbanimet, vazhdonte urdhëresa, ku do të depërtoni detajisht të kontrollohen dhe të gjithë meshkujt nga mosha prej 16 deri 50 vjeç t’i merrni nëpër llogore dhe t’i koncentroni në territoret e brigadave të juaja”.

Andaj, më 29 nëntor, në orët e hershme të mëngjesit, brigadat e Divizi­onit të Kumanovës dhe të Divizionit 42, marshuan në vendbanimet shqiptare edhe atë: Brigada XII në fshat­rat Kurbali, Mjak, Brezë, ndërsa Brigadat XVI dhe XVIII nga Ferizaji në drejtim të Vitisë. Gjatë atij marshimi, nën pretekstin e çarmato­sjes së popullatës dhe të shtypjes së “reaksionit”, u vranë, masakr­uan u arrestuan qindra banorë shqiptarë të fshatrave që shtriheshin midis Ferizajit, Kaçanikut dhe Gjilanit. Sipas të dhënave që i ofron Shtabi i Divizionit të Kumanovës, numri i të vrarëve ishte mbi 200, ndërsa 100 të tjerë u arrestuan, ndërsa u dogjën dhe u plaçkitën shumë fshatra.

Një masakër e ngjashme si ajo e Sopotit dhe Bllacës u krye në fshatin Izvor nga ana e Brigadës XVII. Ngjarja tragjike ndodhi më 29 nëntor, kur pas një marrëveshjeje paraprake midis parisë së fshatit dhe shtabit të kësaj brigade, një batalion u fut në fshat. Me pretekst se fshatarët e Izvorit kanë përgatitur një atentat ndaj shtabit të këtij batalioni, u arrestuan të gjithë meshkujt e këtij fshati (gjithsej 44) dhe të gjithë u ekzekutu­an përnjëherë. Njëkohësisht fshatit i vihet zjarri.

Krimet dhe masakrat e shumta të njësive komuniste jugosllave, përkatësisht atyre serbe, bullgare e maqedonase, ndodhën edhe në zonën e Gjilanit. Këto njësi, në mënyrë të veçantë njësitë e Brigadës XVII, kryen një terror dhe gjenocid të paparë në fshatrat e rrethit të Gjilanit, Preshevës dhe Bujanocit, ku vetëm në qytetin e Gjilanit i masakruan mbi 200 shqiptarë. Në mesin e tyre pati gra, fëmijë e pleq. Përveç kësaj, njësitë e kësaj brigade, vranë dhe masakruan disa qindra shqiptarë tjerë të fshatrave Tërnovc, Miratoc, Tërnovë, Nesellcë, Qallarë etj.

Këto masakra e revoltuan tej mase popullsinë shqiptare të këtyre rretheve, e cila u rreshtua krah forcave kombëtare, të cilave u prinin Mulla Idriz Gjilani dhe Sulë Hotla. Për rrjedhojë, në pjesën e dytë të muajit dhjetor 1944 forcat kombëtare të Mulla Idris Gjilanit dhe të Sulë Hotlës i sulmuan njësitë e Brigadës së XVII Maqedone-Bullgare, në fshatrat Sestivojcë, Kermindell dhe Qarr, me ç’rast këta të fundit, pasi pësuan humbje të mëdha në njerëz dhe në armatim, u detyruan të tërhiqeshin nga fronti i luftës. I shqetësuar nga këto humbje të mëdha që i pësoi kjo brigadë, Shtabi i Kryesor i LNÇM-së urdhëroi shtabin e Brigadës IV Shqiptare, që me njësitë e veta të vendosej në rajonin e Bujanocit. Në një dokument të LNÇSH-së, i cili ruhet në Muzeun e Peshkopisë, mes tjerash, marshimi i brigadës së IV shqiptare nga Shkupi në drejtim të Bujanocit, përshkruhet si më poshtë:

“…Brigada menjëherë filloi marshimin në drejtim të Bujanovcit. Gjatë rrugës në krahun e djathtë binin në sy fshatrat shqiptare të djegura nga ushtria bullgare e maqedonase, e cila njëkohësisht kishte vrarë e prerë mjaft shqiptarë. Fshatrat e dëmtuara nga shovinistët bullgarë e maqedonasë, në të djathtë e në të majtë të rrugës për në Bujanoc, që ishte afro 10 km qytetit të Vranjës, ishin fshatrat: Tërnovci, Sopoti i Sipërm dhe Sopoti i Poshtëm, Sushovi, Llojani, Miratovci, Tërnova, Neselca, Qallari e të tjerë. Me qenë se Bujanovci ishte dëmtuar nga lufta, brigadës ju deshtë të vendosej në fshatin Tërnovc, që kishte 600 shtëpi shqiptare…”.

Duhet theksuar se nga muaji nëntor 1944 në territorin e Kosovës ishin vendosur mbi 40.000 trupa pushtuese komuniste jugosllave, bullgare e shqiptare, të cilët në emër të çarmatosjes zbatuan një dhunë dhe terror të paparë ndaj popullsisë civile shqiptare. Pasi u grumbullua tërë armatimi, u burgos tërë paria dhe personalitetet e njohura, të cilët u dërguan në burgjet më të rënda, ku shumica nga ata vdiqën nga uria dhe tortura. Ngjashëm sikurse në Maqedoni, edhe në Kosovë u hapën kampe të shumta të përqendrimit, në të cilat u vendosën dhjetëra mijëra shqiptarë të moshës 18-50 vjeçare. Partizanët jugosllavë i merrnin në mbrëmje nga 10-15 të burgosur dhe i vritnin në mënyrë më mizore, duke i rrahur, vrarë, ther apo varur, ndërsa jo rrallë edhe duke i goditur me tokmak në kokë, duke i shpuar me gjilpërë ose duke u prerë pjesë të trupit derisa ende ishin gjallë. Këtyre akteve të shëmtuara duhet shtuar se partizanët jugosllavë talleshin se gjoja kanë ardhur të blejnë mish, me fjalët “mate edhe për mua një kilogram mish”. Si rrjedhojë e kësaj dhune, torture dhe barbarizmi, në Kosovë, në harkun kohor nëntor 1944 – shtator 1945, kanë vdekur me mijëra shqiptarë të pafajshëm.

Në fshatin Muzhevinë të Istogut, partizanët jugosllavë, përveçse vranë tërë meshkujt e fshatit, i vranë edhe 13 anëtarë, fëmijë dhe gra, të familjes së Rexhep Halitit. Shtatëdhjetë e pesë (75) personalitete të njohura të Drenicës u vranë në mënyrën më mizore të mundshme, duke i goditur me tokmak në kokë dhe ata më pas u hodhën në një gropë të madhe. Ky akt barbar e revoltoi popullin e Drenicës, andaj mbi 6.000 meshkuj të kësaj krahine e filluan luftën e njohur si “Lufta e Drenicës”, e cila filloi më 22 janar, ndërsa përfundoi më 18 shkurt të vitit 1945. Forcat kombëtare shqiptare, të udhëhequra nga Shaban Polluzha, ishin të rrethuara prej 12-15 brigadave komuniste serbe, maqedonase, bullgare, shqiptare dhe malazeze, të cilat numëronin rreth 36.000 ushtarë. Gjatë atyre 28 ditëve, sa zgjatën luftimet, u vranë dhe u plagosën 430 luftëtarë nga Drenica, u dogjën mbi 150 shtëpi, 6.000 banorëve të Drenicës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës me rrethet iu grabit tërë ushqimi dhe pasuria e tundur. Më 18 shkurt 1945, u vra komandanti i përgjithshëm i forcave kombëtare, Shaban Polluzha, dhe tre komandantët tjerë: Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica dhe Gani Llaushi. Ata, siç i shkruante prof. Ymer Berisha, kryetarit të Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri, gjeneralit Hodgson, “…e dhanë rezistencën e fundit vetëm e vetëm të mos bien gjallë në duart e armikut”.

Forcat pushtuese partizane-çetnike jugosllave, pasi vranë e masakruan mijëra shqiptarë të pafajshëm, dhjetëra mijëra të tjerë i arrestuan, duke i vendosur nëpër burgje dhe kampe të përqendrimit, për çka u bë fjalë më lart, në janar të vitit 1945, ndërmorën një aksion tjetër nëpër vendbanime shqiptare, ku mijëra të rinj shqiptarë u mobilizuan në mënyrë të dhunshme, për fatin e të cilëve nuk dinte askush, sepse të njëjtit qëndronin të zbathur e të zhveshur në kampet e përqendrimit në Kumanovë e në Prizren. Ndërkohë, me urdhër të SHP të UNÇJ-së për Maqedoni, të mobilizuarit shqiptarë nga Kumanova u dërguan për në Prizren, për të vazhduar më pas në Kukës, Shkodër dhe në bregdetin e Adriatikut, ku një pjesë e madhe e tyre u vranë gjatë rrugëtimit. Ja se si e përshkruante këtë tragjedi kombëtare proklamata e dalë nga Kongresi I (III) të NDSH-së, mbajtur në korrik 1945 në Kopilaçe:

“…Çdo kush do të qante kur do ta shihte këtë rini shqiptare në përcjellje të një malazezi të prishur. Më të guximshmit u përpoqën të arratisen, mirëpo nga plumbat e ushtarëve ata u rrethuan. Rruga Prizren-Shkodër u shndërrua në një kasaphane të vërtetë njerëzore. Një pjesë e këtyre njerëzve të rinj arritën të shpëtojnë, duke u arratisur në male ku edhe sot gjenden të lirë nëpër batalionet tona, duke ua treguar tragjedinë e zezë të atyre ditëve. Të tjerët, të cilët nuk arritën të shpëtojnë nga kamxhiku i përgjakur i armikut, u dërguan në TIVAR për tua dorëzuar komandantëve malazezë”.

Duhet theksuar se shqiptarët e mobilizuar në mënyrë të dhunshme, pa asnjë armë në dorë, kalojnë nëpër territorin e Shqipërisë, në marrëveshje dhe me lejen e shtetit shqiptar. Udhëheqja komuniste shqiptare lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. Bashkëpunimi shtetëror jugosllav-shqiptar për asgjësimin e rekrutëve shqiptarë nga Kosova dhe trevat lindore shqiptare, brenda territorit të Shqipërisë, konfirmohet e plotësohet edhe nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, më 8 prill 1945, ku shprehimisht thuhet:

“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë, me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe u bëri thirrje që të dorëzohen. Ata nuk u përgjigjen ndaj kësaj thirrjeje, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë vdiqën”.

Historiani Sabit Syla, duke iu referuar burimeve diplomatike shqiptare, thekson se shteti shqiptar jo vetëm që heshti përballë dhunës e terrorit të ushtruar në viset shqiptare të Jugosllavisë, por në disa raste ai e lejoi që dhuna jugosllave të shtrihej edhe në territorin e shtetit shqiptar. “Në këto krime, shprehet Syla, kanë marrë pjesë edhe disa agjentë të qeverisë shqiptare”, të cilët në fillim të vitit 1945 lejuan që oficerët e OZN-ës jugosllavet’i pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në territorin e shtetit shqiptar, më tepër se 1.000 shqiptarë nga Kosova.

Ndërkohë, burimet e dalë nga hetuesia dhe procesi gjyqësor kundër anëtarëve të KQ të NDSH-së, bëjnë të ditur se Masakra e Tivarit erdhi menjëherë pas vrasjes së Milladin Popoviqit. Kjo vrasje, sipas këtyre burimeve, ishte organizuar në një mbledhje të fshehtë të mbajtur në Pejë, në fillim të muajit janar 1945, në të cilën paskan marrë pjesë: “Haki Taha, mësues nga Gjakova, Ibraim Banushi – Sedllari, Enver Sudi e një person tjetër. Në këtë mbledhje, theksohet më tej në dokument, kanë vendosur që të likuidohen shokët: Milladin Popoviq, Dushan Mugosha, Xhavit Nimani dhe Fadil Hoxha. Shorti i ra që Haki Taha të kryejë atentat mbi shokun Milladin Popoviq…. Hakiu me 13 mars 1945 u fut në zyrën e komitetit të qarkut te shoku Milladin, me të cilin për një kohë bisedon dhe në bisedë e sipër e nxjerr revolen dhe e vret. Arriti të largohet. Pas tri ditësh, pasi që më ishte i rrethuar, i bllokuar dhe të mos bjerë në duart e policisë, kryen vetëvrasje. Në kraharorin ndër këmishë, e kishte flamurin kombëtar shqiptar, në të cilin kishte shkruar: Kosova e lirë bashkërisht me Shqipërinë”.

Është me interes të thuhet se udhëheqja e NDSH-së posedonte informata të sigurta se masakra ndaj 3.000 të rinjve shqiptarë në Tivar ishte kryer me urdhër të Fadil Hoxhës, në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së Milladin Popoviqit. Ata e shprehin këtë në Proklamatën e sipërpërmendur, ku theksojnë: “…Këto ditë ndodhi që heroi i kombit, Haki Taha, në qendër të qytetit Prishtinë ta vret armikun më të madh të Kosovës, Milladin Popoviqin. Fadil Hoxha e shfrytëzoi këtë moment të volitshëm dhe i lëshon urdhëresë komandantit malazez që të pushkatojë shqiptarë sa të dëshirojë ai, vetëm e vetëm që të hakmerrej për Milladinin. Urdhri u zbatua. Mbi 3.000 shqiptarë të ri u masakruan nga duart e gjakosura malazeze. Kjo gjakderdhje do të vazhdonte ndaj të gjithëve që kishin qenë aty nëse nuk pati intervenime nga ana e disa familjeve të ndershme në Tivar dhe kështu urdhri u zbatua deri në gjysmë…”.

Lidhur me numrin e të vrarëve ofrohen të dhëna më të ndryshme. Kështu, në Promemorien e Besës Kombëtare, dërguar shefit të misionit ushtarak britanik, gjeneralit Hodgson, në pjesën ku përshkruhen vrasjet masive të popullsisë shqiptare nga forcat partizane jugosllave thuhej: “Numri i të vrarëve saktësisht nuk mund të dihet. Dihet vetëm ajo se në Mal të Zi janë vrarë brenda 24 orëve 1670 njerëz (mendohet për masakrën e Tivarit – v.j.), në Dubrovnik 560 ndërsa në rrugën Prizren-Shkodër 700 vetë”.

Marrë në përgjithësi, forcat komuniste jugosllave-maqedonase-bullgare, në harkun kohor shtator 1944 – mars 1945, vranë, masakruan dhe pushkatuan rreth 36.000 shqiptarë, kryesisht popullatë civile. Po këta forca, sipas profesor Ymer Berishës, vranë dhe masakruan mbi 26.000 shqiptarë të pafajshëm në këto qytete e rrethe të Kosovës: Prizren, Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Pejë, Istog, Plavë, Guci, Skenderaj, Rozhaj, Tutin, Pazari i Ri, Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Prishtinë, Gjilan dhe Ferizaj.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X