loader image
October 14, 2024

Demitizimi i luftës çlirimtare

Kur iu dorëzuan Gjykatës së Hagës Thaçi e Veseli, takova një veteran tek po qante. Veterani në fjalë nuk ka përfituar asgjë nga lufta e tij, bën të njëjtën punë që ka bërë para lufte. E pyeta se përse po i dhimbsen komandantët nga të cilët nuk kishte përfituar asgjë dhe madje as nuk kishte dalë t’i votonte në zgjedhje. “Edhe punën qe e ke, nuk e ke fituar falë tyre dhe do ta kesh prapë. Ti nuk rrezikohesh me asgjë.”, i thashë. Ai ma ktheu: “Po po humbi”. “Çka po humbë?” – e pyeta. “Po e humbi legjendën për pjesëmarrje në luftën e lavdishme”, u përgjigj.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Verën e 4 viteve më parë, duke dalë në plazhin e Durrësit, afër një dyqani, pashë 5 fëmijë vendas 10-12-vjeçarë tek e kishin rrethuar një moshatar të tyre boshnjak për t’ia grabitur lekët. Boshnjaku kishte mbledhur grushtet dhe po u thoshte: “Moj babo ubio 100 četnika, zaklaće vas.” (Babai im ka vrarë 100 çetnikë, ka për t’jua prerë fytin). “Nuk kuptojmë gjë shkërdhatë muti, na i jep lekët” – po i thoshin banditët e vegjël shqiptarë. U futa mes tyre, mora nën mbrojtje fëmijën boshnjak dhe i tremba banditët e vegjël. E bleu akulloren në dyqan dhe e shoqërova deri tek prindërit e tij në plazh. U njoha me ta dhe u tregova ngjarjen. E pyeta babanë e tij: “Vërtet ke vrarë 100 çetnikë?”. Më tha që ka qenë në luftë dhe nuk e di nëse ka vrarë ndonjë çetnik, por djalit ia ka ndërtuar këtë legjendë, ngase tezën e tij e kanë dhunuar çetnikët. Për këtë, shokët e klasës e kanë tallur në shkollë dhe ai i ka thënë atij t’u thotë: “Heshtni se babi im i ka vrarë 100 çetnikë dhe nëse u dëgjon, ua pret kokën edhe juve”.

Këtu e kuptova përse popujt e shtypur ngrenë mite të rrejshme pas çlirimit. Thjesht, për ta qetësuar ndërgjegjen për nderin e nëpërkëmbur.

Kur iu dorëzuan Gjykatës së Hagës Thaçi e Veseli, takova një veteran tek po qante. Veterani në fjalë nuk ka përfituar asgjë nga lufta e tij, bën të njëjtën punë që ka bërë para lufte. E pyeta se përse po i dhimbsen komandantët nga të cilët nuk kishte përfituar asgjë dhe madje as nuk kishte dalë t’i votonte në zgjedhje. “Edhe punën qe e ke, nuk e ke fituar falë tyre dhe do ta kesh prapë. Ti nuk rrezikohesh me asgjë.”, i thashë. Ai ma ktheu: “Po po humbi”. “Çka po humbë?” – e pyeta. “Po e humbi legjendën për pjesëmarrje në luftën e lavdishme. Komandantët tanë, duke e mbrojtur veten, kanë me e tregu të vërtetën për luftën dhe kanë me shkatërru legjendën për luftën e lavdishme.”, u përgjigj ai.

Miti i kryeheroit të Kosovës

Kur disa vite më parë shkrova në Facebook se në librat amzë të Shkollës së Mesme Teknike “Boris Kidriq” në Mitrovicë, ku i ka vijuar mësimet Adem Jashari, shkruan se ditëlindja e tij nuk është më 28.11.1955, por më 10.10.1955, u zhvillua një histeri kolektive ndaj meje me pretekstin që ky ishte një sulm ndaj figurës së kryeheroit. Natyrisht, ky nuk ishte qëllimi as efekti real i postimit. Kur argumentoja se me këtë nuk dëmtohet figura e kryeheroit, më thoshin “E vërtetë, po nuk bën me shprushë asgjë rreth figurës së tij, se vërtetë që ajo që ke shkruar ti nuk e dëmton figurën e tij, por pas teje mund të thotë ndokush ndonjë të vërtetë të hidhur e mund ta dëmtojë realisht figurën e kryeheroit”.

Natyrisht, çdo komb ka nevojë për mitet e veta. Edhe kombi kosovar ka nevojë për mitin e kryeheroit, por elitat intelektuale duhet ta diskutojnë atë se çfarë miti do të ngrihet për kryeheroin. Një mit është më i qëndrueshëm sa më shumë që i përngjanë realitetit.

Miti që do t’i përafrohej realitetit më së shumti do të ishte ai i sakrificës. Njeriu ka sakrifikuar 20 anëtarë të familjes dhe ky është një rast unikal botëror që do të na bënte të mburremi. Ky mit do të shërbente si mit për atë se sa është e vlefshme liria për Kosovën. Do të shërbente si mit për atë se sa qytetari i Kosovës do të jetë i lidhur për truallin e vet. Ky mit është i domosdoshëm sidomos për kohën tonë, kur shumë të rinj po e lëshojnë Kosovën.

Por, miti për Kryeheroin e Kosovës, Adem Jashari, është ngritur në një dimension krejt tjetër. Sintagma që e shoqëron emrin e Adem Jasharit është “Komandanti Legjendar”. Pra, theksi vihet tek aftësitë komanduese të tij. Këto aftësi edhe mund të kenë qenë gjeniale, por e vërteta është se ai nuk arriti të komandonte më shumë sesa disa dhjetëra veta. Dhe, këta dhjetëra veta, bashkë me komandantin e tyre, nuk bënë gjë tjetër, pos ca aksioneve guerile ndaj policisë serbe. Miti i ngritur në këtë mënyrë le që nuk përngjason me realitetin, por nuk është në shërbim të asgjëje, pos faktit që ata që identifikohen me uniformën e UÇK-së të mburren se ishin “ushtarë të Komandantit Legjendar”. Në fakt, 99 për qind e tyre u bënë ushtarë tek pasi u vra Adem Jashari.

Shpesh ndodhte që diplomatë e gazetarë të huaj talleshin me ne se përse detyruam NATO-n të intervenonte kur kishim një Komandant Legjendar dhe një ushtri  të lavdishme.

Miti në funksion të keqpërdorimit

Në fakt, miti i luftës çlirimtare është bërë edhe me qëllim keqpërdorimi. E tillë ishte ideja e arkivit të UÇK-së. Në të vërtetë, nuk kishte ndonjë arkiv të madh dhe gjithë dokumentacioni i paktë, çfarë posedonte UÇK-ja, mund të zinte një qoshe të vogël të Arkivit të Kosovës. Por, këtu kishte interes të punësoheshin ca veta kot, të nxirrej ndonjë tender, ku ndokush do të përfitonte ca dhjetëra mijëra euro nga korrupsioni. Mirëpo, kur krerët e UÇK-së në Hagë u përballën me akuza, ata e mohuan vërtetësinë e shumë dokumenteve që do të ofroheshin si lëndë e parë e arkivit.

Vendimi antikushtetues për pagesën e avokatëve

Tribunali special në Hagë e sfidoi Kosovën edhe me një element – vendimin antikushtetues të Qeverisë së Kosovës për të bartur shpenzimet e avokatëve të përzgjedhur të të akuzuarve. Sipas Ministres së Drejtësisë, deri më tani janë shpenzuar 18 milionë euro. Kjo i bie që deri më tani, çdo qytetar i Kosovës ka paguar më shumë se 10 euro për të akuzuarit në Hagë. Në bazë të ligjit në fuqi, çdo qytetar i akuzuar për vepër penale, që nuk ka mundësi të paguajë avokatin, shteti i siguron një avokat dhe ketë mundësi ua jep edhe tribunali special i Hagës nga fondi 400-milionësh i këtij tribunali, i siguruar nga donatorët: SHBA, BE, Turqia, Norvegjia dhe Zvicra. Por, mundësia që u është dhënë krerëve të UÇK-së, që të përzgjedhin avokatët më të mirë në botë dhe ata të paguhen nga buxheti i Kosovës është vendim antikushtetues dhe e cenon barazinë para ligjit. Nesër një kriminel i zakonshëm, i vënë para akuzave, mund të thotë se nuk ka para ta paguajë avokatin dhe të kërkojë që të ketë për avokat Ben Emersonin ose ndonjë avokat tjetër dhe shteti ta paguajë atë avokat siç po ua paguan të akuzuarve në Hagë. Nëse shteti i Kosovës e refuzon, atëherë e cenon barazinë e qytetarëve para ligjit.

Duke qenë se faturat e avokatëve i paguan shteti i Kosovës, askush nuk çan kokë për atë se sa abuzojnë avokatët. Madje, kjo i rrezikon edhe vetë të akuzuarit, sepse pagesat bëhen pavarësisht nëse mbrojtja do të ketë sukses apo jo, siç rëndom ndodh kur i akuzuari i paguan nga xhepi i vet dhe një pjesë e pagesës kushtëzohet me suksesin ose mossuksesin e mbrojtjes.

Në rastin Gucati-Haradinaj kishim dështim total të mbrojtjes. Morën nga 4 vite e gjysmë dënim me burg nga maksimumi 5 vite për veprën për të cilën akuzoheshin. Avokatët e tyre morën shuma astronomike. Kaq do të dënoheshin sikur të mos kishin fare avokatë. Madje, sikur ta pranonin fajësinë maksimumi i dënimit të paraparë ishte dy vite e gjysmë. E njëjta gjë mund t’u ndodhë edhe të akuzuarve të tjerë.

A komprometohet lufta e drejtë nëse dënohen krerët e UÇK-së?

Jo. Hajt ta zhvendosim paralelen në Ukrainë. Sot lufta mbrojtëse e Ukrainës konsiderohet e drejtë nga shumica e botës. Presidenti i saj, Volodimir Zelenski, shihet si një hero. Imagjinoni sikur pas përfundimit të luftës në dobi të Ukrainës të vërtetohet se Presidenti Zelenski një pjesë të ndihmave të aleatëve i ka futur në llogari private dhe, për pasojë, kanë pësuar ushtarakë ose civilë ukrainasë. Apo ta zëmë, vërtetohet se Presidenti Zelenski e ka shfrytëzuar situatën e luftës për të eliminuar fizikisht rivalët e tij politikë. Në një rast të tillë a do të duhej të dënohej Zelenski? Po. A do ta bënte kjo luftën e Ukrainës jo të drejtë? Jo.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X