loader image
December 14, 2024

Politikë e bazuar në parime për organizim shoqëror parakombëtar

Komunistët shqiptarë e identifikonin veten me Bashkimin Sovjetik dhe ishin pro pushtimit fashist të Shqipërisë për aq kohë sa Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania, aleatja e Italisë fashiste, kishin një pakt mossulmimi mes tyre (marrëveshja Molotov-Ribentrop, 1939). Kur ky pakt u prish (22 qershor 1941), pushtimi fashist i Shqipërisë e fitoi automatikisht statusin e një pushtimi të keq.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Kur u pushtua Shqipëria më 1939, shumë qytetarë shqiptarë, njerëz të cilët për arsye të ndryshme e urrenin mbretin Zog I, u gëzuan që një ushtri e huaj shkeli sovranitetin e Shqipërisë, përzuri një qeveri legjitime nga pushteti dhe rrëzoi një mbret legjitim nga froni. Urrejtja e këtyre njerëzve karshi mbretit dhe qeverisë së tyre ishte më e fortë se dashuria për atdheun, sovranitetin ose lirinë. Këta njerëz gjendeshin kudo, në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ata që i përkisnin elitës do të mbeten përjetësisht të shënjuar në histori nga delegatët që shkuan në Romë dhe ia dhuruan kurorën e Mbretërisë Shqiptare mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III. Pjesa e atyre që gjendej në shtresat e ulëta, grupi më i identifikuar, do të mbeten komunistët.

Më 29 nëntor 1939, me rastin e festës së pavarësisë, një grup komunistësh shkuan te varri i Avni Rustemit dhe iu drejtuan atij me këto fjalë: “Rri i qetë, Avni, se ideali yt u përmbush me përhapjen e fashizmit në Shqipni, nën Shenjat e Liktorit Perandorak.” Në atë fjalim, i cili ruhet në arkiv, Avni Rustemi, identifikohej si “viktimë e fashizmit shqiptar”. Morali i atij fjalimi ishte: “Fashizmi shqiptar ishte i keq se vrau Avni Rustemin; fashizmi italian ishte i mirë se përzuri nga pushteti vrasësin (e supozuar) të Avni Rustemit.” Ky parim moral i përket periudhës parakombëtare, atëherë kur e mira dhe keqja ekzistonin në raport me interesat e grupit dhe funksionon kështu: Kur grupi A vjedh grupin B, kjo është gjë e mirë; kur grupi B vjedh grupin A, kjo është gjë e keqe. Pra, për të njëjtin veprim ka dy vlerësime të kundërta, sepse gjithçka shihet nga këndvështrimi i interesave të një grupi, grupit A në këtë rast.

Niveli parakombëtar i formimit të një pjese të popullsisë shqiptare është shfrytëzuar vazhdimisht nga fuqi të huaja për të avancuar interesat e tyre në Shqipëri, të cilat shpesh binin ndesh me interesat e kombit shqiptar.

Komunistët shqiptarë e identifikonin veten me Bashkimin Sovjetik dhe ishin pro pushtimit fashist të Shqipërisë për aq kohë sa Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania, aleatja e Italisë fashiste, kishin një pakt mossulmimi mes tyre (marrëveshja Molotov-Ribentrop, 1939). Kur ky pakt u prish (22 qershor 1941), pushtimi fashist i Shqipërisë e fitoi automatikisht statusin e një pushtimi të keq. Parimi moral në sjelljen e komunistëve ishte: kur bashkëpunon me Bashkimin Sovjetik, fashizmi është regjim i mirë; kur i shpall luftë Bashkimit Sovjetik, fashizmi është një regjim i keq.

Politikisht, komunistët ishin të parëndësishëm në Shqipëri deri në gjysmën e dytë të vitit 1941. Kur Gjermania e sulmoi ushtarakisht Bashkimin Sovjetik (22 qershor 1941), Moska tregoi interes për organizimin e tyre dhe, për rrjedhojë, u krijua Partia Komuniste Shqiptare (PKSH).

Procedura e ndjekur ishte e tillë: Moska dha urdhër për mobilizimin e komunistëve kudo në botë, në luftë kundër Gjermanisë dhe aleatëve të saj. Partia Komuniste Jugosllave (PKJ) u ngarkua të mbulonte dhe çështjen e organizimit të komunistëve shqiptarë. Kështu, nën kujdesin e komunistëve jugosllavë, më 8 nëntor 1941 u krijua Partia Komuniste Shqiptare (PKSH). Motivi i organizmit politik e ushtarak të komunistëve shqiptarë ishte mbrojtja e sovranitetit të Bashkimit Sovjetik.

Më 1943, me financimin britanik dhe nën drejtimin e jugosllavëve, çetat partizane, ca banda kriminale që funksiononin si krahu ushtarak i PKSH-së, u shkrinë në formacione më të mëdha, më mirë të armatosura, të cilat, ashtu si PKSH-ja, ishin nën kontrollin e komunistëve jugosllavë. Kështu u krijua fuqia ushtarake, e cila e dëmtoi Shqipërinë më shumë se pushtimi fashist e çdo pushtim i huaj para apo pas tij.

Në luftën civile, që nisi në Shqipëri me nxitjen e komunistëve, u vranë më shumë qytetarë shqiptarë sesa gjatë pushtimit italian. Bazuar në statistika të dokumentuara, numri i partizanëve të vrarë nga fashistët italianë gjatë periudhës 1942-1943 ishte më i vogël se numri i qytetarëve shqiptarë të vrarë nga partizanët gjatë të njëjtës periudhë, madje dhe më i vogël se ata të vrarë në vitet 1945-46, kur supozohej që lufta kishte mbaruar dhe Shqipëria ishte çliruar. Qëndresa kundër kësaj force politike dhe ushtarake kriminale ishte e përgjakshme, por mbeti e izoluar ndërkombëtarisht dhe, për rrjedhojë, komunistët e fituan luftën civile, e morën pushtetin dhe e mbajtën atë për gjysmë shekulli.

Dëmi i luftës civile ishte eliminimi fizik i kundërshtarëve politikë, ndërsa dëmi i sundimit komunist ishte deformimi i karakterit të qytetarit shqiptar dhe atij kombëtar. Parimi moral bazë i shoqërisë komuniste ishte partishmëria, që do të thoshte besnikëria e PKSH-së. E mira dhe e keqja përcaktoheshin në varësi të qëndrimit të partisë. E mira ishte diçka që pëlqehej nga partia, ndërsa e keqja ishte diçka që nuk pëlqehej prej saj. Për shembull, të flisje mirë për Titon ishte e moralshme deri në pranverë 1948, por ishte e pamoralshme më vonë. Titua nuk kishte ndryshuar, por qëndrimi i PKSH-së ndaj tij po. Njerëz të pajisur me një moral të tillë gjenden me shumicë në shoqërinë shqiptare, në të gjitha nivelet e saj, sot. Në majat më larta të saj.

Sali Berisha, ish-president (1992-1997), ish-kryeministër (2005-2013), ish-komunist gjatë 20 viteve të fundit të regjimit komunist, po e shkatërron opozitën dhe demokracinë shqiptare vetëm pse vendos interesat personale mbi gjithçka tjetër. Për rolin e tij në dy vitet e fundit kemi folur në nja dy shkrime të mëparshme në revistën “Shenja”, por këtu do të kujtojmë kalimthi faktin që më 2021 ai u shpall nongrata nga Departamenti i Shtetit. Ai vendim i SHBA-së ishte një mesazh që Berisha duhej të hiqte dorë nga politika dhe të dilte në pension. Por, ai jo vetëm që nuk u largua, por u përpoq ta merrte drejtimin e Partisë Demokratike, në opozitë, në mënyrë të paligjshme. Selinë e saj e mori me dhunë dhe vazhdon ta mbajë. Një politikan me vetëdije kombëtare do të kishte vepruar ndryshe: do të ishte tërhequr për të mos e dëmtuar vendin e tij.

Të njëjtat parime morale funksionojnë dhe për pozitën – mbi gjithçka vendoset interesi i liderit dhe i partisë. Partia në pushtet, pasuese direkte e PKSH-së, vazhdon t’i ruajë aleancat e vjetra në Ballkan, kjo në dëm të interesave kombëtare. Tashmë nuk ekziston më Jugosllavia, por trashëgimtarja e PKSH-së gjendet në aleancë me trashëgimtaren e Jugosllavisë. Ideja e bashkimit në Federatën Ballkanike është zëvendësuar nga ideja “Open Ballkan”. Në thelb është e njëjta gjë: dominimi i Ballkanit nga Beogradi. Në aspektin e brendshëm, pushteti i trashëgimtarëve të komunistëve është brutal. Gjatë fushatës elektorale që po zhvillohet për zgjedhjet lokale që janë më 14 maj 2023, kryeministri ka deklaruar se qeveria e tij nuk do t’u japë financime bashkive që votojnë për partitë e tjera, duke e shpallur hapur që qeveria shqiptare, e cila financohet nga taksat e gjithë qytetarëve, nuk është qeveri në shërbim të tyre, por të një pjese të tyre. Niveli parakombëtar i një politikani ose partie politike nuk mund të jetë më qartë se kaq!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X