loader image
December 14, 2024

Përfundimi i Kushtetutës

Nëse tani, pas 30 viteve, nuk është koha e përshtatshme për ta pranuar realitetin e gjuhës shqipe, kur do vijë ajo kohë? Reagimi i ministrit Osmani dhe eksponentëve tjerë të partisë së tij se tani nuk qenka koha për t’u hapur tema e përfshirjes së kërkesave tjera, siç janë gjuha shqipe dhe mosvjetrimi i korrupsionit, më duken kalkulim ordinar i politikës ditore, edhe pse deklaruesi për këtë gjë i akuzoi promovuesit e këtyre dy propozimeve!

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Ndryshimet e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut vetëm kanë sjellë përparim dhe dobi për vendin! Kjo është kështu, sepse kushtetuta e RMV-së është një kushtetutë “e mbjellë shtrembër” dhe e bazuar në padrejtësi dhe diskriminim.

Tri intervenimet kushtetuese, duke filluar nga ndryshimi i flamurit të Vergjinës së “huazuar” nga antika greke (1995), përmes ndryshimeve kushtetuese që dolën si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit (2001) dhe ndryshimet që rezultuan nga Marrëveshja e Prespës (2018), kanë shërbyer për të përmirësuar gabimin fillestar dhe për të korrigjuar shkurtpamësitë e politikës që e solli këtë kushtetutë në vitin 1991. Me secilin ndryshim të kushtetutës, pra, pak nga pak bie poshtë megalomania nacionaliste maqedonase që e solli kushtetutën e vitit 1991.

Por, çfarë shoqërie është Maqedonia e Veriut dhe pse duhet që kushtetuta dhe ndërtimi i saj i brendshëm të korrespondojnë me karakterin dhe kompozicionin e vërtetë të popullit të saj? Në Maqedoni të Veriut, pak a shumë çdo i dyti person është maqedonas (54 për qind sipas regjistrimit të fundit), pak a shumë çdo i treti person është shqiptar, çdo i njëzeti person deklarohet si turk, ndërsa të tjerët janë romë, boshnjakë, serbë apo vllahë. Gjashtë nga dhjetë banorët e këtij vendi janë të fesë krishtere, ndërsa katër të tjerët janë myslimanë. Kjo është një laramani kulturore që e bën Maqedoninë e Veriut të ngjashme me shtetet tjera multikulturore: Belgjikën, Zvicrën dhe Bosnjën dhe jo një shoqëri monoetnike, ku një popull është në numër dominues, siç janë Franca, Polonia ose Shqipëria dhe Kroacia, të gjitha këto shtete ku grupi më i madh etnik është në përqindje 90 e më shumë. Në Maqedoni të Veriut, sipas regjistrimit të fundit, maqedonasit janë 54 për qind – shumë larg një përqindjeje të tillë që veten ta quajë komb dominues dhe ky shtet të jetë ekskluzivisht shërbyes dhe simbol vetëm i një etnie.

Kushtetuta e papërfunduar e vitit 1991

Kushtetuta e vitit 1991 tentoi ta mohojë realitetin etnik dhe e projektoi Maqedoninë e asaj kohe si shtet ekskluzivisht i etnisë maqedonase. Në nëntor të vitit 1991, rreth 80 deputetë të kombësisë maqedonase, të dalë nga zgjedhjet e para shumëpartiake të Republikës së Maqedonisë, mbivotuan në baza të majorizimit etnik 25 deputetët shqiptarë për ta sjellë një kushtetutë të re. Kushtetutën e bënë ashtu siç donin maqedonasit dhe pa i pyetur fare shqiptarët, të cilët edhe e bojkotuan aktin e votimit të saj.

Deputetët e partive maqedonase në tekstin e preambulës kushtetuese vendosën ta definojnë Maqedoninë si shtet i cili buron nga “trashëgimia historike, kulturore, shpirtërore dhe shtetërore e popullit maqedonas dhe nga lufta e tij shekullore për liri nacionale dhe sociale”.

Kështu, paria politike etnike maqedonase, e cila si sot, edhe atëherë, ishte e organizuar në dy kampe kuaziideologjike: e majta (e rreshtuar rreth LSDM-së) dhe e djathta (rreth VMRO-DPMNE-së) gjeti gjuhë të përbashkët mes vete dhe vendosi t’i anashkalojë tërësisht shqiptarët gjatë procesit të vendosjes së gurthemelit të shtetit të përbashkët.

Maqedonia në mendjen e tyre nuk ishte ashtu siç është Maqedonia vërtetë, në projeksionin e tyre virtual Maqedonia ishte një shtet klasik monoetnik i cili duhet t’i shërbejë kolektivit dhe tipareve kulturore të grupit më të madh etnik, pra maqedonasve si kategori shtetërore duke i anashkaluar tiparet kolektive shqiptare dhe duke i trajtuar ato si një kategori joshtetërore, pra si kategori private.

Pikërisht nga kjo mendësi e dekonstitucionalizimit të qenies shqiptare, buron edhe “kompromisi i 20-shi” një ashiqare rezistencë ndaj përmendjes së çdo gjëje që ka të bëjë me shqiptarët dhe shqiptarin në tekstin kushtetues të modifikuar në vitin 2001.

A është koha tani apo e lamë për më vonë?

Siç thamë, në qoftë se ndryshimet e Kushtetutës së RMV-së vetëm kanë sjellë përparim dhe stabilizim të brendshëm dhe të jashtëm, pra e kanë përmirësuar shtetin, duke e bërë atë më të shendetshëm dhe më të përshtatur realitetit të tij demografik, etnik dhe historik, parashtrohet pyetja se pse tani nuk do ishte koha për ta hequr 20-përqindëshin së bashku me inkuadrimin e etnisë bullgare në versionin e ardhshëm të kushtetutës? Nëse tani, pas 30 viteve, nuk është koha e përshtatshme për ta pranuar realitetin e gjuhës shqipe, kur do vijë ajo kohë? Reagimi i ministrit Osmani dhe eksponentëve tjerë të partisë së tij se tani nuk qenka koha për t’u hapur tema e përfshirjes së kërkesave tjera, siç janë gjuha shqipe dhe mosvjetrimi i korrupsionit, më duken kalkulim ordinar i politikës ditore, edhe pse deklaruesi për këtë gjë i akuzoi promovuesit e këtyre dy propozimeve!

Përderisa kushtetuta jonë përdor formulime jonstandarde dhe të sajuara për kamuflim të gjuhës shqipe, siç është “gjuha e 20-përqindëshit” – formulime këto të papara në ndonjë kushtetutë tjetër në botë – ajo vijon të jetë një kushtetutë e brishtë dhe, si e tillë, akoma prodhon polarizim etnik dhe jostabilitet të brendshëm. Stabilizim dhe politikë proeuropiane nuk është të kënaqësh apetite të politikës etnocentrike të qarqeve nacionaliste maqedonase. Politikë proeuropiane dhe stabilizim është t’i eliminosh burimet e jostabilitetit në kushtetutën e RMV-së!

Hapja e Kushtetutës për ta mbyllur përfundimisht

Hapja e radhës e kushtetutës për t’i inkuadruar bullgarët pa dyshim se do ta mundësonte hapjen e negociatave me BE-në, ashtu siç e promovon sot koalicioni qeveritar dhe një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik dhe politik. Por, hapja e kushtetutës për etninë bullgare pa i prekur anomalitë tjera në të, do të paraqiste një rast të humbur për një konsolidim të qenësishëm të normalizimit të brendshëm të shtetit.

Në këtë kontekst, përmirësimi i anomalive strukturore (gjuha shqipe) dhe sistemore (vjetrimi i lëndëve të korrupsionit) do të kishin vlerë të shtuar për ta bërë shtetin më të mirë, më të drejtë dhe më të barabartë. Kjo mund mos t’u përgjigjet interesave personale dhe ditore të qarqeve të ndryshme politike në Shkup, por nuk ka se si nuk është përmirësim i shtetit.

Rrjedhimisht, edhe versionet e ardhshme ku bullgarët do të futeshin në preambulë dhe gjuha shqipe nuk do të trajtohej më si “gjuhë e popullit të 20-përqindëshit” nuk janë asgjë tjetër, pos një normalizimi dhe qytetërim i diçkahit që ka lindur dhe zhvilluar jashtë suazave të normales!

Si përfundim

Në vitin 1991, paria maqedonase, duke vepruar me një miopi tipike për nacional-shovinistët e viteve ’90-ta, në vend që të ulet dhe të krijojë një marrëveshje konsensuale me shqiptarët për ta ndërtuar një shtet të përbashkët e të mirë, vendosi të krijojë një shtet vetëm për maqedonasit. Ky shtet nuk ka se si do ishte i mirë, sepse u prodhua me plot defekte. Efektet e këtyre defekteve konstitucionale e shtetërore i jetuam dhe i jetojmë edhe sot. Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, edhe pse 3 herë e reformuar, akoma përmban disa nga këto defekte – reformimi i saj i ardhshëm mund të jetë edhe i fundit, në qoftë se i hiqen të gjitha anomalitë dhe defektet e mbetura. Në qofte se “tani nuk është koha”, atëherë “shëndosh, se e hapim përsëri”. Uroj kjo hapje të jetë edhe përfundim i kushtetutës!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X