loader image
January 7, 2025

Cili ishte ndikimi i Ibrahim Rugovës dhe SH.SH.K në ato zhvillime

Faktikisht, evoluimi i koncepteve politike të tij filloi që në ditët e para si kryetar i SHSHK-së, krahas ambicieve për të bërë ndryshime e për të pasur sukses si kryetar. Puna e parë që shtroi ishte gjetja e një objekti tjetër për punën e Shoqatës, gjë që e realizoi falë miqësisë që kishte me një drejtues të një organizate arsimore, Nail Lumën. Pas disa muajsh, po falë miqësisë me Bedri Hysën, i cili ishte poet dhe në atë kohë shef i Bashkësisë Krahinore të Kulturës, Rugova mori në shfrytëzim e, më vonë, në pronësi të Shoqatës ish objektin e Kosovafilmit. Ai objekt më vonë do të bëhet objekti më i rëndësishëm në historinë e re të Kosovës, pasi që në atë objekt u themelua LDK-ja.

Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, më 16 shkurt 1988, kur Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i saj ishte në një barakë të vjetër druri, në të cilën banonte edhe një familje rome, sigurisht në një varfëri ekstreme. Baraka ishte e kapluar nga lagështia, me ndriçim të dobët, ngase dritareve të saj të vogla ua zinte dritën ndërtesa hijerëndë e policisë së shtetit dhe e shërbimit sekret jugosllav (UDB), e cila ishte vetëm nja njëzet-tridhjetë metra larg. Në atë kompeks ndërtesash shtetërore, bashkë me policinë dhe shërbimin sekret, ishte edhe ndërtesa e burgut të Prishtinës, me çka baraka disi futej në një darë kërcënuese. Nuk e di a ishte futur Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës me plan apo rastësisht në atë kompleks të godinave të mbikëqyrjes e të represionit shtetëror, por rezultati ishte se ajo seli ishte nën vëzhgim dhe kërcënim direkt. Ndërsa nga ana e prapme e barakës ishte pjesa lindore e stadiumit të qytetit, ku spikaste më së shumti kafeneja e vogël e Miqës, që ishte një vendtakim i disa serbëve pianecë. Mund të them se në të vetmin rast kur Ibrahimi ndiente bezdi ishte kur kalonim afër kafenesë së Miqes, sepse siç më pati thënë në një rast, kur edhe më kërkoi të dilja nga ajo anë nga binte kafeneja, UDB-a mund t’i nxiste ata tipa për të shkaktuar ndonjë incident. Pra, baraka ku e filloi punën Ibrahim Rugova, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (dhe unë si sekretar i saj), ishte jo vetëm e papërshtatshme për punë normale, po ishte edhe e ekspozuar ndaj survejimeve e provokimeve. Si për ta kompletuar simbolikën, financimi i saj me një buxhet të vogël e bënte Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës të dukej e ngjashme me atë familjen e varfër rome, me të cilën ishte nën një kulm. Kushdo që e dinte këtë fillim të çuditshëm të karrierës publike e politike të Ibrahim Rugovës më 16 shkurt të vitit 1988, kishte të drejtë të çuditej kur do ta shihte Rugovën në vitin 1998 si mysafir në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Ama, për të mbërritur nga ajo barakë e mjerë në Shtëpinë e Bardhë dhe në nivelet e larta të politikës si president i Kosovës, Ibrahim Rugova kaloi nëpër një rrugë të vështirë në vitet 1988-1999.

Nuk jam i sigurt se mund të shkruhet ndonjëherë e plotë historia e asaj rruge të vështirë, sigurisht as nga unë që kam qenë me të që nga dita e 16 shkurtit 1988 e deri në prill të vitit 2000, kur rrugët tona u ndanë. Pse nuk mund të shkruhet? Sepse nuk mund të dihet kurrë plotësisht se cili ka qenë raporti ndërmjet fatit të tij të determinuar për të qenë një udhëheqës historik dhe vizionit, guximit e mençurisë së tij në situata konkrete jetësore e politike. Në fakt, unë i shoh komplementare, pra Rugova vërtet dukej si person i determinuar për të qenë një udhëheqës i një vendi të robëruar jo vetëm sepse e pati specifik fatin familjar, po edhe pasi e pati intuitën e guximin që ta ndiqte misionin, duke manovruar në rrethanat që ndryshonin marramenthi. Fjala vjen, në qershor 1989, në prag të kremtes serbe të Betejës së Kosovës (Vidovdanit), kërcënimi i kreut të atëhershëm komunist se Rugova do të mund të arrestohej, paraqiste rrezik real për ta shkatërruar karrierën e tij. Ai kërcënim ishte i nxitur nga intervista e Rugovës me titull “Serbët po kthehen si hakmarrës” në “Der Shpigel” me gazetaren Renate Flotaun, ku Rugova denonconte skenarin hakmarrës të Millosheviqit. Por, në fjalimin që mbajti në Gazimestan pas pak ditësh, Millosheviqi vërtet paralajmëroi hakmarrjen kundër shqiptarëve dhe luftërat që po planifikonte Serbia imperiale, gjë që nxiti reagimin e SHBA-së dhe Perëndimit, ndërsa ai reagim u shndërrua vetvetiu edhe në mekanizëm mbrojtës për Rugovën, përballë kërcënimeve të regjimit. Nuk po e kaloj rrëfimin në mistifikim, por vetëm po përpiqem të qartësoj se sa i pagjasa ishte projekti i Rugovës në fillimet e tij dhe se si mandej mori një trajektore politike, ndonëse esencialisht reaktive, por që u bë projekt fitimtar i shqiptarëve të Kosovës në raport me projektin jugosllav e edhe me atë serbomadh.

Në fakt, projekti indipendentist i Rugovës, edhe në skenën ideologjike të shqiptarëve të Kosovës, kishte dy rivalë të ashpër. Deri në shfaqjen e Rugovës dominonin dy opsione ideologjike konkuruese: integrizimi jugosllav, i cili synonte ta bënte Kosovën republikë në federatën jugosllave, dhe irredentizmi shqiptar, i cili e proklamonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Shfaqja e indipendentizmit si rrymë mendimi e, më vonë, si projekt politik, në të cilin Ibrahim Rugova mund të mbahet si autori kryesor, sigurisht që u stimulua nga kriza që u shfaq në federatën jugosllave. Por, u desh vizionariteti dhe guximi i Rugovës që ajo kthesë të kapej dhe të merrej orientimi që u mor për Kosovën si shtet të pavarur dhe të orientuar me çdo kusht drejt botës atlantike. Kriza e federatës jugosllave krijoi ambient më të përshtatshëm për idenë e pavarësisë, por e vërteta që unë e di saktë është se idenë e një Kosove të pavarur Rugova e kishte në kokë qysh para se të hynte në politikë.

Mbaj mend se në janar të vitit 1989, derisa po ktheheshin nga Zagrebi, ku ishim në një mbedhje të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, në një vagon treni, Rugova filloi të ma shpaloste vizionin e tij për Kosovën si shtet. Ndër të tjera po thoshte se himni shtetëror i Kosovës do të ishte me motive të këngës “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, se stema do të ishte me motive dardane, se Kosova duhej të afrohej e të anëtarësohej në NATO… Në atë ekspoze të tij programore pati qortim për Hasan Prishtinën pse në gusht të vitit 1912 nuk e kishte shpallur pavarësinë e Kosovës në Prishtinë, gjë që tash do ta na ndihmonte shumë si referencë historike. E shikoja përgjumshëm, siç isha në ato orë të vona të natës, pa ia prishur meditimin, por as pa e kuptuar plotësisht se çfarë saktësisht po bluante në mendje, përtej asaj që po thoshte me fjalë. Prandaj jam i bindur se pa Rugovën dhe LDK-në, si forca dominuese në skenën politike që nga 23 dhjetori 1989, mund të kishte më shumë konfuzione e konflikte ideologjike brenda vetë shqiptarëve të Kosovës, sidomos ndërmjet integristëve e irredentistëve. Konfliktet e tilla do të mund ta paralizonin aksionin politik, që ishte i domosdoshëm për formulimin e kërkesave të shqiptarëve në kontekstin e krizës jugosllave, e cila po përshkallëzohej. Po qe se do të kishte konflikte të brendshme ideologjike e politike dhe mungesë aktivizmi politik e nacional, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj mund të mos kalkulonin zgjidhjen e krizës jugosllave, duke e përfshirë në ekuacion edhe Kosovën, ashtu si ishte në fillimet e krizës, kur Kosova trajtohej si çështje e brendshme e Serbisë. Fjala vjen, dhuna brutale ndaj protestave në vitet 1988-1989 dhe suprimimi i autonomisë së Kosovës përjetoheshin nga aktorët ndërkombëtarë si problem i të drejtave të njeriut. Në ato vite kemi pasur disa delegacione që vinin nga Parlamenti Europian, nga Komiteti i Helsinkit, nga ambasadat e ndryshme, por që të gjithë ata atë që ndodhte në Kosovë e trajtonin si problem të të drejtave të njeriut. Ndërkaq, në mendjen e Ibrahim Rugovës ajo çështje konsiderohej çështje demokratike, çështje e barazisë kombëtare dhe çështje e deklarimit të vullnetit të popullit. Prandaj them se në ato rrethana skajshmërisht të rënda, falë vizionit e qartësisë së tij intelektuale e politike, dukej si i determinuar të bëhej udhëheqës i një Kosove që po ziente nga dhuna e Serbisë, por edhe nga konfuzioni i saj ideologjik e politik. Distancimi i Rugovës nga politikat e integristëve jugosllavë, po edhe nga ideologjia e enveristëve lokalë, ka qenë e qartë dhe e prerë, në stilin “as, as”. Prandaj jorastësisht Noel Malkolm-i në librin “Kosova – një histori e shkurtër” konstaton: “…Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës e paraqiti platformën e pikësynimeve politike kombëtare shqiptare që hasi në përkrahje të gjerë, duke e shndërruar Shoqatën e Shkrimtarëve… në një embrion të Lëvizjes popullore. “ (“Kosova një histori e shkurtër”, fq. 362)

Faktikisht, evoluimi i koncepteve politike të tij filloi që në ditët e para si kryetar i SHSHK-së, krahas ambicieve për të bërë ndryshime e për të pasur sukses si kryetar. Puna e parë që shtroi ishte gjetja e një objekti tjetër për punën e Shoqatës, gjë që e realizoi falë miqësisë që kishte me një drejtues të një organizate arsimore, Nail Lumën. Pas disa muajsh, po falë miqësisë me Bedri Hysën, i cili ishte poet dhe në atë kohë shef i Bashkësisë Krahinore të Kulturës, Rugova mori në shfrytëzim e, më vonë, në pronësi të Shoqatës ish objektin e Kosovafilmit. Ai objekt më vonë do të bëhet objekti më i rëndësishëm në historinë e re të Kosovës, pasi që në atë objekt u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, Këshilli për të Drejtat e Njeriut, Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, aty u vendos edhe selia e presidentit të Republikës së Kosovës. Sot është e qartë se po të mbetej SHSHK-ja në atë barakën e vogël e të ndyrë, gjithë proceset politike mund të shkonin më keq. Në një bisedë, në qershor 1998, derisa po më shpaloste disa nga idetë e tij, më pati thënë se ndërtesa e Shoqatës do të bëhej muzeu i pavarësisë së Kosovës. Në fakt, në natën e 24 marsit 1999, ndërtesa u dogj deri në themel nga terroristët serbë. Por, pas çlirimit, ndërtesa u ribë dhe për gjallje të Rugovës u ngrit në Muzeun e Republikës së Kosovës, ashtu siç e kishte parashikuar. Realisht, idetë që i proklamonte, Rugova punonte me ngulm që t’i realizonte, nganjëherë edhe kur nuk ishin aq realiste. Në kulmin e depresionit që e kishim në vitin 1998, ai e përsëriste me ngulm e me dëshpërim se do të punonte për Kosovën e pavarur edhe nëse të gjithë e linim vetëm. Definitivisht, projektin e pavarësisë e ka pasur ide fikse, fiksim, obsesion.

Ndërkaq, puna më urgjente që e nisi Rugova, në planin organizativ, natyrisht bashkë me anëtarët shqiptarë të kryesisë së re, ishte ndryshimi i Statutit të Shoqatës, i cili e kishte një nen ku thuhej se Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës ishte “anëtar kolektiv i Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë”. Ashtu kishte qenë që nga themelimi dhe askush nuk e kishte kontestuar atë zgjidhje, e cila e vinte Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës në pozitë subordinimi në raport me Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë. Të gjithë ata burra e shkrimtarë me nam e me fuqi politike që kishin qenë themelues të saj e kishin defiluar si kryetar, sekretar e anëtarë kryesish e kuvendesh, kishin heshtur. Rugova e theu heshtjen dhe e prishi statu quo-në e paqes së rreme. Anëtarët serbë e malazezë të Shoqatës u rebeluan, shpallën largimin dhe ftuan në ndihmë Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, si edhe organizatat politike në Kosovë, Lidhjen Socialiste të Popullit Punues dhe Lidhjen e Komunistëve e Kosovës. Në verë të vitit 1988 kryetari i LSPP-së, Budimir Vujsiq, doli me kërkesë zyrtare për largimin e Rugovës nga kreu i shkrimtarëve, por kërkesa u refuzua nga komuniteti ynë. Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, bashkë me shoqatat malazeze e maqedonase, kërkuan që Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës të përjashtohej nga LSHJ-ja. Diskutimet kanë qenë të ashpra dhe ato e krijuan klimën për t’u shpërbërë vetë Lidhja e Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Shoqata e Shkrimtarëve Sllovenë dhe ajo kroate ishin kundër përjashtimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Kështu u skicua ajo linjë e konfliktit, e cila do të merrte epilog në tetor të vitit 1989 me shpërbërjen e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Ishte organi i parë federativ që u shkatërrua. Nuk e di a ka qenë rastësi a simbolikë, por e vërteta është se kam qenë folësi i fundit në mikrofon në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Dojran (Gjevgjeli). Në seancën e fundit të Kongresit delegacioni serb nxori një telegram, të cilin e kishin dërguar shkrimtarët serbë të Kosovës, në të cilin thuhej se si gjoja shqiptarët në fshatin Gracë të Vushtrrisë kishin nxjerrë nga varrezat dhe kishin përdhosë kufomat e dy foshnjeve, për çka kërkohej dënim publik dhe përjashtimi i SHSHK-së nga anëtarësia në LSHJ. Derisa po reagoja ndaj atij komploti, kryetari i sapozgjedhur, serbi Sllobodan Seleniq, i bindur se serbët triumfuan me atë komplot, shpalli se punimet e Kongresit ishin mbyllur, pa u miratuar rezoluta e Kongresit. Por, disa ditë pas kthimit në Kosovë, me një telegram dërguar në selinë e LSHJ-së, në Francuska 7, të firmosur nga Rugova, ne shpallëm largimin nga LSHJ-ja, kjo në koordinim me sllovenët e me kroatët.

Në fakt, edhe para shkatërrimit të LSHJ-së pati edhe shumë ngjarje në të cilat spikati lidershipi dhe guximi i Ibrahim Rugovës dhe afirmimi i tij si lider potencial i shqiptarëve të Kosovës. Kështu, në debatin publik për ndryshimet kushtetuese, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës organizoi një debat të madh publik, ku u refuzuan iniciativat për ngushtimin e autonomisë së Kosovës. Në librin tim me titull “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova” e kam përshkruar gjerësisht atë debat dhe kam konkluduar se Rugova u profilizua si strategu që i dha orientimin atij debatit publik edhe në nivel të Kosovës. Autoriteti i tij në sytë e qytetarëve u rrit shumë. Po ashtu në bisedat e shkrimtarëve shqiptarë e serbë në Beograd në temën “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi sot”, në prill 1988, Rugova ishte udhëheqës i delegacionit të shkrimtarëve shqiptarë dhe tregoi vendosmëri e guxim të habitshëm. Në njërën nga seancat, Rugova ia mori nga dora mikrofonin kryetarit të shkrimtarëve serbë, derisa ai po akuzonte Shqipërinë si nxitëse të nacionalizmit shqiptar në Kosovë. Episodi po ndodhte në një sallë kinemaje në Beograd, në të cilin ishin të paktën 400 pjesëmarrës. Nuk e kam pyetur kurrë pse e bëri atë veprim. As ai vetë nuk e ka përmendur kurrë, por duke e njohur, e di që nuk ishte as provokim, as tentim për promovim. Ishte një reagim spontan ndaj një manipulimi që po bënte Aleksandër Petrovi. Atë mënyrë reagimi Rugova e ka pasur disi intuitive. Kur nuk i pëlqente ndonjë gjë, ndërhynte me replikë e edhe me gjeste. Kjo mënyrë reagimi kishte të bënte edhe me sigurinë që i ofronte dituria që posedonte. Dituria ka qenë armë e tij shumë e fortë. Në një rast të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Zagreb, në një seancë që i kushtohej shkrimtarit kroat Ivan Gundulliq, serbët po ngrinin pretendime se ai ishte serb, ndërsa kroatët ndiheshin nën presion. Rugova mbajti në fjalë përshëndetëse, ku deklaroi se Gundulliqi nuk mund të ishte serb, ngase Adriatiku në shekullin XVI u takonte vetëm shqiptarëve dhe kroatëve dhe se shqiptarët e kroatët në atë periudhë ishin fqinj, meqë edhe Dubrovniku ishte dominion osman! Serbët u tërbuan, kroatët u lumturuan. Atë natë, tek po dilnim nga klubi i shkrimtarëve kroat, Ante Stamaqi, një teoricien me nam europian, i tha Rugovës “Zotëri Rugova, duhet ta dini se jeni mysafiri më i dashur sonte në Zagreb”.

Mysafir i dashur Rugova u bë edhe në protestat e studentëve në nëntor 1988, të cilat u organizuan si përkrahje për protestat e minatorëve të Trepçës. Bashkë shkuam në Hallën e Sporteve, për të shprehur solidarizimin me studentët e minatorët. Një grup i madh studentësh e rrethuan Rugovën, ai u ul këmbëkryq dhe filloi të diskutonte me ta gjatë e shtruar. Me maturinë dhe durimin e tij, ai fitoi simpatinë e studentëve, gjë që me siguri e ngriti edhe më lart popullaritetin e tij. Nga këto episode të paktë që solla mund të arrihet në një konkluzion se Rugova ishte vizionar, ishte i guximshëm, por gjithnjë modest dhe i matur.

Kur e nisëm idenë e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ditën kur në listë ishim vetëm katër firma, ia nxora atë listë përpara në zyrë dhe i kërkova që të bëhej anëtar i Këshillit Themelues, duke i treguar se ishte ide për një shoqatë politike. Ai e firmosi menjëherë dhe ashtu u bë njëri nga themeluesit e saj e nga 23 dhjetori 1989 kryetar i saj. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në Kosovë atë ditë ishte në zbatim gjendja e jashtëzakonshme. Themelimi i LDK-së ka qenë ngjarja më e madhe politike e asaj kohe. Kush ka qenë në atë ngjarje, ka të drejtë të jetë krenar me kontributin e vet, sepse atë ditë aty është bërë historia. Nga çasti kur Rugova u zgjodh kryetar i LDK-së, filloi një periudhë e re si për të, por edhe për të gjithë ne e edhe për Kosovën.

Edhe kur ishte kryetar i LDK-së dhe si president i Republikës së Kosovës, Rugova vazhdoi të ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, deri në gusht të vitit 1999. Prandaj mund të thuhet se biografia e tij politike është shumë e lidhur me Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, sikundër që historia e saj arriti majat falë punës dhe autoritetit të tij. Duke qenë kryetar i asaj Shoqate, Rugova u bë udhëheqës historik i Kosovës, fitues i çmimit Saharov e bashkëbisedues i liderëve botërorë. Ndërsa ajo shoqatë shkrimtarësh, e cila në shkurt 1988 bjerrte ditët në një barakë të vogël, më vonë u shndërrua në adresën më të rëndësishme të Kosovës, në vitet kur Kosova nga një çështje e të drejtave të njeriut, u shndërrua në një çështje të sigurisë ndërkombëtare të dorës së parë. Bindja ime është se pa lidershipin e Rugovës në vitet 1988-1999, jo vetëm historia e shkrimtarëve, po edhe historia e Kosovës do të shkonte ndryshe, shumë më keq. (Në Prishtinë,18-24 nëntor 2024) 

 

 

Shtojcë: Komente për Cuneusin dhe Bogdanin

Studimi i Ibrahim Rugovës “Vepra e Bogdanit 1675- 1685 (Cuneus Prophetarum)” është një studim mirëfilli filologjik dhe një nga studimet më të arrira në këtë fushë. Por, studimi është bërë dhe mbetet brenda studimeve filologjike, nga një filolog, e kurrsesi në fushën e teologjisë, pra jo nga ndonjë teolog. Rugova vazhdimisht në studimin e tij e thekson vlerën filozofike të veprës së Bogdanit, duke e vështruar edhe në kontekstin e Renesansës. Për shembull: “Në këtë kontekst bie edhe vepra e Bogdanit, që është libri i parë me probleme filozofike, shkencore, teologjike e kulturore të kohës së vet. Me kërkesën e tij esenciale për të inkuadruar dijen në një ambient dhe ambientimin e dijes në atë ambient, vepra lidhet me kërkesat e renesancës në filozofi e të reformës në planin teologjik (Rugova: 31)

Ndërsa lidhur me sjelljen e Bogdanit dhe të shumicës së priftërinjve shqiptarë në trojet shqiptare, Rugova konstaton se ata e respektonin bashkëjetesën e besimeve e të popujve e nuk i zbatonin verbërisht urdhërat e Vatikanit: “Mund të thuhet se përkundër tendencës themelore të Propagandës që kleri të merrej thjesht vetëm me çështje të fesë, priftërinjtë tanë kishin, në shumicë, kërkesa më të arsyeshme për nevojat e vendit dhe i përshtateshin situatës. Pos tjerash ata, përkundër mospajtimit të Vatikanit, ishin dhe kontribuojnë për një bashkëjetesë të besimeve, të popullsisë me besime të ndryshme, e në Kosovë edhe ndërmjet popujve dhe religjioneve.” (Rugova: 41)

Sipas observimeve kritike të Rugovës, Bogdani nuk ishte ndonjë zbatues fanatik i dogmës krishtere, po e afirmonte filozofinë e shkencën në një bashkëjetesë me teologjinë: “Së pari jep krijimin sipas versionit teologjik të rrathëve të qiejve, e pastaj atë të planeteve, si version i filozofisë së natyrës, që është një kompromis teologjik-filozofik.” (105)

Ose: “Prandaj e gjithë vepra është një praktikë filozofike, një filozofim i pasur dhe i thelluar me argumente mbi krijimin në kuptim më të gjerë dhe mbi jetën dhe përvojën njerëzore në planin e vendosjes dhe të shqyrtimit transcendental.” (Rugova: 93)

Bile në një rast për Bogdanin pohon se kishte elemente të botëkuptimit panteist, që po të jetë ashtu, brenda Kishës Romane do ta kualifikohej si heretik: “Pra mund të thuhet se vërehen elemente panteiste në botëkuptimin e tij të përgjithshëm” (251)

Po të influencohej mekanikisht studiuesi nga botëkuptimi i autorit që studion, Rugova në këtë rast do të shpallej panteist! Në fakt, studimi i Rugovës për Bogdanin nuk është aspak i kufizuar në evidencimin dhe afirmimin e koncepteve fetare, po më shumë të atyre filozofike, shkencore, humaniste e identitare. Bile, mund të thuhet me siguri të plotë se Rugova në këtë studim ka bërë teprime ne tentimin e tij që ta dekristianizojë tekstin e Bogdanit, duke e prezantuar më shumë si produkt të humanizmit e të Renesacës, në njërën anë, dhe të vetëdijes etnike, nga ana tjetër. Noel Malkolm-i, në një studim të tijin për Bogdanin, e rikthen vëmendjen pikërisht te funksioni që synonte t’ia jipte Bogdani tekstit të vet në projektin e Propagandës Fide për rikonvertimin e shqiptarëve që e kishin përqafuar Islamin. Faktikisht, Rugova e minimizon, pothuasje e fsheh krejt këtë aspekt të veprës së Bogdanit. Po qe se do të ishte nën ndikimin e ideve prozilituese të Bogdanit, ai do t’i theksonte, do t’i sforconte ato ide, ndërsa ai e ka bërë krejt të kundërtën, pra i ka minimuzuar dhe i ka fshehur për ta paraqitur Bogdanin në një dritë më të mirë, si figurë unifikuese shqiptare, e jo si një klerik me projekt prozelitues. Logjikisht, po t’i përvetësonte idetë e Bogdanit kundër fesë islame dhe projektin prozelitues të Propagandës Fide, së cilës i shërbeu Bogdani, Rugova do të shndërrohej në një studiues intolerant ndaj fesë islame. Por, këtë nuk e ka bërë në asnjë rast, që do të thotë se si njeri ka mbetur indiferent ndaj ideve të personazhit të studimit të vet. I ka studiuar me korrektësi, i ka interpretuar në mënyrë inteligjente, paksa ideologjike, në pajtim me diskursin dominant të ideologjisë së filologjisë shqiptare të shekullit XX dhe i ka fiksuar aty – në studimin e vet, me çka pati marrë gradën “magjistër i shkencave filologjike”. Qaq.

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X