Mos të harrojmë pa përmendur se në faqet e saj gjenden edhe gjurmime të shumta arkivore, që po të niseshim t’i kërkonim e t’i hulumtonim vetë, do të na merrnin vite të tëra pune. Pikërisht këtu bëhet e kuptueshme edhe urtësia që i atribuohet Xhelaludin Rumiut, sipas së cilës mësuesi i urtë është ai që një rrugëtim tremujor ta mundëson për dhjetë ditë.
Arsim LESKOVICA, Shkup
Thuajse në çdo shoqëri e në çdo kohë ekzistojnë forma komunikimi që ndjekin ritmin e shpejtë të aktualitetit (si portalet online, rrjetet sociale, lajmet e përditshme apo televizionet informative) dhe forma të tjera që kërkojnë kohë për reflektim dhe analizë. Mediat e përditshme zakonisht i përkasin kategorisë së parë, reagojnë shpejt, flasin shpejt dhe harrohen po aq shpejt. Revista, përkundrazi, i përket një tradite tjetër, traditës së reflektimit. Në këtë kuptim, ekzistenca pesëmbëdhjetëvjeçare e revistës “Shenja” është dëshmi e një përpjekjeje për ta ruajtur hapësirën e mendimit në një kohë kur gjithçka priret të shndërrohet në reagim të menjëhershëm, ku nuk synohet vërtetësia, por klikimet dhe spektakli.
Një revistë, në mënyrë të pashmangshme, ndërton me kalimin e kohës një horizont mendimor. Edhe kur autorët ndryshojnë dhe temat lëvizin nga një fushë në tjetrën, mbetet një vijë e brendshme e pandërprerë. Pikërisht kjo vijë, e ndërtuar gradualisht ndër vite, është ajo që e bën një revistë të dallueshme. Në rastin e revistës sonë “Shenja”, kjo vijë është përpjekja për të menduar mbi planin e një reflektimi më të gjerë kulturor dhe shoqëror.
Së këtejmi, revista krijon një formë tjetër të kohës. Ajo kërkon përqendrimin, si nga autori, ashtu edhe nga lexuesi. Në këtë kuptim, revista “Shenja” është një nga hapësirat e pakta (në mos e vetmja) ku mendimi mund të artikulohet më i plotë, pa presionin e menjëhershëm të aktualitetit. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga funksionet më të rëndësishme të saj, të krijojë një distancë nga zhurma e përditshme për të mundësuar një trajtim më të thelluar të një teme të caktuar.
Tekefundit, çdo hapësirë mendimi është edhe një hapësirë dialogu. Shkrimet e botuara ndër vite në “Shenja” krijojnë një bisedë të gjatë intelektuale e polifoni zërash që zhvillohen përgjatë kohës. Në këtë bisedë ndërthuren perspektivat mbi shoqërinë, kulturën dhe politikën shqiptare.
Në një nivel më të gjerë, revista mund të shihet edhe si një përpjekje për të ndërtuar një horizont të përbashkët mendimi. Hapësira shqiptare është e shpërndarë në realitete të ndryshme politike e shoqërore, por gjuha dhe kultura krijojnë platformën e komunikimit e cila i tejkalon këto kufij. Çdo projekt editorial që ka arritur të mbijetojë për një kohë të tillë, dëshmon se ekziston një nevojë për këtë lloj hapësire. Ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse revista, edhe pas shumë vitesh, vazhdon të mbetet një formë e domosdoshme e kulturës së mendimit.
Për mua personalisht, si një bashkëpunëtor periodik në faqet e kësaj reviste, por edhe si një lexues i rregullt i saj, “Shenja” është bërë me kalimin e viteve një shprehi e domosdoshme e leximit. Sidomos sot, kur mundësia e leximit përmes ekranit të kompjuterit e ka bërë atë të qasshme në çdo kohë dhe në çdo vend, ajo është kthyer në një prani të qëndrueshme në përditshmërinë e mendimit. Kësisoj, revistës “Shenja” i rikthehem vazhdimisht, për të kërkuar orientim dhe për të fituar një kuptim më të qartë mbi disa tema të caktuara. Nëse një libër, për shembull, për figurën e Ismail Qemalit apo për ndonjë personalitet tjetër historik, e trajton temën nga një këndvështrim i caktuar, revista krijon mundësi që këto figura të vrojtohen nga më shumë kënde. Në këtë pluralitet të perspektivave që ofron revista, shpesh dalin në sipërfaqe të vërteta të tjera, nuanca kuptimore e interpretime që jo gjithmonë përfshihen në diskursin më të ngurtë të librave shkollorë.
Mos të harrojmë pa përmendur se në faqet e saj gjenden edhe gjurmime të shumta arkivore, që po të niseshim t’i kërkonim e t’i hulumtonim vetë, do të na merrnin vite të tëra pune. Pikërisht këtu bëhet e kuptueshme edhe urtësia që i atribuohet Xhelaludin Rumiut, sipas së cilës mësuesi i urtë është ai që një rrugëtim tremujor ta mundëson për dhjetë ditë. Në një mënyrë të ngjashme, edhe puna e kësaj reviste shpesh ka bërë të mundur që kërkime të gjata e të shpërndara në arkiva të ndryshme t’i gjejmë të përmbledhura dhe të orientuara në një vend, duke na kursyer kohë dhe duke na treguar drejtimin e kërkimit.
Në një farë mënyre, edhe vetë emri i saj përmban këtë simbolikë, ajo është shenja që tregon kahen e udhëtimit, destinacionin që na pret në horizont.
Urime “Shenja”! Qoftë e gjatë rruga jote, e mbushur me mendime të lira dhe bashkëpunëtorë të palodhur!
Sepse, në mesin e rrugëve të shumta informative (shpeshherë të errëta dhe çorientuese), “Shenja” le të mbetet gjithnjë ajo shenjë ndriçuese që i shërben lexuesit për mendimin e lire e të kulluar, për standardin që duhet ndjekur dhe një vendtakim i besueshëm brenda peizazhit intelektual shqiptar.









