Nëse marrim thënien e Bufonit se “Stili është vetë njeriu”, atëherë revistës “Shenja” do t’i takonte piketimi se është një stil në vetvete, meqë sjell një mënyrë krejt të veçantë të trajtimit të temave, tematikës e diskurseve, të patrajtuara më parë, qoftë në revistat lokale ose ato akademike. Stili i kësaj reviste është mënyrë e saktë e konceptimit të përfaqësimit të gjuhës, që ruan norma të larta të kodifikimit e përfaqësimit.
Shkruan: Fitim VELIU, Prishtinë
Dija epistemologjike shqiptare tashmë në radhët e saj e ka edhe revistën “Shenja”, një nga revistat me të mira të kulturës, letërsisë, poetikës e publicistikës shqiptare. Kjo revistë, si rrjedhë logjike e kronologjike, ndjek gjurmët e revistave simotra “Albania”, “Trumpeta e Krujës”, “Zani i Naltë”, “Fjala”, “Jeta e re”, etj. Të gjitha këto revista të fjalës së shkruar e kulturës së zhvilluar shqiptare janë shenja të diskursit kulturor e social shqiptar, kurse revista “Shenja”, për të cilën po flasim tani, është simboli poetik e kulturor i një dije të munguar, por të gjurmuar thellë në qenien shqiptare, për ta shpërfaqur nga jashtësia në brendësi, si idiomë autentike shqiptare, si stil i lartë i kultivimit, dije e saktë e argumentimit dhe universalitet si kumt i përfaqësimit. Kjo revistë solli një stil të veçantë poetik, estetik e sociolinguistik, në tërë përbërësit e saj strukturorë.
Stili
Nëse marrim thënien e Bufonit se “Stili është vetë njeriu”, atëherë revistës “Shenja” do t’i takonte piketimi se është një stil në vetvete, meqë sjell një mënyrë krejt të veçantë të trajtimit të temave, tematikës e diskurseve, të patrajtuara më parë, qoftë në revistat lokale ose ato akademike. Stili i kësaj reviste është mënyrë e saktë e konceptimit të përfaqësimit të gjuhës, që ruan norma të larta të kodifikimit e përfaqësimit. Stili i kësaj reviste i ndjek gjurmët e kanonit poetik të Bualoit, ku respektohet gjuha si diskurs i pastër, pa banalitete e varietete subtile, por që e njeh vetëm stilin sublim, si përfaqësim dhe, nëse do të donim ta saktësonim sipas konditave estetike, gjuha e revistës është rrjedhë e saktë e ligjërimit libror e bisedor, i drejtpërdrejtë e metaforik por kurrë i shkujdesur. “Shenja” e ruan në brendi stilin e lartë, sepse përfaqësohet nga figurat e larta që trajton në brendi (personalitete shkencore, kulturore, historike, fetare, politike, akademike, nga bota shqiptare dhe ajo universale).
Etika epistemologjike si frymë
Temat në brendi të revistës e ruajnë frymën e një dijeje epistemologjike, meqë trajtohen si thellësi e njohuri, nga imtësia e deri të problematikat kruciale që mund të kenë lindur ose të kenë mbetur në hulli të trajtimit në mungesë të argumentimit. Këtu, në këtë revistë, është thënë dhe dhënë gjithçka për fenomenin e figurat politike, kulturore, akademike e poliedrike, sepse për herë të parë aty problemi është kundruar në tërësi, është trajtuar me përgjegjësi dhe është analizuar deri në thellësi nga autorët e fjalës së shkruar nga kënde të ndryshme të diskutimit e të argumentimit. Pra, kjo revistë është shenjë e madhe kulturore shqiptare, meqë për herë të parë krijon hapësirë në nivelin makrostrukturor të rrjetizimit të figurave shqiptare e universale. Fryma e revistës e ndjek parimin se fenomenet kulturore janë përbashkësi vlerash e konceptesh, që i tejkalojnë vlerat lokale, duke u lidhur me ato universale si fat e fatalitet. Sipas parimit të dijes universale, një autor me shenja etnike shqiptare përbën vlera universale si kulturë dhe, e kundërta, meqë fatet lokale shpeshherë janë përcaktuar nga politikat ndërkombëtare. Ndaj, kjo revistë, fjala vjen, ka trajtuar në brendi personalitete shqiptare, boshnjake, maqedonase, turke, etj. Kjo qasje përbën një parim të lartë të ndërgjegjësimit si vetëdije e dije, sepse aty thyhen normat si kanone politike për ta dhënë të vërtetën si vlerë estetike që e njeh vetëm parimin e vartësisë si e vërtetë dukshme.
Dhe, në këtë domen, revista “Shenja” është prijatare në kenceptimin e vlerës së revistave shqiptare, si shenjë, si radhë e si farë e së vërtetës shkencore, historike, etike e kulturore, me një autonomi të shkrimit e mendimit, gjë që e bën revistën të pakontrolluar nga ndonjë ideologji e caktuar, që është kërkesë elementare për të qenë revistë vlerore, me vlera estetike e kulturore. Dhe, kjo qasje e bën revistën tashmë me një profil të thellë kulturor shqiptar, pra me një shtresë identitare shqiptare, të pavarur nga rrethanat politike e ideologjike dhe me një dije bashkëkohore.
Personalitetet shqiptare
Figurat shqiptare, me shenja e profile universale (Sami Frashri, Hasan Prishtina, Hasan Tahsini, Adem Demaҫi e Ibrahim Rugova), etj. janë dhënë si rrjedhë logjike e mendimit shqiptar që fillesat i ka në Rilindjen Kombëtare, si fat e derivat në procesin historik. Revista “Shenja” i ka trajtuar këto figura në kontributin e tyre kombëtar, politik e kulturor në përthyerjet historike e politike, ndër me të rëndat që ka kaluar fati ynë. Prandaj identiteti kombëtar shqiptar në revistën “Shenja” është prijatar dhe mision elementar në ndërtimin e identitetit tonë historik e ideologjik.
“Shenja” është zëri identitar shqiptar, zëmadhja gjuhësore e kulturore, fryma e shkrimit si identifikim kulturor e shpirtëror, një zë që thërret e flet për të vërtetën tonë ndër shekuj.
Gjuha në revistën “Shenja”
Gjuha shqipe në këtë revistë e ruan frymën e një diskursi standard të dialektit letrar shqiptar, pa ndikime të huaja, por edhe pa teprime purist. Gjuha e ruan frymën e pastër të saj si pjesë e si shtresë e identitetit kulturor shqiptar, si një institucion historik e etik. Norma gjuhësore si normë kulturore, të paktën në këtë revistë shihet si binom joautonom, gjë që përbën standard vleror në ruajtjen e gjuhës sonë si institucion i shtrenjtë dhe i shenjtë.
Revista si kujtesë e si shpresë
“Shenjën” shqiptare gjithmonë e kam parë si profil mendimi e krijimi në tërë përbërësit e saj strukturor, e para duke e kultivuar mendimin, leximin, argumentimin e trajtimin në ruajtjen e kujtesës kundër harresës dhe në ndërtimin e një vetëdijeje e dije kulturore shqiptare dhe asaj universale, pra duke e parë kulturën amë si fat historik në shenja me të tjerët përgjatë fatit historik dhe atij epik. Revista në fjalë e ka arritur këtë profil identitar të pastër shqiptar, në përthyerje me fatet e kulturat e popujve të tjerë, si kontakt i natyrshëm.









