Edhe pse se fokusi i revistës janë çështjet historike, politike dhe kulturore shqiptare, materialet e revistës trajtojnë shumë çështje të rëndësishme me përmasa rajonale. Numrat e “Shenjës” jo vetëm përkujtojnë personalitete dhe trajtojnë ngjarje kyçe, por edhe hapin debate për të ardhmen. Pa humbur seriozitetin, ajo trajton çështje aktuale dhe të ndjeshme politiko-sociale, duke u bërë zë i rëndësishëm në opinion.
Anton PANÇEV, Sofje
U gëzova shumë kur e mora ftesën e z. Ismail Sinanit që të shkruaja një vlerësim të shkurtër me rastin e pëvjetorit të 15–të të revistës “Shenja”. Kjo revistë paraqitet si një platformë e veçantë periodike shqiptare, por edhe mbarëballkanike, e cila në 15-vjetorin e saj (numri 180) dëshmon një qëndrueshmëri të rrallë në peizazhin mediatik dhe kulturor të rajonit.
Gjithmonë i lexoj me vëmendje dhe kënaqësi analizat dhe materialet në çdo numër të “Shenjës”, por përqendrohem kryesisht mbi materialet arkivore. Publikime të tilla janë tepër të vlefshme, duke i dhënë revistës vlerën e një burimi parësor për studiues. Prania e eseve dhe analizave nga emra të njohur dhe trajtimi i temave komplekse në secilin numër të “Shenjës”, tregojnë një përpjekje për thellësi akademike dhe kontekstualizim ndërkombëtar.
Njëra prej meritave më të mëdha të “Shenjës” ndoshta është se ndërthur qasjen publicistike me atë shkencore-humane. Të gjitha rubrikat plotësohen me përmbajtje cilësore dhe nga autorë profesionistë. Edhe pse se fokusi i revistës janë çështjet historike, politike dhe kulturore shqiptare, materialet e revistës trajtojnë shumë çështje të rëndësishme me përmasa rajonale. Numrat e “Shenjës” jo vetëm përkujtojnë personalitete dhe trajtojnë ngjarje kyçe, por edhe hapin debate për të ardhmen. Pa humbur seriozitetin, ajo trajton çështje aktuale dhe të ndjeshme politiko-sociale, duke u bërë zë i rëndësishëm në opinion.
Patjetër duhet të theksohet edhe stili publicistik dhe gjuhësor i materialeve. Megjithëse mban një angazhim të qartë kombëtar, gjuha e shkrimit tenton të jetë e kultivuar dhe analitike, duke shmangur sensacionalizmin.
Arritja e numrit 180-të tregon jo vetëm dedikim dhe profesionalizëm të madh nga ana e redaktorëve, por edhe një besnikëri të lexuesve, që e shohin “Shenjën” si një pasqyrë të nevojave të tyre intelektuale dhe kombëtare.
Revista “Shenja” përfaqëson një rast të suksesshëm të një publikimi që di të ruajë standarde të larta gjuhësore dhe dokumentuese, duke mbetur në shërbim të interesit publik shqiptar dhe jo vetëm. Ajo është një urë kulturore mes vendeve ballkanike, që plotëson një zbrazëtirë të madhe, duke ofruar një platformë për reflektim historik dhe analizë bashkëkohore. Pavarësisht se mban një vijë të qartë editoriale, ajo ia del të ruajë një pluralizëm mendimesh dhe një thellësi shkencore, duke e bërë veten të domosdoshme për këdo që i ndjek zhvillimet kulturore dhe politike shqiptare dhe ballkanike.
Për 15-vjetorin e saj, “Shenja” mbetet më shumë se një revistë – ajo është një institucion i heshtur i kujtesës dhe mendimit kritik në rajon. E uroj gjithë redaksinë e revistës për përvjetorin jubilar!









