Pse nevojitej “Ballkani i hapur” kur dihet se bashkëpunimi ndërshqiptar nuk është i thelluar në nivelet e duhura? Si funksionon turizmi në mbarë hapësirën etnike shqiptare dhe a është i domosdoshëm “Ballkani i hapur”? Çfarë do të ndodhë me hotelet e Shqipërisë nëse turistët kosovarë dhe të trojeve tjera ia mësynë deteve të tjerë? Si njiheshin diplomat pa “Ballkanin e hapur”? Si mund të thellohet bashkëpunimi ndërshqiptar në planin ekonomik, duke mos cenuar balancat e vendosura rajonale nga faktori ndërkombëtar?
Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup
“Ballkani i hapur” filloi si një nismë, e cila pragmatizmit ekonomik dhe interesave konkrete u jep përparësi para historisë dhe ballafaqimit me të kaluarën. Ishte nismë e Ramës dhe Vuçiqit për të demonstruar konstruktivitet dypalësh, duke e lënë pas historinë dhe ngjarjet mes shqiptarëve dhe serbëve, por fakti që nuk u konsultua Kosova ishte projekt me destinacion dështues. Ky projekt tashmë i mbyllur kundërshtohej në masë të madhe edhe nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, edhe pse politika deklarativisht e mbështeste.
Nisma kishte qëllim të etablojë dhe thellojë bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të Ballkanit, duke lehtësuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitalit, ndërsa njëherësh kishte për qëllim që të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, duke hequr njërën nga pikat kufitare mes dy shteteve.
Detit shqiptar nuk i duhet “Ballkani i hapur”
Në këtë drejtim duhet thënë që Shqipëria dhe Kosova, duke pasur një pikë kufitare, kanë arritur të bëjnë shumë të lehtë kalimin e kufirit, sidomos gjatë muajve të verës. Ky bashkëveprim i lehtësuar mes shqiptarëve ka ndodhur edhe pa “Ballkanin e hapur”!
Në fakt, gjatë sezonit turistik ndodh “bashkimi kombëtar” dhe kjo falë faktit që shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe viseve të tjera të Ballkanit, sidomos ata në diasporë, për shkak të sentimentin etnik, Shqipërinë e kanë destinacion të patjetërsueshëm turistik. Pra, vala e turistëve që pushojnë në Shqipëri është më shumë rezultat i patriotizimit etnik sesa i ofertës turistike, përfshirë këtu edhe promocionin dhe trajtimin që u bëhet shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Edhe pse shqiptarët shpenzojnë miliona euro, nuk mungojnë paragjykimet dhe stereotipat ndaj turistëve kosovarë (sintagmë që përdoret për të gjithë turistët jashtë Shqipërisë), si jo shumë të kultivuar ose “anadollakë”, që nuk konsumojnë ushqime deti, por tradicionale! Në këtë kontekst, duhet përmendur edhe nismën që të tërhiqen turistë nga Serbia, pasi sipas logjikës së shëndoshë ekonomike dhe turistike, interesi nuk njeh përkatësi kombëtare, etnike, racore, fetare, politike ose ndonjë përkatësi tjetër. Kjo është e vërtetë, por është i pajustifikueshëm trajtimi superior i turistëve serbë, vetëm për të dëshmuar se shqiptarët nuk përziejnë historinë dhe turizmin dhe se janë qytetarë kozmopolitë, që nuk qëndrojnë peng i së kaluarës!
Kronikat e shumta televizive dhe lajmet e përditshme të portaleve, që me narrativ ekzaltues raportojnë “pushtimin” e bregdetit shqiptar nga turistët serbë, nuk duhej ta zëvendësojnë raportimin mbi turistët nga hapësirat shqiptare jashtë kufirit zyrtar, sepse nëse ata do të gjenin alternativa të tjera turistike, hotelet në bregdetin shqiptar do të mbeteshin objekte si bunkerët e xhaxhit Enver Hoxha. Turistët europianë ose të kontinenteve tjera nuk i mbyllin sytë para lëshimeve jo të pakta turistike, që realisht ndodhin në bregdetin shqiptar, por që shqiptarët vetëm për shkak të përkatësisë i amnistojnë me fjalët “Duhet kohë për turizëm më cilësor”!
Diplomat njiheshin edhe pa “Ballkanin e hapur”
Natyrisht se nisma e “Ballkanit të hapur” ishte pozitive dhe kishte për synim të rrisë bashkëpunimin mes shteteve dhe mirëqenien e qytetarëve në to përmes realizimit të projekteve konkrete bashkëpunuese, që përtej tregtisë shtrihen edhe fushën e arsimit.
Nisma ka synuar njohjen e diplomave respektive të universiteteve dhe kualifikimet e arritura në shtetet e Ballkanit, por ky proces mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me Maqedoninë e Veriut dhe mes Shkupit dhe Prishtinës, ka ndodhur edhe pa “Ballkanin e hapur”.
Modele të reja për thellimin e bashkimin joterritorial shqiptar
“Ballkani i hapur” ka mundësuar heqjen e roamingut mes shteteve të Ballkanit, por ky lehtësim komunikues ka mundur të ndodhë edhe si rezultat i bashkërendimit ndërshqiptar, pasi është fakt që shqiptarët komunikojnë edhe me njerëz në shtete tjera, por komunikimi më i shpeshtë përtej kufijve zhvillohet mes shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, por edhe Maqedoni të Veriut, që do të thotë se ka mundur të zhvillohet pa pasur nevojë për projektin e Ramës dhe Vuçiqit.
Turizmi, arsimi dhe telekomunikimet janë vetëm tre fusha që tregojnë qartë se bashkëpunimi ndërshqiptar jo vetëm që është i mundur, por edhe i vetëmjaftueshëm, pa pasur nevojë të jetësohet me përfshirjen e shteteve tjera ballkanike. Hapësira shqiptare, si në aspektin ekonomik, por edhe atë turistik, është e madhe dhe mundëson zhvillimin e bashkëpunimit mes shteteve ku jetojnë shqiptarët, ndërsa të dhënat dëshmojnë se ky bashkëpunim mund të thellohet edhe më tej. Është detyrë e qeverive dhe ekspertëve të fushave të ndryshme që të gjejnë modele që bashkëpunimi të jetë i nivelit më të lartë.
Përveç pijes energjike “Golden Eagle”, e cila është prodhim nga Kosova, gjatë ditëve të verës në marketet e Shqipërisë mund të shihen shumë prodhime “kombëtare”, gjë që dëshmon se prodhimet dhe shërbimet e ndryshme mund të kenë diapazon mbarëshqiptar, por nevojitet marketing më i fuqishëm në mediat që transmetojnë programe dhe përmbajtje në trojet etnike.
Ekonomia dhe tregtia natyrisht se nuk mund të kornizohen në sipërfaqen gjeografike kombëtare, por duhet bërë përpjekje që të shfrytëzohen kapacitetet e tregut të punës, të ndërlidhur me marketingun në gjuhën e njëjtë, ndonëse me dallime të shumta në të folur, por edhe me mendësinë dhe mënyrën e jetesës në tokat shqiptare.
Kosova dhe Shqipëria, por edhe Maqedonia e Veriut si dhe Mali i Zi, duhet të angazhohen që të kemi treg të përbashkët, duhet të stimulohen bizneset që të rrisin bashkëpunimin dhe të gjejnë mënyra të përbashkëta për ta përshtatur ofertën ekonomike me qëllim që të konkurrojnë në tregun e përbashkët europian.
Bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve duhet të jetësohet mbi baza joterritoriale, pasi heqja e kufijve ekzistues nuk është projeksion i cili ka mbështetje ndërkombëtare, andaj duhet të bëhen përpjekje që të hulumtohen dhe të mënjanohen pengesat e bashkëpunimit të mirëfilltë ekonomik.
Shqiptarët mbase janë ndër popujt e rrallë në botë që kufizohen mes vete, por edhe që njëherësh në vendin e tyre paguajnë dy herë taksa!