Pa diskutim, në gjithë këtë situatë të turbullt, në gjithë këtë situatë që determinohet nga lufta në Ukrainë dhe nga përpjekjet e Putinit për ta zhvendosur fokusin nga agresioni mbi një shtet sovran, siç është Ukraina, shfaqet imperativi që klasa politike në Kosovë të jetë e vëmendshme dhe të jetë e koordinuar me aleatët perëndimorë, sidomos SHBA-të, për të shmangur projeksionet e Rusisë që vijnë përmes Serbisë autoritare dhe të paçliruar nga dogmat e së kaluarës.
Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Problemi mes Kosovës dhe Serbisë në asnjë rast nuk mund të llogaritet si një problem aktualiteti. Ky problem shtrihet thellë në kohën historike, qëkur Serbia e pushtoi Kosovën, Gjatë një periudhe gati 100-vjeçare Serbia ka ngritur kultin kolonial që në fakt është prezantuar si e drejtë historike mbi territorin e Kosovës. Një okupim klasik dhe një diskurs gjoja legjitimiteti historik që është imponuar me forcë, me dhunë, me spastrime, vrasje dhe shkatërrime të tjera. Pikërisht kjo politike e Serbisë në asnjë çast nuk është ndalur në raport me Kosovën. Ajo ka ndërruar fytyrë, por në esencë ka mbetur e njëjtë, asgjësuese për shqiptarët e Kosovës dhe mashtruese deri në çmenduri në tallazet diplomatike të historisë.
Kjo pamje nuk është një glorifikim patetik. Përkundrazi, bazohet në fakte të pamohueshme, në sa e sa dokumente dhe elaborate të hartuara të cilat në esencë kanë pasur të njëjtin qëllim shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës. Ky projekt shfarosës është ngritur në nivele akademike gjithnjë duke pasur në prapavijë idenë hegjemoniste të Serbisë në raport gati me të gjithë vendet fqinje, por brutal ndaj Kosovës. Kulminacion i kësaj strategjie të mbrapshtë historike është periudha e Millosheviqit, të ashtuquajturit kasap të Ballkanit, i cili dëshironte sikurse sot që bën Putini, ta zhbëjë Kosovën, gjegjësisht legjitimitetin e saj historik për të qenë e mëvetësishme.
Pas tragjedive të shumta, Kosova, më në fund, me ndihmën e aleatëve perëndimorë, ishte çliruar nga kthetrat e Serbisë. Por, as me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme të botës, Serbia nuk kishte pushuar ta kontestojë shtetin e Kosovës, që tashmë ishte një realitet historik ndërkombëtar. Gjatë tërë kohës, me intensitet të ndryshëm Serbia ka punuar në të gjitha anët për ta minuar pavarësinë e Kosovës, duke krijuar narracione hegjemoniste dhe duke u bazuar në argumente të paqena historike. Ataku i Serbisë ndaj Kosovës mbetet konstant dhe i formave të ndryshme. Varësisht nga kontekstet e krijuara gjeostrategjike, njashtu e performon politikën e saj ndaj Kosovës, por gjithmonë duke synuar destabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Lidhjet e Serbisë me Rusinë mbeten historike dhe në funksion pikërisht të këtij nacionalizmi folklorik që për dekada ka ushqyer politikat hegjemoniste serbe ndaj Kosovës, por edhe ndaj vendeve tjera të rajonit, ndaj Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Luftërat e përgjakshme në rajon kanë një emërues të përbashkët, nacionalizmin serb, idenë e hegjemonisë, idenë e shtetit serb të projektuar nga autorë elaboratesh dhe që nënkupton logjikën ahistorike të përvetësimit të territoreve deri aty ku ka një serb të vetëm. Ideja e botës serbe e lansuar kohëve të fundit mbështetet pikërisht mbi këto projeksione ahistorike dhe nacionaliste.
Serbia, në fakt, asnjëherë nuk ka arritur që të çlirohet nga fantazmat e një nacionalizmi folklorik, nga narracionet mitike, të cilat kanë krijuar një homogjenitet të vrazhdë antidemokratik. Me forma tjera, ka vazhduar logjika e Millosheviqit, një logjikë luftënxitëse, atakuese ndaj rajonit, por edhe ndaj vendeve tjera fqinje. Matrica e mendimit serb, me pak përjashtime, është ngritur mbi bazat e një mitologjie që kërkon primat në rajonin e Ballkanit në dëm të të gjithë popujve tjerë. Ky mendim e ka ushqyer gjatë tërë kohës edhe konceptin politik të elitave politike, që në asnjë rast nuk kanë mundur të çlirohen nga këto atavizma konfliktuoze dhe autoritare, që në fakt e kanë vdirë edhe sensin demokratik të vetë popullit serb.
Politikat e Vuçiqit janë në sinkron me këto atavizma historike dhe politike, janë në sinkron me totalitarizmin hegjemon historik. E gjithë kjo, pa dyshim, ushqehet nga një aleancë e errët me Rusinë, si një ndërlidhje destabilizuese në nivel global dhe, në këtë rast, edhe në rajonin e brishtë të Ballkanit.
Fatkeqësisht, tashmë kemi një kontekst tjetër gjeostrategjik, që në të shumtën e rasteve e dikton të ashtuquajturën real-politikë, e cila mund të shfaqet fatale për fatin e popujve që kërkojnë ta sendërtojnë veten në konstelacione të brishta ndërkombëtare. Pikërisht në këtë peizazh të brishtë duhet parë edhe fati i Kosovës, rrumbullakimi i shtetësisë së saj, që e ka gjithë legjitimitetin historik dhe demokratik për ta finalizuar subjektivitetin shtetëror edhe në nivele të institucioneve relevante ndërkombëtare, siç është anëtarësimi në OKB.
Por, politikat agresive serbe, antidemokratike, jopaqësore dhe thellësisht anakronike dhe donkishoteske, po përpiqen që ta shfrytëzojnë një momentum të ri, të luftës në Ukrainë, të agresionit brutal rus, për të “rikuperuar” pozicionet e humbura dhe për të krijuar një tension të përhershëm në rajon që është në funksion të ideve hegjemoniste që vijnë nga skutat më të errëta të elaborateve shfarosëse. Serbia nuk arrin të shkëputet nga kjo logjikë, nuk arrin që të ndërtojë një qasje europiane në raport me fqinjët, sepse brenda saj fle paq një autoritarizëm atakues që me njëmijë fije mbahet e konektuar me Rusinë e Putinit si paradigmë anakronike dhe antidemokratike.
Pikërisht ekuilibrat gjeostrategjikë duket se po ia mundësojnë Serbisë që të luajë në të dy anët, edhe me Rusinë edhe me Perëndimin. Pa diskutim, kemi një politikë joshjeje nga ana e Europës, e cila përpiqet që ta tërheqë Serbinë në hemisferën e Bashkimit Europian. Dhe, ky synim gjatë tërë kohës ka nënkuptuar koncesione për Serbinë, ndërkohë që nuk ka shenja se pikërisht kjo joshje do të mund ta kthejë Serbinë të përvetësojë qasje europiane ndaj rajonit dhe, në veçanti, ndaj Kosovës. Përkundrazi, me të gjitha mjetet, ajo përpiqet që ta destabilizojë Kosovën dhe gjithë rajonin në sinkron, në përputhje të plotë me filozofinë destabilizuese dhe shkatërruese të Rusisë së Putinit.
Analistë të vëmendshëm tashmë kanë theksuar se ka një korrelacion fatal destabilizimi të rajonit nga ana e Serbisë, njashtu siç po vepron Rusia e Putinit me Ukrainën dhe me gjerë. Barrikadat, krismat dhe format tjera subversive në Veri të Mitrovicës janë mekanizma të përdorura nga Rusia në Ukrainë dhe gjetiu. Një politikë luftënxitëse që synon të minojë paqen ndërkombëtare dhe gjithë atë që përfaqëson sistem vlerash ndërkombëtare.
Tashmë shihet një impenjim shumë më i madh i bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që realisht duhej të nënkuptonte njohjen reciproke si rrumbullakim të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europan. Në këtë drejtim është edhe plani franko-gjerman, që e nënkupton këtë proces.
Pa diskutim, në gjithë këtë situatë të turbullt, në gjithë këtë situatë që determinohet nga lufta në Ukrainë dhe nga përpjekjet e Putinit për ta zhvendosur fokusin nga agresioni mbi një shtet sovran, siç është Ukraina, shfaqet imperativi që klasa politike në Kosovë të jetë e vëmendshme dhe të jetë e koordinuar me aleatët perëndimorë, sidomos SHBA-të, për të shmangur projeksionet e Rusisë që vijnë përmes Serbisë autoritare dhe të paçliruar nga dogmat e së kaluarës. Gjëja që më pak tash i duhet Kosovës është ngutja, sepse pikërisht nën mjegullën e ngutjes Serbia dëshiron të imponojë “zgjidhje” përfundimtare sipas logjikës së saj totalitare dhe agresive në formë barrikadash dhe tensionesh të panumërta. Sigurisht, ky momentum i komplikuar kërkon një konvergjencë të forcave politike në drejtim të finalizimit procesit të dialogut që do të imponojë edhe kompromise.
Do të jetë një proces i vështirë në një kontekst krejtësisht tjetër, por përfaqësuesit e Kosovës do të duhet që me konsistencë të mbrojnë paradigmën e modernitetit politik, që e nënkupton pavarësinë e shtetit të Kosovës gjithnjë në raport me politikat anakronike dhe destabilizuese të një Serbie autoritare që ka shumë ndërlidhje me konceptin luftënxitës të Rusisë së Putinit.