loader image
July 27, 2024

Barricata ciao!*

Ndërsa filloi numërimi i ditëve të fundit të vitit 2022 dhe shqiptarët e Kosovës morën lajmin për liberalizimin e vizave në zonën Schengen, dëgjojnë se bashkëqytetarët e tyre serbë kanë ngritur barrikada dhe nuk do t’i lejojnë të lëvizin në veri, shoqëruar dhe me kërcënime me luftë nga Presidenti i Serbisë! Barrikada të këtij lloji ishin parë të ngrihen nga serbët edhe më parë, por sot ato ngrihen kur Presidenti i tyre po promovonte Ballkanin e Hapur dhe Perëndimi po përballet me një tjetër front lufte të hapur nga rusët!

Agim POPOCI, Mitrovicë  

Këshilli i BE miratoi liberalizimin e vizave për Kosovën, serbët vendosin të mohojnë lëvizjen e shqiptarëve në veri duke ngritur barrikada në rrugë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e miraton këtë veprim kriminal dhe kërcënon me luftë, KFOR-i fiqiron këto akte kriminale, opozita kosovare çohet në këmbë duke fajësuar Kryeministrin Albin Kurti, ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në njërën nga festat e tij të shfrenuara, shfaqet në Tiranë, duke kënduar këngën partizane “Bella ciao” (Lexo shqip: Lamtumirë bukuroshe)

Gjithë kjo katrahurë, ku serbët bëjnë sikur janë rebeluar dhe ngrenë barrikada, të cilat mbështeten nga Presidenti i Serbisë ndërkohë që pësojnë pjesëtarët e policisë së shtetit, është skenë e parë në zonat ku jetojnë serbët në Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë, por barrikadat e ngritura sot në veri të Kosovës bëhen në rrethana gjeopolitike krejtësisht të ndryshme ashtu si dhe kërcënimet me luftë që vijnë nga Beogradi dhe është pak të thuhet se janë të papranueshme! Ashtu si dhe turrjet e opozitës kosovare për pushtet në kohë krizash dhe Edi Ramën që këndon sa herë në Kosovë shpërthen flakë e tym!

 “Të drejtat e mohuara serbe”

Shqiptarët e Kosovës me të drejtë shqetësohen kur dëgjojnë ministrin e Brendshëm, Aleksandar Vulin, se është koha të krijohet bota serbe, dhe atij nuk i mbyllet goja, por, pas ca ditëve, ngrihet në detyrë si shef i shërbimit sekret të Serbisë (BIA) dhe nuk u lejohet as të gëzohen me vendimin për liberalizimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve nga Bashkimi Europian, pasi zgjohen me lajmin se serbët ua mohojnë lëvizjen në veri, sepse Policia e Kosovës ka arrestuar një ish-polic serb!

Nëse e shtojmë këtu prezencën në këto barrikada të simboleve ruse dhe njerëzve të Moskës ndërkohë që Presidenti i Serbisë kërcënon me luftë, duke dislokuar trupat serbe në kufi të një shteti që është masakruar nga po këto trupa famëkeqe, dhe për sigurinë e të cilit shtet aktualisht kujdeset NATO me misionin e saj KFOR i cili hesht ndaj kërcënimeve serbe, situata bëhet më shumë se shqetësuese kur po me këtë skenar u nxitën dhe filloi lufta në krahinat e Ukrainës me protagonistë të ngjashëm!

Pa iu futur historisë së barrikadave serbe në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe epilogut të tyre, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që promovon lëvizjen e lirë me Ballkanin e Hapur, para se të sqaroj se ç’taksirat kanë tregtarët që duhet të lëvizin drejt Malit Zi ose Sanxhakut përkatësisht shqiptarët që jetojnë në veri, me arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, që sulmoi një qendër të KQZ në Kosovë, iu kthye retorikës së luftës së viteve ’90-të:  “Ndoshta jam trap, i çmendur ose i dehur, por, për diçka jam i sigurt, Prishtina dhe BE-ja kanë firmosur marrëveshjen e Brukselit dhe duhet ta zbatojnë. Ata nuk shkojnë tek serbët, sepse nuk i duan, dhe nuk përfaqësojnë serbët, por regjimin okupator të Albin Kurtit, i cili dërgon njësinë speciale të arrestojë dhe vrasë serbë.” – tha Presidenti i Serbisë me gjuhën e trapit, të çmendurit dhe të dehurit, por jo edhe të njeriut që mund të flas për marrëveshje, paqe dhe Ballkanin e Hapur ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që iu bashkua këtij projekti shpresëdhënës, humbi nga faqja e dheut.

Asnjë njeri normal nuk mund ta pranojë faktin se policët e Kosovës në vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak ngelën të ngujuar pa mundësi lëvizjeje dhe zëvendësimi nga kolegët e tyre sepse kështu vendosi Presidenti i Serbisë dhe urdhëroi serbët që jetojnë në veri, duke përdor një arsyetim të pushtetit serb të fillim viteve ’80 kur shpërthyen demonstratat e shqiptarëve në Prishtinë dhe jo vetëm, “mohimin e të drejtave serbe” ndonëse ata bëjnë ligjin kudo që janë, jo pse këtë iu mundëson Plani i Ahtisarit!

“Serbët nuk kërkojnë shumë, vetëm ato që i takojnë njerëzve të civilizuar në Europë. Që të gjithë të tjerët i kanë këto të drejta, vetëm serbëve iu mohohet. Të jenë të lirë, që të kenë të drejtën të lëvizin, të shkojnë në shkollë dhe spitale, që të ruajnë jetën dhe perspektivën e fëmijëve të tyre.” – janë të drejtat të mohuara që Aleksandar Vuçiq i renditi, ndërsa serbët shtuan barrikadat në veri, të drejta të mohuara që vlejnë për shqiptarët dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me këto barrikada, por, me politikën shoviniste të Serbisë në Kosovë që nga viti 1912, dhe për asnjë çast ndaj serbëve!

“Barricata ciao”

Në pamundësi për të zgjidhur situatën e krijuar politike dhe të sigurisë, Prishtina zyrtare përballë presionit serb dhe opozitës shqiptare, si dhe përpjekjeve të pashpresa të KFOR-it, i cili si mision ushtarak vetëm sa po amortizon tensionet serbo-shqiptare, filloi të bashkëjetojë me bllokimin e rrugëve nacionale në veri!

“Fillimisht Asociacioni i Komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat.” u lejua të kërcënojë Presidenti i Serbisë, por jo edhe Kryeministri i Kosovës të shprehë shqetësimin e tij: “Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk përjashton mundësinë e viktimave. Prandaj, ne duam që të jemi shumë të kujdesshëm që të sigurohemi që të mos ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri. Megjithatë, ne nuk mund të lejojmë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë që të vazhdojë në pafundësi. Prandaj, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë.” – tha Albin Kurti, duke folur për një situatë reale në terren, që u krijua pas ngritjes së barrikadave serbe, që për Presidentin e Serbisë, i cili foli me gojën e kryeshërbëtorit në Kosovë, Goran Rakiq, u interpretua si sugjerim për vrasjen e serbëve në barrikada.

“Deklarata e fundit e Albin Kurtit ka kaluar çdo masë. Kurti haptazi ka sugjeruar vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij, barrikadat nuk mund të hiqen ndryshe. Ai po bën thirrje për vrasjen e nënave tona, motrave tona, punëtorëve doktorëve dhe profesorëve që luftojnë ditë e natë dhe në mënyrë paqësore kundër terrorit të tij. Fatkeqësisht, ky kërcënim po kalon pa përgjigje nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, që është e papranueshme.” – u ankua Goran Rakiqi, ndërsa po shtonte simbolet dhe personelin rus në barrikada i pashqetësuar nga ndërkombëtarët që citon dhe të cilët po përballen me konfliktin e hapur rus në Ukrainë, skenari i të cilit është i ngjashëm me veriun e Kosovës, si një mollë e ndarë në dysh!

Dallimi i vetëm me Ukrainën, megjithëse qenësor, është se Kosova ka një Shqipëri dhe që për fat të mirë është anëtare e NATO-s, pavarësisht se ka një Kryeministër si Edi Rama, i cili gjithë këtë situatë e përcjell me party me këngë partizane pa ndërhyrë te shefi i tij i Ballkanit të Hapur, të cilit i ka shërbyer shumë, sa në Bruksel po aq dhe në Berlin e Uashington!

“Një mëngjes unë u zgjova
Lamtumirë o bukuroshe, lamtumirë o bukuroshe, bukuroshe lamtumirë, lamtumirë,
Një mëngjes unë u zgjova
Dhe gjeta pushtuesin,”
këndonte Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deri sa homologia e saj serbe Ana Bërnabiq, kërcënonte me luftë, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me dislokimin e forcave serbe në veri!

A mund të ndodhë kjo dhe cila është rrugëzgjidhja?! Të ndërlidhësh heqjen e barrikadave me lirimin e një krimineli të arrestuar, duhet të jesh vetëm serb ose i krisur! Sikur kjo ndërlidhje të bëhet edhe me formimin e Asociacionit, çmenduria vetëm sa shkon e rritet!

Në rastin më të mirë, nëse nuk shpërthen asnjë lloj i konfliktit dhe Kryeministri Albin Kurti vazhdon ta mendojë ndërhyrjen në veri për heqjen e barrikadave me qëllim të zhbllokimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave në rrugët nacionale, ai sërish ka një skenar të paparashikuar sikur serbët të demonstrojnë një protestë paqësore në barrikada!

Mirë është që Albin Kurti me kabinetin e tij po e mendon për zhbllokimin e rrugëve, por ai duhet të mendojë ashtu si edhe KFOR-i, madje dhe vetë Aleksandar Vuçiqi, se çfarë mund të ndodhë nëse kjo situatë tejzgjatet ndërkohë në hyrje dhe dalje të gjashtë komunave që janë në jug të Kosovës, bandat kriminale të ngrenë barrikada duke kërkuar lirimin e pjesëtarëve të tyre që u arrestuan po nga Qeveria Kurti!

Optimistët delirant shtetformues, ata që e shkatërruan këtë vend, mund të thonë se kjo nuk mund të ndodhë, por protagonistët e konflikteve të viteve të ’90-ta gjithashtu kurrë nuk e kanë menduar se barrikada serbe me Martiqa dhe Karaxhiqa mund të shohin edhe pas 30 viteve, me të njëjtat kërcënime dhe mbështetje nga Presidenti i Serbisë!

Për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës, për të mos i mundësuar krimit të qeverisë vendin ashtu siç po qeverisë me vijën kufitare në veri që nga viti 1999, Qeveria e Albin Kurtit, e mbështetur nga opozita, nuk duhet të mendojë t’i heqë barrikadat, por t’i heqë një herë e përgjithmonë me një plan të detajuar operativ të sigurisë, ndërsa me çështjen e Asociacionit të merret seriozisht jo për hir të Aleksandar Vuçiqit, i cili ishte dhe mbeti kriminel, por për hir të ardhmes së Kosovës!

Si mund të arrihet kjo?!

Përderisa ka aplikuar për anëtarësim në BE, Kryeministri Albin Kurti duhet të mendojë për një Kosovë në të cilën jo çdo pakënaqësi qytetare mund të përfundojë me barrikada në rrugë nacionale. Bazuar në të kaluarën e hidhur, është mirë të hartohet një ligj i cili i ndalon protestat që bllokojnë rrugët nacionale, qoftë edhe për një çast.

A është kjo demokratike për një shtet që aderon në BE?! Natyrisht që jo, por shqiptarët kanë mbi kurriz dhe një tufë të ligjeve me të drejtat e minoriteteve, që burojnë nga Plani i Ahtisarit, që ata i bëjnë qytetarë të kategorisë ZH dhe për hir të shtetformimit i heshtin ndonëse kurrë nuk e kanë gëzuar shtetin funksional dhe të pranuar nga OKB-ja, siç e parashikoi Presidenti Ahtisari pas këtyre kompromiseve të dhimbshme!

Në fund, mos ta harrojmë dhe Kryeministrin Albin Kurti, që ka të drejtën dhe ai i shkreti të marrë pjesë në një party me këngë partizane meqë i takon të njëjtës ideologji si Edi Rama.

A do ta këndojë po atë këngë, s’është e thënë, sepse po flasim për këngë mali, që me rënien në qetësi pa barrikada edhe mund të transformohet lehtësisht:

“Una mattina mi son svegliato

O barricata ciao, barricata ciao, barricata ciao ciao ciao…

/Lexo shqip: Një mëngjes unë u zgjova,
Lamtumirë o barrikadë, lamtumirë o barrikadë, barrikadë lamtumirë, lamtumirë…/

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X