loader image
May 21, 2024

Ballkani i procesit të Berlinit

Si shoqëri e mbyllur në shumë segmente, fjala hapje dhe bashkëpunim mes vendeve të sfidon dhe të josh. Nismat që synonin heqjen e pengesave mes shtetesh, natyrisht se ishin për t’i përshëndetur, pavarësisht fantazive dhe kahjeve politike. Heqja e pengesave doganore, largimi i vonesave kufitare, njohja e diplomave, shfrytëzimi i lidhjes telefonike, bashkëpunimi dhe marrëveshjet në fushën e turizmit, natyrisht se ishin premtime që do t’ia lehtësonin jetën secilit qytetar, pavarësisht përkatësive të tyre. Prandaj, ngjyrosja politike me të dalë kjo nismë ishte e panevojshme, njëherësh davaritëse e shumë dyshimeve.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup

Qytetarët u besojnë lehtësisht nismave të reja, ngaqë ngecjet e vjetra tmerrësisht ua kanë vështirësuar jetën. Kufij andej e këndej. Grumbuj e kolona kilometrike, duke pritur nëpër kufij. Për shkak të politikave shoviniste, në vend të katër kilometrave, qytetari duhet t’i kalojë katërdhjetë kilometra. Për ta, edhe dështimet nga këto nisma nuk përbëjnë kushedi se çfarë lajmi, ngaqë janë mësuar, bashkëjetojnë me dështimet dhe me moszbatimin e premtimeve, por meqë janë të uritur për zhvillim dhe përparim, dalje nga gëzhojat burokratike, ata besojnë se të paktën edhe nëse dështojnë nismat e reja, diçka ngelet për ta. Prandaj, edhe projekti “Ballkani i Hapur” pat përkrahës dhe kundërshtarë, edhe pse si mendësi euforike që jemi, si në përkrahje, ashtu edhe në kundërshtime, e teprojmë, madje nuk përtojmë të vëmë edhe cilësime nga më të rënda për të dyja palët. Projekti i “Ballkanit të Hapur” shpejt u hap, në rrethana jo aq të qarta, por edhe shpejt u mbyll, edhe pse mungoi një përmbyllje përmbledhëse e asaj që është arritur saktësisht, ndonëse pushimi i këtij projekti u pohua vetëm nga kryeministri i Shqipërisë. Kishte zëra të pavërtetuara se ishte ide dhe nismë e presidentit të Serbisë, kurse si të mbyllur e shpalli kryeministri i Shqipërisë, duke e vënë tashmë theksin vetëm te Procesi i Berlinit, edhe pse asnjë zyrtarë nuk mëtoi se projekti “Ballkani i Hapur” ishte zëvendësim i Procesit të Berlinit, por një përpjekje për t’i bashkërenduar fuqitë ekonomike dhe kulturore ndërmjet gjashtë vendeve që gjenden në Ballkanin Perëndimor. Madje edhe ndërkombëtarët e përkrahën këtë projekt, por duke e vënë theksin vetëm te bashkëpunimi në rrafshin ekonomik. Kosova e refuzoi këtë projekt, kurse Mali i Zi me njërën këmbë e pohonte, kurse me tjetrën e mohonte, ndërsa rasti i Bosnjës – për shkak të problemeve të thella dhe padrejtësive ndaj boshnjakëve – vazhdon të jetë i koklavitur në çdo nismë e në shumë procese.
Si shoqëri e mbyllur në shumë segmente, fjala hapje dhe bashkëpunim mes vendeve të sfidon dhe të josh. Nismat që synonin heqjen e pengesave mes shtetesh, natyrisht se ishin për t’i përshëndetur, pavarësisht fantazive dhe kahjeve politike. Heqja e pengesave doganore, largimi i vonesave kufitare, njohja e diplomave, shfrytëzimi i lidhjes telefonike, bashkëpunimi dhe marrëveshjet në fushën e turizmit, natyrisht se ishin premtime që do t’ia lehtësonin jetën secilit qytetar, pavarësisht përkatësive të tyre. Prandaj, ngjyrosja politike me të dalë kjo nismë ishte e panevojshme, njëherësh davaritëse e shumë dyshimeve. Nuk ishte keq të merrje sa të mundesh prej këtij projekti për të mirën e qytetarëve, ngaqë edhe ashtu nuk ishte as antonim dhe as sinonim i Procesit të Berlinit, mbase thjesht ishte një proces që një ditë do të merrte fund, që në thelb merrej me lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe me parapërgatitjen për integrim të këtyre shteteve në Bashkimin Europian, paçka se politikanët edhe kur punojnë mirë për qytetarët, nuk e shmangin interesin e tyre politik, partiak, financiar dhe elektoral. Kosova nuk merrte pjesë, ngaqë pjesë e këtij projekti ishte Serbia, kurse nuk i bënte fare përshtypje se pjesë e këtij projekti ishte edhe Shqipëria, shteti amë i të gjithë shqiptarëve. Për mendimin tim, ajo duhej të merrte pjesë, ngaqë ajo nuk kishte problem me njohjen e Serbisë si shtet, por Serbia kishte problem me njohjen e Kosovës si shtet, plus Shqipërinë e kishte në krahë. Sidoqoftë, dhjetë marrëveshjet e nënshkruara që kishin për qëllim lehtësimin dhe bashkëpunimin e importit dhe të eksportit, lëvizjen e lirë të mallrave, bashkëpunimin në rast fatkeqësish natyrore, bashkëpunimin për tregun e lirë të punës, bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore, marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të diplomave e të ngjashme, tashmë mbeten vetëm të zbatohen saktësisht për të vazhduar me procesin e Berlinit, që këto marrëveshje asgjë nuk e pengojnë një proces të tillë, madje përkundrazi e lehtësojnë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me nikoqirin e tij, kryeministrin Kovaçevski, kryeministri Rama nënvizoi se duhet që ta mbështesim me zemër Procesin e Berlinit. Gjendemi në momentin e hyrjes në një fazë tjetër të marrëdhënieve me BE-në, për të cilët ky proces është vendimtar. Dëshiroj që “Ballkanin e Hapur” ta lë mënjanë nga procesi ballkanik, por kush nuk ka qenë i përfshirë në atë nismë ka gabuar. Në përpjekje për t’u përgatitur për këtë proces serioz, Rama vizitoi dhe realizoi takime me liderët e vendeve të cilat janë të përfshira në këtë proces, pos me Albin Kurtin, i cili në cilësi të një hakmarrjeje nuk pranoi ta takonte Ramën në Prishtinë. Madje, Kurti nuk përfundoi me kaq! Ai në një takim kafeje me krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, pasi më Rama e shpalli të mbyllur “Ballkanin e Hapur”, provokoi duke shkruar sipër fotografisë së tyre kështu: “Një pasdite e këndshme në Ballkonin e Hapur të Qeverisë”. Papandehur, ishte fjali që fare nuk i shërbente frymës së bashkëpunimit, sidomos me shtetin amë, pavarësisht se kush është kryeministri saj. Ndonëse me të drejtë ishte i zemëruar Kurti me anulimin e mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë, porse në sajë të kësaj nuk e bëri fare mirë me mospritjen e Ramës në Prishtinë, ngaqë bëhet fjalë për diçka të rëndësishme, plus asaj që po Kurti ishte kundër projektit “Ballkani i Hapur”, kurse edhe në këtë nismë, që nuk është e Ramës, por e Gjermanisë, po dëshmon kokëfortësi të panevojshme e të dëmshme. Tanimë ky inat edhe më tepër po trashet, ku Kurti e njoftoi Ramën që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe në Tiranë me rastin e mbledhjes në takimin e liderëve të rajonit, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë. Ta refuzosh Shqipërinë që të njeh, të ka ndihmuar e që e ke shtet amë, për Greqinë që nuk të njeh dhe dihen marrëdhëniet tona historike me këtë shtet, është e pakuptueshme, pa dyshim edhe qëndrim aspak i peshuar mirë. Kësaj pune kështu disi i thonë: “Ballkanin e Hapur nuk e deshe, Procesit të Berlinit nuk po ia di rendin …”.
Është koha që liderët tanë të mendojnë më shumë për qytetarët dhe më pak për egot e tyre, ngaqë t’i përjetosh gjashtëqind pengesa në vetëm gjashtë shtete vërtet është çmenduri dhe tirani e llojit të vet. Meqë procesi i integrimit po del të jetë një rrugë shumë e gjatë, ndoshta edhe e paarritshme për shumë breza, atëherë gjashtë shtetet, duke e ruajtur secili sovranitetin dhe shtetësinë e vet, duhet t’i shkrijnë akujt mërdhirës fillimisht për qytetarin. Kosova duhet të sillet si shtet dhe jo për hir të Serbisë që nuk e njeh si shtet, ajo t’i bojkotojë takimet ku është edhe Serbia. Fundja, Serbia le të ngushtohet, ajo ka kryer krime, ajo mohon shtetin e Kosovës dhe nëse është për të bojkotuar dikush, duhet të jetë Serbia dhe jo Kosova. Assesi, sidomos aty ku është edhe Shqipëria. Përndryshe, inatet fëmijërore nuk i ngjajnë aspak të rriturve, që fëmijë e të rritur presin dhe shpresojnë ende tek ata.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X