loader image
October 11, 2024

Bashkëpunim me mosmarrëveshje dhe urrejtje

“Gardhet e mira bëjnë fqinjë të mirë” është njëri variant i proverbave të ngjashme nëpër shumë kultura të botës. E si mund të ketë fqinjësi të mirë në një mëhallë të mbushur me mosmarrëveshje pronësore?

 Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

A u mbyll zyrtarisht “Ballkani i Hapur”? Kjo është një pyetje e gabuar prej në fillim, sepse “Ballkani i Hapur” asnjëherë nuk u regjistrua zyrtarisht. Për të qenë korrektë, në marrëdhëniet ndërkombëtare një qasje e tillë nuk është aspak e paprecedentë, sepse edhe një organizim aq i fuqishëm dhe me ndikim si G7, është iniciativë joformale! Pastaj e kemi shembullin e Grupit për Pasaporta të Pesë Kombeve (5 shteteve të anglosferës), ku i ndajnë përvojat më të mira në lidhje me pasaportat, por që ky grup nuk është krijuar me kurrfarë marrëveshje zyrtare në mes këtyre shteteve. Dhe, në BE e kemi Grupin e Vishegradit, që operon prej kohës kur ende ishte gjallë Çekosllovakia dhe prej atëherë vetëm se është thelluar bashkëpunimi në mes katër shteteve përbërëse, por i gjithë ky bashkëpunim zhvillohet në një aleancë që nuk figuron askund si “e bardhë në të zezë”, me të vetmin dimension të formalizuar që është Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.

Në fakt, edhe Procesi i Berlinit është gati tërësisht joformal. Aspekti i vetëm zyrtar është që “implementohet” nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), por gjithçka tjetër është joformale, ndërsa bashkëpunimi bëhet përmes marrëveshjeve multilaterale në mes shteteve, përmes iniciativave rajonale që ekzistojnë prej më herët, përmes atyre të krijuara gjatë Procesit të Berlinit, por që nuk janë pjesë zyrtare e tij dhe e gjithë kjo bëhet nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian. Kështu që të qenurit iniciativë joformale nuk është mangësi e “Ballkanit të Hapur”, por kjo iniciativë kishte mangësi të tjera, për të cilat është shkruar më herët (shih: R.D., “Shenja”, korrik 2022, fq. 64-66), kështu që nuk do të përsëritemi, por do të nisim nga deklarata më aktuale (1 korrik, 2023, Ulqin) e Edi Ramës kur e paralajmëroi fundin e “Ballkanit të Hapur” për shkak se “e ka kryer misionin për të cilin lindi”. Cili paska qenë ky mision? “Për të shtyrë përpara Procesin e Berlinit”. Pastaj (6 korrik, Shkup) u shpreh: “duhet të zhytemi me mendje dhe zemër në Procesin e Berlinit për ta kthyer atë në një proces funksional, ashtu siç tregoi “Ballkani i Hapur” se ne mund të jemi funksional kur jemi së bashku.”

Hajde mendjemadhësi hajde! “Hem qel, hem fodullë”! Edi Rama, Vuçiqi dhe Kovaçevski e paskan mësuar Komisionin Europian dhe shtetet anëtare të BE-së se si u zhvilluaka një proces funksional!

Që Procesi i Berlinit është proces i ngathët, Edi Rama ka të drejtë, por çfarë arriti ai me “Ballkanin e Hapur”?! Për shembull, një nga marrëveshjet që u nënshkruan në kuadër të “Ballkanit të Hapur” ishte ajo për njohjen e ndërsjellë të certifikatave të veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare, por Maqedonia e Veriut prapëseprapë nuk e lejon importin e mallrave shqiptare me origjinë shtazore, sepse vazhdon të mos i njohë certifikatat e lartpërmendura të lëshuara nga Republika e Shqipërisë. Kaq nga zbatimi i marrëveshjeve ndërshtetërore ndërmjet shteteve ballkanike kur kjo i lihet vetëm vullnetit të tyre dhe nuk qëndron mbrapa tyre shtysa nga ndonjë fuqi e jashtme.

Mos ndoshta pikërisht joefektiviteti i “Ballkanit të Hapur” që të sjellë dobi reale është një nga arsyet për ndërrimin e mendjes së Edi Ramës? Domethënë, nuk e pranon në mënyrë eksplicite gabimin me “Ballkanin e Hapur”, por duke u shprehur që tani tërësisht duhet t’i përkushtohemi Procesit të Berlinit, e pranon se nuk i kanë dalë llogaritë e pritura nga aventura kokë në vete me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut?

Procesi i Berlinit dëshmoi që asnjë nga shtetet ballkanike nuk është kundër bashkëpunimit rajonal përderisa ky bëhet nën ombrellën e përbashkët mbizotëruese të Bashkimit Europian. Por, kur jashtë Procesit të Berlinit u paraqit “Mini-Shengeni”, që më vonë si ““Ballkani i Hapur” doli të jetë gjithçka, përveçse heqje e kontrolleve kufitare, siç ndodh në Shengenin origjinal, në të gjitha shtetet ballkanike u ndezën kambanat e alarmit. Që në fillim u nuhat se në një proces jashtë kontrollit euro-perëndimor pala dominuese do të jetë Serbia. Kjo nuk përbën problem për Maqedoninë e Veriut, por kundërshti të ashpra u paraqitën mbi të gjitha në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Çuditërisht, Edi Rama me arrogancë e injoroi drojën që këto shtete e kishin nga pjesëmarrja në një proces ku pala më e madhe është Serbia. Askush në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë nuk u ndal të thotë “Kosova, Mali i Zi, dhe Bosnje-Hercegovina, me dekada, i kanë pasur punët e lidhura ngushtë me Beogradin. Kur vjen puna te marrëdhëniet me të, ndoshta ata dinë diçka që ne në Tiranë nuk e dimë, mbase ka arsye legjitime droja e tyre.”

Por, ndoshta tek tani në fund, pa i rënë pishman publikisht, Edi Rama është kthjellur që ta kuptojë se me kë ka punë në Beograd dhe në Ilindenska p.n. (ish Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste të Maqedonisë).

 Probleme edhe me Procesin E Berlinit

Debakli i “Ballkanit të Hapur” nuk do të thotë ngritje në qiell i Procesit të Berlinit. Nga viti 2014 dhe samit pas samiti nuk ka ndonjë ndryshim të ndjeshëm për qytetarët, përveç zvogëlimit të shpenzimeve telefonike të roamingut. Ato që kanë peshë më të madhe – projektet për lidhje të reja infrastrukturore – janë “agreed upon”, por vite më vonë ende presin për t’u realizuar.

Procesi i Berlinit dhe çfarëdo përpjekje tjetër për nxitje të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor niset nga një gjendje faktike që nuk lë shumë mundësi për bashkëpunim efikas. Në Ballkanin Perëndimor është Kosova që nuk njihet nga të gjithë, është Bosnja dhe Hercegovina që njihet nga të gjithë, por disa përpiqen ta rrënojnë, është Maqedonia e Veriut që ka fobi joracionale nga lidhjet me Kosovën dhe Republikën e Shqipërisë, agresori nuk i pranon e aq më pak të kërkon falje për krimet, ka zyrtarë shtetërorë që ende përdorin fjalor urrejtjeje ndaj tjetrit dhe në gjithë këtë rrëmujë me inat dhe urrejtje Perëndimi dëshiron që në Ballkanin Perëndimor të ketë bashkëpunim rajonal!

Për shembull, një nga marrëveshjet nga Procesi i Berlinit është ajo për kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftime, por në entitetin Republika Srpska madje janë edhe kundër heqjes së vizave për Kosovën, ndërsa për lëvizjen vetëm me letërnjoftime kërcënojnë që ratifikimit do t’i vendosin veto! Në Bosnjë dhe Hercegovinë punojnë një numër i madh zyrtarësh të huaj që vijnë nga shumë shtete të botës, përfshirë edhe gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të BeH-së, por Dodiku vetëm për gjykatësin nga Republika e Shqipërisë ka përdorur fjalor urrejtjeje (“shiptar”)! Si mund të ketë bashkëpunim të mirë rajonal me mosnjohje, urrejtje, inate, dhe kurthe?

Si pjesë e Procesit të Berlinit dhe jashtë tij, BE-ja si tërësi dhe shumë shtete perëndimore veç e veç, i kanë mbështetur një grumbull forumesh të OJQ-ve me të rinjtë, që temë kanë pajtimin, bashkëjetesën, barazinë, paqen dhe fjalë tjera të këndshme. Dhe, cili është rezultati i gjithë këtyre seminareve, trajnimeve, workshop-eve, e çkamos tjetër? Një asgjë e madhe! Nëpër internet ende ka me mijëra të rinj që internetin e shfrytëzojnë që të shpërndajnë “meme” me përmbajtje antishqiptare dhe në komente janë “trollë”, që i fyejnë të famshmit shqiptarë, si Dua Lipa. Ka studentë të nivelit deridiplomik, që dalin me kumtesë kundër gjuhës shqipe, ka të rinj që për shqiptarët kërkojnë dhoma gazi dhe të reja që shoqen e komplimentojnë duke i thënë “ti je në rregull, ti nuk je si shqiptarët tjerë”.

Në epokën e globalizimit dhe kontakteve të rregullta me njerëz të kulturave të ndryshme, të rinjtë e shteteve të zhvilluara zakonisht kanë pikëpamje respektuese ndaj tjetrit, kanë mirëkuptim për ankesat e komuniteteve joshumicë në shtetet e tyre, kanë respekt ndaj pjesëtarëve të feve tjera, i kundërshtojnë politikanët populistë që mundohen të tërheqin vota përmes frikësimit nga tjetri dhe e kundërshtojnë përdorimin e termave pezhorativ. Por, në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, shumë të rinj kanë ngelur në nivelin e rinisë së Europës së viteve 1930 dhe financimi euro-perëndimor i projekteve panballkanike për të rinjtë nuk ka sjellë ndonjë përmirësim në mendësinë shoviniste të tyre.

Por, aspekti më problematik nga pikëpamja etike që përpiqet ta bëjë Procesi i Berlinit është ajo siç shkruan në ueb-faqen e tij zyrtare “Achieving reconciliation within and between the societies in the region”. Por, si mundeshka të arrrihet pajtim brenda dhe në mes shoqërive të rajonit përderisa agresori nuk e ka pranuar fajin, aq më pak ka kërkuar falje dhe assesi nuk ka paguar reparacione?

A thua pas Luftës së Dytë Botërore do të mund të arrihej pajtimi dhe të krijohej bashkëpunim aq i ngushtë ndërmjet shteteve të Beneluksit, Francës, Italisë, dhe Gjermanisë Perëndimore, sikur Republika Federale e Gjermanisë ta mohonte Holokaustin, të luante në kartën “nuk kanë bërë krime vetëm gjermanët”, fajin për fillimin e luftës ta hidhte te të tjerët, politikanë të shumtë gjermanë të përdornin fjalor urrejtjeje ndaj hebrenjve dhe president ose kancelar i Gjermanisë të ishte ndonjë ish ministër i qeverisë së Hitlerit?

Bashkëpunim me mosmarrëveshje

Një sasi e vogël e mosmarrëveshjeve nuk është pengesë bashkëpunimi. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja kanë marrëdhënie të shkëlqyera përkundër mosmarrëveshjes në lidhje me Gjibraltarin. Spanja dhe Portugalia kanë marrëdhënie të shkëlqyera përkundër pretendimeve rivale mbi sovranitetin ndaj qytezave Olivenza dhe Taliga. Italia dhe Franca kanë qasje të ndryshme mbi pronësinë e majës së Mont Blankut, por kjo është çështje tërësisht e shpërfillshme në marrëdhëniet mes tyre. Sllovenia dhe Kroacia kanë disa mosmarrëveshje ndërkufitare, mbi të gjitha në lidhje me Gjirin e Piranit, por prapëseprapë bashkëpunojnë shumë. Hungaria dhe Sllovakia disa herë kanë pasur fërkime në lidhje me trajtimin e hungarezëve në Sllovaki, por kjo nuk ka shkaktuar dëm serioz në marrëdhëniet mes tyre në kuadër të grupit të Vishegradit.

Por, të gjitha këto mosmarrëveshje janë lojë fëmijësh krahasuar me çështjet e hapura në Ballkan dhe është e pamundur të ketë bashkëpunim efektiv dhe efikas pa u zgjidhur këto çështje njëherë e mirë.

“Gardhet e mira bëjnë fqinjë të mirë” është njëri variant i proverbave të ngjashme nëpër shumë kultura të botës. E si mund të ketë fqinjësi të mirë në një mëhallë të mbushur me mosmarrëveshje pronësore?

Gjithsesi, ka mundësi që një ditë të bëhemi fqinjë aq të mirë, saqë do të mundnim që gardhet t’i heqim tërësisht, gjë që e synojmë të gjithë, por që të arrijë puna aty, fillimisht duhet qartësuar se “ç’është e imja dhe ç’është e jotja” dhe vetëm pasi që përvoja të ketë dëshmuar se asnjëri banor i lagjes nuk është fqinj i keq ndaj banorëve të tjerë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X