Vlerat janë vlera, e nuk vjetërsohen, përkundër sfidave me të cilat ato ballafaqohen. Ari mbetet ar, pavarësisht kalimit të kohës. Së këndejmi, edhe revista “Shenja”, gjykoj se ia ka dalë të shpërfaqet e të marrë vlerën e arit në mozaikun e mediave të shkruara.
Ardian RAMADANI, Kumanovë
Në mozaikun intelektual dhe shkencor, pa dyshim që revista zë një vend themelor si një hapësirë për prodhimin, përhapjen (hapërdarjen) dhe shkëmbimin e ideve, mendimeve dhe opinioneve. Në fakt, revista përbën një instrument dhe aset të çmuar dhe të privilegjuar për qarkullimin e njohurive, dijeve, informacioneve, por edhe për nxitjen e dialogut të mirëfilltë midis qasjeve të ndryshme, qofshin ato teorike, praktike apo metodologjike. Së këndejmi, në këtë mënyrë revista merr pjesë aktive në strukturimin e fushave të kërkimit dhe në (r)evolucionin e mendimit kritik, krijues dhe problemor, si dhe në procesin komunikues, duke pasur kësisoj ndikim mbi sistemin shoqëror. Ky komunikim dhe kontakt i revistës, kuptohet me lexuesin, nënkupton në fakt bisedim, marrëveshje, konsultim, diskutim, këshillim, ekspozim të diçkahit.
Komunikimi, ashtu siç e definon edhe Charles Cooley qysh në vitin 1909, është një mekanizëm, me ndihmën e të cilit mbahen dhe zhvillohen marrëdhëniet midis njerëzve, ku përfshihen mes tjerash të gjitha simbolet e shpirtit. Përtej funksionit të saj të hapërdarjes e komunikimit, revista luan gjithashtu edhe rolin e një depoje intelektuale. Artikujt, debatet dhe analizat që mbledh dëshmojnë për shqetësimet shkencore, kulturore dhe sociale të një epoke të caktuar. Kështu, çdo numër bëhet një arkiv i gjallë, që na lejon të gjurmojmë transformimet e ideve, paradigmave (matricave) dhe ndjeshmërisë kolektive.
Tërë ky shpjegim i mësipërm dhe përkufizim pa dyshim që i shkon më së miri të përmuajshmes mbarëkombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore “SHENJA”. Kjo revistë, e cila mbetet besnike e shënjestrimit të problematikave dhe sfidave aktuale, me synim shpalosjen dhe ballafaqimin e të vërtetës, mbetet kasneci më i mirë i përbashkimit kulturor, kombëtar, gjuhësor, si dhe i debatit intelektual. Vlerësoj se revista, e cila në thelb në procesin e saj të komunikimit me lexuesin, mbështetet në parimin universal, përbashkues, funksional dhe të ndërveprimit, duke qëndruar stoike përballë stuhive të kohës, ka fituar peshë, duke u bërë e pashmangshme në peizazhin intelektual të hapësirës shqiptare, e duke sjellë mes tjerash edhe ndryshime në debatin intelektual shqiptar dhe jo vetëm, ndryshime këto të brendshme dhe të jashtme, me shestimin parësor, ruajtjen e parashtresave morale themelore njerëzore dhe vlerave intelektuale. Vlerat janë vlera, e nuk vjetërsohen, përkundër sfidave me të cilat ato ballafaqohen. Ari mbetet ar, pavarësisht kalimit të kohës. Së këndejmi, edhe revista “Shenja” gjykoj se ia ka dalë të shpërfaqet e të marr vlerën e arit në mozaikun e mediave të shkruara.
Familjarizimi im me këtë revistë daton qysh prej leximit të numrave të parë, andaj me dorën në zemër mund të mburrem se jam lexuesi i denjë i çdo faqeje të kësaj reviste, që nga numri i parë e deri në numrin e 179-të (i parafundit), duke koleksionuar mes tjerash edhe çdo numër të kësaj reviste në bibliotekën time personale. Mes tjerash, kjo revistë, e cila i hapi dyert së pari herë për mua, në cilësinë e bashkëpunëtorit, në numrin e saj të 45-të, në muajin janar 2015, për të vijuar më pas në shkurt, maj, shtator 2015, në janar e prill 2016, tetor dhe nëntor 2017, mars, maj, gusht, dhjetor 2018, tetor, nëntor, dhjetor 2021, shkurt, mars, prill, korrik, gusht, shtator, nëntor, dhjetor 2022, janar, shkurt, mars, prill, maj, qershor, korrik, gusht, tetor 2023, e mars 2024, mes tjerash edhe me intervista të përkthyera nga frëngjishtja në shqip të personaliteteve më të mëdha franceze (ambasadorë, politikanë e burrështetas), shërbeu mes
tjerash edhe si një pasarelë për ndërlidhje dhe hapje ndërkulturore e ndërcivilizuese, duke lënë gjurmë të thellë, duke ruajtur kujtimin e ideve, debateve dhe pyetjeve që formësojnë një brez, por edhe përtej kësaj, duke mos qenë thjesht një hapësirë botimi, por një forum për dialog intelektual dhe reflektim kritik e krijues. Përmes artikujve, analizave dhe debateve në këtë të përmuajshme, “SHENJA” me shenjëzat e saj (autorët dhe shkrimet e tyre) ka kontribuuar në formësimin e opinionit publik dhe pasurimin e mendimit kolektiv, duke u dhënë zë studiuesve, shkrimtarëve dhe intelektualëve e kështu me radhë, e duke e begatuar dhe dhënë kontributin e vlefshëm në dimensionin e formësimit të mendimit kombëtar shqiptar, por edhe në bërjen të njohur të këtij mendimi në rrafshin ballkanik dhe ndërkombëtar.
Mes tjerash, është edhe një nder dhe privilegj njëkohësisht, që në cilësinë e përkthyesit, fillimisht në misionin ushtarak të Ambasadës së Francës në Shkup, e pas mbylljes së tij, në cilësinë e përkthyesit për gjuhën shqipe dhe frënge në ambasadë deri në ditën e sotme, ta servoja këtë revistë si një referencë të vlefshme në këtë portë diplomatike në Shkup e Paris, duke qëndruar stoike në tavolinën dhe arkivin e kësaj ambasade. Thanë e çfarë nuk thanë e shpifën gojët e liga, duke mos e duruar zërin e së vërtetës që shpalosej në rreshtat e këtij burimi të pashtershëm, por në thelb përgjegjësit dhe botuesit e kësaj reviste dëshmuan se fjala ndoshta ka pasoja, por heshtja e së vërtetës ka pasoja edhe më të mëdha, si dhe përdëftuan thënien e Albert Kamysë se “Liria e shprehjes nuk është vetëm një e drejtë për ata që shkruajnë, por një domosdoshmëri për një shoqëri që dëshiron të kuptojë kohën e saj dhe të reflektojë mbi veten.”
Revista “SHENJA”, me trajtesat e saj, dëshmoi e po dëshmon se shkrimi publik mund të bëhet laborator i mendimit, ku përgatitet transformimi intelektual i një epoke, gjegjësisht është vend për prodhimin dhe legjitimimin e dijes (Bordieu), se ligjërimi që qarkullon aty kontribuon në formimin e dijes në një shoqëri (Foucault), duke kultivuar mes tjerash hapësirë lirie dhe rreptësie intelektuale, por edhe është vendi më i mirë ku gdhendet kujtesa intelektuale e një epoke dhe ku formohen gjurmët e qëndrueshme të mendimit kolektiv, si instrumenti më efikas i luftës intelektuale (Sartre).
Uroj, që pavarësisht formës së ribrendimit të saj, “Shenja” të mbetet edhe më tej një laborator i ndërgjegjes kritike të shoqërisë sonë panshqiptare, një hapësirë ku do të testohen e shoshiten gjuha, historia, historiografia, kultura, shkenca, debati intelektual, idetë e reja dhe projektet e së ardhmes, kuptohet me shikimin nga yjet dhe qielli, por me këmbët në tokë, si një produkt i bashkimit të veprave të njerëzve të mendimit me veprën e njerëzve të veprimit.
Krejt kjo, sepse revista “SHENJA” nuk përfaqëson një gur në udhë, por NJË SHENJË ORIENTUESE në rrugë, që flet duke heshtur e hesht duke folur.









