SHENJA është një nga ato projekte që nuk “lufton” për klikime e as nuk bën “gara” të çoroditura, por është projekt mbarëkombëtar që bën përpjekje për ta ruajtur indin kombëtar.
Shkëlzen HALIMI, Shkup
Të ekzistosh si një medium, përkatësisht si revistë, do të thotë të kesh sado kudo një ekuilibër, qoftë edhe i brishtë, që të jesh besnike ndaj së vërtetës, gjithnjë duke e mbajtur lidhjen me lexuesin. Në këto kohë pa kohë, shoqëria shqiptare, pavarësisht hapësirës ku jeton dhe vepron, ka nevojë që të ketë një strehë për mendimin e thellë, për diversitet mendimesh konstruktive. Ndaj dhe SHENJA në këtë drejtim ka kontributin e vet të pamohueshëm.
Në një kohë kur leximi duket se po zbehet përballë ritmit të shpejtë të teknologjisë dhe konsumit të menjëhershëm të informacionit, në një kohë që karakterizohet me shumë të panjohura dhe të papritura, të ekzistosh si revistë jo vetëm që është një akt rezistence kulturore, por edhe një sfidë për t’i shërbyer të vërtetës edhe kur ajo është e dhimbshme. Të gjithë do të pajtoheshim se kriza e leximit nuk është thjesht mungesë kohe apo interesi, por një ndryshim i thellë në mënyrën se si e trajtojmë tekstin, mendimin dhe si reflektojmë.
Jo një herë është thënë se shoqëria shqiptare përballet me shumë absurde. Sot, fatkeqësisht, kemi më shumë shkrimtarë sesa lexues, por kemi edhe një armatë të madhe të studentëve, arsimtarëve, profesorëve. Po kështu kemi edhe një armatë me tituj akademikë. Pra, kemi një armatë të madhe që leximin duhet ta keni ushqim të përditshëm shpirtëror. Por, fatkeqësisht, janë faktet që e tregojnë një realitet tjetër, të dhimbshëm, realitetin e injorancës së madhe.
SHENJA, edhe përkundër shumë problemeve të natyrave të ndryshme, tregoi se është një hapësirë ku fjala merr frymë dhe ku mendimet e pikëpamjet e ndryshme krijojnë mozaikun e qëndrueshëm të çdo teme të shtruar. Pa dyshim, SHENJA, qysh në fillimet e saj, u tregua se nuk do të jetë një revistë ku do të përmblidhen artikuj të ndryshëm, por një lloj sheshi i ideve, ku zhvillohet një dialog i heshtur mes autorëve dhe lexuesve.
Zhvillimet e përditshmërisë sonë kanë një dinamikë të përshpejtuar dhe pikërisht ky përshpejtim rrezikon që të shtohet numri i individëve të tjetërsuar, kurse gjithçka e shkruar si tërësi, si libër, por edhe si revistë, në rastin konkret SHENJA, ofron një ritëm tjetër, më të ngadaltë dhe na bën të reflektojmë, të mendojmë më thellë, me shpirt e zemër.
Pra, SHENJËN duhet kuptuar edhe si një mundësi, si një ftesë për të qenë, për pak çaste, të përqendruar rreth temave nga e kaluara, por edhe nga e ardhmja.
SHENJA është një nga ato projekte që nuk “lufton” për klikime e as nuk bën “gara” të çoroditura, por është projekt mbarëkombëtar që bën përpjekje për ta ruajtur indin kombëtar dhe për të krijuar një mendim të shëndoshë.
Natyrisht, edhe ekzistenca e saj kalon nëpër shumë vështirësi, por arrin t’ia dalë, duke besuar se fjala akoma ka peshë.
SHENJA mbetet shenjë e 15 vjetëve të kaluara, siç shpresojmë do të jetë edhe në vitet në vijim.









