loader image
April 14, 2026

Shenja e së drejtës

“Shenja” është një arenë ku jam përpjekur të sjell një kategori që nuk ka qenë aq e zakonshme për publicistikën shqiptare, atë të analizës juridike për problematika me interes publik. Natyrën teknike dhe, ndoshta, për dikë bezdisëse të studimeve juridike, nëpërmjet “Shenjës” jam munduar t’ia vë në dispozicion publikut shqipfolës me një stil më të thjeshtuar, pa ia humbur thelbit seriozitetin e tij.  

Ditar KABASHI, Prizren  

Që në fillesat e botimit, pesëmbëdhjetë vjet më parë, gëzohesha kur kohë pas kohe më binte në dorë ndonjë ekzemplar i revistës “Shenja”. Me praninë e saj edhe në mjedisin digjital, ajo u bë pjesë e leximeve të mia të rregullta dhe e ndiqja me kureshtje. Çdo numër i ri ma përforconte bindjen se ishte diç më shumë se një revistë mujore.  

Në verën e vitit 2018 më erdhi ftesa e parë për të shkruar një artikull. Pa hiperbolizuar kujtimin, atë mbrëmje nuk më kishte zënë gjumi nga entuziazmi dhe pasiguria nëse do të isha i denjë të më shkruhej emri në ballinën e kësaj reviste, krahas emrave të spikatur aty. Ky akt shënoi një dimension të ri në raportin tim me “Shenjën”: admirimi im për të po kthehej në detyrim ndaj saj. Madje, pa parashikuar se me kalimin e kohës do të bëhesha shkrues i rregullt.  

Pjesëmarrja e vazhdueshme në faqet e revistës ka qenë një mundësi për të afirmuar pikëpamjet profesionale, por edhe një proces i formimit të mënyrës së të shkruarit, duke u avancuar pikërisht në saje të ritmit të përmuajshëm.  

Si autorë, rrugëtimi ynë i përbashkët me revistën “Shenja” është shoqëruar edhe me sfida të herëpashershme. Kemi përjetuar periudha të vështira, sikurse pandemia Covid-19, por asgjë nuk ka arritur ta ndërpresë angazhimin tonë të përbashkët. Vullneti ka ngadhënjyer çdoherë karshi rrethanave të pafavorshme. Dhe, kjo vijimësi e plotëson domethënien e rolit historik të revistës.  

Të panumërta janë temat e analizuara në “Shenja”. Të shumta janë zhanret e shkrimeve. Të pasura janë biografitë e shkruesve, të këtij komuniteti të qëndrueshëm që ka peshuar fjalën e shkruar në hapësirën publike të mbingarkuar me zhurmë.  

Në këtë kuptim, përveç se paraqet një platformë të përgjegjshme publikimi për trajtesa historike, politike, kulturore dhe ekonomike, “Shenja” është një arenë ku jam përpjekur të sjell një kategori që nuk ka qenë aq e zakonshme për publicistikën shqiptare, atë të analizës juridike për problematika me interes publik. Natyrën teknike dhe, ndoshta, për dikë bezdisëse të studimeve juridike, nëpërmjet “Shenjës” jam munduar t’ia vë në dispozicion publikut shqipfolës me një stil më të thjeshtuar, pa ia humbur thelbit seriozitetin e tij. Në një kontekst ku e drejta zakonisht artikulohet përmes një terminologjie të specializuar dhe i drejtohet kryesisht një kuadri profesional, kjo është kthyer në një shans të veçantë. Kësisoj, më ka dhënë kurajë fakti kur lexues kanë pohuar se kanë arritur ta kuptojnë më mirë një çështje të ndërlikuar përmes një shkrimi në “Shenja”.  

Prejse e kam nisur përvojën si artikullshkrues me revistën, kam vënë re se shkrimet duheshin strukturuar jo thjesht me saktësinë e argumentit, siç pritet për tekstet juridike, por edhe me qartësi e konkretësi në të shprehur.  

Çështjet që lidhen me funksionimin e institucioneve, interpretimin kushtetues ose standardet ndërkombëtare, të cilat rëndom mbeten të izoluara brenda teksteve akademike, kërkonin një shpjegim më të përshtatshëm për lexuesin e interesuar. Në këtë linjë, përgjatë këtyre viteve, në brendinë e saj është trajtuar një gamë e gjerë temash që e prekin drejtpërdrejt thelbin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Këto përfshijnë, nga njëra anë, liritë themelore – si liria e mediave, e shprehjes dhe e besimit – dhe, nga ana tjetër, çështje më komplekse që lidhen me legjitimitetin e pushtetit, laicitetin, konstitucionalizmin, kufizimin e të drejtave në rrethana të jashtëzakonshme ose ndikimin e krizave globale në të drejtat e njeriut. Njëherësh, janë trajtuar edhe procese të rëndësishme, si funksionimi i demokracisë elektorale, eklipsi i të drejtave zgjedhore, dinamika e përfaqësimit politik përmes dukurive si transferimi i deputetëve, etj. Këtyre u shtohen edhe reflektime që shtrihen në rrafshin ndërkombëtar dhe krahasues të së drejtës, që nga dokumente themelore historike, si Magna Carta e Sened-i İttifak, e deri te raste dhe figura bashkëkohore që kanë ndikuar në mendimin juridik dhe në praktikën e të drejtave të njeriut.  

Përtej të gjitha fushave të shtjelluara, prania e një koncepti të tillë ka provuar që kjo nuk ka qenë vetëm një formë për të ekzaminuar tema nga prizmi juridik, por edhe një rrjedhë perceptimi se si e drejta mund të komunikojë me një diskurs gjithëpërfshirës. Zgjerimi i domenit analitik të “Shenjës” në këtë drejtim, nga njëra anë, ka nderuar shkruesin dhe, nga ana tjetër, ka ruajtur tiparin e saj ekskluziv, duke e pozicionuar revistën si pararendëse në zhvillimin e kësaj alternative për audiencën ndër vite. Gjithherë si një tribunë me rregulla rigoroze mbi cilësinë e shkrimit – shpesh me përpikëri më të theksuar se në disa revista të cilësuara si “shkencore” – por asnjëherë me censurë ndaj opinionit të autorit.  

Në përmbyllje, duhet bërë një sqarim i domosdoshëm: ndjekësit e artikujve të mi në revistën “Shenja” janë mësuar të hasin një gjuhë objektive dhe profesionale. Në këtë shkrim, megjithatë, mund të ndihet një dozë subjektiviteti. Kjo është e pashmangshme, pasi “Shenja” është subjekti qendror i mendimit të lirë dhe të drejtë ndër shqiptarë.  

15-vjetori i revistës “Shenja” është sihariq dhe një manifestim i rezistencës së saj në konsolidimin e kulturës së debatit të mirëfilltë intelektual.  

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X