Revista SHENJA vazhdon të ecë me kokëfortësinë edhe më të madhe në anën e kundërt të rrjedhës së transformimeve të mëdha digjitale, duke dëshmuar për një kohë kur e vërteta ishte më e shenjtë se profiti, kurse lajmet e rreme më trup se vetë trupi.
Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë
Kur në vitin 2011 doli në treg e përmuajshmja SHENJA, sfera publike shqiptare ishte duke numëruar vdekjet e gazetave. Ishte kohë e mbylljes së mediave të shtypura. si pasojë e përhapjes së mediave të reja, që për bazë kanë internetin. Përdorimi masiv i internetit rezultoi me fshirjen e dallimeve midis gazetarëve profesionistë dhe “bllogerëve”, ndërkohë që rrjetet sociale i dhanë mundësi çdo përdoruesi të jetë një gazetar i mundshëm. Ky tërmet i madh në gazetarinë si profesion solli shkatërrimin total të mediave të shtypura, të cilat ishin të njohura për besueshmërinë e tyre të lartë, kjo nga shkaku se, për dallim nga mediat audiovizive që ishin nën presion të kohës për raportim të ngjarjeve, ato të shtypura kishin më tepër kohë për të shkuar në thelbin e problemit, duke i analizuar të gjitha aspektet. Nëse më parë një lajm nevojitej të verifikohej nga gazetari, redaktori dhe kryeredaktori, në gati dy dekadat e fundit lajmi fillimisht publikohet e më pas lihet të verifikohet nga lexuesi. Jorastësisht kemi projekte për edukim mediatik me qëllim që vetë lexuesi të kërkojë burimet e verifikuara të informacionit, gjë që psikologjia thotë se është rëndë e arritshme. Raportet nga hulumtimet shkencore thonë se pjesa më e madhe e lexuesve janë të prirur të kërkojnë zbavitje ose eksitim në çdo përmbajtje, e jo lajme të verifikuara që shpesh duken joatraktive. Disonanca kognitive shpesh i orienton ata të besojnë në lajmet që dëshirojnë të jenë të vërteta, e jo në të vërtetat që bien ndesh me besimet e tyre.
Në këtë atmosferë të zhdukjes së mediave të shtypura u shfaq revista SHENJA, si një optimiste kokëfortë që kërkon të ecë në anën e kundërt të rrjedhës së fuqishme të lumit. Jo vetëm që u shfaq, por ia arriti t’u bëjë ballë të gjitha sfidave që solli transformimi i gazetarisë ndër vite, duke u përshtatur me realitetin e ri digjital, por pa bërë kompromis me parimet dhe vlerat bazë të informimit të drejtë.
Ka shumë definicione se çfarë është e vërteta, raportimi i drejtë, gazetaria profesionale dhe media e pavarur. E vërteta si koncept shpesh është temë e debateve të pafundme filozofike, por shumica pajtohen se nuk ka të vërtetë absolute dhe se e njëjta është relative. E njëjta vlen edhe për raportimin e drejtë – çdo gazetar e ka perspektivën personale mbi ngjarjet, njëjtë si çdo njeri tjetër. Gazetaria profesionale dhe media e pavarur po ashtu janë koncepte ku nuk ka pajtueshmëri të plotë mbi një definicion. Një gazetari profesionale është e tillë kur u përmbahet standardeve, normave dhe vlerave të parapërcaktuara, ndërkohë që një media e pavarur është ajo që krijon hapësirë për të gjitha “të vërtetat” dhe “perspektivat”. Këto vlera i kam gjetur te revista SHENJA. Në këto 15 vite të bashkëpunimit, asnjëherë nuk më ka ndodhur që të mos botohet një analizë e imja shkaku i mospërputhjes eventuale me politikën redaktuese. Aty kam lexuar shkrime të autorëve më të shquar të hapësirës shqiptare, me të cilët në disa raste dhe për disa tema nuk ndajmë pikëpamje të njëjta. Kemi debatuar, por edhe kemi mësuar nga njëri-tjetri, duke i rivlerësuar kështu qëndrimet për ngjarje, dukuri ose personalitete të jetës publike. Ky është edhe misioni i medias – të jetë platformë për mendime, ekspertiza dhe eksperienca të ndryshme, nga të cilat lexuesi do ta nxjerrë një të vërtetë sa më të afërt me realitetin objektiv.
Ka edhe një vlerë të shtuar në tërë këtë bashkëpunim 15-vjeçar me të përmuajshmen e vetme në gjuhën shqipe. Gjatë përgatitjes dhe shkrimit të analizës mujore, kam mësuar gjithnjë e më shumë lidhur me temat e ndryshme që trajtoheshin në numrat e revistës. Pasi është e përmuajshme, edhe shkrimet duhej t’u bëjnë ballë dinamikave dhe aktualiteteve ditore dhe javore. Për t’u arritur kjo, duhet të zhytesh thellë në temën që trajtohet. Kjo zhytje, në fakt, ishte hyrje në një botë dijesh të paeksploruara, që përforcojnë analizën duke u kontekstualizuar, dhe të cilat i japin shkrimit një jetëgjatësi përtej numrit të radhës. Së këndejmi, një pjesë e madhe e teksteve të botuara gjatë kësaj periudhe zënë vend në dy librat e mi të botuar – “Kohët e eklipseve” (2017) dhe “Përralla për të rritur” (2021).
Sot, pas 15 viteve botim, SHENJA vazhdon të notojë në ujëra edhe më të trazuara për mediat e shtypura. Anembanë botës ato mbyllen shkaku i mungesës së shprehisë për blerjen e tyre nga gjeneratat e reja, të lindur e të rritur qasje në internet, me telefona të mençur dhe rrjete sociale. Mediat e shtypura sot kanë më pak shpresë seç kishin në vitin 2011. Por, revista SHENJA vazhdon të ecë me kokëfortësi edhe më të madhe në anën e kundërt të rrjedhës së transformimeve të mëdha digjitale, duke dëshmuar për një kohë kur e vërteta ishte më e shenjtë se profiti, kurse lajmet e rreme më trup se vetë trupi.









